Edukimi islam si një element bazë për një shoqëri të shëndoshë, kërkon prej
një edukatori që dëshiron të jetë i dobishëm për shoqërinë që, përveç ndjekjes së të dhënave aktuale dhe zhvillimit të shkencës bashkëkohore, ai t’i njohë edhe parimet themelore të edukimit kuranor. Një vështrim mbi këto parime dhe objektiva e hasim edhe në kaptinën Lukman, kaptinë kjo e përbërë nga 34 ajete, e zbritur në Mekë. Edhe kjo kaptinë, sikurse kaptinat e tjera mekase, si cak dhe qëllim ka tri pikat më qendrore të besimit islam: Zotin, pejgamberët dhe ahiretin. Njashtu përfshin një pjesë të tregimit për Llukmanin e urtë, për mençurinë që ia dhuroi Zoti, për këshillat që ia drejtoi të birit e, përmes tij edhe gjithë njerëzve, këshilla këto shumë të rëndësishme për njohjen e objektivave të edukimit islam dhe formimin e një shoqërie të dobishme. Kaptina përfundon me pasqyrimin e Ditës së Kiametit, ditës në të cilën nuk do të mundet t’i bëjë farë dobie prindi fëmijës a fëmija prindit, ngaqë çdokush do të jetë i preokupuar me çështjet e veta.
Lidhshmëria e kësaj kaptine me kaptinën paraprake dhe atë pas saj
Lidhshmëria mes kaptinave është një interpretim i përgjithshëm i Kuranit, i cili jep një shembull të mrekullueshëm në aspektin e harmonisë kuranore. Nga ky aspekt shihet se edhe kaptina Llukman përmban një lidhshmëri të ngushtë me
kaptinat që zënë vend para dhe pas saj në renditjen kuranore. Lidhshmëria e saj me kaptinën paraprake, kaptinën Rrum, kuptohet nga fakti se përmbajtja e përgjithshme në kaptinën paraprake ka si tema çështjet më themelore të besimit të drejtë: besimin në një Zot të vetëm, në të dërguarit e Tij, si dhe në ringjalljen, tema këto të përfshira edhe në kaptinën Llukman. Përveç tjerash, në kaptinën Rrum, gjegjësisht në versetin e 58-të, theksohet se Zoti i Madhërishëm në Kuran u ka sjellë njerëzve shembuj nga të gjitha llojet, fakt ky që argumentohet edhe në kaptinën Llukman, gjegjësisht në ajetin e dytë, në të cilin thuhet se ato janë ajete të librit me plot urtësi të përsosura.1 Në të njëjtën mënyrë, në fund të kaptinës Rrum, theksohet qëndrimi mohues i mushrikëve ndaj ajeteve të Kuranit, ndërsa në atë Llukman shprehet qëndrimi i ngjashëm i mohuesve: E kur i lexohen atij ajetet Tona, ai kthehet kryelartë dhe bëhet sikur nuk i ka dëgjuar ato, bëhet sikur në veshët e tij ka shurdhim të rëndë, pra, ti përgëzoje atë me një dënim të dhembshëm.2 Në të dy kaptinat po ashtu theksohet për fuqinë e përsosur dhe për madhërinë e pakufishme të Zotit, e që dokumentohen në krijimin e njeriut të parë, krijim që Zoti e bëri nga dheut, e pastaj përmes proceseve të zhvillimit; krijimi i njerëzve që veprojnë në lëmenj të ndryshëm të jetës së tyre, të ndryshëm për nga dituria, bukuria, pasuria fatbardhësia etj.; krijimi i gjinisë tjetër prej llojit të njeriut; krijimi i qiejve e i Tokës; i njerëzve me gjuhë dhe raca të ndryshme; i natës për gjumë e i ditës për punë; i vetëtimës që mbjell frikë e rrufesë, dhe shpresën për shi; i stabilizimit të qiejve e Tokës edhe i ringjalljes pas vdekjes.3
Lidhshmëria e kaptinës Llukman me kaptinën Sexhde, është evidente edhe në faktin se të dy kaptinat përmbajnë argumentet mbi Njëshmërinë e Zotit, që është parim themelor i besimit. Po ashtu kaptina Sexhde, sikurse ajo Llukman, trajton çështjet e besimit, ndër të cilat si më kryesore atë të ringjalljes, të cilën e mohonin idhujtarët me këmbëngulje dhe e përdornin si çështje me të cilën donin ta shpallnin Muhamedin, a.s., shpikës të mësimeve të veta.4 Po ashtu, edhe në këtë kaptinë sillen fakte që dokumentojnë për fuqinë e Zotit, si krijimin e qiejve e të Tokës, përsosjen e krijimit të çdo gjëje, krijimin e njeriut të parë nga balta, ashtu edhe për origjinën e tij nga një ujë i dobët, e pastaj dhurimin e shpirtit, shqisave dhe të të menduarit. Këtu përmendet edhe vdekja dhe meleku që është i caktuar për marrjen e shpirtrave.5
Objektivat e edukimit islam në kaptinën llukman
Një ndër synimet parësore të fesë islame është motivimi i njerëzve, duke i udhëzuar në besimin e drejtë dhe në sjellje të duhura - vepra të mira – t’i edukojë ata në frymën e mirësisë, paqes dhe ndershmërisë. Nisur nga ky fakt edhe mund të thuhet se personaliteti i Pejgamberit, a.s., paraqet sinonim dhe mozaik të virtyteve më të larta morale me të cilat u qëndis qenia njerëzore. Nuk ndodh të përmendet ky njeripejgamber i madh, e mos të na bjerë ndër mend sasia e vlerave të larta njerëzore që kishte, si simbol i unifikimit të virtyteve morale. Se si ka qenë karakteri i Muhamedit, a.s., më së miri e shohim në Kuranin fisnik, ku përveç tjerash thuhet: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut.”6.
Aspekti edukativ kuranor përmendet edhe në kaptinën Llukman, në mënyrë të shkoqitur. Në lidhje me këtë komentuesi Sejjid Kutbi thekson se temat që trajton kjo kaptinë janë të një stili të përsosur. Për ta kuptuar këtë stil të mrekullueshëm të Kuranit, i cili tërheq zemrën dhe natyrën e njeriut, kërkohet mendim dhe meditim i thellë mbi to. Prandaj, çdo thirrës në rrugën e Zotit duhet të mendojë mbi këtë mënyrë edukative të thirrjes, dhe ta zotërojë atë.7 Në kaptinën Lukman, sa i përket objektivave të edukimit islam, mund të konsiderohen dy parime, edukimi i njerëzve që të jenë të drejtë dhe vepërmirë, dhe - si rezultat i natyrshëm i qëllimit të parë - t’i bëjë njerëzit të lumtur në të dy botët.
Niveli që i Plotfuqishmi e dëshiron për robërit e Tij, përmes edukimit kuranor, është niveli i “individit të drejtë, vepërmirë/ salih”. Në lidhje me këtë thuhet: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, për ata janë xhenetet e begatshme, që në to janë përgjithmonë. Premtimi i Allahut është i prerë, e Ai është i Gjithëfuqishmi, i Urti.”.8 Shprehja salih rrjedh nga “sa-la-ha” që në leksik do të thotë “korrektësi, të qenët në vend, përshtatshmëri, zbatueshmëri, përdorshmëri”.9 Ibën Abbasi, në interpretimin këtij ajeti, konceptin “vepra të mira” në kuptimin gjithëpërfshirës, dhe i përshkruan si të gjitha adhurimet që paraqesin lidhjen ndërmjet Zotit të Plotfuqishëm dhe robit të Tij, ndërsa në kuptim të veçantë e kufizon atë me faljen e namazit dhe agjërimin.10 Ndërsa, komentuesi Kurtubiu “veprat e mira” i përkufizon si adhurime të obliguara prej Allahut.11 Ibën Kethiri i përshkruan si “vepra të mira që besimtari i beson me zemër dhe i kryen me gjymtyrët e tij”. Përderisa interpretuesit e Kuranit theksojnë se koncepti “vepra të mira”, ashtu siç i përfshin të gjitha ato vepra që janë të miratuara prej Zotit dhe të Dërguarit të Tij,12 të vërtetuara me prova racionale dhe transmetime13, vepra të cilat në vete përfshijnë të gjitha sjelljet e mira,14 në kaptinën Llukman përmenden pesë elemente themelore që e bëjnë njeriun vepërmirë përmenden: Teuhidi/Njësimi i Allahut të Lartësuar, zbatimi i urdhrave të Tij, durimi, morali i mirë dhe urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga të këqijat.
Te u h i d që do të thotë “Njëshmëri”, dhe paraqet besimin në Njëshmërinë absolute të Allahut të Lartë, pra, është çelës, princip fundamental i Islamit dhe bazë e besimit të një myslimani. Në Kuran ekziston një lidhje aq e fortë ndërmjet besimit dhe veprave të mira, sa pothuajse kudo që përmendet besimi, menjëherë pas tij vjen vepra e mirë. Ashtu siç hija e ndjek njeriun, veprat e mira e pasojnë besimin në Kuran. Me fjalë të tjera, veprat e mira janë pasqyrim i jashtëm i besimit në zemër. Si rrjedhojë, edhe tregimi për këshillat e Llukmanit drejtuar birit të vet, i përmendur në këtë kaptinë, ashtu siç është një fakt bindës se njerëzit e mençur gjithnjë e kanë ndjekur rrugën e drejtë, rrugën e Zotit, e jo siç bënin idhujtarët injorantë, po ashtu është një metodë kuranore edukimi mbi elementin parësor të thirrjes. Në lidhje me këtë është shpallur: “(Kujtoja popullit tënd) Kur Llukmani, duke e këshilluar, birit të vet i tha: “O djali im, mos i përshkruaj Allahut shok, sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe!”15 Pra, Llukmani filloi edukimin islam duke e luftuar politeizmin, ngase është një përpjekje e kotë të përpiqesh në edukimin e individit dhe përsosmërinë e tij me virtyte të larta morale dhe vepra të mira kur në zemrën e tij akoma ekzistojnë elemente të shirkut/ politeizmit. Prandaj, hapi i parë dhe më i rëndësishëm i edukimit islam është edukimi i mirëfilltë mbi besimin në Zot. Sepse, që një vepër të konsiderohet si e mirë, duhet të jetë e kryer prej një besimtari të larguar nga shirku, të bëhet me qëllim të mirë, me sinqeritet dhe në harmoni me parimet e Islamit. Punët e mira e të dobishme, të bëra prej ndonjë jobesimtari, nuk mund të konsiderohen brenda fushës së “veprës së mirë”. Sepse besimi është i domosdoshëm për vlefshmërinë e një vepre. Në Kuran thuhet: “E kush e mohon (e tradhton) besimin, ai e ka asgjësuar veprën e vet, dhe ai në botën tjetër është prej të shkatërruarve.”16.
Elementi i dytë që një person të konsiderohet vepërmirë është përmbushja e obligimeve të urdhëruara prej Zotit të Madhërishëm. Komentuesi Zuhajli thekson se nuk mjafton vetëm besimi që një person ta arrijë shpëtimin, përderisa nuk i përmbush obligimet që ndërlidhen me besimin e tij.17 Në këtë kaptinë përmendet që Llukmani, pasi e thirr djalin e tij për largim nga politeizmi dhe ia tërheq vëmendjen për diturinë dhe fuqinë e Allahut, e këshillon atë që të bëjë vepra të mira, të cilat e pasqyrojnë besimin e tij: “O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira dhe ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, se vërtet këto janë nga çështjet më të preferuara!”18. Pra njeriu, për të qenë prej vepërmirëve, duhet të stoliset dhe të fitojë shprehi të përmbushjes së adhurimeve, e që janë ushqim dhe lumturi e çdo besimtari të sinqertë, kënaqësi e shpirtit dhe mëshirë e dhuruar prej Zotit për robërit e Tij.
Pa dyshim se një ndër këto adhurime është edhe namazi, që ka një pozitë madhështore në Islam, dhe një vlerë të madhe tek Allahu, tek i Dërguari i Tij dhe te besimtarët, për vetë faktin se është shtylla e dytë e Islamit, menjëherë pas Shehadetit (Dëshmisë). Po ashtu, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga të këqijat, po edhe durimi karshi çdo fatkeqësie, konsiderohen disa nga aspektet më të rëndësishme të besimit dhe nga tiparet që e plotësojnë një individ vepërmirë. Të besuarit pa mbështetje me vepra të mira mund të jetë çështje kohe që të mjegullohet, apo edhe të humbasë fare.
Një nga elementet që duhet ta posedojë një vepërmirë, të përmendura në këtë kaptinë, është dhe morali i mirë: “Dhe mos e shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet! Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit!”19. Sejjid Kutubi, në interpretimin e ajetit sqaron se Hz. Llukmani, pasi e thirri të birin e tij në teuhid dhe adhurim, e ftoi atë për disa sjellje morale, ngase ai dëshironte që biri i tij të qëndronte larg sjelljeve që nuk i përshtaten një besimtari, dhe të kishte moral të mirë në raport me njerëzit.20 Në këtë kontekst i Dërguari i Zotit thotë: “Ki frikë Allahun kudo që je, dhe paso të keqen me të mirën që ta fshin atë, dhe sillu me njerëzit me një moral të lartë.”21. Ibën Kajim El Xhevziu thotë se Pejgamberi, a.s., ka bashkuar mes frikës ndaj Allahut dhe moralit të mirë, dhe kjo për shkak se frika ndaj Allahut i përmirëson raportet mes robit dhe Zotit të tij, ndërsa morali i mirë i përmirëson raportet mes tij dhe krijesave të tjera. Po kështu, me frikën ndaj Allahut fitohet dashuria e Tij, dhe me moralin e mirë fitohet dashuria e krijesave të tjera.22 Kështu kuptohet se nuk përkryhet besimi i robit përderisa nuk plotësohet morali i tij, ngase morali është bazament për ngritjen e civilizimit njerëzor.
Në Kuran vihet në pah fakti se Allahu i Madhëruar e krijoi njeriun në mënyrën më të përsosur, dhe se shpëtimi i besimtarit në Ditën e Gjykimit varet nga pesha e veprave të tij të mira. Po ashtu, në kaptinën Llukman thuhet: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, për ata janë xhenetet e begatshme, që në to janë përgjithmonë.”. Këtu bëhet fjalë për fatin e të mirëve, pra, për ata që besuan në Zotin dhe të Dërguarin e Tij, që bënë vepra të mira, duke i ndjekur urdhrat
e Zotit, se për ta janë përgatitur kopshtet e larta, në të cilët do ta shijojnë atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe asnjë zemër njerëzore nuk e ka imagjinuar.23 Pra, të tillët do të jenë në mesin e të shpëtuarve dhe të lumturve në botën tjetër.
Nisur nga këtu, konsiderohet se objektivi përfundimtar i edukimit kuranor, e si rrjedhojë edhe i kaptinës Llukman, është ngritja e robit në nivelin e “njeriut të drejtë e vepërmirë”, dhe ofrimi i lumturisë në të dy botët: “Të cilët rregullisht e falin namazin dhe e japin zeqatin, dhe ata, mu ata, janë të plotbindur për botën tjetër (Ahiretin). Të tillët janë të udhëzuar në një rrugë të qartë prej Zotit të tyre, dhe ata janë fatlumë.”24. Duke qenë se shprehja “dhe ata janë fatlumë” është përdorur në kuptim të përgjithshëm, kjo nënkupton shpëtimin si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.25 Si rrjedhojë, një besimtar salih/vepërmirë e arrin lumturinë edhe në këtë botë, e edhe në Ahiret. Lumturinë e kësaj bote e arrin duke e shijuar besimin dhe kënaqësinë e tij, edhe nëse jeton i sprovuar në varfëri, pra është i durueshëm dhe ngushëllohet nga shpërblimi që do ta marrë në botën tjetër. Në anën tjetër, nëse posedon mundësi të mëdha financiare, nuk devijon nga rruga e drejtë. Përkundrazi, ai e fiton dhe e shpenzon atë në rrugën e Zotit, duke e shpresuar kënaqësinë e Tij. E, ky synim mund të realizohet si rezultat i natyrshëm i të qenët vepërmirë, dhe është një premtim i Zotit të Lartësuar për ata që besojnë dhe jetojnë në harmoni me besimin e tyre.
____________________________
1. Llukman, 31/2.
2. Llukman, 31/7.
3. Rrum 30/27; Llukman 31/28.
4. Llukman 31/4; Sexhde 32/1, 2, 3.
5. Es Sekafi, El Burhan fi Tenasubi Suveri’l Kuran, f. 144-145.
6. Ahzab 33/21.
7. Sejjid Kutub, Fi Dhilali’l Kur’an, V/2780.
8. Llukman, 31/8-9.
9. Isfahani, Mufredat, f. 230.
10. Taberi, Xhamiu’l Bejan, XXIV/590.
11. Kurtubi.
12. Taberi, Xhamiu’l Bejan, I/383.
13. Zemahshri, I/125.
14. Ibën Kethir, Tefsiru’l Kur’ani’l Adhim, VIII/480.
15. Llukman, 31/13.
16 Maide, 5/5.
17. Zuhajli, Tefsiru’l Munir, XXI/129.
18. Llukman, 31/17.
19. Llukman, 31/18-19.
20. Sejjid Kutub, Fi Dhilali’l Kuran, V/2780.
21. Sunen Et Tirmidhi, 4/355, nr. 1987.
22.. Ibën Kajjim El Xhevzi, El Fevaid, f. 84-85.
23 Ibën Kethir, Tefsiru’l Kur’ani’l Adhim, VIII/480.
24. Llukman, 31/4-5.
25. Zuhajli, Tefsiru’l Munir, XXI/128-129.