Durimi si virtyt dhe tipar moral është më se i pëlqyer. Zakonisht, me domethënie të vërtetë, gjendet tek burrat e mëdhenj, të cilët falin kur mund të ndëshkojnë, durojnë kur mund të hakmerren, heshtin kur dinë të flasin, pajtojnë me Allahun kur sprovohen, japin për fe kur edhe vetë kanë nevojë...
Megjithatë, ajo që i motivon këta njerëz për këtë, sigurisht që duhet të jetë madhore. E di se motivet e durimit janë shumë herë më shumë se këto që unë do t’i përmend, por gjatë meditimit dhe hulumtimit, unë vërejta se të gjitha ato motive sillen rreth një boshti me tri segmente kryesore:

1. Allahu duron

Thotë Muhammedi, alejhi’s selam: Askush nuk mund të jetë më i durueshëm sesa Allahu për të keqen që ka dëgjuar për vete; pretendojnë se Ai ka fëmijë, e Ai i furnizon dhe u jep shëndet (apo i mbron nga të këqijat)“.(1)
Ibni Haxher el-Askalani, Allahu e mëshiroftë, në koment të këtij hadithi, në mes të tjerash thotë:
“...Shprehja “asber“ në hadith është shkalla sipërore e sabrit (durimit), madje një prej Emrave të Allahut është edhe es-Sabbur, që ka domethënie se Allahu nuk ua përshpejton mëkatarëve dënimin...jo për t’u hakmarrë në botën tjetër, por si mëshirë dhe mirësi ndaj tyre (se ndoshta pendohen)...“.(2)
Nga kjo që tha Muhammedi, alejhi’s selam, dhe komentoi Ibni Haxheri, mund të përfundojmë disa gjërave shumë me rëndësi, njëra prej të cilave, që do të jetë edhe lëndë e kësaj pike, është edhe kjo:

Allahu mëshiron shumë

Thotë Allahu:
61. Sikur Allahu t'i dënonte njerëzit (zullumqarë) për shkak të mizorisë së tyre, nuk do të linte mbi të (tokë) asnjë gjallesë, por Ai i lë ata për më vonë deri në afatin e caktuar, e kur të vijë afati i tyre, për asnjë moment nuk mund ta vonojnë as ta ngutin“. (en-Nahl, 61)
Ka thënë Imam Taberiu në tefsirin e tij:
“Thotë Allahu, qoftë lartësuar Emri i Tij: Sikur Allahu t’i ndëshkonte mëkatarët për mëkatet e tyre, në tokë nuk do të linte asnjë njeri (dhe krijesë tjetër) që ecën mbi të, por me mëshirën dhe butësinë e Tij, atyre u jep afat të padrejtëve dhe nuk ua përshpejton dënimin, deri në kohën e caktuar. E kur të vijë kjo kohë e shkatërrimit të tyre, atëherë më as nuk shtyhet çasti që të kenë mundësi afatizimi, por as nuk vjen përpara caktimit të vet“.(3)
Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë: “Zoti yt është që fal shumë dhe bën mëshirë të madhe, sikur t'i ndëshkonte ata për atë që kanë vepruar, do t'ua nguste atyre tash dënimin, por ata kanë momentin e caktuar, e ata, përveç Tij, nuk do të gjejnë strehim“. (el-Kehf, 58)
Ibni’l Xhevzijje në tefsirin e tij “Zadu’l mesir” në koment të këtij ajeti thotë: “Allahu është shumë i mëshirshëm ndaj krijesave të Tij, meqë nuk ua përshpejton dënimin, porse ata kanë momentin e caktuar kur, nëse nuk janë penduar në këtë botë, nuk kanë shpëtim në botën tjetër.”
Ajet tjetër që flet për tematikën tonë, është ky:
“E sikur Allahu t'i kapte njerëzit sipas veprave (të këqija) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë, por Ai i afatizon deri në momentin e caktuar, e kur të vijë afati i tyre, s'ka dyshim se Allahu i ka parasysh robërit e Vet“. (Fatir, 45)
Shejhu Es-Sa’dijj, Allahu pastë mëshirë ndaj tij, në komentin e këtij ajeti, ka thënë:
“Pastaj Allahu përmendi përsosmërinë e butësisë së Tij dhe afatizimin e madh që u jep mëkatarëve dhe kriminelëve, e tha: Sikur Allahu të ndëshkonte njerëzit për mëkatet që bëjnë, në tokë, shkak i tyre, nuk do të linte asnjë krijesë, madje as kafshët e pafajshme, por Allahu jep afat e nuk harron kështu që, kur të vijë Dita e Llogarisë, Allahu ndëshkon-shpërblen sipas asaj që kanë bërë njerëzit; mirë apo keq“.(4)
Përfundimisht konstatojmë se:
“…S'ka dyshim se Zoti yt u fal njerëzve mëkatet e tyre, por s'ka dyshim se Zoti yt është edhe ndëshkues i rreptë“. (err’Rra’du, 6)
Megjithatë nuk do të kalojmë tutje pa përmendur edhe shembuj që do të na bindin për vërtetësinë e kësaj që thamë:
- Shirku (politeizmi, idhujtaria, mosbesimi) është një prej mëkateve që, pa pendim të sinqertë, nuk falet kurrë, dhe derisa nuk falet, d.t.th.: për atë që kryen këtë mëkat, është përjetësia në zjarr. Ja se si është cilësuar shirku:
Padrejtësi e madhe (Llukman, 13); Shpifje e madhe ndaj Allahut (en-Nisa, 48); Humbje-devijim i madh (en-Nisa, 116); Është i privuar autori i këtij mëkati nga hyrja në Xhennet (el-Maide, 72); Ai që shpreson të takohet me Allahun, nuk guxon assesi ta bëjë këtë mëkat (el-Kehf, 110); Është sikurse të kesh rënë nga majat e larta të qiellit në tokë dhe të të kenë shqyer shpendët e egër (el-Haxhxh, 31); Është shkelje e së drejtës së Allahut. Muhammedi, alejhi’s selam në një hadith në formë bisede me Muadhin, Allahu qoftë i kënaqur me të, në mes të tjerash, i thotë: ...E drejta e Allahut tek robërit e Tij është që ta adhurojnë vetëm Atë dhe të mos i bëjnë askënd në adhurim...“.(5)
Tani që pe rrezikun e këtij mëkati, më thuaj se kë e shkatërroi Allahu në ymetin e Muhamedit për shkak të pabesimit të tij. Kina ka një popullsi prej mbi një miliard njerëzish dhe prej tyre 90% nuk E besojnë fare Zotin.(6) Në Shqipëri, sipas disa statistikave, numri i pabesimtarëve është 16% prej përqindjes së përgjithshme të popullsisë.(7)
- Allahu i Madhëruar në Kuran, përkitazi me pejgamberët dhe të dashurit e Tij, tha:
“E s'ka dyshim se ata janë që fyejnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, ata i ka mallkuar Allahu në Dynja e në Ahiret dhe për ta ka përgatitur një dënim të dhembshëm“. (el-Ahzab, 57)
Mirëpo, ja se ç’vepruan me të dërguarit e Allahut: Disa prej tyre i mbytën e për disa shpifën gjëra të rreme. Thotë Allahu:
“Ne patëm marrë besë prej beni israilëve, atyre u dërguam pejgamberë, por, sa herë që u erdhi atyre ndonjë pejgamber që (me mësime) nuk u pëlqeu epsheve të tyre, ata disa prej tyre i përgënjeshtruan, kurse disa të tjerë i mbytën“. (el-Maide, 70)
Në ajet vërejmë shprehjen "…sa herë që… ", e cila na bën të kuptojmë se ngjarja është përsëritur shumë herë apo, më mirë, është thënë çdoherë.
Jehudët nuk u mjaftuan me kaq, por u mveshën pejgamberëve, të cilët Allahu i bëri shëmbëlltyrë për krijesat e Tij, - veti, çfarë nuk u janë mveshur ndoshta as huliganëve më të mëdhenj. T'i lexojmë së bashku disa shpifje nga librat e tyre për pejgamberët, të cilat asnjëri prej nesh nuk do t'i pranonte për veten e tij: NUHU a.s: Dehje, zhveshje dhe mizori.(8) LUTI a.s: Prostitucion me dy vajzat e tij, të cilat madje edhe lindën prej tij.(9) JA'KUBI a.s: Heshtte kur gruaja e tij bënte prostitucion.(10) MUSAI a.s: Mësues i tradhtisë dhe terrorizmit, kriminel lufte.(11) HARUNI a.s: Tradhtar i emanetit, ndërtues dhe adhurues i putave.(12) DAVUDI a.s: Lavir, tradhtar, terrorist dhe kriminel lufte.(13) Ç’mendon, sikur Allahu t’i ndëshkonte për këto mëkate, a do të mbetej ndonjë njeri prej tyre?!

2. Muhamedi, alejhi’s selam duron

Motivi i dytë që stimulon myslimanin për durim, është jeta e Muhamedit, alejhi’s selam, një jetë përplot sakrifica, mundime, persekutime, ofendime, provokime, po asnjëherë e shquar për nguti, mospërmbajtje apo reagim negativ. Tirmidhiu transmeton se Muhamedi, alejhi’s selam ka thënë:
“Jam kërcënuar në rrugën e Allahut ashtu siç nuk kërcënohet askush, dhe jam persekutuar ashtu siç nuk persekutohet askush. Ka ndodhur të kem përjetuar 30 ditë e net pa pasur unë dhe Bilalli fare nga buka që ha ndonjë i gjallë (krijesë), përveç ndonjë gjëje të paktë që Bilalli mund ta ketë fshehur në nënsqetullën e tij”.(14)
D.t.th.: kanë pasur aq pak ushqim, saqë u ka mjaftuar për ta mbajtur vetëm shpirtin gjallë, e jo më shumë.
Se do të përjetonte vështirësi, ai ishte njoftuar paraprakisht. Kur u takua për herë të parë me Xhibrilin, ai shkoi i fr kësuar tek Hatixheja, e cila e mori dhe e dërgoi tek Vereka b. Neufeli. Vereka i tha: Ah sikur të isha gjallë kur populli yt të të ndjekin prej vendit tënd! Pse, a do të më ndjekin me dhunë ata?- pyeti i habitur. Vereka ia ktheu: Po, nuk ka ardhur kurrë asnjë burrë (pejgamber) me se ke ardhur ti e të mos jetë persekutuar... D.t.th.: qysh nga momentet e para ai vendosi për durim(15).
Se sa shumë u persekutua e sa shumë duroi ai, na mëson edhe ky transmetim i Buhariut, ku theksohet se Urve b. Zubejri e kishte pyetur Abdullah b. Amr el- Asin për gjënë më të keqe që ia kishin bërë idhujtarët Muhamedit, alejhi’s selam. Ai kishte thënë:
“Derisa Muhamedi, alejhi’s selam ishte duke u falur tek Hixhri(16) i Qabesë,
erdhi Ukbe b. Ebi Muiti, i cili me rrobën e vet e shtrëngoi shumë në fyt Muhamedin, alejhi’s selam. Erdhi Ebu Bekri dhe e kapi për krahësh dhe e shtyu-largoi nga Pejgamberi, alejhi’s selam e tha: A doni ta mbysni një njeri që thotë se Zoti im është Allahu”?
Një ditë, derisa Muhamedi, alejhi’s selam falej në shtëpi, e shikonin Ebu Xhehli me disa të tjerë, dhe aty për aty, u lindi një ide famëkeqe, që: Kush mund të sjellë gjëra të ndyta pa vlerë nga thertorja e filan fisit dhe t’ia hedhë mbi shpinë Muhamedit kur të bjerë në sexhde. Shkoi njëri dhe i solli, dhe, derisa Muhamedi, alejhi’s selam, ishte në sexhde, Ebu Xhehli ia hodhi mbi shpinë dhe ata qeshnin e mbaheshin për njëri-tjetrin nga të qeshurat. Muhamedi, alejhi’s selam, ashtu, me atë barrë të ndytë, qëndroi në sexhde derisa erdhi Fatimeja, vajza e tij, dhe ia hoqi prej shpine.
Muhamedin, alejhi’s selam, e fyenin edhe në baza misionare. E quanin magjistar, poet, madje Ebu Xhehli, duke e konsideruar si gënjeshtar, kishte ardhur një ditë dhe në prani të të tjerëve kishte thënë: O Zot, nëse misioni i Muhamedit është i vërtetë, atëherë na hidh neve gurë prej qiellit ose na sill ndonjë dënim të dhembshëm…
Talleshin me Muhamedin, alejhi’s selam, e ai duronte. Thotë Allahu:
“E kur të shohin ty ata që nuk besuan, nuk të marrin ndryshe përveçse për tallje (duke thënë): "A ky është ai që përgojon zotat tuaj!" E ata përmendjen e Mëshiruesit (Rrahman) e mohojnë”. (el- Enbija, 36).
E nënçmonin dhe, siç rrëfen Allahu, i thoshin:
“E kur të shohin ty, nuk të çmojnë ndryshe, përveçse për tallje e thonë: "A ky është ai që Allahu e dërgoi pejgamber?”. (el-Furkan, 41)
I thanë poet, siç na rrëfen Kurani: “Ata madje thanë: "(për Kuranin)
ëndrra të përziera, madje thanë se ai (Muhamedi) vetë e trilloi, ai është poet! Le të na sjellë një mrekulli ashtu si u dërguan të mëparshmit (me mrekulli)!”. (el-Enbija, 5)
Dhe thoshin: "A do t'i braktisim ne zotat tanë për një poet të çmendur?”. (es-Saffat, 36)
Kjo ishte ajo që e forcoi Muhamedin, alejhi’s selam, në misionin e tij dhe u bëri ballë gjithë atyre persekutimeve fizike e psikike.
E quajtën gënjeshtar dhe magjistar: “...e mosbesimtarët thanë: "Ky është
magjistar, rrenës“. (Sad, 4)
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Aisheja se Muhamedi, alejhi’s selam, momentin më të rëndë në jetën e tij e kishte përjetuar në Mekë, kur nuk kishte gjetur përkrahje nga askush. Kishte dalë deri tek vendi Karnu’th thealib, vend afër Mekës(17), dhe në ato momente, thotë Muhamedi, alejhi’s selam, ngrita kokën, kur ja një re më bënte hije. Në të ishte Xhibrili, i cili më tha se Allahu dëgjoi fjalët e tyre. Me të ishte edhe meleku i kodrave, i cili më dha selam dhe më tha: O Muhamed, nëse do, unë këto dy kodra ua hedh përmbi. Këtu del në shesh durimi i fortë i Muhamedit, alejhi’s selam, i cili tha:
“Jo, unë kam shpresë se Allahu prej tyre do të nxjerrë njerëz që adhurojnë vetëm Atë dhe nuk i bëjnë shok!”.
Muhamedi, alejhi’s selam, ndonjëherë vinte në situata të rënda edhe nga disa pasues të tij, të cilët, duke mos studiuar mirë gjendjen, nguteshin dhe e rëndonin atë me ndonjë fjalë apo veprim, po ai bënte durim. Si model do të mund ta merrnim një rast të transmetuar nga Ibni Mes’udi, se Muhamedi, alejhi’s selam, u dha një pasuri njerëzve. Një medinas i tha: Muhamedi nuk e ka ndarë siç do Allahu. I tregova Muhamedit, alejhi’s selam, e fytyra e tij ndryshoi dhe tha:
“Allahu e mëshiroftë Musain, u sprovua-shqetësua edhe më shumë e duroi”.(18)
Muhamedi, alejhi’s selam, bënte durim të plotë edhe ndaj caktimeve të Allahut të Madhëruar. Kur i vdiq djali, Ibrahimi, ai tha një gjë, e cila duhet të shërbejë si mësim për çdo besimtar:
“Syri loton, zemra pikëllohet, po nuk themi përveç asaj që do Allahu ynë. Vërtet, o Ibrahim, ne jemi të pikëlluar për ndarjen tënde“.
Durimi i Muhamedit, alejhi’s selam, nuk ishte i durueshëm vetëm në ballafaqimin dhe rezistencën ndaj sprovave, jo, ai bënte durim edhe në adhurimin për Allahun. Ai falej aq shumë, saqë këmbët i ishin çarë dhe çdoherë theksonte moton: A të mos jem rob falënderues për Allahun?!

3. Vlera e durimit

Pa dyshim, kur njeriu të dijë se do të marrë një pagë të majme, punon më shumë, kur të dijë për ndonjë shpërblim të veçantë, derdh mund më shumë, dhe kur të dijë për ndonjë gjë, për të cilën Allahu ka premtuar të mira të pakufishme, natyrisht se do të motivohet për to. Në mesin e atyre gjërave, për të mos thënë të rralla, për të cilat Allahu shpërblen pa kufi, është edhe durimi. Ja tekste kuranore dhe hadithe profetike për këtë. Me këto edhe do të përmbyllin këtë temë:
Kurani lajmëron se shpërblimi i durimtarëve shumëfishohet ndaj shpërblim- eve të njerëzve të tjerë. Thotë Allahu:
“Atyre u jepet shpërblim i dyfishtë për arsye se bënë durim”. (el-Kasas, 54),
“...ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”. (ez-Zumer, 10)
Ngadhënjimi i durimtarëve me shoqërinë(19) (meijjeh) e Allahut. Thotë
Allahu: “...se vërtet Allahu është me durimtarët”. (el-Bekare, 153)
Ka thënë Ebu Ali Ed Dekkak: “Ngadhënjyen durimtarët me krenarinë e dy botëve, sepse ata e arritën prej Allahut shoqërinë (meiijen) e Tij”.
Allahu tek durimtarët përmblodhi tri gjëra, me të cilat nuk nderoi askënd tjetër, e ato janë: salavati (bekimi) i Allahut mbi ta, mëshira e Tij për ta dhe udhëzimi i Tij për ta. Këto tri cilësi janë të përmendura në këto ajete:
“Po ti jepu myzhde durimtarëve. 156. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme, thonë: "Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi"! 157. “Të tillët janë që tek Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë”. (el-Bekare,155-157)
Allahu e bëri durimin ndihmë, përgatitje (për ballafaqim me sprova) dhe urdhëroi për të mbrojtur me durim. Thotë Allahu:
“Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz” (el-Bekare, 45)

Pra, kush nuk ka durim, nuk ka as ndihmë.

Allahu lidhi fitoren për durimin dhe devotshmërinë, e tha: “Po, nëse jeni të qëndrueshëm e të matur, e ata (armiqtë) t'ju vijnë tash në këtë moment, Zoti juaj jua vazhdon juve ndihmën me pesë mijë prej engjëjve të ushtruar (për luftë) ose të shënuar”. (Ali Imran, 125)
Allahu lidhi dashurinë e Tij për durimin dhe e caktoi atë për ithtarët e durimit, e tha:
“E sa pejgamberë pati së bashku me të cilët luftuan turma të mëdha besimtarësh dhe për atë që i goditi në rrugën e Allahut, ata nuk u dobësuan dhe as nuk u përulën. Allahu i do durimtarët”. (Ali Imran, 146)
Allahu duke folur për virtytet e hajrit, paralajmëroi se ato nuk i vjel askush përveç durimtarëve. Këtë e sqaroi në dy vende në librin e Tij, Kuranin, në suren el-Kasas, respektivisht në tregimin e Karunit, ku dijetarët i kishin thënë një grupi njerëzish mendjelehtë, të cilët dëshironin të kishin pasuri sikurse Karuni:
“E ata që ishin të zotët e diturisë, thanë: "Të mjerët ju, shpërblimi i Allahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të mirë, po atë nuk mund ta arrijë kush përveç të durueshmëve!”. (el-Kasas, 80)
Durimi manifestohet atëherë kur dikush të bën ndonjë te keqe dhe ti, nga burrëria e madhe, nuk lutesh kundër tyre, por ua fal. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Abdullah b. Mes’udi, i cili thotë:
Durimi është dhurata më e mirë që i jepet njeriut. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Seid el Hudrijji, se Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam, ka thënë:
“Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më e bollshme sesa durimi”.
Çkado që i ndodh besimtarit, është në favor dhe të mirë të tij. Transmeton Muslimi nga Suhejbi, se ka dëgjuar Pejgamberin, alejhi’s salatu ve’s selam, ka thënë:
“Çudi me punën e besimtarit, tërë çështja e tij është e mirë për të, dhe kjo nuk i takon askujt përveç besimtarit; nëse e godet diçka e mirë, falënderon, dhe kjo është e mirë për të. Po kështu, nëse e godet diçka e keqe, ai bën durim dhe është mirë për të“.
Pra, a kemi arsye të mos durojmë?!


_____________________
Fusnotat:
1. Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi.
2. Fet’hul Bari sherhu sahihi’l Buhari, Ibni Haxher el-Askalani, komentimi i hadithit: 6830.
3. Xhamiu'l bejan fi te'vili'l kur'an, Ebu Xha'fer et- Taberijj, recensim: Ahmed Muhammed Shakir, b.1, 2000, komentimi i ajetit 61 te kaptinës en- Nahl.
4. Tejsiru’l kerimi’rr rrahman fi tefsiri kelami’l mennan, Abdurrahman b. Nasir b. es-Sa’dijj, b. 1, 2000, Muessesetu’rr rrisale, burimi elektron- ik: www.qurancomplex.com
5. Buhariu.
6. http://www.chinaembassy.org.eg/ara/ddmt/t97921.htm 7. http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=2890 8. Gjeneza /12.
9. Gjeneza /19.
10. Dalja 3,11.
11. Lavdimi 2,3.
12. Dalja, 23.
13. Mbreterit, 1,2.
14. Hadithi është autentik. Sahihu ve daifu su- neni’t Tirmidhijj, 2472
15. www.islamweb.net, sektori: es-Siretu-n-nebe- vijjeh, Shemailu’rr Rresuli sal-lAllahu alejhi ve sel-leme, e martë, 18/6/2002
16. Hixhri i Qabesë është vendi në mes ruknit, ze- mzemit dhe mekamit, ose është vendi nga me- kami deri tek dera ose prej ruknit të zi e deri tek dera dhe mekami ku njerëzit shtyjnë njëri-tjetrin për të bërë dua. Shih: Taxhu'l urus min xheva- hiri'l kamus, Muhammed b. Muhammed b. Ab- durr-Rrezzak el-Husejnijj, Ebu'l Fejd, pj. 1, f. 7671.
17. http://www.islamav.com/doc_html/profit_ patience_onharm.htm
18. Buhariu.
19. Në mënyrë që të mos vie deri tek ndonjë keqkuptim apo edhe keqinterpretim i mundshëm i kësaj fraze them se shoqëria e Allahut (el meij- jeh) këtu e ka për qellim se Allahu është me ty, te ndihmon, të përkrah, të udhëzon, dhe se assesi dhe në asnjë forme nuk përcakton që Allahu me Qenien e Tij të Shenjtë të jetë me ne. Pra le të jetë mësim çdoherë ky rregull për ne.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi