Parametrat e gabuar të progresit shoqëror

Transformimi i thellë shoqëror dhe ndryshimet e shpejta botëkuptimore janë produktet e vërejtura që solli modernizmi, qoftë ai si një frymë filozofike, apo edhe si mënyrë jetese. Nëse jo si aspiratë jona, ky ndryshim është evident si realitet i imponuar që s'mund ta mohoj më asnjëri.
Këto lëkundje perceptuese dhe këto dilema hamendësuese të përmasave të gjera, falë zhvillimit marramendës teknologjik, sot trokasin "pa leje" në derën e secilit, qoftë ai person liberal apo konservator, praktikues i denjë fetar apo njeri besëtytë e ateist. Sigurisht, bashkë me produktet e shumta të tjera që solli ky transformim, disi ridizenjoi edhe parametrat matës të progresit shoqëror.
Asaj që i kemi duartrokitur dikur, e që kemi ftuar shoqërinë pareshtur në të, duke e konsiderua si virtyt e të mirë, tani, hija e rëndë e ndryshimeve na bën të matemi shumë para se të çelim gojën e të themi një fjalë miradije për të. Virtytet morale, ngritja shkencore, edukimi i mirëfilltë i brezit të ri, dhe në këtë rang sigurisht edhe ngrohtësia familjare, respekti e mëshira ndaj të moshuarve, dikur konsideroheshin treguesit më të saktë që besnikërisht rrëfenin për një shoqëri progresiste, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Por që të njëjtat, sot, për dikë mund të mos llogariten asgjë më tepër se sa tipare
të një karvani njerëzish që ka ngecur në vorbullën e të kaluarës dhe s'po arrin dot ta gjejë rrugën drejt "avancimit" të shpejtë e të modernizimit të shumëkërkuar. "Progresistët" e tillë, para se të ndryshojnë standardet e vlerësimit, janë vetëkënaqur me braktisjen e asaj trashëgimie të rrethit te
tyre shoqëror, dhe nuk ndiejnë nevojën për të respektuar ndonjë parametër të shëndoshë të matjes së avancimit të shëndoshë shoqëror. Siç do të thoshte njëri prej sociologëve shqiptar: "Çdo ditë duket se ka një braktisje të nevojës për art, kulturë, moral, marrëdhënie shoqërore të mirëfillta,
vullnetarizëm, solidaritet,...ofrim shërbimesh për njerëzit në nevojë, etj.."

Kjo tendencë synon që ta shoh krejt normale, prirjen e atij grumbulli të madh njerëzish që fillojnë dhe e mbyllin ditën e tyre me motivet e parasë, fitimit, konsumit, pasionit dhe ngarendjes drejt të panjohurës. Ata, nëse dikur i kemi parë me syrin e dhembshurisë e të nevojës për këshillë, tani, nga
një shtresë e gjerë të shoqërisë sonë, shihen me syrin e mahnitjes dhe vlerësimit maksimal. Transformimi i shpejt ka bërë që kjo kategori të shuajë përgjithmonë ëndrrën dhe aspiratën fisnike
të ngritjes në atë nivel ku vlerat shpirtërore, dija dhe morali të kenë vendin më të lartë në jetën e tyre.
Në konceptin parimor islam, parametri më gjithëpërfshirës dhe sigurisht më i shëndoshë, me anë të të cilit ne udhëzohemi nga Zoti ynë, që të vlerësojmë një individ a shoqëri është: “Me të vërtetë më fisniku ndër ju te Zoti, është ai që i druan - ka zemërdlirësinë më të madhe ndaj Tij..." (El Huxhurat, 13). Kriteri matës i progresit të një individi, e rrjedhimisht edhe të një shoqërie, sipas Kuranit, mbetet besimi e dëlirësia shpirtërore, frikërespekti ndaj Krijuesit, fisnikëria morale, drejtësia në gjykime, këshillimi në qeverisje e standarde të tjera që lëvizin në këtë linjë. Heqja dorë nga ky
kriter vlerësues për njeriun, pos që është nëpërkëmbje e kërkesës hyjnore, ajo rrëfen edhe moskokëçarjen tonë për brengat e shtuara të këtij brezi që në këtë pikë, rrugëtimin e ka filluar në drejtimin e gabuar.
Duke qenë se nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, myslimanët janë përshkruar se janë "dëshmitarët e Zotit" në tokë (Buhariu dhe Muslimi), atëherë ky nuk është thjesht një epitet që ne të krenohemi para të tjerëve me të. Përtej kësaj, i njëjti llogaritet një përgjegjësi që
ngarkon secilin prej nesh të kujdestarojë dhe të kontribuojë disi në kapacitete të veta në ruajtjen e standardeve të shëndosha të vlerësimit të individëve dhe shoqërisë.
E mira dhe e keqja, në konsideratën e njerëzve mbesin gjithmonë relative. Një erë e vrullshme ndryshimesh, nëse nuk jemi vigjilentë, copëton e bën thërrmijë të gjitha postulatet e parimet vlerore që dikur kemi pasur dakordësi mbarëshoqërore rreth tyre. Ndërkaq, po u ruajt në vetëdijen tonë si
e mirë, ajo që te Zoti ynë është e mirë, dhe si e keqe, ajo që te Zoti ynë është e keqe, kemi shpresën se kështu do të garantojmë për brezin e ardhshëm ruajtjen e standardeve të mirëfillta të një shoqërie
progresiste.
Kjo nuk është e lehtë, por natyrisht, as edhe e pamundur!



Editorial
Dituria islame 397


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi