Pushtimi i Mekës
Një natë në Medine, Pejgamberi a.s. pa në ëndërr se besimtarët do të hynin të sigurt në Xhaminë e Shenjtë dhe do të rrotulloheshin përreth Qabesë. Në suren El-Fet’h, Zoti i shpalli Pejgamberit se do ta ndihmonte dhe do ta përkrahte, se kjo ëndërr do të realizohej dhe se besimtarët do të hynin në Mekë: “Allahu ëndrrën e të Dërguarit të Vet e vërtetoi me realitet, se me vullnetin e Allahut do të hyni në Xhaminë e Shenjtë (në Qabe) të siguruar, t’i rruani flokët e kokave tuaja, t’i shkurtoni e nuk do të keni frikë! Pra Ai ka ditur atë që ju nuk e dinit, para kësaj ju dha një fitore të shpejtë (Hajberin).” (El-Fet’h, 27).
Por, në kohën kur Pejgamberi ynë ua kumtoi këto lajme të gëzuara besimtarëve, situata nuk ishte aspak e përshtatshme. Këta besimtarë, që kishin migruar bashkë me të nga Meka në Medine, nuk kishin mundur të ktheheshin më në Mekë që atëherë. Përveç kësaj, paganët dukeshin të vendosur që të mos i lejonin besimtarët që të rifuteshin në Mekë.
Por, e gjithë kjo ndryshoi brenda një kohe të shkurtër. Fillimisht u nënshkrua Traktati i Hudejbijes dhe më pas u mor Meka. Besimtarët hynë në Xhaminë e Shenjtë në siguri të plotë, ashtu sikurse ishte parashikuar në ajet. Kështu, Zoti tregoi se lajmet e gëzuara që i kishte kumtuar Pejgamberit ishin të vërteta. Ajete të tjera, që japin lajmet e gëzuara të marrjes së Mekës, janë si vijon:
“Ne ty të dhamë një fitore të sigurt. Ashtu që Allahu të liroi ty prej mëkateve të mëparshme dhe prej atyre të mëvonshme dhe ashtu të plotëson mirësinë e Vet ndaj teje e të orienton ty në rrugën e drejtë. Dhe që Allahu të ndihmon ty me një ndihmë të fortë.” (El-Fet’h, 1-3).
Fisi i israelit do të bëhet arrogant
“Ne u kumtuam në libër Beni Israilëve: “Ju do të bëni shkatërrime dy herë në tokë dhe do të tejkaloni duke bërë zullum të madh”. Kur erdhi koha e premtimit të parë, Ne dërguam kundër jush njerëzit Tanë, që ishin të fuqishëm e të ashpër dhe ata hulumtuan përreth vendit (duke mos u frikësuar). E ai (ndëshkim) ishte vendim i prerë. Pastaj, Ne ua kthyem juve mbisundimin kundër atyre, ju përforcuam me pasuri e me djem dhe ju shtuam më së shumti.” (El-Isra, 4-6).
Sikurse tregohet në këto ajete, Bijtë e Izraelit do të bëjnë dy shkatërrime në tokë.
I pari ishte kur ata vranë pejgamberin Gjon dhe bënë kurth për të vrarë pejgamberin Jezus (paqja qoftë mbi të dy). Më pas, ata u syrgjynosën nga Jerusalemi prej romakëve në vitin 70 dhe u endën në të gjithë botën. Kur iu shpall ky ajet Pejgamberit a.s., çifutët ishin duke jetuar në vende të ndryshme dhe nuk kishin shtet të tyrin. Por në ajetet kuranore Zoti tregon se një ditë Bijtë e Izraelit do ta marrin përsëri fuqinë e tyre. Megjithatë, në atë kohë, dukej pothuajse e pamundur që kjo të ndodhte realisht.
Por, shumë shekuj më vonë, kjo ngjarje e shpallur nga Zoti në ajetet kuranore u bë e vërtetë.
Çifutët u kthyen në Palestinë dhe themeluan shtetin e Izraelit në vitin 1948. Më vonë, qëndrimet e disa qarqeve raciste që jetonin në Izrael e çuan Lindjen e Mesme drejt çrregullimit. Shteti i sotëm është shenjë e “shkatërrimit” të dytë të Bijve të Izraelit.
Megjithatë, është e rëndësishme të vihet në dukje se kjo sjellje e keqe sigurisht nuk vlen për të gjithë çifutët, mbasi shumë çifutë janë individë të ndërgjegjshëm dhe me gjykim të shëndoshë, që nuk pajtohen me një sjellje të tillë.
Qarqe të caktuara raciste dhe radikale kanë nevojë që të “kërkojnë falje” ashtu si rekomandohet nga Zoti ynë. Nëse ata e pasojnë këtë rrugë, atëherë është e qartë se, me vullnetin e Zotit, një ambient paqeje dhe vëllazërie mund të vendoset përsëri, mbasi në Kuran thuhet:“Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.” (Fussilet, 34).
Një nga pikat më të rëndësishme në ajetet e sures El-Isra, në lidhje me Bijtë e Izraelit, është se ato shpallën se këto ngjarje do të ndodhnin në të ardhmen, ngjarje të cilat dukeshin të pamundura në atë kohë dhe për të cilat nuk ekzistonte as shenja më e vogël se do të realizoheshin ndonjëherë. Fakti se i gjithë ky informacion është bërë i ditur shekuj më parë është pa dyshim një nga mrekullitë e Kuranit.
Eksplorimi i hapësirës
Eksplorimi i hapësirës nga ana e njeriut u përshpejtua me satelitin sovjetik Sputnik, në 4 tetor të vitit 1957, lëshimin e suksesshëm të të cilit NASA e konsideroi si “Fillimin e Epokës së Hapësirës”. Njeriu i parë që doli nga atmosfera e tokës ishte kozmonauti sovjetik Juri Gagarin, që hyri në hapësirë në anijen kozmike Vostok në vitin 1961. Njerëzit shkelën në hënë, më 20 korrik të vitit 1969, me misionin amerikan Apollo 11. Në fakt, në Kuran është shpallur se zhvillime dhe arritje të tilla do të realizoheshin një ditë.
Dhe kjo është shpallur 14 shekuj më parë, në një kohë kur nuk ekzistonte asnjë anije kozmike e pajisur me teknologji të përparuar!
“O turmë e xhinëve dhe e njerëzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të tokës, depërtoni pra, po nuk mundeni vetëm me ndonjë fuqi të fortë.” (Er-Rahman, 33).
Një shqyrtim i kujdesshëm tregon se ajeti thekson se njerëzimi do të jetë në gjendje që të futet në thellësitë e tokës dhe të qiellit, por vetëm me një fuqi të madhe. Sipas të gjitha gjasave, kjo fuqi e madhe është teknologjia e lartë e përdorur në shekullin XX. Në fakt, këto lajme të kumtuara nga Zoti në Kuran ndodhën falë teknologjisë së përparuar të shekullit XX.
Transmetimi i lajmit
“E ai i cili kishte dituri nga libri tha: “Unë ta sjell atë ty sa çel e mshel sytë!” E kur e pa atë (fron) të vendosur pranë tij, (Sulejmani) tha: “Kjo është dhuntia e Zotit tim që të më sprovojë mua se a do ta falënderoj, apo mos do ta përbuz...”(En-Neml, 40).
“Ai i cili kishte dituri nga Libri” i tha pej gamberit Sulejman (paqja qoftë mbi të) se mund t’ia sillte fronin e Mbretëreshës së Sebës tepër shpejt.
Këtu është treguar një fakt tjetër tërheqës: përçimi i imazheve me teknologjinë e përparuar të ditëve të sotme. Në një ajet tjetër, në lidhje me këtë çështje, thuhet: “Njëri prej xhinëve të vrazhdë (Ifriti) tha: “Unë do ta sjell atë ty para se të ngrihesh nga vendi yt, unë për të kam fuqi dhe jam i sigurt!” (En-Neml, 39)
Në ditët tona, informacioni i të gjitha llojeve mund të dërgohet kudo në botë brenda disa sekondash, falë internetit dhe përparimeve në teknologjinë kompjuterike. Për më tepër, kërkimet për transmetimin e lajmeve janë duke vazhduar.
Sipas një njoftimi të CNN-it, më 17 korrik të vitit 2002, një grup fizikanësh nga Universiteti Kombëtar Australian në Kanberra, zbërtheu një rreze laser dhe e “transmetoi” atë disa metra. Ping Koi Lam, kryesuesi i ekipit, njoftoi se transmetimi i lëndës në gjendjen e saj atomike mund të bëhet realitet në të ardhmen. Kjo është pikërisht ashtu siç është shpallur në ajetet kuranore...
Kurani është shpallje e Zotit
Kurani është fjalë e Zotit të Gjithëfuqishëm, Filluesit të gjithçkaje, që përfshin çdo gjë me dijen e Tij. Një prej dëshmive të panumërta të kësaj është se ajetet e tij përmbajnë fakte rreth çështjeve shkencore, të së kaluarës dhe të së ardhmes, që askush nuk mund t’i dinte. Dhe për më tepër e gjithë kjo është shpallur 14 shekuj më parë...
Çdo pjesë informacioni që përmban Kurani zbulon mrekullitë sekrete të këtij libri hyjnor. Në një ajet Zoti thotë: “…A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kuranin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.”(En-Nisa, 82).
Kuptohet se njerëzit duhet t’i përmbahen fort këtij Libri Hyjnor të shpallur nga Zoti dhe duhet ta marrin atë si udhërrëfyes të tyre në jetë. Në Kuran, Zoti na thotë si vijon: “Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kuran është i trilluar prej dikujt pos Allahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve. Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhamedi). Ti thuaj: “Silleni pra ju një kaptinë të ngjashme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos Allahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni.”(Junus, 37-38).
“Dhe ky është libër, dobiprurës, Ne e zbritëm, përmbajuni këtij, ruajuni ashtu që të mëshiroheni.” (El-En‘am, 155).
Thirrje arsyes
Në Kuran Zoti na porosit që të mendojmë mbi shenjat që na çojnë drejt besimit. Për këtë arsye, të menduarit rreth këtyre shenjave që gjenden në univers është një rregull i vazhdueshëm fetar për besimtarët.
Falë këtyre shenjave që të çojnë drejt besimit, besimtarët mund t’i kuptojnë më mirë emrat e Zotit dhe natyrën superiore të tyre. Si pasojë e mendimit të tyre të thellë, ata shohin natyrën e pafundme të diturisë dhe fuqisë së Zotit dhe frika e tyre ndaj Zotit rritet akoma më shumë. Ata shpenzojnë çdo moment të tyre në këtë botë me dëshirën dhe mallin për të arritur pëlqimin, mëshirën dhe parajsën e Zotit.
Lumturia e vërtetë dhe paqja mund të arrihen duke iu nënshtruar urdhrave të Krijuesit dhe Furnizuesit të kësaj bote. Zoti i madhërishëm në Kuranin famëlartë thotë: “Nuk ka dyshim se në rikujtimin e Allahut vërtet zemrat gjejnë prehje.” (Rad, 28).
Ata që i frikësohen ferrit dhe shpresojnë parajsën duhet të punojnë për të fituar mëshirën, miqësinë dhe dashurinë e Zotit tonë, duke e njohur Atë më mirë. Për këtë qëllim, ata duhet të fitojnë njohuri më të mëdha, duke menduar thellë mbi shenjat që të çojnë drejt besimit. Përveç kësaj, ata duhet t’ua shpjegojnë këto shenja të tjerëve, në mënyrë që edhe ata ta rrisin besimin e tyre. Kjo përgjegjësi është detyrë e të gjithë besimtarëve.
_____________________________
Literatura
• Werner Keller, The Bible as History, Bantam, 1983.
• Thomas H. Maugh II, Ubar, Fabled Lost City, Found by LA Teams, The Los Angeles Times, 1992.
• George Ostrogorsky, History of the Byzantine State, Nju Bransvik: Rutgers University Press, 1969.
• Percy Sykes, History of Persia, London, Macmillian& Co Ltd, 1963.
• Nicholas Clapp, The Road to Ubar: Finding the Atlantis of the Sands, Mariner Books, 2021.
• Mustafa Mlivo, Kurani përpara shkencës dhe civilizimit, Dituria Islame, Prishtinë, 2008.
Mimoza Sinani