Muhamedi a.s. shëmbëlltyrë e njerëzimit dhe themelues i qytetërimit

Gjenealogjia - nesebi i pastër i Muhamedit a.s. dhe i familjes së tij flet mjaft për origjinën morale, bujare, fisnike e qytetëruese të Pejgamberit tonë Muhamedit a.s.. Ai vetë thotë se është bir i dy flijimeve, i Ismailit a.s. dhe i Abdullahut birit të Abdul Mutalibit, dhe se rrjedh nga origjina më e pastër.
Gjenealogjia e Muhamedit a.s. ndahet në tri pjesë. Në zinxhirin e parë të emrave bëjnë pjesë paraardhësit e tij gjer tek Adnani, ndërsa pjesa e dytë është e lidhur me pjesën e parë, që fillon nga Adnani (arab El-adnanijun) e vazhdon gjer tek Ibrahimi a.s.. Pjesa e tretë e gjenealogjisë së Muhamedit a.s. fillon nga Ibrahimi a.s. dhe vazhdon deri tek njeriu i parë Ademi a.s..
Për sa u përket brezave të pjesës së dytë dhe të tretë të gjenealogjisë së Muhamedit a.s., ka kundërthënie dhe mospajtime mendimesh nga gjenealogët e sires (jetëshkrimit të Muhamedit a.s.).
Familja e Muhamedit a.s. është e njohur me emrin Hashimite, të cilin e kishte marrë në bazë të stërgjyshit të tij Hashim ibn Abdul Menaf, i cili ishte më i njohuri dhe më i dalluari nga mekasit. Gjyshi i Muhamedit a.s. ishte Abdul Mutalibi, i cili pati dhjetë djem (sipas disa burimeve - njëmbëdhjetë ose trembëdhjetë djem). Ai pati edhe gjashtë vajza. Prej djemve më i zgjedhuri ishte Abdullahu - baba i Pejgamberit a.s.. Abdullahu ishte flijimi i premtuar (kurbani) nga Abdul Mutalibi.(1)
Dihet se Abdul Mutalibi i kishte zgjedhur djalit të vet për grua Eminen, të bijën e Vehbit. Ajo ishte vajza më e bukur dhe më e ndershme e kurejshitëve, edhe për nga pozita edhe për nga origjina.
Sipas shumicës së historianëve të jetëshkrimit të Muhamedit a.s., ai ka lindur në muajin Rebiul-Ewel të vitit 570 ose 571m..
Pejgamberi a.s. në rininë e vet nuk kishte ndonjë punë a profesion të caktuar. Sipas të gjitha burimeve, ai ka qenë bari i deleve të fisit Beni Sa'ad dhe të banorëve të Mekës.
I Dërguari i Allahut në rininë e vet, para se të fillonte t’i zbriste Shpallja, ishte i pajisur me virtytet më të mira që mund t'i posedojnë njerëzit. Kishte një koeficient të lartë intelegjence, që manifestohej në çdo lëvizje të tij ose në çdo iniciativë të tij. Muhamedi a.s. e donte vetminë, që e praktikonte në momentet e meditimit dhe hulumtimit e përsiatjes për drejtësi e për të gjitha ato gjëra që janë të arritshme për mendjen e njeriut.(2)
Kur i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., po u afrohej të dyzetave dhe kur vrojtimet e tij për të kaluarën dhe të tanishmen ia thelluan mendjen, filloi të preferonte vetminë. Kështu Muhamedi a.s. merrte me vete ushqim e ujë rezervë dhe shkonte në malin Nur, ku gjendej shpella Hira - një shpellë e bukur. Zgjedhja e këtij vendi të qetë e të bukur për të medituar ai, ishte përcaktim dhe projekt i Allahut xh.sh., për përkujdesjen që kishte ndaj të dërguarit të Vet.
Në bazë të argumenteve dhe llogarive kalendarike, mund të thuhet se Kurani ka filluar t’i zbresë Muhamedit a.s. më 27 Ramazan, që përputhet me datën 16 gusht 610, kur ai kishte mbushur plot dyzet vjet hënorë, gjashtë muaj e dymbëdhjetë ditë, ose afër tridhjetë e nëntë vjet e tre muaj e njëzet e dy ditë, të kalendarit diellor.(3)
Ajeti i parë kuranor që i kishte zbritur Muhamedit a.s., ishte “Ikre” - ‘lexo, mëso’!(4)
Pas paraqitjes së Xhibrilit për herë të parë me Shpallje për Pejgamberin a.s., Hatixhja r.a. vajti te djali i axhës së vet, Vereka bin Nufejli bin Esed bin Abdi Uza, për t'i treguar se çka i kishte ndodhur atij. Pasi Vereka bin Nufejl kishte dëgjuar me vëmendje rrëfimin e Hatixhes r.a., kishte thënë: “Për Allahun, ky është inspirim (vahj), i cili më parë i kishte ardhur edhe Muhamedit a.s.”.
Pas një ndërprerje për disa ditë të Shpalljes, Allahu xh.sh., përmes Xhibrilit a.s. i zbriti Muhamedit a.s. ajetin tjetër: “O ti i Mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke u bërë thirrje); dhe madhëroje Zotin tënd! Dhe petkat e tua pastroji! Dhe largohu nga (veprat ) e këqija! Dhe mos ndaj me qëllim që të marrësh më shumë! Dhe, për hir të Zotit tënd, duro!”(5)
Kjo ishte thirrja që e zgjoi nga gjumi, nga strukja dhe nga izolimi, në mënyrë që të niste veprimet dhe t'i përvishej punës tejet të rëndë që e priste.
Para se t’i hyjmë diskutimit për përhapjen e Shpalljes dhe të dobive që kjo Shpallje i sjell njerëzimit, duhet të kujtojmë faktin se, me gjithë virtytet e larta dhe njohuritë që posedonte, Pejgamberi a.s. nuk dinte lexim e shkrim, dhe kjo ishte një prej Urtësive të Allahut xh.sh për misionin e tij.
Këte e vërtetojmë edhe në bazë të përgjigjes së Pejgamberit a.s. “Nuk di të lexoj”, që nënkupton se ai nuk ka ditur lexim as shkrim dhe se ka qenë (ummij), që d.m.th. jo i shkolluar, sikur ishin shumica e arabëve në atë kohë. Në lidhje me këtë, në Kuran thuhet: “Ka disa prej tyre që janë analfabetë, nuk e kuptojnë librin”.(6)
Sipas shpjegimeve të ibni Is'hakut, shprehja ummi në këtë ajet, rrënjët i ka në shprehjen arabe “umm” (nënë), që do të thotë se Pejgamberi a.s. ka qenë origjinal, natyror, i pastër, ashtu siç kishte lindur pa ditur lexim e shkrim.
Se arabët në fillim të zbritjes së Kuranit nuk dinin lexim-shkrim, e shohim edhe nga ajeti: “Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi pejgamber nga mesi i tyre, që t'u komunikojë ajetet e tij”.(7)
Në lidhje me këtë kemi edhe ajetin tjetër të Kuranit: “Ata që pranojnë të dërguarin (Muhamedin) Pejgamberin (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (Të përshkruar me virtytet e tij), tek ata në Tevrat dhe në Ingjil”.(8)
Duke komentuar këtë ajet kuranor në tefsirin e tij, Fahrudin Raziu thotë për arabët se shumica nuk dinin lexim-shkrim, dhe as Pejgamberi a.s. Për këtë arsye Muhamedi a. s. është cilësuar “ummij”, mrekulli kjo, e cila ishte prej muxhizeve të tij, madje nga tri aspekte:
1. Së pari, Muhamedi a.s. përsëriste librin e Allahut në mënyrë kronologjike (herë pas herë) pa ndërruar shqiptimin e tij dhe pa ndryshime të fjalive të Kuranit, pa i shtuar dhe as hequr gjë. Çfarëdo ligjëruesi a oratori arab nuk ishte në gjendje që një këshillë a ligjëratë të shprehur një herë, ta përsëriste për së dyti pa i shtuar a hequr asgjë. Këtë e dëshmon edhe ajeti kuranor: “Ne do të ta lexojmë ty, e ti nuk do ta harrosh”.(9)
2. Së dyti, sikur Pejgamberi a.s. të dinte lexim-shkrim, do të ishte konsideruar si ndonjë zbulues a studiues, i cili, me anë të leximit dhe të arriturave studimore, kishte arritur gjithë këto dituri e njohuri, që domethënë se paraqitja e Muhamedit a.s. dhe prezantimi i të gjitha atyre njohurive shkencore, fetare, morale, edukative përmes Kuranit famëlart, pa ditur lexim-shkrim dhe pa ndonjë studim paraprak, - jep të kuptosh se kjo cilësi e Muhamedit a.s., pa dyshim, ishte mrekulli e tij e dhuruar nga Allahu xh.sh.. Këtë e mbështesim edhe në ajetin e Kuranit: “Ti (Muhamed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij...”(10)
3. Dhe, e treta, mësimi i lexim-shkrimit ishte çështje e lehtë, që do të thotë se njerëzit e rëndomtë dhe me pak aftësi, mund ta mësonin, kurse duke mos ditur Pejgamberi a.s. lexim-shkrim, në një anë, dhe, në anën tjetër, pajisja e tij me njohuri aq të larta e me arritje aq të mëdha si askush tjetër ndonjëherë më përpara, - jep të kuptohet se kjo ishte një muxhize-mrekulli e madhe e Muhammedit a.s..
Këto që përmendëm, ishin vetëm disa nga argumentet kuranore. Ndërkaq, për sa i përket aspektit historik, shumica e orientalistëve, filozofëve dhe dijetarëve të tjerë, që janë marrë me jetën dhe biografinë e Muhammedit a.s., janë të mendimit se Muhammedi a.s. nuk ka ditur lexim-shkrim dhe nuk ka qenë njeri i shkolluar.
Biografinë e Muhammedit a.s. dhe personalitetin e tij e bën edhe më të njohur dhe më të fuqishëm paralajmërimi i ardhjes së tij në librat e tjerë qiellorë si në Tevrat, Inxhil dhe Zebur. Kjo na jep të kuptojmë se Islami si fe universale, dhe Muhammedi a.s. si i dërguar i Allahut xh.sh., janë udhëzues për mbarë njerëzimin dhe për të gjitha kohët.
Njerëzimi gjatë historisë E ka parandier dhe E ka adhuruar gjithnjë Allahun xh.sh., ndonëse shpeshherë kanë pasur edhe besime të kota, besonin në idhuj të ndryshëm, në fenomene të llojllojshme të natyrës etj.. Duke e ditur se njeriu ka nevojë për besim të vërtetë dhe për udhëzim në rrugën e drejtë, Allahu i Lartmadhëruar dërgoi të dërguarit e Tij, për të drejtuar dhe udhëzuar njerëzimin.
Në dallim nga profetët e tjerë, Muhamedi a.s. është dërguar për mbarë njerëzimin. Ai është dërguar edhe për beduinin në shkretëtirë, edhe për shkencëtarin në laborator, është dërguar për të gjitha shtresat e njerëzve dhe për të gjitha kohët. Allahu xh.sh. ka bërë që Shpallja e Tij të jetë mrekulli e përjetshme e Muhamedit a.s., i cili mbetet vula e të dërguarve deri në Ditën e Kiametit. Allahu xh.sh në Kuran thotë: “Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, po shumica e njerëzve nuk e dinë”.(11) dhe: “O ti pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar, përgëzues e qortues. Dhe me urdhrin e Allahut xh.sh., thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues”.(12)
Edhe Tevrati edhe Inxhili kishin paralajmëruar se Muhamedi a.s. do të jetë i dërguar për mbarë njerëzimin dhe për të gjithë popujt e botës. Madje edhe në Tevratin, edhe Inxhilin e sotëm, të devijuar, ka tekste në të cilat dëshmohet ky paralajmërim.
Paralajmërimin e Isait a.s. për ardhjen e Muhamedit a.s. e dëshmon edhe Kurani: “Dhe, kur Isai, i biri i Merjemes, tha: O beni Israil, unë jam i dërguar i Allahut tek ju, jam vërtetues i Tevratit, që ishte para meje, dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed?. Kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: Kjo është magji e hapët”.(13)
Paralajmërimin nga Musai a.s. e gjejmë edhe në pjesën XVIII të librit V, kur Allahu xh.sh. i tha Musait a.s.: “Thuaju beni-Iisrailëve se do t'i dërgoj në fund të kohës (së mbrami) një të dërguar si Ti, nga bijtë e vëllezërve të tyre”.(14)
Dihet se të gjithë të dërguarit pas Musait a.s. kanë qenë nga beni-Iisrailët, deri tek i fundit, Isai a.s., prandaj paralajmërimi i këtij citati në Tevrat: “Më në fund Zoti xh.sh. do të dërgojë një profet nga bijtë e vëllezërve të tyre (bijtë e Ismailit a.s.)...” - bën të kuptohet se është fjala për Muhamedin a.s., sepse ai rrjedh nga Ismaili a.s., i cili ishte vëlla i Is'hakut, gjyshit të beni-Israilëve.
Përshkrimi i gjenealogjisë së Pejgamberit a.s. dhe i prejardhjes së tij të pastër, përshkrimi i personalitetit të Muhamedit a.s. në Kuran si posedues i vlerave më të larta morale dhe si shëmbëlltyrë e mbarë njerëzimit, si dhe paralajmërimi i librave të mëhershëm qiellorë për ardhjen e tij si i dërguar i Allahut, - mendojmë se janë dëshmi të mjaftueshme për universalizimin e tij, si njeri që kaloi vetëm një jetë njeriu, e që me shpalljen e tij nga Allahu xh.sh., bota pa një revolucion në moralin, që edhe në ditët e sotme ka vlerën e tij të çmueshme.
Muhamedi a.s., pavarësisht nga rrethanat e rënda që mbretëronin tek arabët e periudhës së injorancës, arriti të vendoste bazat e një institucioni madhështor, i cili ishte frymëzues dhe trasues i rrugës së mirë dhe i perspektivës. Pejgamberi a.s. arriti të çrrënjoste idhujtarinë që arabët e kishin të trashëguar nga stërgjyshit e tyre. Ai u mësoi atyre rrugët e një jete më të mirë, u tregoi kotësinë e besimit në idhuj, duke u predikuar besimin e vërtetë në Një Zot, ide këto më të logjikshme dhe më të arsyeshme që njerëzimi mund të ketë për Krijuesin e Gjithësisë.
Vendi ku lindi Muhamedi a.s. -Meka, ishte një qytezë që ishte kapluar nga injoranca më tepër se kudo tjetër. Në vendet fqinje, siç ishin Persia, Egjipti dhe Bizanti, pjesërisht ishte e zhvilluar kultura dhe qytetërimi. Për fat, Arabia mbeti jashtë çdo ndikimi të atyre qytetërimeve. Në Gadishullin Arabik ishin të zhvilluara vetëm poezia dhe tregtia. Nuk kishte institucione arsimore e kulturore: shkolla, biblioteka etj., siç kishte në Egjipt, Persi dhe në vise të Azisë së Vogël.
Shtëpia e Zotit, “Qabeja”,(15) e cila ishte ndërtuar nga Ibrahimi a.s. dhe i biri i tij, Ismaili, që ishte në qendër të Mekës, ishte shndërruar në një vend adhurimi të idhujve. Brenda saj kishte më shumë se 360 idhuj të ndryshëm.
Se i Dërguari i Allahut xh.sh., Muhamedi a.s., ishte i vetmi njeri i cili hyri në histori si këshillues, udhëzues, reformator, burrështetas, ushtarak, komandant, humanist i suksesshëm, që e argumentuan koha, historia dhe historianët e ndryshëm botërorë myslimanë e jomyslimanë.
Me mesazhet që dërgoi Muhamedi a.s. në të katër anët e botës, që nga Perandoria Romake e Heraklit e deri tek mbreti i Egjiptit, Mukavkisi; që nga Kisrai i Persisë e deri tek mbreti i Etiopisë, Negjashiu, që nga dita e parë kur i ftoi ata në fenë e së vërtetës, e deri në shekullin tonë, ai vazhdimisht e pati bërë të njohur veten si një profet botëror, dhe atë pati vërtetuar përqafimi i ngrohtë i parimeve fetare që solli ai nga ana e një pjese të madhe të njerëzimit,16 dhe, falë mësimeve dhe parimeve islame, sjelljes dhe veprimeve të tij, që shërbenin si shembull i gjallë, ai me një grup të vogël bëri çudira të mëdha dhe brenda gjysmë shekulli, Ymeti i tij arriti të bëhej populli më i ngritur, të cilit ia patën lakmi fqinjët më të fuqishëm të asaj kohe, si Bizanti e Persia.
Me të drejtë mund të themi se Muhamedi a.s., me mësimet islame, nuk kishte për qëllim përgatitjen e qytetarit vetëm në suaza të ngushta, por synonte realizimin e një qëllimi shumë më të rëndësishëm: Do të thotë formimin dhe përgatitjen e njeriut të drejtë dhe human, të njeriut në përgjithësi, me kuptimin e plotë të konceptit “njeri”, njeriut i cili në substancë dhe në thellësi është i pazbuluar, njeriut dhe jo qytetarit, i cili do të jetë në këtë apo atë vend, në këtë apo atë rajon të Tokës.(17)
Duke e mbështetur formimin e shoqërisë dhe të vëllazërisë mbi bazat kuranore, Muhamedi a.s. qe i pari që luftoi racizmin me tërë forcën që pati, sëmundje kjo që ka përfshirë edhe botën e sotme. Këtë e dëshmojnë shumë ajete të Kuranit dhe hadithe të Pejgamberit a.s.. Ai në Haxhin lamtumirës iu drejtua njerëzve me këtë fjalë: “O njerëz, Zoti juaj është Një dhe babai juaj është Një, të gjithë jemi të Ademit, dhe Ademi është nga dheu. Nuk ka epërsi arabi ndaj joarabit, as i bardhi ndaj të ziut, përveçse me devotshmërinë“. Ky hadith përputhet edhe me fjalën e Kuranit: “O ju njerëz, vërtet, Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre, ju bëmë popuj e fise, që të njiheni ndërmjet jush, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që është ruajtur më tepër (nga të këqijat)”.(18)
“Vënia e Muhamedit a.s. në krye të listës së personaliteteve më me ndikim në botë, ndoshta mund të jetë një gjë e çuditshme për disa, por ai ishte njeriu i vetëm në histori që ka qenë bindshëm më i suksesshmi, si në aspektin fetar, ashtu edhe në atë shkencor” -do të deklaronte M.H. Hart.(19)
Pra, Muhamedi a.s. ishte i pari që u kumtoi njerëzve lirinë e vërtetë dhe që u ka bërë të ditur se njerëzit janë të barabartë para drejtësisë dhe ligjit, që e ka kërkuar epërsinë dhe dallimin për moralin, devotshmërinë dhe virtytet.
Shkrimtari i njohur Bernard Sho, për Pejgamberin a.s. ka thënë: “Ai duhet të quhet shpëtimtari i njerëzimit. Besoj se, nëse një njeri si ai do të merrte përsipër drejtimin e botës moderne, ai do t'ia dilte mbanë për t'i zgjidhur problemet nëpërmjet një rruge që do të sillte paqen dhe lumturinë e nevojshme”.20
Muhamedin a.s. në jetën e tij para Shpalljes, nuk e njihte askush si predikues apo orator, ose si burrështetas e personalitet të rëndësishëm. Ai, para Shpalljes, edhe pse shquhej për bujari, zgjuarsi dhe moral e drejtësi, asnjëherë nuk ishte dëgjuar të kishte folur për parimet e etikës, metafizikës, politikës dhe ekonomisë etj..
Me shpalljen e Kuranit, personaliteti i Muhamedit a.s. u bë nga më të njohurit në botë, sepse ai i vuri themelet një qytetërimi të ri, që bëri një kthesë të madhe në përparimin e qytetërimit njerëzor. Barazia fetare, racore, gjinore, arsimore, nacionale si dhe të drejtat individuale e kolektive, që garantoheshin dhe jetësoheshin në jetën e shoqërisë islame, - ngritën lart imazhin dhe prestigjin e kësaj shoqërie të udhëhequr nga Pejgamberi a.s. në fushën e qytetërimit të kohës.
Qytetërimi që ne njohim sot, nuk është prodhim i vlerave krishtere, porse një kombinim a përzierje me origjinë nga grekët, të krishterët dhe myslimanët, pikërisht, pra, mbështetur në fetë burimore të shpallura nga Allahu xh.sh. Prandaj është një realitet, që duhet ta themi dhe që duhet ta ketë në mendje çdo besimtar mysliman, fakti se “Qytetërimi islam nuk mund ta kryejë rolin e ndikimit në qytetërimin mbarënjerëzor, nëse imiton apo trashëgon qytetërime dhe kultura të tjera që nuk e kanë bazë Ligjin e Allahut xh.sh. dhe që asnjëherë nuk mund të jenë të përkryera”.
Myslimanët ndikimin mund ta ushtrojnë në qytetërimin botëror vetëm nëse janë të bindur se qytetërimi i tyre duhet të jetë i pavarur e me identitet të posaçëm hyjnor, qiellor, funksional dhe i vlefshëm për çdo kohë e vend, i ngritur mbi baza të forta dhe i mbështetur në Kuranin famëlartë dhe në Synetin-traditën e Pejgamberit a.s..
Pejgamberi ynë - Muhamedi a.s. shoqërinë islame e ndërtoi duke ndryshuar trajtimin dhe botëkuptimin e njerëzve në shoqëri. Ai tregoi dhe vërtetoi se ishte shpëtimtari i gjithë njerëzimit. Ai hyri në një epokë të re të ndriçimit të mendjes dhe solli një ringjallje konceptuale në zhvillim, së pari të qytetërimit islam, e pastaj bëri që ky qytetërim të ndikonte edhe në zhvillimin e qytetërimit mbarënjerëzor. Muhamedi a.s. ndërtoi një qytetërim të shëndoshë e të pastër, pa drogë, pa alkool, pa bixhoz, pa prostitucion dhe pa shumë të liga të tjera të kësaj natyre. Barnes shkruan me të drejtë: “Në shumë pikëpamje, qytetërimi më i përparuar në mesjetë ka qenë qytetërimi i popujve islamikë”.(21)
Gjatë pesë shekujve të parë pas Pejgamberit a.s., që njihet si periudha e historisë së myslimanëve, mund të themi se shkenca dhe dituritë në përgjithësi nuk kishin përkrahës dhe mbrojtës më të madh se qytetërimin islam. Në atë periudhë jeta shoqërore në përgjithësi ishte nën ndikimin e mësimeve të Kuranit. Në kohën kur Evropa e krishterë epideminë e konsideronte qortim nga Zoti dhe prandaj asaj duhej t'i nënshtrohej shoqëria, sepse vinte nga Zoti, tek myslimanët i Dërguari i Allahut kishte udhëzuar popullin e vet që të luftonin kundër epidemive duke i izoluar qytetet dhe viset e infektuara.
Mesazhi i Islamit ka konceptuar dhe sendërtuar në praktikë qytetërimin në të cilin nuk kishte hapësirë për kurrfarë nacionalizmi, kurrfarë interesash të veçantë, kurrfarë ndarjesh të klasave, kurrfarë aristokracie trashëguese, - në të vërtetë për kurrfarë funksionesh trashëguese në përgjithësi. Cilësia më e rëndësishme e qytetërimit islam ishte se ai ishte konceptuar me anë të pranimit vullnetar dhe është rritur me pranimin vullnetar të njerëzve të interesuar.
Vetë fjala Islam është kuptimplotë, që do të thotë përulje e plotë ndaj Zotit, paqe dhe nënshtrim ndaj dispozitave të Allahut xh.sh.. Pra, vetëm një gjykues i paanshëm i historisë islame, do të përfundonte me konstatimin se njeriu që E pranoi Zotin si të plotmëshirshëm, nuk mund të besonte në forcën e shpatës, dhe se përparimi i kulturës islame tregon mjaft se diçka thelbësore dhe e pavdekshme ndodhet në mësimet e kësaj feje.
Prandaj, ata që mundohen t’i shpifin Islamit elemente prapambeturie, janë ose të padijshëm, ose janë të njëanshëm dhe shikojnë me paragjykime dhe urrejtje, e s'kanë fuqi të pohojnë forcën shpirtërore të Islamit, e cili ka dhënë aq shumë kontribut për botën, si në shkencë, ashtu dhe në filozofi.(22)
Ajeti kuranor “Nuk ka dhunë në fe”, është një argument i fuqishëm se Islami nuk u përhap në saje të imponimit e të dhunës, por në saj të fuqisë së fjalëve frymëzuese të Muhamedit a.s., misioni dhe dëshira e zjarrtë e të cilit ishte çrrënjosja e errësirës dhe vëllazërimi e uniteti mbarënjerëzor, i dalë apo i imponuar nga fuqia shpirtërore e fesë islame.
E vërteta, paqja, toleranca, e mira, barazia dhe sinqeriteti që kultivon qytetërimi islam, - janë çështje shumë të nevojshme, të cilat i këkon edhe vetë natyra e njeriut dhe dëshira e tij për të siguruar një jetë në paqe dhe mirëqenie të përhershme. Për të qenë kështu, këto parime dhe vlera të qytetërimit islam, së pari, duhet të mësohen e të njihen dhe pastaj të zbatohen. Për t'i realizuar të gjitha këto, është e domosdoshme që t'i kushtohet një kohë leximit dhe studimit të librave e literaturës islame, si dhe të mbahen kontakte me dijetarët që njohin parimet e fesë islame dhe qytetërimin islam në përgjithësi.
Për t'u pajisur me njohuri fetare, besimtari duhet të jetë i afërt dhe i shoqëruar si me dijetarët, ashtu edhe me përkrahësit e dashamirët e fesë, sepse prej afrimit e njohjes në mes njerëzve, lind edhe dashuria në mes tyre, e prej saj, natyrisht, edhe dija e dobia.
Prandaj është gabim i madh që njerëzit të rrinë larg njëri-tjetrit dhe indiferentë, kur dihet që edhe vetë qëllimi i fesë islame është që njerëzit të njihen në mes tyre, të afrohen dhe të ndihmojnë e të respektojnë njëri-tjetrin.
Ka shumë njerëz që e kanë kuptuar se feja islame është vërtetë e lartësuar, por, për çudi, nuk angazhohen që t'i mësojnë dhe t'i zbatojnë as bazat kryesore të saj. Nuk i dinë as shtyllat themelore të Islamit e jo më hollësitë filozofike dhe virtytet morale, që janë shpirti dhe baza e zhvillimit dhe edukimit të shoqërisë.
Si bëhet që njeriu të jetë anëtar i një shoqërie e të mos njohë, të mos dijë e të mos përfillë nenet e statutit e të rregullores së saj? Feja nuk është vetëm për prijësit fetarë, pra nuk është profesion, veçse është për të gjithë. Sikur prej hapësirës së gjithësisë që përfitojmë të gjithë, ashtu duhet të përfitojmë edhe prej të mirave. Pasi njerëzit janë një trup, kur t’i bëjmë mirë njeriut, është si t’i bëjmë mirë gjithë njerëzimit, kurse, kur t’i bëjmë keq, është sikur t’i bëjmë keq gjithë njerëzimit.
Feja islame është tërësisht origjinale me simbolet e saj të qarta e të papërziera, dhe e përshtatur me thjeshtësinë e saj të mrekullueshme për të gjithë popujt dhe për të gjitha rrethanat e kohët. Islami është fe që i plotëson e i kënaq të gjitha nevojat shpirtërore dhe ato të jetës shoqërore, si të individit, ashtu edhe të shoqërisë. Asnjë sistem fetar nuk mund të krahasohet me Islamin. Allahu xh.sh. është Zot i gjithë rruzullit tokësor, ndërsa vepra dhe biografia e Muhamedit a.s. është madhështore, hyjnore dhe e papërshkruar për ata që e studiojnë me qetësi dhe respektojnë mendimet ndryshe.


________________________
1. Ibni Hisham - Siretu enebevie, pjesa e dytë, Kajro, 14-16, 1996.
2. Safijurrahman el-Mubarek Furi, Er-rahikul Mahtum, 1413 h - 1996 m.
3. Po aty...
4. Suretul alek 1-5.
5. Suretu Mudethir, ajetet 1-7.
6. El-bekare, 78.
7. El-Xhuma: 2.
8. El'araf: 157.
9. Suretu El-A'ëla: 6.
10. Ankebutë: 48.
11. Es-sebe;28.
12. El-Ahzab:45-46.
13. ES-Safa, 6.
14. Muhamed Reda, Muhammed resulullah, f. 46,47.
15. Sipas disa burimeve Qabja është e ndërtuar që nga koha e Ademit a.s. Shih:Et-tibjanu, Et-tusij, V.2, f.535.
16. Shih Sulltan Ahmed Kurejshi, letrat e Muhamedit a.s., Logos-A, Shkup, 2004.
17. Mustafa Tahani, Aftësimi edukativ Islam, f.76-77, Shkup, 2003.
18. El-Huxhurat: 13.
19. Muhamedi a.s. themelues i qytetërimit të vërtet, Dituria Islame, nr.180-181, Korrik-Gusht, 2005- f.17.
20. Po aty.
21. Po aty…
22. Mr Fahrush Rexhepi, personaliteti i Muhamedit a.s. në revistën "Kultura islame" Dituria Islame, nr.163, f.27, 2004


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi