Barazia gjinore në marrëdhëniet pasurore bashkëshortore

 


Hyrje


Ky punim shqyrton parimin e barazisë gjinore në rregullimin e marrëdhënieve pasurore që krijohen ndërmjet bashkëshortëve në martesë. Ndryshe nga e drejta sendore, këto marrëdhënie janë të rregulluara me dispozita të veçanta nga Ligji për Familje i Kosovës, për shkak të specifikave që ka marrëdhënia bashkëshortore, si përkujdesje për jetëgjatësinë e familjes. Meqë në Ligjin për Familjen i Kosovës (LFK) njihet mundësia e lidhjes së martesës edhe në formën fetare, atëherë lind nevoja e shqyrtimit të kësaj marrëdhënie jo vetëm sipas të drejtës pozitive në Kosovë, por edhe sipas të drejtës fetare. Në këtë rast, krahasimi bëhet me të drejtën islame. Punimi ka për synim të japë një vështrim krahasues, që të shërbejë si mjet vetëdijesimi për gratë, organizatat joqeveritare, si dhe për shoqërinë në përgjithësi. Punimi është organizuar në tri pjesë:


- Teoria legjislative;
- Praktika gjyqësore;
- Perspektiva islame.


Rëndësia e temës del në pah edhe më shumë nëse marrim parasysh të dhënat shqetësuese që ka mbledhur USAID-i në Kosovë, e të cilat theksojnë se: 73% e qytetarëve nuk kanë njohuri themelore për të drejtat e tyre pronësore; vetëm 3% e grave në Kosovë trashëgojnë pronën e paluajtshme nga prindërit e tyre; vetëm 19% e grave në Kosovë posedojnë pronë të paluajtshme në emër të vet.(1)


Shqyrtimi legjislativ


Pas luftës, ndryshimet në shoqërinë kosovare kanë prekur të gjitha sferat e jetës, përfshirë edhe martesën. Më parë, marrëdhëniet pasurore martesore rregulloheshin me “Ligji për Martesën dhe Marrëdhëniet Familjare” (LMMF), kurse sot rregullohen me “Ligji për Familjen i Kosovës” (LFK).(2)
Ligji i tanishëm, i publikuar në gazetën zyrtare, në vitin 2006, është një përpjekje shtetërore për të krijuar një bazë të re ligjore, që respekton parimet bazë të standardeve ndërkombëtare në rregullimin e marrëdhënieve familjare. Marrë parasysh faktin se, marrëdhëniet personale ndërmjet bashkëshortëve mund të jenë të qëndrueshme vetëm duke pasur marrëdhënie të shëndosha pasurore midis tyre, si dhe mes tyre dhe palëve të treta.(3)
Kjo sepse, ekonomia familjare ka një ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjes, por edhe të vetë çiftit. Në Ligjin për Familjen i Kosovës, ndikimi që ka parimi i barazisë morale dhe ligjore mes bashkëshortëve është faktorizuar që në nenin 3, paragrafi 1, ku kjo konsiderohet themeli i rregullimit të marrëdhënieve pasurore midis bashkëshortëve, si dhe siguron mbrojtjen e dinjitetit të secilit nga diskriminimi në martesë. Çfarëdo marrëveshje ndërmjet çiftit, në të cilën njëri bashkëshort pranon pabarazinë, ligjërisht është krejtësisht e pavlefshme. Paragrafi 1, i nenit 42, në LFK, përkufizon barabarësinë e bashkëshortëve në marrëdhëniet personale dhe pasurore, duke i rregulluar ato mbi këtë parim.(4)
Barabarësia e bashkëshortëve në marrëdhëniet martesore hyn në grupin e të drejtave, për të cilat bashkëshortët nuk mund të merren vesh ndryshe, vetëm nga si parashihen me ligj, për shkak se janë të rregulluara me norma të karakterit imperativ. Në rast të mungesës së barabarësisë ndërmjet çiftit, si sanksion, ligji tërheq të drejtën e shkurorëzimit.(5)
Marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve në martesë janë të rregulluara nga një sërë dispozitash ligjore, kryesisht me LFK, Kapitulli IV, nenet 45-57. Vlen të theksohet se, regjim pasuror martesor quhet: Tërësia e normave ligjore me të cilat rregullohen të drejtat dhe detyrimet pasurore ndërmjet bashkëshortëve, si dhe ndërmjet tyre dhe të tjerëve.(6)
Në të drejtën familjare, llojet e regjimit të pasurive të bashkëshortëve klasifikohen sipas disa kritereve. Në bazë të kriterit të burimit, regjimet ndahen në:
- Regjim ligjor, që do të thotë se dispozitat të cilat i rregullojnë marrëdhëniet pasurore të bashkëshortëve parashihen nga ligji, si dhe zbatohen nga data e lidhjes së martesës, pavarësisht nga vullneti i bashkëshortëve. Për nga natyra e dispozitave urdhëruese apo lejuese të tij, ky lloj regjimi ndahet në(7) regjim ligjor obligativ, nëse ligji e parasheh si regjim të vetëm që rregullon marrëdhëniet martesore, siç është në të drejtën tonë pozitive; regjim ligjor fakultativ, nëse ligji ua mundëson bashkëshortëve të zgjedhin me marrëveshje regjimin pasurore, kurse e zbaton regjimin ligjor pas lidhjes së martesës, vetëm nëse bashkëshortët nuk kanë të caktuar me kontratë një tjetër regjim pasuror.
- Regjim kontraktor, që nënkupton se dispozitat të cilat rregullojnë pasurinë e fituar gjatë martesës përcaktohen me kontratë, nëpërmjet së cilës, bashkëshortët zgjedhin sipas vullnetit të tyre, se cili regjim martesor do t’i nënshtrohet pasuria e tyre e fituar gjatë martesës.(8) Ky lloj regjimi lejohet në Francë, Gjermani, Belgjikë, Zvicër, e vende të tjera perëndimore, ndërsa nuk parashihet në LFK. Por, sipas rregullave të së drejtës sonë të detyrimeve, bashkëshortët mund të lidhin kontratë lidhur me pasurinë e tyre të veçante të fituar para martesës. Sipas LFK-së, bashkëshortët mund të bëjnë kontratë edhe në pasurinë e përbashkët, por vetëm lidhur me administrimin, disponimin dhe pjesëtimin e saj,(9) e jo në shmangie të regjimit ligjor. Ndërsa, sipas kriterit të strukturës, regjimet ndahen në:(10)
- Regjim i pasurive të veçanta, sipas së cilit, secili bashkëshort ruan të drejtën mbi pasurinë që e fiton edhe pas lidhjes së martesës; dhe
- Regjim i pasurive të përbashkëta, i cili do të shqyrtohet më vonë.
Pasuria e veçantë dallohet nga pasuria e përbashkët përmes dy kritereve: i pari është koha e krijimit të pronës, para apo pas martesës; i dyti, mënyra e krijimit të pronës, me apo pa kontribut. Përkundër veçorive të ndryshme, regjimet kanë edhe tipare të përbashkëta, ngase secili regjim rregullon tri çështje me rëndësi të jetës bashkëshortore: identifikon pasuritë, ndanë të drejtat dhe përcakton detyrimet.(11)
Sipas LFK-së, neni 45, në regjimin pasuror bashkëshortor parashihet “pronësia e përbashkët e pronës së fituar pas lidhjes së martesës”.(12) Pra, regjimi i pronësisë së përbashkët në Kosovë, është institucioni ligjor obligativ, që rregullon trajtat e detyrueshme të pasurisë së bashkëshortëve. Për t’u krijuar “pasuria e përbashkët” nevojiten dy kushte:(13) jetesa e përbashkët bashkëshortore dhe kontributi i përbashkët bashkëshortor.
- Jetesa e përbashkët bashkëshortore - Këtu përfshihet edhe rasti, kur në bazë të marrëveshjes bashkëshortët jetojnë të ndarë për shkak të punës, studimit ose specializimit, për aq kohë sa ekziston martesa dhe lidhja emocionale ndërmjet tyre.
- Kontributi i përbashkët - Këtu përfshihen të ardhurat personale dhe të hyrat e tjera të secilit bashkëshort, pasuria e fituar bashkërisht, ndihma e bashkëshortit ofruar për bashkëshortin tjetër, siç është kujdesi për fëmijët, udhëheqja e punëve të shtëpisë, si dhe çfarëdo forme tjetër e punës, lidhur me administrimin, mirëmbajtjen dhe shtimin e pasurisë së përbashkët.
Pra, kontributi në fitimin e pasurisë së përbashkët mund të jetë direkt, siç është fitimi nga marrëdhënia e punës, ose indirekt, siç është kujdesi ndaj fëmijëve dhe shtëpisë. Në bazë të këtij vlerësimi, çdo gjë që fitohet pas martesës, me kontributin e njërit apo të dyte, detyrimisht përbën pasuri të përbashkët. Kështu që, legjislacioni i ka dhënë vlerë materiale kontributit të gruas në shtëpi, duke e konsideruar si të barabartë me atë të burrit, që siguron të ardhura materiale. Kjo gjë ka rëndësi të veçantë nëse marrim në konsideratë faktin se, në Kosovë vetëm 13.3% e grave janë të punësuara,(14) e që është përqindja më e ulët në Evropë.(15) Por, sa ka gjetur aplikim kjo teori në praktikën gjyqësore? Kjo është pika e dytë që do ta shqyrtojmë në vazhdim.


2. Praktika gjyqësore


Në Raportin e Progresit për Kosovën, të Bashkimit Evropian, në vitin 2018,(16) theksohet se, përkundër kornizës ligjore me standarde ndërkombëtare, problemi në Kosovë është implementimi efektiv i ligjeve në praktikën gjyqësore. Gjatë rasteve të divorceve, duke u bazuar në raportet të ndryshme, është vërejtur tendenca nga ana e gjykatave për ta minimizuar vlerën e punës së grave në shtëpi.(17) Deri më tani, nuk ekziston asnjë rast i njohur, në të cilin gjykata ka ndarë pasurinë e përbashkët në pjesë të barabarta, nëse njëri prej bashkëshortëve nuk është pajtuar me ndarje të barabartë. Çuditërisht, rasti i vetën kur Gjykata e ka ndarë pasurinë e përbashkët në pjesë të barabarta, pa kërkuar dëshmi materiale, ka qenë atëherë, kur ajo e drejtë është ndarë në favor të burrit, në vitin 2013, në Prishtinë. Deri më sot, asnjë grua nuk e ka fituar gjysmën e pasurisë së përbashkët në këtë mënyrë.(18)


3. Perspektiva islame


Në të drejtën islame, barazia është kauza e drejtësisë për ta shmangur diskriminimin ndërmjet njëri-tjetrit dhe është në rangun e domosdoshmërive fetare, e që quhet darurijat, nga të cilat individi nuk ka drejt të heqë dorë, siç mund të bëjë me disa prej të drejtave personale.(19) Juristi i njohur, Ibën Ashuri thotë: “Barazia dhe liria janë ndër qëllimet madhore të ligjit islam.”(20) Nëse në rrethana të caktuara, barazia nuk e realizon drejtësinë, kjo tregon se parimi është duke u zbatuar keq. Në lidhje me këtë kuptim, Ibën Ashuri thotë: “Barazia të cilën e kërkon ligji islam është barabarësi e kufizuar nga kushtet në të cilat zbatohet barazia, e jo absolute në të gjitha rrethanat, ngase vetë krijimtaria e njerëzve është e ndryshme në prirje.”(21)
Pra, barazia nuk është domosdoshmërish e njëtrajtshme në aspektin e aplikimit. Ajo mund të jetë absolute ose e drejtpeshuar. Barazia e drejtpeshuar respekton dallimet ndërmjet bashkëshortëve, në prirje dhe rrethana, si dhe në përcaktimin e të drejtave dhe të detyrave. Kurse, barazia absolute është diskriminim që e vë barazinë në kontradiktë me vetveten, në të drejta dhe detyrime, në kushte dhe prirje të barabarta. Prandaj, në bazë të këtij parimi, ligji mund t’i dallojë në mënyrë pozitive grupet e privuara në baza gjinore, me disa të drejta që të tjerët nuk i kanë, derisa qytetarët të nivelohen barabartë. Në marrëdhëniet bashkëshorte, e drejta islame nuk parasheh regjim të caktuar pasuror, por vetëm efekte juridike si rrjedhojë e lidhjes së martesës. Meqenëse sot, dallohen dy lloje efektesh të aktit martesor, personale dhe pasurore, mund të themi se sipas kësaj të drejte, akti i vlefshëm martesor shkakton vetëm efekte personale ndërmjet bashkëshortëve. Ato efekte rregullojnë të drejtat dhe detyrimet që lidhen me statusin bashkëshortor të çifti, siç janë bashkëjetesa, besnikëria, trajtimi i mirë etj. Mirëpo, ka edhe disa efekte personale të natyrës pasurore, siç është dhënia e mehrit (dhuratë martese) gruas dhe mbajtja financiare e familjes. Si rrjedhojë, bëhet e qartë se, e drejta islame nuk i ka rregulluar ndryshe pasuritë e personave të martuar, prej atyre të pamartuar, qofshin ato pasuri e luajtshme apo të paluajtshme, si në aspektin e pronësisë, ashtu edhe në atë të administrimit e disponimit. Kështu që, secili bashkëshort mund të lidh të gjitha llojet e ligjshme të kontratave në pasurinë e vet me kë të dojë, përfshirë edhe me bashkëshortin tjetër. Prandaj, regjimi obligativ i pasurisë së përbashkët është një çështje e huaj për të drejtën islame, pasi që kushtëzimet në martesë, duhet të jetë në përputhje me natyrën juridike të aktit martesor, siç parashihet me Kuran dhe me Sunet.(22)
Andaj, secili nga bashkëshortët vazhdon të mbetet titullar i vetëm në pasurinë e tij, edhe pas lidhjes së martesës. Çdonjëri nga bashkëshortët ka autonomi të pavarur nga tjetri në pasurinë e vet. Në Kuran thuhet: “Burrave ju takon hise nga jo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga jo që fituan ato.”(23)
Ky ajet, ndër shumë të tjerë, ka lënë të kuptohet se bashkëshortja është po sikur bashkëshorti, dhe secili prej tyre gëzon autoritet të plotë në pasurinë e vet brenda kufijve ligjorë. Në lidhje me këtë, Akademia Ndërkombëtare e të Drejtës Islame, ka miratuar një vendim, ku thuhet: “Gruaja është plotësisht e kualifikuar në aspektin pasuror dhe ka autoritet të plotë financiar (sikurse burri). Ajo ka të drejtën absolute në gjithçka që e fiton me punën e saj. Ka pasurinë e vet të veçantë, të drejtën e pronësisë dhe të drejtën për të disponuar me pronë. Burri nuk ka autoritet mbi pasurinë e gruas dhe ajo nuk ka nevojë për lejen e burrit për të pasur pronë apo për të disponuar me atë.”24 Mirëpo, sipas të njëjtës Akademi, bashkëshortët mund të bien dakord në lidhje me pasuritë e tyre të fituara gjatë martesës:
“Nëse bashkëshortët me pëlqimin e tyre vendosin t’i bashkojnë pasuritë, nuk ka kurrfarë pengese fetare për këtë, por nuk lejohet t’ju imponohet me përcaktim të detyrueshëm.”(25)
Pra, nuk përjashtohet mundësia që të parashihen me ligj regjime fakultative, jo obliguese, pasi që autonomia e kontraktimit në pasuri është mjaft e gjerë. Sidomos, kur dihet se metafora kuranore i përshkuan bashkëshortët se janë petk për njëri-tjetrin, në kuptimin e asaj se ka një lloj uniteti jeta e përbashkët martesore, sikur njëra jetë e vesh jetën tjetër në udhëtimin bashkëshortor. Kështu që, si rregull, e drejta islame parasheh regjimin e pasurive të ndara, në bazë të së cilit, secili bashkëshort ruan të drejtën mbi pasurin e vet, por bashkëshortëve u lejohet që të bëjnë marrëveshje me kontratë lidhur me rregullat dhe detyrimet pasurore, të cilave do t’u nënshtrohen pasuritë e tyre brenda limiteve ligjore. Së këndejmi, dallimi kryesor mes së drejtës sonë pozitive dhe të drejtës islame, është dhënia ose jo e mundësisë së kontraktimit të lirë ndërmjet dy bashkëshortëve në lidhje me pasuritë e tyre të fituara gjatë martesës. Gjegjësisht, e drejta e këtij lloj kontraktimi jepet në jurisprudencën islame, por tashmë jepet edhe në Shqipëri, si dhe në shumë vende evropiane, si në Gjermani, Francë, Austri, Zvicër etj. Ndërkohë që me ndryshimet e reja të legjislacioneve familjare, ky regjim është përcaktuar edhe në shumicën e shteteve të ish-kampit socialist (Republika e Kroacisë, Serbisë, Shqipërisë etj.). Këto legjislacione kanë siguruar një hapësirë të gjerë të lirisë së kontraktimit, me anë të së cilës, bashkëshortët rregullojnë marrëdhëniet pasurore me kontratë martesore. Ndërkaq, Republika e Maqedonisë dhe e Kosovës nuk kanë lënë hapësirë për vullnetin e lirë të bashkëshortëve në përzgjedhjen e regjimit pasuror, pasi që bashkëshortëve iu ofrohet vetëm regjimi pasuror ligjor.


Përfundimi


Në përfundim të gjithë asaj që u tha, mund të dalim me disa konkluzione: - Në të drejtën kosovare dhe në atë islame, marrëdhëniet pasurore të bashkëshortëve bazohen në parimin e barazisë gjinore, mirëpo kanë bërë një ndërlidhje edhe me parimin e autonomisë së vullnetit, si dhe me parimin e përparësisë së marrëdhënieve personale ndaj atyre pasurore. Kjo ndërthurje ndërmjet këtyre parimet është bërë për ta ruajtur natyrën juridike të lidhjes martesore, duke vënë në harmoni interesat e bashkëshortëve si individ, me interesat e tyre ai anëtarë në familje.
- Parimi i barazisë është në themelor në LFK, ndërsa parimi i autonomisë është më themelor në të drejtën islame dhe merr kuptimin e barazisë së drejtpeshuar, në bazë të prirjeve dhe rrethanave, e nuk është barazi e njëtrajtshme.
Sipas LFK-së, lidhja e martesës ka efekte juridike në pasurinë e bashkëshortëve, pasi që të fituarat me punë gjatë jetës martesore të secili bashkëshort janë pronësi e përbashkët e të dyve. Ndërsa, në të drejtën islame, secili nga bashkëshortët vazhdon të mbetet titullar i vetëm në pasurinë e tij, por edhe në pjesën që e fiton vetë pas martesës, përveç nëse janë marrë vesh ndryshe. Kjo do të thotë se, dispozitat të cilat i rregullojnë marrëdhëniet pasurore të bashkëshortëve parashihen nga ligji dhe zbatohen nga data e lidhjes së martesës, pavarësisht nga vullneti i bashkëshortëve. Ndërkaq, në të drejtën islame nuk parashihet ndonjë regjim obligues dhe regjim pasuror. Edhe pas martesës, pasuria vazhdon të mbete e veçantë, mirëpo nuk përjashtohet mundësia që ligji të ofrojë një regjim fakultativ dhe t’ju lë bashkëshortëve të zgjedhin rregullat të cilat do t’u nënshtrohen pasuritë e tyre, nëpërmjet marrëveshjes me kontratë, siç është rasti në Shqipëri dhe në disa vende evropiane (të cilat u cekën më lartë).



______________________________
1. Communication for Social Development (CSD), E drejta pronësore e grave në një shoqëri demokratike, fq.4. Shih online: http://csdkosovo.org/wp-content/uploads/2019/07/Imovinsko-pravo- %C5%BEena-u-demokratskom-dru%C5%A1tvu-ALB.pdf.
2. Ligji nr: 2004/32 për Familjen i Kosovës është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 20 janar 2006, ka hyrë në fuqi me datën 16 shkurt 2006, Gazeta zyrtare e RK, nr. 4/2006, 01.09.2006.
3. Gashi, Haxhi dhe Aliu, Abdulla dhe Vokshi, Adem, Komentar Ligji Nr. 2004/32 për familjen i Kosovës, Prishtinë: GIZ, 2012, fq. 119. URL: http://jus.igjk.rks-gov.net/605/.
4. Ligji nr: 2004/32 për Familjen i Kosovës. https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2410; Gashi, Aliu dhe Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, fq. 117-118
5. Gashi, Aliu dhe Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, fq. 106 dhe 107
6. Oruçi, Gani, E drejta familjare (Ligjërata të autorizuara), Prishtinë: Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, 1994, fq. 66; Podvorica,. Hamdi, E drejta Familjare, bot. IV, Prishtinë: Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, 2011, fq. 243; Gashi, Haxhi dhe Aliu, Abdulla dhe Vokshi, Adem, Komentar Ligji Nr. 2004/32 për familjen i Kosovës, Prishtinë: GIZ, 2012, fq. 119; Bahtiri, Bedri, Aspektet nacionale dhe ndërkombëtare të regjimit pasuror martesor të bashkëshortëve, Prishtinë: Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, 2018, fq.266
7. Omari, Sonila, E drejta familjare, Tiranë: Fakulteti Juridik i Universitetit të Tiranës, 2010, fq. 84.
8. Podvorica, E drejta Familjare, p. 254
9. Podvorica, E drejta familjare, fq. 254 dhe 255.
10. Omari, E drejta familjare, fq. 84-85; Oruçi, E drejta familjare, fq. 66; Podvorica, E drejta Familjare, fq. 243
11. Xhafaj, Pranvera, Evoluimi i regjimeve Pasurore Martesore në të drejtën Shqiptare: Rezultate dhe objektiva, Tiranë: punim i pa publikuar, 2010, fq. 47. https://doi.org/10.13140/rg.2.2.25039.28322.
12. Ligji nr: 2004/32 Ligji për Familjen i Kosovës: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2410.
13. Gashi, Aliu and Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, fq. 127; Podvorica, E Drejta Familjare, fq. 246.
14. Agjencia e Statistikave të Kosovës, Anketa e Fuqisë Punëtore, TM1 2009, fq. 14, online në: http://ask.rks-gov.net/media/4854/anketa-e-tregut-te-punes-tm1-2019.pdf.
15. Initiative for Justice and Equality (INJECT), Pasuria e Përbashkët dhe mbajtja financiare: ligji dhe praktika, Prishtinë 2019, fq.12, e disponueshme online në nyjën: https://advocacy-center.org/wp-content/uploads/2019/09/Pasuria-ePerbashket-dhe-mbajtja-financiare-ALB-Web.pdf.
16. Raporti i Progresit për Kosovën 2018, fq.25, online: https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/ near/files/20180417- kosovo-report.pdf.
17. Drenusha Morina, “Kur vjen puna te ndarja - Amvisëria nuk njihet si punë,” Periskopi, 2018, marrë nga, https://www.periskopi.com/kur-vjen-puna-tendarja-amviseria-nuk-paguhet-e-spo-njihet-si-pune/.
18. Initiative for Justice and Equality, Pasuria e përbashkët dhe mbajtja financiare, fq. 50, 51, 52 dhe 53. Online në: https://advocacy-center.org/wp-content/uploads/2019/09/Pasuria-ePerbashket-dhe-mbajtja-financiare-ALB-Web.pdf.
19. Uthman, Dr. Muhamed, Hukukul-insan bejnesh-sheriatil-islamijjeti uel-fikrilkanunil-garbi (Të drejtat e njeriut ndërmjet të drejtës islame dhe të drejtës perëndimore), bot.1, Kairo: Darush-shurukë, 1982, fq.20-21; Imare, Dr. Muhamed, Hukukul-insani daruratun la hukuk (Të drejtat e njeriut janë domosdoshmëri e jo thjesht të drejta), Kuvajt: Alemul-ma’rife, 1985, fq. 14-17.
20. Ibën Ashurë, Muhamedtahir, Mekasidush-sheriatil-islamijje (Qëllimet e ligjit islam), Muhamedulhabib ibnul Havxhe (red.), Doha: Ministria e vakëfeve dhe çështjeve fetare, 3/371.
21 Ibën Ashurë, Mekasidush-sheriatil-islamijje (Qëllimet e ligjit islam), 3/371.
22. Ebu Zehre, Muhamed, El-Ahvalush-Shahsijje (E drejta familjare), bot.1, Kajro: Darul fikril arabi, 1950, fq. 156.
23. Kurani, kaptina En-Nisa (Gratë): Ajeti 32.
24. Akademia ndërkombëtare e të drejtes Islame, Vendime dhe Rekomandime të Akademisë ndërkombëtare të së drejtës islame, vendimi nr. 144 (2/16) lidhur me mospajtimet e bashkëshortit dhe bashkëshortes punonjës, seanca e gjashtëmbëdhjetë, Dubai, periudha prej 9-14 prill 2005. Shih online: http://www.iifa-aifi.org/2174.html.
25. Akademia ndërkombëtare e të drejtes Islame, Vendime dhe Rekomandime të Akademisë ndërkombëtare të së drejtës islame, vendimi nr. 227 (11/23) lidhur me ndikimin e aktit martesor mbi pronën e bashkëshortëve, seanca e njëzet e tretë, Medine, periudha prej 28 tetor deri 1 nëntor 2018. Shih online: http://www.iifa-aifi.org/4899.html.