Misioni i Pejgamberit a.s., dhe kuptimi i besatimit – Bej’atu-r-rridvan
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Nga ajetet paraprake, (1-3), mësuam për mirësitë dhe veçantitë e kësaj marrëveshjeje për të Dërguarin a.s., ndërsa nga ajetet (4-7), mësuam për gjurmët e kësaj marrëveshjeje për sahabët e tij, si dhe pasojat për mynafikët dhe idhujtarët, kurse tash, në këto ajete, qartësohet misioni i Pejgamberit a.s. si dëshmues, përgëzues dhe paralajmërues për t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat e kufrit në dritën e imanit. I Dërguari i Allahut përveç ndihmës së Allahut, pranë vetes kishte edhe shokët e tij besnikë, të cilët ishin besatuar se ishin të gatshëm të flijoheshin me jetët e tyre për kauzën e shenjtë islame.
Koment:
8. Ne të dërguam ty si dëshmues, si lajmëtar përgëzues dhe si qortues
Ky ajet, si dhe disa të tillë të ngjashëm në Kuran, janë ajete që flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë për përgjegjësinë e të Dërguarit a.s., që ta kumtojë Shpalljen nga i Lartmadhërishmi, tek ymeti i tij. Por, ky mision i shenjtë, përveç të tjerash, nënkupton se Allahu i Madhërishëm, nuk e ka dërguar Muhamedin a.s. si dëshmues vetëm për ymetin islam, po edhe për të ymetet e tjera, te të cilët dërgoi pejgamberë, kohë pas kohe. I Plotfuqishmi na sqaron se i Dërguari a.s., erdhi si lajmëtar përgëzues për besimtarët, të cilët i pret Xheneti si shpërblim, por në të njëjtën kohë na e bën me dije se i Dërguari a.s. ka ardhur edhe si qortues dhe tërheqës i vërejtjes, në mënyrë që njerëzit të ndërgjegjësohen dhe të vetëdijesohen se nuk ka të adhuruar tjetër pos Allahut, dhe se rruga e vetme e shpëtimit është besimi i pastër në Të. Në lidhje me pjesën e ajetit, “Ne të dërguam ty si dëshmues...”, dijetarët kanë dhënë disa mendime, ndër të cilat do të veçonim:
- Ne të dërguam ty o Muhamed si dëshmues tek ymeti yt, detyrë të cilën ai e kreu me nder dhe përgjegjësi të plotë, sepse i Dërguari i Allahut vërtet e përcolli amanetin dhe shpalljen te ne në mënyrën më të mirë të mundshme. Madje në lidhje me këtë konstatim, kemi edhe çastet e dëlirësisë shpirtërore gjatë hytbesë lamtumirëse, kur i Dërguari a.s., me lot në sy iu drejtua haxhive të pranishëm, duke iu thënë: “A e kreva dhe a e përcolla amanetin e Allahut te ju?” Kur sahabët e pranishëm njëzëri e pohuan këtë gjë, atëherë ai iu drejtua Allahut, duke thënë: “O Allah, Ti je dëshmitari im se unë e përcolla amanetin Tënd te ta”.
- Një mëndim tjetër është se fjala “dëshmues” nënkupton se të Dërguarit a.s., edhe pas vdekjes së tij i paraqiten veprat e ymetit. Në lidhje me këtë i Dërguari a.s. ka thënë: “Jeta ime është mirësi për ju, do të flisni (për të tjerët) po edhe (të tjerët) do të flasin për ju. Por gjithashtu edhe vdekja ime është mirësi për ju. (Pas vdekjes sime), do të më paraqiten veprat e juaja. Nëse shoh (vepra) të mira, e falënderoj Allahun e nëse shoh të këqija, do t’i kërkoj Allahut falje për ju.”(1)
- Dhe mendimi i tretë, po ashtu i pranuar gjerësisht në mesin e dijetarëve është se i Dërguari a.s. do të dëshmojë edhe për misionin e pejgamberëve të tjerë tek ymetet e tyre. Muhamedi a.s. si vula e krejt profetëve, si më madhështori prej tyre me Shpalljen e fundit qiellore, përveç që do të jetë dëshmues para Allahut për ymetin e tij, do të jetë dëshmues edhe për të gjithë vëllezërit e tij pejgamberë para tij, kur në Ditën e Gjykimit do të dëshmojë se ata e kishin kryer amanetin me të cilin i kishte ngarkuar i Lartrmadhërishmi. Ashtu siç ka ardhur në disa ajete kuranore po edhe në disa hadithe, popujt e pejgamberëve të mëparshëm do ta mohojnë para Allahut se atyre u qe tërhequr vërejtja nga pejgamberët e dërguar te ta, por, për dëlirësinë dhe besnikërinë e tyre do të dëshmojë Muhamedi a.s. Allahu xh.sh. në lidhje me këtë thotë: “Si do të bëhet kur, për çdo popull, Ne do të sjellim dëshmitarë, ndërsa ty (Muhamed)do të të sjellim dëshmitarë për të gjithë ata” - (En Nisa’ë, 41); dhe “Atë Ditë, kur do të sjellim kundër çdo populli dëshmitarë nga mesi i tyre, kurse ty do të të sjellim dëshmitar kundër këtyre” - (En Nahl, 89).
Përveç këtyre ajeteve që dëshmojnë në lidhje me këtë çështje, kemi edhe hadithin e Resulullahut s.a.v.s., të cilin e transmeton Imam Ahmedi nga Ebu Seid el Hudriu të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut a.s.: “Në Ditën e Gjykimit do të vjen Nuhu a.s. dhe ymeti i tij, e Allahu do t’i thotë: A e ke kumtuar Shpalljen Time. Ai do të thotë: “Po o Zoti im.” Ai do t’i drejtohet popullit të tij: “A ua ka kumtuar ky Shpalljen Time?” Ata do të thonë: “Jo, neve nuk na ka ardhur asnjë i dërguar.” Atëherë i thuhet atij: “A ka dikush që dëshmon për ty”, e ai (Nuhu a.s.) do të thotë: “Muhamedi a.s., dhe ymeti e tij”, dhe unë do të dëshmojë për të se e ka kumtuar Shpalljen.”(2)
Në lidhje me këtë po ashtu kemi transmetimin nga Abdu bin Hamid dhe Ibn Xheriri e këta nga Katadeja, i cili në lidhje me këtë ajet thotë se: “Muhamedi a.s., do të jetë dëshmues për ymetin e vet dhe dëshmues për pejgamberët e tjerë para tij, se ata e kanë kumtuar shpalljen Allahut te ta.”(3)
Sikur në suren El Ahzab, po ashtu edhe në këtë sure janë përmendur disa nga detyrat apo obligimet me të cilat është ngarkuar i Dërguari i Allahut nga Fuqiploti. Përderisa në suren El Ahzab, në ajetet 45-46: “O ti Pejgamber! Ne të dërguam ty si dëshmues, si lajmëtar përgëzues dhe si qortues; dhe Thirrës në rrugën e Allahut, me lejen e Tij, dhe si pishtar ndriçues”, janë të përmendura pesë obligime të Pejgamberit a.s.: dëshmues, lajmëtar përgëzues, qortues, thirrës në rrugën e Allahut dhe pishtar ndriçues, tash në këtë sure, El Fet’h, i kemi të përmendura vetëm tri obligimet e para: dëshmues, lajmëtar përgëzues dhe qortues. Arsyeja pse në suren El Ahzab, janë përmendur më shumë detyra dhe obligime të të Dërguarit a.s. në krahasim me suren El Feth, është fakti se surja El Ahzab, pothuajse në tërësi i është kushtuar Pejgamberit a.s. dhe gjendjeve të tij(4), kurse surja El Fet’h është fokusuar më tepër në Marrëveshjen e Hudejbijes, përfshirë këtu frytet dhe pasojat e saj.
9. që ta besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, që ta përkrahni e ta nderoni atë (Muhamedin) dhe që ta lartësoni Atë (Allahun) mëngjes e mbrëmje.
Ky ajet i drejtohet ymetit islam në përgjithësi, dhe në veçanti atyre besimtarëve sypatrembur me porosinë që ta besojnë bindshëm Allahun, të besojnë të Dërguarin e Allahut, të cilin Ai e dërgoi mëshirë për të gjitha botët, për njerëzit dhe xhinët, deri në Ditën e Gjykimit. Besimtarët porositen që ta përkrahin e ta nderojnë të Dërguarin a.s., sepse vetëm kështu feja e Allahut dhe besimi i drejtë do të triumfojë mbi besimet e kota. Dhe në fund të ajetit, ata porositen që ta madhërojnë e ta lartësojnë Allahun, mëngjes e mbrëmje, sepse qëllimi i krijimit tonë është njohja e Allahut si Zot dhe Krijues i vetëm i kësaj ekzistence.(5)
10. Ata që të japin besën ty, në të vërtetë, i japin besën Allahut. “Dora” (Kënaqësia-Fuqia) e Allahut është mbi duart e tyre! Kush e shkel besën, e shkel në dëm të vetes, ndërsa kush e mban besën që i ka dhënë Allahut, Ai ka për t’i dhënë atij shpërblim të madh.
Ky ajet, na rikthen edhe njëherë kujtesën në atë ngjarje të lavdishme, të cilën e ka përjetësuar edhe vetë Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë, “Bej’atu-rr-Rridvan”, kur besimtarët ia dhanë besën një nga një të Dërguarit të Allahut, se nuk do të ktheheshin në Medinë, pa marrë hak për Uthmanin dhe shoqëruesit që ishin me të, duke iu besatuar atij se do të vdisnin e nuk do të ktheheshin prapa. Ky besatim i tyre, nënkuptonte se ata kishin vendosur që të vazhdonin para në lartësimin e Fjalës së Allahut. Nëse do të vdisnin në këtë mision, do ta arrinin kënaqësinë e Allahut dhe gradën e shehidit, e nëse do të mbetnin gjallë, do t’i gëzoheshin fitores dhe ngadhënjimit mbi kufrin dhe shirkun. Pikërisht, për këtë arsye, ata që ishin besatuar nën hijen e pemës në Hudejbije, janë të lavdëruar tek Allahut, për shkak të besimit dhe guximit të tyre që të përballen me sfidat më të rënda në rrugën e Zotit. Allahu në lidhje me këta njerëz, në ajetin e 18 të kësaj sureje, El Fet’h thotë: “Vërtet Allahu qe i kënaqur me besimtarët, kur ata, nën hijen e asaj peme, të jepnin besën. Ai e dinte çfarë kishte në zemrat e tyre, prandaj u dhuroi qetësi dhe i përgëzoi me një fitore të afërt (çlirimin e Hajberit).”
Këta që u besatuan nën hijen e pemës, kishin një respekt dhe reputacion të madh në mesin e besimtarëve në vite në vijim. Veteranët e Bedrit, pastaj këta që u besatuan në Hudejbije dhe pjesëmarrësit në çlirimin e Mekës, do të ngelin përherë si heronjtë më të dashur për të gjithë brezat e myslimanëve deri në Ditën e Gjykimit. Allahu që i kënaqur ndaj tyre, prandaj edhe thotë se kënaqësia e Allahut është mbi ta. Ata që e mbajnë këtë besë dhe premtim të dhënë Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të kenë shpërblime të mëdha në Xhenetet e amshueshme, kurse ata që e thyejnë këtë besatim dhe premtim, i pret ndëshkimi i rreptë në Ahiret.
Nga shënimet historike, thuhet së në këtë ditë, nga të gjithë sahabët, që gjendeshin me të Dërguarin e Allahut, në Hudejbije, që të gjithë ishin besatuar, përveç njërit, Xhedd bin Kajsit. Tregon Xhabiri r.a. dhe thotë: “Ia dhamë besën të Dërguarit të Allahut nën pemë, se do të vdisnim e nuk do të iknim asnjëri (prej betejës). Askush prej nesh nuk e shkeli besën e dhënë përveç Xhedd bin Kajsit, i cili ishte mynafik dhe ishte fshehur nën barkun e devesë së tij, dhe nuk ishte bashkuar me turmën.”(6)
Në këtë ajet, kemi të bëjmë edhe me një çështje mjaft të rëndësishme nga aspekti akaidologjik, sepse në të, në formë alegorike është përmendur “Dora” e Allahut. Disa prej dijetarëve, që veten e quajnë “selefistë”, anojnë kah ajo se Allahu ka gjymtyrë, si dorë, sy, gjunjë etj., por në fund e arsyetojnë këtë interpretim të tyre me fjalët: “Mirëpo jo ashtu siç mund ta perceptojë mendja jonë”. Këta njerëz, në sferën e cilësive të Allahut, janë bazuar vetëm në aspektin e jashtëm të fjalës, dhe nuk janë mbështetur fare në tekstet që u japin kuptim adekuat cilësive të Zotit, xh.sh., e në këtë rast edhe “Dorës”.
Huxhetul Islam, Imam el Gazali, sqaron shumë saktë se kuptimet e këtyre fjalëve (që kanë të bëjnë me cilësitë haberije - informative) me kuptimin e tyre të njohur alegorik, janë shumë të qarta dhe të kuptueshme. Nga këtu nuk ka dyshim se “selefu-s-salih”, më së miri e kuptonin gjuhën, trajtat dhe figurat, dhe pa dyshim që këto fjalë i kuptonin sipas kuptimeve metaforike të kuptueshme dhe shpesh të përdorura. Vallë si mund të paramendohet se ata që ia dhanë besatimin të Dërguarit nën hijen e pemës, kur e lexonin fjalën e Allahut: “Ata që të japin besën ty, në të vërtetë, i japin besën Allahut. “Dora” (Kënaqësia) e Allahut është mbi duart e tyre!” – (El Fet’h, 10), fjalën “Dorë” e kanë kuptuar vërtet si gjymtyrë e jo si ndihmë, fuqi, kënaqësi apo pushtet të Allahut dhe kudret të Tij?! Në fakt, kjo sqarohet fare thjesht edhe në vazhdimin e ajetit, me kërcënimin se ai që e thyen zotimin, e thyen vetëm në dëm të vetes.(7)
Edhe Sejjid Kutbi e përshkruan këtë pamje të besatimit në Hudejbije si një prej skenave më madhështore të besimit në Allahun. “Ata besimtarë që i vendosnin duart e tyre mbi duart e bekuara të Resulullahut a.s., ishin të bindur me zemër e me shpirt se në fakt, po a jepnin besën edhe Allahut, sepse Ai është mbikëqyrësi dhe përcjellësi i çdo gjëje që ndodh në ekzistencë, e në këtë rast edhe i besatimit në Hudejbije.”(8)
Për shkak të kësaj që u tha më lart, ne e marrim për të saktë metodologjinë e Maturidiut dhe të Gazaliut, dhe e mendojmë se sahabët - shokët e Muhamedit a.s., kanë komentuar sipas kuptimit metaforik çdoherë kur kuptimi i parë, i fjalëpërfjalshëm, ka qenë joadekuat.
Porosia e këtyre ajeteve
- Përgjegjësitë e të Dërguarit të Allahut të përmendura në këto ajete janë tri:
1. Dëshmia e tij për ymetin e vet dhe për të gjithë pejgamberët e dërguar para tij, se e kishin kryer amanetin dhe misionin e tyre të ngarkuar nga Allahu xh.sh.
2. Përgëzues i besimtarëve të cilët e besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, me Xhenet.
3. Qortues dhe tërheqës i vërejtjes për ata që e mohojnë Allahun dhe besimin e drejtë me ndëshkim në zjarr të Xhehenemit.
- Qëllimi më i lartë i dërgimit të pejgamberëve nga ana e Allahut te njerëzit, është vetëdijesimi i njerëzve që të besojnë Krijuesin e vetëm-Allahun xh.sh., t’i pasojnë të Dërguarit e Tij dhe ta ngadhënjejnë fenë të cilën ua ka zgjedhur i Lartmadhërishmi Kjo nënkupton madhërimin dhe lartësimin e Tij nga ana e besimtarëve, me namaz dhe dhikër, mëngjes e mbrëmje.
- Ata që u besatuan në Hudejbije se do të luftojnë kundër kurejshëve, deri në vdekje, ata në fakt ia dhanë besën Allahut, prandaj edhe Allahu qe i kënaqur ndaj tyre në këtë botë, dhe do t’i shpërblejë me mirësi të shumta në Ahiret.
- Në këtë ajet, ku përshkruhet në mënyrë alegorike se “Dora e Allahut”: është mbi duart e tyre, dijetarët më eminentë të Ehli Sunetit, Maturidiu, Eshariu, Tahaviu, Gazaliu e të tjerë, e sqarojnë se në pyetje është fuqia, ngadhënjimi, kënaqësia apo mirësia e Allahut, sepse është e palogjikshme t’i përshkruhet Allahut gjymtyrë sikur e njerëzve, kur Ai është i zhveshur nga çdo përngjasim apo shëmbëllim me krijesat.
- Ata që e thyejnë besën e dhënë Allahut, do t’i presë hidhërimi i Tij dhe ndëshkimi në këtë dynja dhe në Ahiret, e kush u mban besën e dhënë Allahut do të shpërblehet në Ahiret me mirësitë e panumërta të Xhenetit.
- vijon –
_______________________________
1. Hadithin e transmeton Bezzari nga Abdullah Ibn Mesudi. Ndonëse hadithi është i kategorisë “daif”, lejohet përcjellja e tij në sferën e “Tergibit dhe Terhibit”. Shih Musnedin e Bezzarit, (1/397).
2. Sahihul Buhari, nr. 3339, hadith ‘sahih’; Shih në lidhje me këtë edhe hadithin nr. 4487 po ashtu në Sahihun e Buhariut, hadith “sahih’.
3. Tefsir suretil Fet’h, f. 70.
4. Et-Tefsirul Munir, vëll. 26, f. 490.
5. Ibrahim bin Muhamed Melisi, Et-Tenasuku-l mevduijju fi sureti-l Fet’h, Mekë, 1434 h., ff. 262-263.
6. Et-Tefsiru-l Munir, vëll. 26, f. 487.
7. Naim Tërnava, Shkenca e Ilmul Kelamit-Parimet bazë, Prishtinë, 2023, ff. 258-259.
8. Sejjid Kutb, Fi Dhilali-l Kuran, Kajro-Bejrut, vëll. VI, 2003, ff. 3322