Pranimi dhe shpërndarja e informacionit në këndvështrimin e ajetit të 6-të të kaptinës Huxhurat

Hyrje

Sot, platformat e mediave sociale plotësojnë ndjeshëm nevojat e komunikimit dhe informacioneve të përdoruesve të saj. Megjithatë, objektivi i drejtuesve dhe ekzistenca e profileve të rreme të përdoruesve, ngre dyshime për vërtetësinë e përmbajtjes së asaj që komunikohet te të tjerët. Duke u nisur nga ky këndvështrim, në Kuranin fisnik, gjegjësisht në kaptinën Huxhurat, në versetin e gjashtë, urdhërohet që lajmet e sjella nga një njeri jo i drejtë (fasik) të hetohen tërësisht për të mos dëmtuar njerëzit e pafajshëm. Edhe pse përdoruesit e rrjeteve sociale, statusi fetar dhe moral i të cilëve nuk dihet, nuk mund të përshkruhen drejtpërdrejt si njerëz të padrejtë, është e sigurt se ata janë të paktën njerëz të panjohur që mund të jenë edhe jo të ndërgjegjshëm. Për këtë, edhe lajmi që ata përcjellin mund të konsiderohet në kuadër të ajetit përkatës, ngase ata me pëlqimin, shpërndarjen ose plasimin e lajmeve të pavërteta në platforma të ndryshme sociale me apo pa vetëdije, u shkaktojnë dëm material ose moral njerëzve të pafajshëm, gjë që bie ndesh me parimet fetare islame.

Interpretimi i ajetit të gjashtë të kaptinës Huxhurat

Kaptina Huxhurat, edhe pse është e shkurtër, ka një përmbajtje madhështore, sepse përmbledh çështje të një edukate të përjetshme, është baza e një qytetërimi të lartë, madje nga disa interpretues të Kuranit njihet edhe si kaptina e moralit. Maksima “O ju që besuat”(1) e përsëritur pesë herë në këtë kaptinë, thekson edukatën që duhet të kultivojnë besimtarët në raport me Krijuesin e tyre dhe Pejgamberin a.s., duke mos vendosur për asgjë para se të konsultohen me Kuranin dhe Pejgamberin a.s., të mos ngrenë zërin dhe të mos ngërmohen pranë tij, ngase niveli dhe autoriteti i tij është i lartë, e jo si i njerëzve të tjerë të rëndomtë. Po ashtu, ajo thërret ata që në raport me njerëzit të jenë të kujdesshëm duke mos i vënë veshin çdo thënie, lajmi, e posaçërisht kur ajo e ka burimin prej ndonjë njeriu të padrejtë, të përpiqen për pajtim ndërmjet palëve të përçara e të ngatërruara dhe të mos tallen me njëri-tjetrin, të mos përgojojnë, të mos vëzhgojnë çështjet intime të tjetrit, si dhe të mos formojnë bindje negative ndaj tjetrit. Përderisa maksima “O ju që besuat”- tregon faktin se Allahu i Madhëruar i thërret besimtarët në emër të besimit, emër i cili i veçon ata nga të tjerët, u kujton deklaratën e shehadetit dhe obligushmërinë e zbatimit të normave,(2) me pasthirrmën “O ju njerëz”(3) u vërteton origjinën e përbashkët të të gjithë njerëzve.
Krahas parimeve të ndershmërisë, drejtësisë, paqes, respektit të ndërsjellë dhe tolerancës, të cilat zgjidhin nga rrënjët shumë probleme sociale, në këtë kaptinë është dhënë një paralajmërim që mos të i vihet veshi çdo thënieje: “O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.”(4) Pra, udhëzon besimtarët që të jenë të durueshëm dhe t’i kushtojnë vëmendje saktësisë së thënieve që shkojnë e rikthehen mes tyre, në mënyrë që të mos prishet rendi shoqëror dhe të mos hyjë mes tyre përçarja dhe mosmarrëveshja për shkak të gjërave jo të vërteta.(5) Ngase kërcënimi më i madh për themelet e shoqërisë islame është mbështetja në thënie me burim të mjegullt dhe në marrjen e vendimeve kundër njëri-tjetrit duke u bazuar në to pa i shqyrtuar siç duhet.

Shkaku i zbritjes së ajetit

Në literaturën e tefsirit, si shkak i zbritjes së këtij verseti kuranor, përmendet se Harith bin Darar Huzai, pas pranimit të Islamit, i thotë Pejgamberit a.s. se do të shkojë te populli i tij t’i thërras në fe, nëse pranojnë do ta mbledhë zekatin e tyre. Me të kuptuar se ata kishin pranuar Islamin dhe kishin dhënë zekatin, Pejgamberi a.s. e dërgon Velid ibni Akabën që ta sjellë zekatin. Velidi niset, por i frikësuar kthehet në gjysmë të rrugës dhe shkon te Pejgamberi a.s. me lajm të rremë se Harithi deshi ta vrasë dhe nuk i dha zekatin. Pejgamberi a.s. e dërgoi një ekip kundër Harithit, por posa dalin ata prej Medinës, e takojnë atë duke sjellë zekatin. Me këtë rast kuptohet se Velidi kishte gënjyer”(6) Sipas komentatorit Er Razi, ky ajet u shpall në kuptim të përgjithshëm për të theksuar se fjala e të pandërgjegjshmit nuk duhet besuar dhe se duhet shqyrtuar mirë në mënyrë që të mos dërgojë deri te polemika dhe përçarja e besimtarëve. Përveç kësaj, ai thekson se nuk ka asnjë shpjegim në Kuran apo hadithe se ky ajet është shpallur vetëm për këtë ngjarje.(7) Pra besimtarët duhet të jenë mendjemprehtë dhe vigjilentë, nuk duhet të nxitojnë në pranimin e ndonjë thënie a lajmi, pa e shqyrtuar atë ngase ai mund të mos jetë i vërtetë e si rrjedhojë ata të bien pre e tij.

Lidhmëria e disa koncepteve të përmendura në ajet me lajmet joreale

Në versetin e gjashtë të kaptinës Huxhurat, zënë vend disa koncepte, si: fasik, nebe dhe tebejjun, të cilat në ditët e sotme mund të shqyrtohen brenda kontekstit të informimit dhe janë kyçe për burimin e lajmeve dhe mënyrën e pranimit dhe perceptimit të tyre në këndvështrimin kuranor. I Madhërishmi ka thënë: “O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm (fasik)...” Koncepti “fisk” që në periudhën paraislamike i përdorur në masë të madhe për bimët dhe kafshët në leksik ka kuptimin “të thyesh, të nxjerrësh diçka nga vetja e saj, të kalosh një kufi të caktuar” etj.(8) Ndërsa në periudhën islame, ky koncept fitoi një kuptim më të veçantë si “lajthitje nga rruga e drejtë, dhe mosbindje ndaj urdhrave të Allahut”, dhe me këtë shprehje në formën “fasik” filluan të përshkruhen si politeistët, çifutët, të krishterët dhe hipokritët, po ashtu edhe myslimanët që veprojnë kundër urdhrave të Zotit.(9) Komentatori Kurtubiu, përkufizon fasikun si “një individ që gënjen, bën mëkate haptazi dhe nuk ka turp nga Krijuesi i tij”.(10) Nisur nga ky fakt, meqenëse fasik paraqet individin që bën mëkate duke mos zbatuar urdhrat e Zotit dhe është i zhveshur nga cilësitë e së vërtetës dhe ndershmërisë, në këtë koncept përfshihen edhe ata që shpifin për njëri-tjetrin po ashtu edhe ata që u përcjellin të tjerëve lajme, saktësia e të cilave nuk dihet. Andaj një besimtar që nuk shqyrton thëniet e sjella nga një “fasik”, nuk mund të mbrohet nga gënjeshtrat, shpifjet dhe mizoria të cilat janë vet llojet e fiskut. Në ditët e sotme, me përhapjen e llogarive të shumta të dyshimta në mediat sociale, është vënë në dyshim edhe saktësia e informacioneve që shpërndahen gjithandej nga individë të panjohur e që në mësimet islame nuk pranohen si të sakta dhe njihen si “mexhhulu’l-ajn” – lajme të një individi të panjohur. Ndërsa urtësia e përgjithshme që vihet në pah në këtë ajet është fakti që besimtarët duhet të jenë përherë vigjilentë e të matur në filtrimin e thënieve, e posaçërisht kur ato kanë burim nga ndonjë njeri që nuk është aq i drejtë apo ndjeshmëritë fetare të të cilit nuk i dihen dhe të mos bëjnë gjykime dhe të ndërmarrin veprime në bazë të tyre.
Zoti i Madhërishëm në këtë verset kuranor shprehjen “nebe” e sjellë në formë të pashquar që ka kuptimin lajm (pra çfarëdo lajmi), dhe thekson se duhet të kihet kujdes nga të gjitha llojet e lajmeve të sjella nga kushdo që ka cilësi të liga. Thuajse thuhet: “Hulumtoni, shqyrtoni çdo lajm/thënie që iu transmetohet nga individë të pandërgjegjshëm.”(11) Ngase çdo lajm/thënie, burimi i të cilit është i pasigurt dhe i paqartë konsiderohet si dyshimtë. Të imitosh diçka thjesht duke thënë se të tjerët po e bëjnë atë, pa dije, do të thotë t’i nënshtrohesh hamendjeve, gjë që është e ndaluar në Kuran.(12) F.v., mjedisi tërheqës i shoqërisë apo i mediave sociale dhe fakti që shumë njerëz ndajnë të njëjtën gjë nuk duhet të jenë faktorë që një besimtar të shpërndajë atë që nuk është i sigurt në vërtetësinë ose saktësinë e saj. Sepse aty ku nuk ka të dhëna të sigurta, flet hamendja dhe ajo shpesh mund ta çojë njeriun drejt gabimit dhe mëkatit. E në Kuran, në lidhje me këtë thuhet: “O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat...”(13) Si rrjedhojë, mund të konsistohet se plasimi i lajmeve/thënieve, saktësia e të cilave nuk është e sigurt bëhet shkak për dëmtimin e individit dhe shoqërisë, veprime këto që nuk janë të parëndësishme te Zoti. Këtë e vërtetojnë dhe ajetet,(14) të cilat flasin mbi shfajësinë e Aishes r.a., për të cilën hipokritët filluan një propagandë të djallëzuar, gjegjësisht e akuzuan atë për shkelje kurore. Këto ajete konsiderohen jashtëzakonisht të rëndësishme për të treguar qëndrimin që duhet të mbajnë besimtarët përballë lajmeve/informacioneve të trilluara dhe të pasakta.
Më pas rrëfimi në këtë ajet vazhdon duke treguar për edukatën në pranimin e informacionit të tillë: “Nëse ndonjë i pandërgjegjshëm ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.”(15) Ibën Kajimi, pas sqarimit të konceptit “tebejjenu” në vargun kuranor, thekson se Zoti i Madhërishëm nuk ka urdhëruar mospranimin dhe mohimin e menjëhershëm të lajmit të sjellë nga i pandërgjegjshmi, apo në kuptimin më të gjerë nga individë të panjohur, por ka urdhëruar kërkimin dhe vërtetimin e saktësisë së tij në bazë të argumenteve të tjera përreth dhe më pastaj të veprohet me të.(16) Rrjedhimisht është pjesë e besimit të shqyrtohet saktësia e thënieve para se të veprohet me të. Këtë e dëshmon dhe vetë maksima “o ju që besuat”, me të cilën fillon ky ajet kuranor. Prandaj besimtari duhet ditur se mos shqyrtimi i saktësisë së një lajmi dhe plasimi i tij te të tjerët duke dëmtuar individin e pafajshëm është shkak i shumë përçarjeve brenda shoqërisë dhe bie ndesh me parimet islame. Në lidhje me këtë, në Kuran thuhet: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse dëgjimi, shikimi dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.”(17) Zoti i Madhërishëm me këtë ajet, paralajmëron njeriun që të mos flasë për diçka që nuk e di dhe të mos veprojë me gjëra që nuk ka njohuri mbi saktësinë e tyre.(18) E gjithë kjo, udhëzon besimtarët në mos nxitimin për të besuar dhe shpërndarë lajmin e dëgjuar ose shkruar nga individë të pandërgjegjshëm apo të panjohur të cilëve nuk u dihet përkatësia dhe qëllimi final.
Nga mësimet që nxirren nga ky ajet mund të konstatohet se përveç shpërndarjes së informatave direkte e të zakonshme, edhe ato në rrjetet sociale të bëra nga individë që njihen si “fasik” dhe të dyshimtë duhet të filtrohen nga ana e besimtarëve. Në të njëjtën kohë, përveç shpifjes, pëlqimi i lajmeve, përveç nëse verifikohen nga burime të besueshme, shpërndarja e tyre dhe në këtë mënyrë shkaktimi i dëmit material ose moral ndaj të tjerëve është padrejtësi ndaj tyre dhe sjellë dëme të mëdha në shoqëri. Duke pasur parasysh se të gjitha llojet e komunikimit po zhvendosen me shpejtësi drejt mjediseve virtuale, myslimanët duhet të kenë parasysh që t’u përmbahen rregullave fetare dhe morale, siç bëjnë në jetën e tyre reale.


____________________________
1. Huxhurat, 49/1, 2, 6, 11, 12.
2. Ebussuud, Irshadu’l-Akli’s-Selim, v. VIII/115.
3. Huxhurat, 49/13.
4. Huxhurat, 49/6.
5. Abdullah Siraxhcuddin, Havle Tefsiru sureti’l-Huxhurat, fq. 67
6. Taberi, Xhamiu’l-bejan, XXI/350-352.
7. Razi, Mefatihu’l-Gayb, XXVIII/119.
8. El Xhevheri, Es Sihah, v. IV/1543; El Isfahani, El Mufredat, fq.381.
9. Nesefi, Medarik, v. III/351.
10. Kurtubi, El Xhamiu’l-Ahkam, XIX/368.
11. Zemahsheri, El Keshshaf, V/1035.
12. En’am, 6/116, 148; Junus, 10/36, 66; Huxhurat, 49/12; Nexhm, 53/23, 28.
13. Huxhurat, 49/12.
14. Nur, 24/15.
15. Huxhurat, 49/6.
16. Ibën Kajjim el Xhevzi, Bedai’ut-Tefsir, v. III/6.
17. Isra, 17/36.
18. Maverdi, En Nuket, v. III/243; Kurtubi, El Xhamiu’l-Ahkam, v. XIII/7


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi