“Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato. Me siguri Allahu fal shumë dhe mëshiron shumë.” (En Nahl, 18)

Ramazani është muaj i zgjedhur dhe i bekuar. Ky është muaj i agjërimit, ibadetit, bekimit të Allahut xh.sh., amnistisë dhe faljes. Në këtë muaj Allahu xh.sh. njerëzve u ka dhuruar begatinë dhe mëshirën më të madhe. Në këtë muaj filloi shpallja e Kuranit: “…që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë, dhe Dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).” (El Bekare, 185). Pikërisht për shkak kësaj ngjarjeje të madhe, pastaj për shkak të shpalljes së Librit të fundit të Allahut xh.sh., Kuranit (që shënon fillimin e një epokë të re në historinë e njerëzimit) muaji Ramazan edhe ka rëndësi dhe vlerë të madhe.
Në këtë muaj Allahu xh.sh. e ndan mëshirën e Tij dhe ua fal njerëzve. Kuptohet, ua fal atyre që kërkojnë falje, dhe i mbulon me mëshirën e Tij ata që përpiqen për të. Një prej begative të muajit Ramazan është agjërimi. Agjërimi është ibadet kulminant me të cilin besimtari shpreh imanin-besimin e tij, dhe mundohet të meritojë mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut xh.sh. Agjërimi nuk është vetëm përmbajtja e thjeshtë nga ushqimi dhe pija, por është angazhim i tërë qenies së njeriut. Sytë nuk shikojnë atë që është haram, veshët nuk dëgjojnë të folurit e përbuzur, duart nuk shtrihen drejt haramit. Mendimet janë të drejtuara në madhërimin e Allahut xh.sh. dhe të medituarit në precizitetin dhe përkryeshmërinë e krijimeve të Tij. Gjuha i thur falënderimet më të larta për të mirat e Tij, me anë të dhikrit, duave dhe leximit të Kuranit…, e duke hequr dorë prej ushqimit dhe pijeve myslimani forcon vullnetin dhe durimin e tij në vështirësitë e jetës.(1)
Çdo obligim nga adhurimet që na ka obliguar Allahu i Madhërishëm si: falja e namazit, agjërimi, Zekati dhe Haxhi etj., kanë të mirat dhe dobitë e shumta shpirtërore, edukative dhe shoqërore. Ibadetet, përveç që janë adhurim ndaj Zotit të Madhëruar me anën e të cilëve njeriu shpreh nënshtrimin e tij ndaj Krijuesit të vet dhe afrimin ndaj mëshirës së Tij, me një qëllim të sinqertë, kanë edhe dobi të shumta. Rëndësinë dhe vlerën e ibadetit të agjërimit njeriu nuk është në gjendje ta kuptojë plotësisht. Rëndësia dhe vlera e këtij adhurimi qëndron në atë se Allahu xh.sh. për agjëruesin ka përgatitur shpërblim të veçantë. Ebu Hurejre r.a. transmeton një hadith të Muhamedit a.s.: “Allahu i Lartësuar ka thënë: Çdo vepër e njeriut i takon atij, përveç agjërimit. Ai më takon Mua, dhe Unë për të shpërblej (posaçërisht)!”(2)
Agjërimi është një nga format e adhurimit që më së shumti ndihmon myslimanin në ndryshimin dhe rregullimin e personalitetit të tij. Agjëruesi që ia ndalon vetes kënaqësitë e jetës pa asnjë imponim, presion apo ndonjë shkak tjetër, përveç zbatimit të urdhrit të Zotit, në këtë mënyrë dëshmon nënshtrimin e tij ndaj urdhrit të Zotit, dhe adhurimin e sinqertë për Të. Ky nënshtrim ndaj urdhrit të Allahut përbën adhurimin e sinqertë mendor dhe shpirtëror.

Dobitë edukative të agjërimit

Asnjë ibadet që ka përcaktuar Allahu xh.sh. për robërit e Tij nuk është pa urtësi të thellë dhe pa ndonjë mësim. Mosnjohja e urtësive të një ibadeti nga ana jonë nuk do të thotë se në të nuk ka të mira. Përkundëazi, ky është argument për paaftësinë dhe pafuqinë tonë në njohjen e urtësive të shumta në obligimet e adhurimet për Allahun xh.sh.
Agjërimi ka dobi edukative dhe ndikime të mëdha rregulluese mbi sjelljet morale të njeriut dhe lidhjet e tij me anëtarët tjerë të shoqërisë. Feja islame nuk e obligoi adhurimin e agjërimit vetëm që njeriu të mos hajë e të mos pijë, por e bëri edhe një mbrojtje të njeriut nga çdo gjë e ndaluar, qoftë me fjalë apo me vepra. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Agjërimi nuk është vetëm abstenim nga ushqimi dhe pija, por agjërimi (i vërtetë) është largim nga fjalët e kota dhe të ndyta…” (Hakimi). Ebu Hurejre r.a. transmeton një hadith në të cilin Muhamedi a.s. ka thënë: “Sa janë prej atyre që agjërojnë ndërsa nga agjërimi i tyre kanë vetëm urinë dhe etjen?!”(3) Gjithashtu thotë: “Gjëja më e paktë që i ka obliguar Allahu agjëruesit gjatë agjërimit është ushqimi dhe pija.”
Nga këto hadithe kuptojmë se agjërimi nuk është një proces shkëputjeje nga ushqimi dhe pija, por një obligim që synon të ndalojë njeriun nga gjërat e ndaluara, t’ia rrisë ndjenjën e besimit, si dhe ta edukojë atë me një edukatë hyjnore, të shëndoshë, morale e shpirtërore.

Agjërimi ndikon në edukimin e njeriut, dhe atë në dy drejtime

Së pari është ndalimi i njeriut dhe largimi tij nga gjërat e ndaluara, nga gjërat me të cilat nuk duhet të merret, si: gënjeshtra, shpifja, grindjet dhe armiqësimi me të tjerët... etj. Ndërsa drejtimi i dytë është inkurajim dhe nxitje, që synon të ngritë nivelin moral e shpirtëror të njeriut, në sajë të synimit për të arritur gjërat e lejuara e të pëlqyera, si: lëmosha, lutja, leximi i Kuranit, kujtimi i Allahut dhe kryerja e veprave të mira. Ne do të ndalemi pak te pika e parë. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush nuk e braktis gënjeshtrën dhe të vepruarit sipas saj, vërtet Allahu nuk ka nevojë që ai ta braktisë ushqimin dhe pijen.”(4)
I ngjashëm me fjalën rrenë është çdo mëkat që manifestohet me gjuhë, si: gënjeshtra, përgojimi dhe bartja e fjalëve, dhe, sidomos me qëllim përçarjeje; ose me sy, si: shikim me qëllim i gjërave të ndaluara; ose me vesh, si: dëgjimi i fjalëve të pamoralshme e që janë të ndaluara; ose me zemër, si: urrejtja e xhelozia; ose me këmbë, si: shkuarja në vende amorale e ku bëhen mëkate; ose që manifestohen me dorë, si: marrja e pasurisë së njerëzve pa pasur të drejtë.(5)
Nga të mirat edukative të agjërimit është se Allahu xh.sh. këtë ibadet e bëri mburojë për t’i ruajtur nga çdo gjë e keqe, dhe ua mundësoi besimtarëve të arrijnë ç’të dëshirojnë. Për këtë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Agjërimi është mburojë që e ruan besimtarin nga çdo e keqe. Edhe po që se ndonjëri dëshiron ta luftojë ose fyejë me sharje, le të thotë: unë jam agjërueshëm…” (Imam Ahmedi). Te Nesaiu kemi një hadith, version tjetër, ku thuhet: “Agjërimi është mburojë, po që se nuk e djeg atë.” Një shok i tij i tha Pejgamberit a.s.: “Me çka ta djeg?” Ai tha: “Me rrenë dhe bartje fjalësh.”(6)
Sufjan Eth-Thevriu ka thënë: “Përgojimi e prish-dëmton agjërimin.” Ndërsa Muxhahidi thotë: “Dy veti e shkatërrojnë dhe e zhvleftësojnë agjërimin: përgojimi dhe rrena!”(7)
Me këto hadithe Pejgamberi a.s. nuk kërkoi vetëm largimin nga fjalët dhe veprat e liga, sepse një gjë e tillë kërkohet edhe jashtë Ramazanit e në çdo kohë, por kërkoi që të lë diçka nga e drejta e tij, pra, që besimtari të mos i përgjigjet atij që e fyen ose e shanë, edhe pse është e drejtë e tij që ta mbrojë veten dhe personalitetin e tij. Por, nga agjëruesi kërkohet që, ashtu siç e la ushqimin dhe pijen, ta lë e ta falë edhe atë që e fyen, duke thënë: “Unë jam agjërueshëm.” Pra, nuk do t’ia kthejë përgjigjen që meriton, ngaqë ai është shembull për të tjerët, është njeri që i është dorëzuar Allahut të Madhëruar me të gjitha gjymtyrët dhe qenien e tij. Devotshmëria ia ka mbushur zemrën, dhe nga ai shpërndahet vetëm dashuria, sinqeriteti, respekti, e që e pastrojnë nga urrejtja dhe zilia. Agjërimi pra është një shkollë njëmujore për edukimin e shpirtit dhe përgatitjen e tij në mënyrë të gjithanshme. Tregimet e shenjta na sqarojnë edukatën e agjeruesit: atë të cilës duhet t’i përmbahemi dhe atë të cilës duhet t’i japim fund, për t’i arritur qëllimet e agjërimit dhe për të ruajtur sevapin e adhurimit. Pejgamberi a.s. i tha Xhabir Bin Abdullahut r.a.: “O Xhabir, ky është muaji Ramazan. Kush agjëron ditët e tij dhe falet netëve të tij, kujt i zbutet barku dhe i pushon gjuha, ai ka dalë nga mëkatet e tij, ashtu siç ka dalë nga vetë muaji.” Xhabiri i tha: “O Pejgamber i Allahut, nuk ka thënie më të bukur e më të mirë se kjo.” Atëherë Pejgamberi a.s. i tha: “O Xhabir, por nuk ka kushte më të forta se këto.”

Agjëruesi nuk duhet të jetë agresiv

Sot, fatkeqësisht, gjejmë prej myslimanëve që agjërojnë, dhe nga agjërimi i tyre nuk mbetet asgjë përveç urisë dhe etjes. Sot gjejmë të atillë që agjërojnë, dhe gjatë agjërimit ata ofendojnë, shajnë, përgojojnë, shpifin, mashtrojnë, gënjejnë, si dhe janë më agresivë dhe më të padurueshëm sesa jashtë agjërimit. Ndërsa, më e keqja e tërë kësaj qëndron në atë se për tërë këto veprime ata e fajësojnë agjërimin. Andaj, për injorantët agjërimi edhe bëhet shkak që ndoshta ata ta fyejnë tërë fenë islame. Sot ka nga myslimanët që mundohen që nervozen e tyre ta justifikojnë me agjërim, duke thënë: “jam nervoz se jam agjërue shëm”, “m’ka rrokë dallga e duhanit”, andaj edhe e marrin si pretekst për të arsyetuar mllefin e tyre. Por, a thua vallë ku janë qëndrimet e tyre karshi hadithit të Pejgamberit a.s., ku thotë: “Agjërimi është mburojë. Nëse dikush agjëron, ai nuk duhet të flasë fjalë të këqija dhe nuk duhet të sillet keq me të tjerët…” (Ahmedi).
Kemi një rast kur Muhamedi a.s. e dëgjoi një grua që po e ofendonte shërbëtoren e vet, megjithëse po agjëronte. Atëherë Muhamedi a.s. e ftoi atë duke i thënë: “A nuk je duke agjëruar?” Ajo iu përgjigj: “Unë po agjëroj, o i Dërguar i Allahut.” Atëherë Pejgamberi a.s. i tha: “Si ka mundësi të agjërosh kur ti nxjerr gjithë këto fjalë ofenduese për shërbëtoren tënde? Agjërimi nuk është vetëm mosngrënie e mospirje...”(8)
Pra, në këtë hadith të Pejgamberit a.s. vërehet fare mirë se agjërimi duhet të merret si mburojë për besimtarin, në mënyrë që atë ta ndalojë nga veprat e këqija, e jo të merret si arsyetim për të kryer veprat e liga. Po ashtu, kur kërkohet prej nesh që t’ua kujtojmë të tjerëve se jemi agjërueshëm, pa dyshim se në radhë të parë kërkohet që t’ia kujtojmë vetes se jemi agjërueshëm, dhe se agjërimi ynë duhet të jetë me tërë gjymtyrët tona dhe me tërë qenien tonë. Prandaj do të duhej që agjërimi ynë të jetë si një masë mbrojtëse e egos dhe epshit tonë, dhe të jetë një reflektim i një shëmbëlltyre të një besimtari durimtar, i cili në përkushtimin dhe adhurimet ndaj Zotit ndien kënaqësi, dhe assesi arsye për të sulmuar të tjerët.

Për fund

Le të duket te ti madhështia e agjërimit! Mos e bëj ditën e agjërimit tënd si ditët kur nuk agjëron! Në këtë mënyrë na sqarohet kultura e agjërimit. Agjëruesi duhet të angazhohet sa më shumë për të pasuruar moralin dhe sjelljet e veta. E lusim Allahun e Gjithëmëshirshëm që të jemi prej atyreve që punojmë për ta bërë muajin Ramazan një rast për pendim e përmirësim, mirësi e ndryshim, si dhe për përsosje morale! Amin!


__________________
1. Doc. Dr. Shefik Kurdiq, Ramazani dhe namazi i Teravive në dritën e medhhebit Hanefij, Shtëpia botuese, Sira, Prishtinë, 2004, f. 8.
2. Muslimi, Sahih: 13- Kitabu-s-ijami, 30- babu fadli-s-ijami, hadithi nr. 1151.
3. Ibni Maxhe, Sunen: 7- Kitabu-sijam, hadithi nr. 1690, Hadithi është vlersuar autentik.
4. Sahih Elxhamiu hadith, 6415, Buhariu, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.
5. Vehbi Sulejman Gavoçi, Dispozitat e agjërimit, Shtëpia botuese “Dituria Islame”, Prishtinë, 2008, f. 57.
6. Ramiz Zekaj, Ramazani muaji i mirësive, Tiranë, 1998, f. 48.
7. Ihjau ulumi-d-dini, 1/429. 8) Perla të urtësisë nga i Dërguari i Perëndisë, Shkup, 2002, Sahih, Mustedrek, Hakim dhe Sunen Bejheki, f. 39


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi