Pejgamberi a.s. shumë herë zgjedhte agjërimin si adhurim të veçantë dhe të preferuar jashtë Ramazanit. Përveç agjërimit të muajit Ramazan, ai preferonte të agjërohen edhe shumë ditë të tjera, si: agjërimi i gjashtë ditëve të muajit sheval, agjërimi i tri ditëve të çdo muaji, agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte, e shumë ditë të tjera. Madje, agjërimi pothuajse është adhurimi i vetëm që përmes tij mund të shpaguhen shumë kundërvajtje- kefarete, si ai i betimit, pamundësisë së therjes së Kurbanit në haxh, mbytjes së gabueshme, e të tjera. Me një fjalë, nëse bëjmë një përsiatje të shkurtër rreth agjërimit, e kuptojmë se ai është njëri prej ibadeteve ose adhurimeve kyçe në jetën e besimtarëve. Rëndësia e agjërimit “O ju që keni besuar, agjërimi ju është bërë obligim ashtu siç ishte obligim edhe i atyre para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm!” (El Bekare, 183). Pasi që qëllimi i agjërimit është shumë sublim, e ai qëllim është arritje e kulminacionit të devotshmërisë, kuptojmë qartë se edhe rëndësia e tij është jashtëzakonisht e madhe. Për këtë arsye dijetarët theksojnë se agjërimi i muajit Ramazan është obligim i prerë për besimtarët. Madje ky ibadet është një nga shtyllat mbi të cilat ngrihet Islami, dhe nuk plotësohet vetëm se me të. Me të njëjtin adhurim ishin obliguar edhe ymetet e mëhershme, gjë që e kuptojmë përmes librave te shpallur nga ana e Allahut të Madhërishëm. Me agjërimin e muajit Ramazan agjëruesi kryen edhe adhurimin më të gjatë në raport me Zotin e Madhërishëm, duke iu nënshtruar në plotshmëri urdhrave të Tij, dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Për një muaj të plotë besimtarët anekënd botës, përveç që i përkushtohen agjërimit, i përkushtohen edhe namazit, leximit të Kuranit dhe lutjeve e ibadeteve në përgjithësi, duke shpresuar në llogarinë dhe shpërblimin madhor nga Zoti Fuqiplotë. Thotë Muhamedi a.s. në një hadith: “Kush agjëron Ramazanin me besim të plotë, duke llogaritur në shpërblimin e Zotit, atij do t’i falën gabimet që i ka bërë në jetën e tij.”(1) Disa nga urtësitë e agjërimit Është interesante se gjithë ibadetet me të cilat Zoti i Madhërishëm na ka obliguar në vetvete ngërthejnë dobi e urtësi, e që besimtarët përfitojnë nga ato, si në këtë Dynja po ashtu edhe nesër, kur do të dalim para Krijuesit të Gjithësisë. Me qenë se fjala jonë tani është për agjërimin, mund të themi se agjërimi është një shkollë që besimtarin e dreson me urtësi e stoli të ndryshme, madje në të njëjtën kohë e edukon atë, si në aspektin moral ashtu edhe në atë fizik. Për ta kristalizuar këtë çështje ne do të përmendim disa nga urtësitë e agjërimit të këtij muaji, e ndër to(2): Devotshmëria Dijetarët islamë, nga ajeti kuranor: “...ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç ishte obligim edhe i atyre para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm!” (El Bekare, 183), konkludojnë se arritja e devotshmërisë është qëllimi sublim dhe kryesor i agjërimit. Devotshmëria është shkalla më e lartë që arrin besimtari në këtë Dynja. Të jesh i devotshëm do të thotë të jesh i sinqertë, i dëlirë, vepërmirë, të jesh i larguar nga çdo fjalë dhe vepër që është e papranuar nga Sheriati i Zotit. Për këtë arsye Allahu i Madhëruar në këtë ajet kuranor përmendi dobinë kryesore dhe gradën më të lartë që mund ta arrijë besimtari në këtë Dynja, e ajo është devotshmëria. Ai nuk përmendi urtësi, dobi apo gradë tjetër, sepse të gjitha ato janë më të ulëta se devotshmëria, prandaj kuptohen vetvetiu.(3) Durimi Muaji Ramazan e pasuron besimtarin me një cilësi shumë të lartë, cilësi e cila konsiderohet sa gjysma e imanit, e ajo cilësi është Durimi.(4) Abstenimi nga ushqimi dhe pijet, nga gjërat e zakonshme të njeriut në këtë Dynja, kërkon një durim. Në anën tjetër, të përmbajturit nga dëmet e njerëzve, si nga përdhosja dhe mendjelehtësia e tyre, nga veprat e liga të tyre, po ashtu kërkon një durim. Pra, agjërimi te besimtari kultivon durimin në shumë aspekte. Kjo kuptohet edhe nga porositë e edukatorit më të mirë, Muhamedit a.s., kur në një hadith, ndër të tjera, tha: “Nëse ndokush prej jush është agjërueshëm, le të jetë i kujdesshëm nga fjalët dhe veprat e ulëta, e nëse ndonjëri e fyen ose e sulmon atë (agjëruesin), ai le të thotë: Unë jam agjërueshëm!”(5) Humaniteti Muaji Ramazan konsiderohet sezona më e mirë dhe më e preferuara e besimtarit për ngritjen e ndjenjave të tij për bamirësi dhe humanitet. Këtë muaj shumë prej besimtarëve e zgjedhin si muajin më të përshtatshëm për t’u liruar nga obligimi material i Zekatit. Madje, përmbyllja e këtij muaji të agjërimit bëhet edhe me dhënien e Sadakatul Fitrit. Me kryerjen e këtyre obligimeve materiale besimtarët përveç që lirohen nga përgjegjësitë përkatëse të Zekatit e Sadakatul Fitrit, ata edhe plotësojnë një nevojë shoqërore ndaj nevojtarëve. Ata u dalin në ndihmë skamnorëve, bonjakëve, e nevojtarëve, dhe solidarizohen me ta, pikërisht në këtë muaj të agjërimit dhe në fundin e tij, për festën e Bajramit. Forcimi i lidhjeve farefisnore Dihet fare mirë se një ndër obligimet morale e fetare të myslimanëve është edhe mbajtja dhe forcimi i lidhjeve farefisnore. Më këtë obligim na ka urdhëruar Allahu xh.sh. edhe në Librin e Tij famëlartë, duke thënë:“Adhurojeni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmeve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt, ndaj fqinjit të largët, ndaj shokut tuaj, ndaj udhëtarit, dhe ndaj robërve! Allahu nuk i do ata që janë kryelartë dhe ata që lavdërohen.” (En Nisaë, 36). Ndërsa, Muhamedi a.s. në një hadith thotë: “Kush beson në Zotin dhe Ditën e Gjykimit, le ta respektojë mysafirin e tij, kush beson në Zotin dhe Ditën e Gjykimit, le t’i mbajë lidhjet e tij farefisnore, dhe kush beson në Zotin dhe Ditën e Gjykimit, le të thotë fjalë të dobishme ose le të heshtë!”(6). Respektimi i këtij urdhri kuranor dhe profetik më së miri vihet në zbatim në muajin e bekuar, në Ramazan. Shumë prej agjëruesve këmbejnë vizita dhe bëjnë iftare së bashku. Madje, këto vizita reciproke i përsërisin në veçanti edhe në manifestimin e festës së Fitër Bajramit. Pranimi i duasë-lutjeve Në fund të ajeteve kuranore, ku Zoti i Madhërishëm flet për obligueshmërinë e agjërimit dhe normat e tij, Allahu jep edhe një ajet, ku i përgëzon të gjithë agjëruesit se lutjet e tyre nuk kthehen prapa. Agjëruesit këto momente të Ramazanit i shfrytëzojnë për të kërkuar faljen dhe mëshirën e Krijuesi i tyre, por, gjithashtu, e shfrytëzojnë edhe për të kërkuar nga Fuqiploti mënjanimin e barrierave dhe problemeve me të cilat ballafaqohen në këtë Dynja. Ata thellë janë të bindur se duaja e tyre nuk kthehet prapa, sepse pranuan një premtim hyjnor nga i Madhi Zot xh.sh: “E kur robërit e mi të pyesin ty për Mua, tregoju atyre se Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata të udhëzuar le të më përgjigjen mua, dhe le të më besojnë mua!” (El Bekare,186). Luan rol pozitiv në shëndetin e agjëruesit Shumë prej studimeve dhe hulumtimeve mjekësore kanë vërtetuar se agjërimi luan rol shërues te shumë persona të sëmurë me sëmundje të ndryshme. Ata theksojnë se agjërimi bllokon qelizat kancerogjene dhe frenon shkaqet që shkaktojnë çrregullime në sistemin e punës së qelizave. Gjithashtu luan rol në balanisimin e shëndetit të atyre personave që vuajnë nga mbipesha, sëmundje e cila shpie te shumë probleme, si ato të zemrës, tensionit të gjakut, diabetit, kurrizit, etj. Kështu, agjërimi arrin kulminacionin e efikasiteti edhe në tërë sistemin e brendshëm trupor, duke fituar forcë, imunitet dhe energji në shumë aspekte. Në anën tjetër, ai luan rol pozitiv edhe në qetësimin mental e psikik të atyre që vuajnë nga brengat e problemet materiale, psikike e shoqërore, si pasoj e shekullarizimit. Për rolin e agjërimit në aspektin shëndetësor na kishte treguar edhe Muhamedi a.s., para katërmbëdhjetë shekujve, kur thoshte: “Agjëroni, nëse doni të jeni të shëndoshë!”(7) Në fund, mund të themi se me këtë ibadet nuk është për qëllim lodhja fizike e as shpirtërore, ashtu siç e imagjinojnë disa nga njerëzit, mirëpo qëllimi kryesor është diplomimi i suksesshëm dhe dinjitoz nga kjo shkollë e edukimit, durimit, pastrimit dhe stërvitjes shpirtërore e fizike, dhe arritja e kënaqësisë dhe dashurisë së Zotit të Madhërishëm.
_________________________
1. Transmeton Buhariu ne Sahihun e tij me nr. (2014). 2. Muhtesar El-fikh El-islamij (f. 624), Muhamed bin Ibrahim Et-tuvejxhirij. 3. Tefsiru-l-Kurani-l-Adhim (1/191-193) Imadu-din Ibn Kethir Ed-dimeshkij. 4. Muhtesar Minhexh El kasidin f. 44, Ahmed Bin Abdu-Rrahman ibn Kudame El Makdesij. 5. Transmeto Buhariu nga Ebu Hurejra r.a. me nr. (1904). 6. Transmeton Buhariu (6138). 7. Tahrixh El-ihja (3/108).