Komentimi i sures El Fet’h (10)




Realizimi i ëndrrës së Pejgamberit a.s. për hyrjen në mekë

“Allahu e vërtetoi ëndrrën e të Dërguarit të Tij, dhe e bëri realitet: “Do të hyni në Xhaminë e Shenjtë, të sigurt, me vullnetin e Allahut, kokërruar dhe flokëshkurtuar, pa kurrfarë frike.” Ai dinte atë që ju nuk e dinit. Veç kësaj, Ai ju dha një fitore të afërt (Hajberin). Është Ai që e dërgoi të Dërguarin e Vet me udhëzim dhe fe të vërtetë, për ta lartësuar atë mbi çdo fe. Mjafton Allahu si dëshmitar!”(El Fet’h, 28-27).

Shkaku i zbritjes së ajeti 27

- Transmetojnë Abdu bin Humejd, Ibnul Mundhiri, Ibn Xheriri dhe Bejhekiu nga Muxhahid bin Xheberi të ketë thënë: “I Dërguari a.s., duke qenë në Hudejbije(1), e pa në ëndërr-vegim (ru’ja), se ai me sahabët e tij po hynin në Mekë, të qetë, të sigurt, kokërruar dhe fokëshkurtuar... E, kur i Dërguari a.s. flijoi kurbanet në Hudejbije, disa nga sahabët e pyetën. Ku është ëndrra-ru’ja jote o i Dërguar i Allahut, dhe në lidhje me këtë pati zbritur ajeti 27: “Allahu e vërtetoi ëndrrën e të Dërguarit të Tij, dhe e bëri realitet: “Do të hyni në Xhaminë e Shenjtë, të sigurt, me vullnetin e Allahut, kokërruar dhe flokëshkurtuar, pa kurrfarë frike.”(2)
- Transmetohet nga Katadeja të ketë thënë: I Dërguari a.s. kishte parë në ëndërr të qartë-ru’ja, se po hynte në Mekë, (me ihram), dhe kur u arrit marrëveshja e Hudejbijes, disa njerëz që ishin me iman të dobët, mbetën të hutuar, kurse i Dërguari a.s. i lajmëroi se ai (së shpejti) do të hynte në Mekë, dhe për këtë zbriti ajeti: “Allahu e vërtetoi ëndrrën e të Dërguarit të Tij, dhe e bëri realitet...”, duke ua bërë të ditur si ai do të hynte në Mekë vitin vijues, dhe se ëndrra-ru’ja e tij ishte e vërtetë.(3)

Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake

Në ajetet paraprake, ishim dëshmitarë se si idhujtarët kurejshë i penguan besimtarët myslimanë ta kryenin umren, duke i penguar madje edhe kurbanet e tyre që të arrinin në vendin e flijimit. Pikërisht, në këto çaste të rënda, Allahu xh.sh. e inspiroi të Dërguarin e Vet, që ta pranonte marrëveshjen e Hudejbijes. Ndonëse në dukje, nenet e kësaj marrëveshjeje dukeshin të rënda e të dhimbshme për myslimanët, megjithatë frytet e saj së shpejti do të shiheshin. Allahu xh.sh., nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, i mbrojti edhe jetët e pafajshme të myslimanëve që gjendeshin në Mekë, e të cilët po e mbanin të fshehur besimin e tyre të sinqertë. Nëse myslimanët do të marshonin me forcë drejt Mekës për të hyrë në të me luftë, atëherë sigurisht se do të pësonin me jetë edhe këta myslimanë që po jetonin në Mekë. Dhe, kur në zemrat e idhujtarëve u ndez paganizmi i egër pagan, atëherë Allahu i Madhërishëm zbriti qetësinë dhe prehjen shpirtërore në zemrat e besimtarëve, që tash në këto ajete, t’ua vërtetojë atyre se ata së bashku me të Dërguarin a.s. do të hynin në Mekë, qetësisht, dhe do ta kryeni umren, madje duke i përgëzuar për një çlirim të afërt, që ishte çlirimi i Hajberit. Njëkohësisht, në këto ajete të fundit, rikonfirmohet edhe njëherë se Muhamedi a.s. është i dërguar i Allahut me udhëzim dhe fe të drejtë dhe po ashtu vjen përgëzimi se Islami gjithsesi do të triumfojë ndaj feve dhe ideologjive të shpikura nga njeriu, sepse është fe e zgjedhur prej të Madhërishmit për krejt njerëzimin që prej Ademit a.s. e deri në Ditën e Gjykimit.

Koment: 27.

Allahu e vërtetoi ëndrrën e të Dërguarit të Tij, dhe e bëri realitet: “Do të hyni në Xhaminë e Shenjtë, të sigurt, me vullnetin e Allahut, kokërruar dhe flokëshkurtuar, pa kurrfarë frike.” Ai dinte atë që ju nuk e dinit. Veç kësaj, Ai ju dha një fitore të afërt (Hajberin).

Ajetet e fundit të kësaj sureje, e përmbyllin në mënyrë madhështore një ngjarje kaq të lavdishme siç ishte marrëveshja paqësore e Hudejbijes, ngjarje e cila shënoi fillimin e ngritjes dhe lartësimit të Islamit, thirrje kjo e cila shumë shpejt do të “pushtonte” zemrat e njerëzve, duke i shpëtuar nga errësirat e kufrit në dritën e së vërtetës.
Ky ajet, pashmangshëm na kthen edhe njëherë tek ëndrra e mirë e Pejgamberit a.s., kur në Medinë, një melek e kishte përgëzuar: “Me siguri, ju do të hyni në Xhaminë e Shenjtë, dashtë Allahu, të sigurt, kokërruar dhe flokëshkurtuar, pa kurrfarë frike.”(4) Dhe tash, në ajetet e fundit të sures, i Madhërishmi ia vërtetoi edhe njëherë të dërguarit të Vet, se hyrja e tij në Mekë dhe vizita e Shtëpisë së shenjtë së bashku me sahabët, me lejen dhe dëshirën e Allahut, së shpejti do të bëhej realitet. Kjo vizitë nuk do të kryhej në vitin e 6-të hixhrij, siç ishte planifikuar, por do të realizohej menjëherë në vitin pasues, të 7-të hixhrij, ashtu siç e parashihnin edhe nenet e marrëveshjes paqësore të Hudejbijes.
Në historinë islame, kjo umre që u krye në vitin e 7h. quhet “Umretu el Kasas” ose “Umretu-l Kada’ë”, kur i Dërguari a.s. së bashku me sahabët e tij, për tri ditë me radhë kishin qëndruar në Mekë, duke kryer ritualet e umres dhe duke bërë ibadet pranë Shtëpisë së shenjtë-Qabesë. Ndërkohë, kurejshët, i madh e i vogël, kishin dalë jashtë Mekës, ashtu siç kishin kërkuar ata vetë, sepse mëria dhe urrejtja e tyre ndaj Pejgamberit a.s., dhe myslimanëve, ishte shumë e madhe. Kurse pjesa e fundit e këtij ajeti “Ai dinte atë që ju nuk e dinit. Veç kësaj, Ai ju dha një fitore të afërt (Hajberin)”, përmban një përgëzim të madh për myslimanët, sepse shumë shpejt paralajmërohej një fitore dhe një ngadhënjim i madh, që sipas dijetarëve është çlirimi i fortifikatave të Hajberit, me çka iu dha fund njëherë përgjithmonë pranisë fizike të çifutëve në Siujdhesën Arabike.(5)
Ardhja në formën e kohës së shkuar, nga aspekti gramatikor i kësaj fjalie: “Allahu e vërtetoi ëndrrën e të Dërguarit të Tij, dhe e bëri realitet”, ende pa ndodhur hyrja në Shtëpinë e Shenjtë, është shenjë dhe para lajmërim hyjnor, se kjo do të ndodhë pashmangshëm, dhe realizmit të kësaj ëndrre të mirë, do t’i gëzoheshin të gjithë besimtarët.(6)

28. Është Ai që e dërgoi të Dërguarin e Vet me udhëzim dhe fe të vërtetë, për ta lartësuar atë mbi çdo fe. Mjafton Allahu si dëshmitar!

I Lartmadhërishmi edhe njëherë vërteton për dëlirësinë e Pejgamberit a.s., të cilin e dërgoi me udhëzim dhe fe të vërtetë, në të cilën nuk ka shtrembërime e as mundësi ndërhyrjeje nga dora e njeriut, për t’i devijuar kuptimet e ajeteve kuranore, ashtu siç kishte ndodhur me Tevratin dhe Inxhilin, nga çifutët dhe të krishterët, të cilët kishin shtrembëruar citatet e këtyre dy librave të shenjtë. Pas këtij vërtetimi bindës se kjo fe është e vërteta, tash vjen përgëzimi tjetër për besimtarët myslimanë, se kjo fe, d.t.th., Islami, do të ngadhënjejë mbi të gjitha të ashtuquajturat fe dhe ideologji, që i shpiku mendja e devijuar e njeriut nëpër shekuj, e ndër to edhe fenë pagane të kurejshëve.
Nga ky ajet, shohim dhe bindemi se Islami është feja që Allahu e përzgjodhi për krijesën njerëzore. Është feja e vërtetë, është feja që bart me vete porositë dhe parimet më të larta fisnike që ndonjëherë i ka njohur njerëzimi. Ky udhëzim hyjnor, i drejton zemrat drejt besimit në Allahun Fuqiplotë dhe arritjen e kënaqësisë së Tij në të dy botët. Se Islami do të ngadhënjejë mbi të gjitha fetë e tjera, është për shkak se kjo fe është fe e “fitres” – natyrshmërisë së lindur në njeriun, e cila në vete nënkupton dëlirësi, pastërti, largim prej mëkateve dhe gjërave të shëmtuara, duke mos e përlyer për asnjë çast këtë dëlirësinë shpirtërore të lindur në njeriun.
Islami është fe që shoqërinë njerëzore e bashkon nën moton: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi!” – (El Maide, 2). Në këtë fe të ndritshme nuk ka racizëm e as dallime klasore, por të gjithë pjesëtarët e saj janë vëllezër në mes vete, sepse asnjëri prej nesh, pas vdekjes, nuk merr asgjë me vete përpos qefinit dhe ameleve të tij.
Islami është fe e diturisë dhe e punës. Shumë ajete kuranore dhe hadithe të Pejgamberit a.s. nxisin në meditim dhe kërkim të diturisë. Madje i Madhërishmi, ajetet e para që i zbrit nga Kurani famëlartë, fillojnë me fjalën: “Ikre’ë-Lexo (mëso, studio)”! Kjo nënkupton se jeta e njeriut nuk është statike, por gjithmonë në lëvizje dhe në kërkim të diturisë, krahas punës së mirë sipas rregullave që i ka përcaktuar Krijuesi Fuqiplotë.
Islami është fe e paqes, e mëshirë së ndërsjellë, por njëkohësisht edhe fe që të mbjell në zemër ndjenjën e dashurisë ndaj Allahut, pika kulmore e së cilës ndjenjë është flijimi dhe rënia dëshmor-shehid në emër të lartësimit të Fjalës së Tij.
E për të gjitha këto mirësi që i ngërthen në vete kjo fe, neve myslimanëve na mjafton që Allahun e kemi dëshmitar dhe garantues të këtij udhëzimi të pastër islam.

Porosia e këtyre ajeteve

- Ëndrrat e mira (ru’ja) të pejgamberëve, janë të vërteta dhe realizmi i tyre është vetëm në Dijen dhe kompetencën e Allahut, sepse Ai di, çka ne nuk dimë.

- Hyrja e myslimanëve në Mekë, për umren “El Kasas”, përputhet plotësisht me premtimin e Allahut Fuqiplotë në këtë ajet, se ju do të hyni në Mekë, të qetë, do ta kryeni umren pa frikë dhe do t’i rruani ose shkurtoni flokët pas përfundimit të tavafit dhe sa’jit, ashtu siç e kërkojnë rregullat e umres.
- Islami, si e vetmja fe e zgjedhur nga Allahu për njeriun, do të triumfojë ndaj çdo feje a ideologjie të devijuar, sepse është e vetmja fe, që e shpjegon qartë dhe drejt besimin e pastër në Allahun, dhe është e vetmja rrugë që garanton kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij - Xhenetin.

(vijon)


______________________________
1. Mendimi se i Dërguari a.s. ëndrrën-ru’jen, e ka parë në Medinë, sipas shumicës dërmuese të dijetarëve është më i sakti dhe i pakontestueshëm - (Sqarim yni – S.B.).
2. Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli, f. 237; Fet’hu -r-Rrahman fi esbab nuzuli-l Kuran, f. 131.
3. Et-Tefsiru-l Munir, vëll. 26. f. 529.
4. Tefsir sureti-l Fet’h, f. 7.
5. Muhamed Ahmed Bashmil, Mevsuatu-l gazevatu-l kubra – Gazvetu Hajber, Xhedë, 1969, f. 6.
6. Lemehat fi i’xhaz suretil Fet’h, f. 26



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi