Urtësi nga marrëveshja paqësore e Hudejbijes
“Janë jobesimtarët ata që ju penguan t’i afroheni Xhamisë së Shenjtë dhe (penguan) kurbanet të arrinin në vendin e vet. Sikur mos të ishin disa burra besimtarë dhe gra besimtare (në Mekë) që ju nuk i njihnit, e t’i sulmonit duke mos e ditur, e pastaj t’ju godiste turpërimi (do t’ju urdhëronte t’i luftonit jobesimtarët e Mekës), me qëllim që Allahu të merrte në Mëshirën e Vet atë që Ai do. E, po të ishin ata (banorët e Mekës) të ndarë veç e veç, Ne do t’i ndëshkonim jobesimtarët me një dënim të dhembshëm. Kur në zemrat e jobesimtarëve, u ndez fanatizmi i egër pagan, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të Dërguarin e Tij dhe mbi besimtarët. Për ta zgjodhi Fjalën e Devotshmërisë, sepse ishin më meritorët dhe më të denjët për të. Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.” – (El-Fet’h, 26-25)
Shkaku i zbritjes së ajetit 25
- Transmetojnë Taberaniu, Ebu Ja’la, Ibn Mundhiri, Ibn Ebi Hatimi, Ibn Merduvejhi dhe të tjerë nga Ebu Xha’fer Habib bin Siba’ë të ketë thënë: “Luftova kundër të Dërguarit të Allahut në fillim të ditës, duke qenë unë jobesimtar, dhe luftova në fund të ditës përkrah tij si besimtar. Ishim tre burra dhe shtatë gra, e në transmetimin e Ibn Ebi Hatimit, nëntë gra.(1) Për ne ka zbritur ajeti: “Sikur mos të ishin disa burra besimtarë dhe gra besimtare (në Mekë) që ju nuk i njihnit...”(2)
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Në ajetet paraprake, Allahu xh.sh. shpreh haptazi kënaqësinë e Tij ndaj besimtarëve të cilët iu besatuan të Dërguarit a.s. në Hudejbije se do të vdisnin për kauzën e besimit, e në të njëjtën kohë, i Madhërishmi i pengoi duart e idhujtarëve dhe të hebrenjve, që t’i dëmtonin myslimanët dhe familjet e tyre, ashtu siç i ruajti edhe myslimanët nga gjakderdhja, duke e inspiruar të Dërguarin a.s. që të bënte marrëveshje paqësore me kurejshët, e cila do të rezultonte me efekte pozitive për myslimanët, për një kohë shumë të shkurtër.
Mbase, urtësia e kësaj marrëveshjeje paqësore që del në pah edhe në këto ajete që tash po i komentojmë, është prania e një numri të konsiderueshëm të besimtarëve brenda në Mekë, të cilët po e mbanin të fshehtë besimin e tyre, në mënyrë që në rast të mësymjes së myslimanëve për të luftuar e hyrë në Mekë, mund të ndodhte që pa qëllim, dikush prej tyre edhe të vritej nga duart e myslimanëve. Për këtë arsye, Allahu zbriti qetësi në zemrat e besimtarëve, duke i lënë idhujtarët të pëlcisnin nga mllefi dhe fanatizmi i tyre i egër i injorancës.
Koment:
25. Janë jobesimtarët ata që ju penguan t’i afroheni Xhamisë së Shenjtë dhe (penguan) kurbanet të arrinin në vendin e vet. Sikur mos të ishin disa burra besimtarë dhe gra besimtare (në Mekë) që ju nuk i njihnit, e t’i sulmonit duke mos e ditur, e pastaj t’ju godiste turpërimi (do t’ju urdhëronte t’i luftonit jobesimtarët e Mekës), me qëllim që Allahu të merrte në Mëshirën e Vet atë që Ai do. E, po të ishin ata (banorët e Mekës) të ndarë veç e veç, Ne do t’i ndëshkonim jobesimtarët me një dënim të dhembshëm.
Ky ajet fillon me një qortim të ashpër ndaj idhujtarëve mekas, duke i përshkruar ata me termin jobesimtarë,(3) sepse pa kurrfarë të drejte kishin privuar besimtarët myslimanë që ta kryenin paqësisht umren, të cilëve po u printe vetë i Dërguari i Allahut. Ata jo vetëm që i penguan besimtarët ta kryenin tavafin e umres, por nuk i lejuan as kurbanet e tyre që ishin dedikuar për t’u flijuar, të arrinin në vendin e caktuar, në Mina. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në traditën arabe, sepse edhe nga vetë kjo traditë e idhujtarëve të Mekës, ndalohej pengimi i pelegrinëve dhe i kurbaneve të tyre të thereshin brenda hapësirës së asaj që quhet Harem, apo në Mina. Por, kësaj radhe, idhujtarët të mllefosur deri në palcë, që nuk kishin arritur dot t’i mposhtnin e t’i thyenin myslimanët, dhe të shtyrë më tepër edhe nga fanatizmi i tyre i verbër, ishin përgatitur që të mos lëshonin pe, dhe mos ta lejonin të Dërguarin a.s. që së bashku me sahabët e tij ta kryenin umren.(4)
Idhujtarët kurejshë, të cilët Allahu i Madhërishëm me plot të drejtë i quajti jobesimtarë, e kanë merituar dënimin e Allahut për shkak të tri gjërave: Për shkak të kufrit të tyre, për shkak të pengimit të Dërguarit a.s. dhe të besimtarëve ta kryenin umren, dhe për shkak se penguan kurbanet e myslimanëve të thereshin brenda hapësirës së Haremit, dedikuar për therje.(5)
Megjithatë, pas negociatave që u zhvilluan në mes dy palëve, u arrit Marrëveshja paqësore e Hudejbijes, në të cilën ndër të tjera parashihej që myslimanët të ktheheshin në Medinë pa e kryer umren, e këtë ta bënin vitin e ardhshëm, me ç’rast mekasit do ta lëshonin Mekën për tri ditë rresht. Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, e cila i hutoi një pjesë të madhe të sahabëve, i Dërguari a.s. urdhëroi, që kurbanet mos të ktheheshin në Medinë, por të thereshin aty ku ishin, pra në Hudejbije, ndonëse ky vend ishte jashtë perimetrit të Haremit. Ky veprim erdhi me porosi nga Allahu i Madhërishëm, të cilin e vuri në zbatim i Dërguari a.s..
Në vazhdim të ajetit të 25: “Sikur mos të ishin disa burra besimtarë dhe gra besimtare (në Mekë) që ju nuk i njihnit, e t’i sulmonit duke mos e ditur, e pastaj t’ju godiste turpërimi (do t’ju urdhëronte t’i luftonit jobesimtarët e Mekës), me qëllim që Allahu të merrte në Mëshirën e Vet atë që Ai do...”, ashtu si pamë edhe nga shkaku i zbritjes së tij, shpërfaqet urtësia e madhe hyjnore, për të cilën dinin vetëm Allahu dhe i Dërguari i Tij, se brenda në Mekë, kishte një numër të konsiderueshëm të besimtarëve myslimanë, të cilët nga frika e represalieve të idhujtarëve, e mbanin të fshehtë Islamin e tyre. Pikërisht, për këta besimtarë dhe besimtare flet kjo pjesë e ajetit. Myslimanëve iu bëhet me dije se po mos të ishin brenda në Mekë, disa besimtarë, burra dhe gra, të cilët ju nuk i njihnit e as nuk dinit për ta, gjatë luftimeve brenda Mekës, ju edhe do të mund ta vrisnit dikë prej tyre, nga mosdija. Kjo do t’i turpëronte myslimanët, dhe do t’i bënte të ndiheshin keq e të ndjenin dhimbje për ata të pafajshëm, e përveç kësaj, idhujtarët do të thoshin me tallje e ironi: “ja këta po i mbytin të vetët”. Megjithatë, Allahu i pengoi duart e myslimanëve që të përlyheshin me gjakun e atyre të pafajshmëve që gjendeshin brenda në Mekë, sepse në një të ardhme shumë të afërt, Allahu do t’i fuste të gjithë ata besimtarë të mbetur në Mekë, nën hijen e mëshirës së Tij, kur do të çlirohej Meka nga kthetrat e idhujtarisë. Madje, edhe shumica dërmuese e idhujtarëve kurejshë, do të hynin nën hijen e kësaj mëshire hyjnore, sepse pas çlirimit të Mekës, të gjitha do të hynin në fenë e Allahut dhe do të rreshtoheshin në radhët e myslimanëve, për të qenë pjesë e ymetit, që do të shkruante fletët më të lavdishme e më të ndritshme të historisë islame.(6)
Ajeti i 25 i kësaj sureje përfundon me konstatimin: “E, po të ishin ata (banorët e Mekës) të ndarë veç e veç, Ne do t’i ndëshkonim jobesimtarët me një dënim të dhembshëm.”Kjo nënkupton se po të ishin të ndarë besimtarët e fshehtë në Mekë, në një pjesë të caktuar të qytetit, kurse idhujtarët mekas në një pjesë tjetër, ose po që se besimtarët do ta lëshonin Mekën, para se të fillonte lufta, atëherë Ne, padyshim që do t’i ndëshkonim jobesimtarët me dënim të dhembshëm nëpërmjet duarve të myslimanëve, që ishin të gatshëm të vdisnin nën komandën e Resulullahut s.a.v.s..
26. Kur në zemrat e jobesimtarëve, u ndez fanatizmi i egër pagan, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të Dërguarin e Tij dhe mbi besimtarët. Për ta zgjodhi Fjalën e Devotshmërisë, sepse ishin më meritorët dhe më të denjët për të. Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
Pikërisht në kohën kur në zemrat e idhujtarëve u ndez fanatizmi i egër pagan, duke u betuar në dy idhujt e tyre, Latin dhe Uzanë, se nuk do t’i lejonin myslimanët në asnjë mënyrë të hynin në Mekë, dhe nuk pranuan të shkruanin në marrëveshje fjalën: “Bismil-lahi-r-Rrahmani-r-Rrahim”, e as ta shkruanin: “Muhamedi i Dërguari i Allahut”, por insistuan të shkruhej “Bismike Allahumme” dhe “Muhamedi i biri i Abdullahut”, atëherë Allahu i Plotfuqishëm me urtësinë e Tij, zbriti qetësinë “es-sekinetu” në zemrën e të Dërguarit a.s. dhe në zemrat e besimtarëve.(7)
Fjala “zbriti” nënkupton nderimin e besimtarëve me zbritjen e prehjes dhe qetësisë shpirtërore nga një vend “i lartë”, nga ana e Allahut të Madhërishëm, sepse pas kësaj qetësie shpirtërore, i Madhërishmi përzgjodhi për ta “Fjalën e Devotshmërisë”, sepse vërtet ishin më meritorët dhe më të denjët për të. Ata merituan mëshirën e Allahut, sepse iu bindën të Dërguarit a.s., që të pajtoheshin me Marrëveshjen e Hudejbijes, e cila marrëveshje me plot të drejtë u cilësua nga Allahu si “Fitore e madhe-Fet’hun mubin”.
Të pajisur me këtë moral kaq të lartë e me këtë disiplinë të pashoqe, myslimanët nuk u rrëmbyen dot nga fanatizmi dhe inati, siç bënë idhujtarët kurejshë, duke thyer traditat e vizitës së Shtëpisë së Shenjtë, të cilat parashihnin si rregull të prerë, se askush nuk mund të privohet nga vizita e saj, traditë kjo që respektohej gjithandej nga fiset arabe të Gadishullit Arabik. Myslimanët thjesht, respektuan shenjtërinë e Qabesë, dhe nuk u lëshuan në nivelet e ulëta të fanatizmit, sepse Allahu i kishte gatuar zemrat e tyre me brumin e Fjalës së Njëshmërisë e të devotshmërisë, me dëshminë e lartë islame se Allahu është i Vetmi që meriton të adhurohet: “La ilahe il-la Allah”.
Nuk ka dyshim se Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë që ndodh e që do të ndodh në proceset e kësaj ekzistence, sepse Atij nuk mund t’i fshihet asnjë veprim, qoftë ai edhe mendim i pashprehur me gojë.
Porosia e këtyre ajeteve
- Idhujtarët kurejshë, të shtyrë nga urrejtja dhe fanatizmi i tyre i egër, ishin këmbëngulës që të pengonin myslimanët të hynin në Mekë. Përveç kësaj ata penguan edhe kurbanet e dedikuar për flijim, që të arrinin në Mina, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Kurejshët, me këtë veprim të paprecedent, kishin thyer traditën e hershme arabe dhe kishin cenuar shenjtërinë e Shtëpisë së bekuar – Qabesë.
- Jeta e një besimtari është e shenjtë tek i Lartmadhërishmi, sepse Marrëveshja e Hudejbijes u bë vetëm e vetëm që të ruheshin jetët e pafajshme të tre burrave besimtarë dhe shtatë apo nëntë grave besimtare që gjendeshin brenda në Mekë, por që e mbanin të fshehur besimin e tyre. - Allahu në çastet më kritike e të vështira për besimtarët, kishte zbritur qetësinë në zemrat e tyre duke i pajisur njëkohësisht me madhështinë e durimit, sepse ata ishin prijës në devotshmëri dhe më të denjit për mëshirën e Allahut Fuqiplotë.
- vijon –
____________________
1. Në lidhje me emrin e saktë të këtij transmetuesi kthehu te Tefsiri i Ibn Kethirit, Giza-Egjipt, 2000, vëll. 13, f. 112.
2. Lubabu-n-nukul fi esbabi-n-nuzul, f. 237; Isam bin Abdulmuhsin el Humejdan, Es-Sahihu min esbabi-n-nuzuli, Bejrut, 1999, f. 293.
3. Grup autorësh, Et-Tefsir el mevdui li suveri-l Kuran, vëll. VII, f. 319.
4. Muhamed Ali es-Sabuni, Et-Tefsiru-l vadih el mujesser, Bejrut, 2007, f. 1294.
5. Ismail Haki, Ruhul Bejan, Istanbul, 1926, vëll. IX, (xhuzi 26), f. 48.
6. Tefsir sureti-l Fet’h, f. 127.
7. Mahmud Hixhazi, Et-Tefsiru-l vadih, Kajro 1975, vëll. III, f. 492. 8 El-Bahru-l medid fi tefsiri-l Kitabi-l Mexhid, f. 404.
Sabri Bajgor