Përgjigjet e Kuduriut për Agjërimin (1)



1. Agjërimi


- Ç’dispozitë është agjërimi në fenë islame?

Agjërimi i muajit të Ramazanit është farz për çdo musliman të rritur, qoftë mashkull ose femër.
Allahu xh.sh. në Kur’anin finsik thotë:
“O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë detyrim, sikurse që ishte detyrim edhe për ata (popuj) që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El-Bekare, 183)
Çdo agjërim tjetër pos agjërimit të Ramazanit, konsiderohet agjërim vullnetar, për të cilin ka shpërblim prej Allahut ashtu siç ka shpërblim për të gjitha punët e mira që bëhen vullnetarisht (nafile), përveç nëse është agjërim për të cilin është bërë “nedhër”- “i premtuar”, atëherë ky agjërim duhet të kryhet dhe të plotësohet patjetër.

- Ç’kuptim ka fjala “savm”- agjërim, në aspektin etimologjik dhe terminologjik?

Fjala “savm - agjërim” në aspektin gjuhësor-etimologjik do të thotë: të përmbahesh nga diçka, ndërsa në atë terminologjik do të thotë: të përmbahesh nga të ngrënët dhe të pirët (ushqimi dhe pija) dhe nga marrëdhëniet intime prej lindjes së agimit të dytë e deri në perëndim të diellit, me nijet të agjërimit.

- Kush është i liruar nga agjërimi i muajit të Ramazanit?

Nga agjërimi i muajit të Ramazanit janë të liruar: udhëtari që udhëton në largësinë-distancën që i mundëson shkurtimin e namazeve, dhe i sëmuri që ka frikë se agjërimi mund t’ia keqësojë edhe më gjendjen e tij shëndetësore. Pra, këtyre të dyve u lejohet që të mos agjërojnë gjatë Ramazanit (për shkak të specifikave që u përmendën, - vër. e përkth.) me kusht që ditët e paagjëruara t’i kompensojnë më vonë.
Megjithatë, për udhëtarin është më i vlefshëm agjërimi nëse nuk i shkakton ndonjë vështirësi ose të sëmurit keqësim të gjendjes shëndetësore.

- Nëse udhëtari gjatë udhëtimit të tij ose i sëmuri për shkak të sëmundjes së tij nuk agjërojnë dhe vdesin në këtë gjendje; si udhëtar apo si i sëmurë, a mbetet ndonjë detyrim që duhet kryer për ta?

Jo, për ta nuk ka mbetet kurrfarë detyrimi.

- Nëse i sëmuri shërohet, ose udhëtari vendoset në një vend, a duhet t’i kompensojnë ato ditë që u kanë kaluar?

Po, i sëmuri që është shëruar, duhet t’i kompensojë ditët e paagjëruara, po edhe udhëtari për ditët që ka qenë udhëtar.

- A është i liruar edhe dikush tjetër nga agjërimi i Ramazanit, përveç udhëtarit dhe të sëmurit?

Po, shtatzëna dhe gruaja me fëmijë për gjiri, nëse kanë frikë për shëndetin e tyre ose të foshnjës, janë të lira që të mos e agjërojnë muajin e Ramazanit, por janë të detyruara që ato ditë të paagjëruara, gjithsesi, t’i kompensojnë më vonë.

- A është ndokush i detyruar që të mos agjërojë gjatë Ramazanit?

Po, femrat gjatë hajzit - (ciklit mujor menstrual) dhe nifasit nuk bën kurrsesi të agjërojnë, sepse hajzi dhe nifasi janë gjëra që nuk përkojnë me agjërimin.

- Por a duhet t’i kompensojnë më vonë ato ditë që nuk i kanë agjëruar?

Po, ato gjithësesi duhet t’i kompensojnë ditët e paagjëruara, pas Ramazanit.

- A ka prej njerëzve që nuk janë të detyruar t’i kompensojnë me agjërim ditët e paagjëruara të Ramazanit, por për to duhet të japin vetëm fidjen?

Po, plaku i lodhur nga pleqëria e thellë është i liruar nga agjërimi dhe, si kompensim për këtë, duhet të japë fidjen.

- Kush konsiderohet plak i lodhur nga pleqëria?

Plak i lodhur nga pleqëria konsiderohet ai që nuk është në gjendje të agjërojë as Ramazanin e as pas Ramazanit, dhe nuk është në gjendje t’i kompensojë me agjërim ditët e paagjëruara, deri në fund të jetës së tij.

- Ç’është “fidja”?

Fidja është që për çdo ditë të ushqehet një i varfër, ashtu si për kefarete.

- Kush nuk agjëron për shkak të udhëtimit ose të sëmundjes, dhe pastaj i jepet mundësia për t’i kompensuar ato ditë që i kanë mbetur pa agjëruar, por një gjë të tillë nuk e ka bërë; ç’të bëjë ai nëse është në prag të vdekjes?
Duhet të kërkojë falje dhe mëshirë prej Allahut duke u penduar, dhe duhet të lërë porosi që trashëgimtari ose kujdestari i tij, nga pasuria që i ka lënë, për çdo ditë të ushqejë nga një të varfër në sasi të gjysmë sa’i të grurit apo të 1 sa’i nga hurmat ose elbi.

- Nëse gjatë ditëve të Ramazanit, një fëmijë arrin moshën e pjekurisë dhe nëse në këto ditë një pabesimtar e pranon Islamin, ç’duhet të bëjnë?

Ata duhet të mos hanë më asgjë në pjesën e ditës që u ka mbetur deri në iftar, dhe pastaj të vazhdojnë të agjërojnë të gjitha ditët që kanë mbetur nga Ramazani.

- A duhet ta kompensojnë atë ditë të cilën e kanë zënë pjesërisht?

Jo, nuk janë të detyruar ta kompensojnë atë ditë.

- Si do të veprojë ai, të cilit i bie të fikët dhe e humb vetëdijen gjatë muajit të Ramazanit?

Ai që humb vetëdijen nga të fiktit në ndonjë ditë të Ramazanit, nëse më parë e ka bërë nijet agjërimin, nuk do ta kompensojë atë ditë në të cilën e ka humbur vetëdijen, por pas kësaj dite do ta kompensojë çdo ditë në rast se do të humbë vetëdijen nga të fiktit.

- Nëse i çmenduri, vjen në vete-përmendet në gjysmën e Ramazanit, si do të veprojë?

Do të agjërojë atë që ka mbetur nga Ramazani, dhe pastaj do ta kompensojë agjërimin e asaj që i ka kaluar.

- Nëse udhëtari kthehet gjatë ditës dhe nuk e ka bërë nijet agjërimin, ose femra me hajz është pastruar në një pjesë të ditës së Ramazanit, ç’të bëjnë?

Për hir të respektit ndaj muajit të Ramazanit, duhet të përmbahen deri në iftar nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime.



Marrë nga libri “Çështje të fikhut sipas Kuduriut (I) (Ibadat)” të autorit Muhamed Ashik Ilahi el Bureni.
Përktheu Sabri Bajgora,
Botoi Shtëpia botuese “Dituria Islame” Prishtinë 2002


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme