Pagesa e mosagjërimit për të sëmurit dhe të moshuarit, që nuk pritet të shërohen. 
Me fidje kuptojmë kompensimin e agjërimit për ata që nuk kanë mundur të agjërojnë Ramazanin, për shkaqe të sëmundjes ose pleqërisë, dhe që nuk pritet që të shërohen për t'i bërë kaza ato ditë të mbetura. 
Allahu në Kuran thotë: "Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi." (El Bekare, 184). 
I moshuari dhe i sëmuri që nuk kanë mundur të agjërojnë, dhe që nuk pritet që të përmirësohen për t'i bërë kaza ato ditë që nuk kanë agjëruar, obligohen të paguajnë duke ushqyer për çdo ditë të Ramazanit një të varfër, dy ushqime (shujta) të mjaftueshme në ditë, atë të syfyrit dhe të iftarit, nga ushqimi mesatar që ata e ushqejnë veten dhe familjen e tyre. 
E nëse nuk kanë mundësi as për pagesë, atëherë ata lirohen në tërësi para Allahut për mosagjërimin e Ramazanit, apo disa ditë të tij. 
Pra, llogaria e fidjes është 60 ushqime për 30 ditë të Ramazanit.
Për një person nga dy herë në ditë, ose edhe më shumë se një person duke e bërë llogarinë në 60 ushqime. 
Nëse kjo është pak e vështirë, atëherë sipas medhhebit hanefi, ku sot gati e gjithë bota islame vepron kështu, mund të bëhet pagesë në monedha (para), sepse kjo është më e dobishme për të varfrin, por edhe më e lehtë për personin që nuk ka mundur të agjërojë. 
Nga kjo, e nxjerrim çmimin e pagesës për çdo ditë të Ramazanit, duke i llogaritur se sa kushtojnë dy shujta ushqimi. 
Në vendet tona (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mali i zi, Lugina e Preshevës), një shujtë ushqimi mesatar për vitin 2024 është 3 euro (minimalja e sadekatul fitrit, e që për këtë vit është 3 euro).
Atëherë, nga kjo llogari del se për çdo ditë të Ramazanit duhet të paguhet fidje - 6 euro. 
Pra për 30 ditë Ramazan, fidja është 180 euro. 
Diaspora shqiptare në Zvicër, Gjermani, Francë, Itali, Belgjikë etj., duhet ta kenë parasysh këtë, duke ia përshtatur çmimin e dy shujtave mesatare për çdo ditë të Ramazanit. 
Sipas dijetarëve të fikhut, kjo mund të llogaritet edhe me sasinë e sadekatul fitrit, e që i bie se edhe caktimi i një fitri nuk guxon të jetë më pak se një shujtë e ushqimit mesatar d.m.th 3 euro. Kështu e bën llogarinë nga dy fitra në ditë. 
Fidja dhe sadekatuil fitri, janë kapituj të ndarë në legjislaturën islame. Sadekatul fitri është adhurim, kurse fidja është shpagim për mos agjërim. 
Kjo pagesë, mund të bëhet në fund të Ramazanit, kurse ka mendime se mund të bëhet edhe në fillim të Ramazanit nëse është në para. 
E nëse është ushqim, atëherë për çdo ditë të Ramazanit e ushqen një person të varfër, ose i ushqen 60 persona për një ditë, kështu sipas nevojës dhe mundësisë. 


Artikulli i kaluar
Nata e madhe e Kadrit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi