Arabishtja në mesin e gjuhëve semite
Me termin Semit quhen popujt aramitë, fenikasit, hebrenjtë, arabët, jemenasit, babilonasit dhe asirianët, si dhe ata popuj që rrjedhin prej tyre. I pari që e përdori këtë emër për popujt e përmendur, ka qenë dijetari Shlocer (Schlozer) në fund të shekullit tetëmbëdhjetë.
Këtë emërtim, ai e mori duke u mbështetur në Bibël (sipas kaptinës së Krijmit), në të cilën flitet për tre bijtë e pejgamberit Nuh, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të.(1)
Gjuha arabe konsiderohet prej gjuhëve më të vjetra semite, edhe pse gjurmët gjuhësore, që janë gjetur deri më tash, janë të një periudhe të vonshme në krahasim me gjuhët e tjera.(2) Gjurmët më të vjetra të shkruara, të gjetura deri më tash, nuk e kalojnë shekullin e tretë.
Kjo nuk do të thotë assesi se gjuha arabe nuk ka ekzistuar para Krishterimit, ose se gjuha arabe është më e re se gjuhët tjera motra të saj, si hebraishtja, për shembull. Një numër i konsiderueshëm i orientalistëve vërtetojnë se gjuha arabe e sotme ka ruajtur shumë elemente të gjuhës semite të vjetër, më shumë se çdo gjuhë tjetër semite. Mosgjetja e teksteve të shkruara të gjuhës arabe para paraqitjes së Krishterimit, mund të jetë pasojë e shkaqeve të ndryshme, si p.sh.: analfabetizmi në Gadishullin Arabik, sepse arabët para paraqitjes së Islamit nuk dinin shkrim dhe lexim.(3)
Shumica dërrmuese e dijetarëve të gjuhëve semite janë të mendimit se Gadishulli Arabik është djepi i semitëve të parë dhe për këtë arsye gjuha arabe duhet të jetë gjuha më e vjetër e grupit të gjuhëve semite. Mirëpo, për fat të keq ajo që dihet për të kaluarën e kësaj gjuhe, është shumë pak, ekzistojnë periudha kohore shumë të gjata të panjohura.(4)
Nëse duam t’i bëjmë një përshkrim trungut të gjuhëve semite, për të parë se si është ndarë prej tyre gjuha arabe, do të shohim se ato gjuhë në zanafillën e tyre ndahen në:
a) lindore; gjuhët babilonase dhe asiriane.
b) perëndimore: të cilat ndahen në dy grupe:
1. Veriore, përfshin gjuhët kenanase dhe aramite
2. Jugore, përfshin dy pjesët e gjuhës arabe, që janë:
1. Gjuha arabe e jugut, të cilën disa dijetarë e quajnë “jemenase e vjetër” a gjuha “kahtanase”, e disa të tjerë e quajnë nganjëherë gjuha “sebeite”, duke e quajtur me emrin e njërit prej dialekteve të saj të njohura, që mbizotëroi mbi të gjitha dialektet. Ndërkaq, prej dialekteve më të njohura të arabishtes jugore janë katra: el-Meinije, EsSebeije, el-Hadremije dhe el-Kitbanije.
b) Arabishtja veriore: Na mungojnë të dhënat për zanafillën e saj si dhe periudhat e zhvillimit të saj në shekujt e parë. Ajo ndahet në dy grupe:
1. Arabishtja e vdekur: mbishkrimet më të vjetra të saj që janë gjetur deri më tash, nuk e kalojnë shekullin e parë para epokës së re.
2. Arabishtja e mbetur (e gjallë): Gjurmët e saj nuk e kalojnë shekullin e pestë.(5) Ekziston një numër i gjuhëtarëve,(6) të cilët janë kundër ndarjes së gjuhëve semite në ato veriore dhe jugore, sepse kjo ndarje, sipas tyre, nuk mbështetet në baza të shëndosha, nuk është e lehtë ndarja e veriut nga jugu. Fiset arabe kanë jetuar në të gjitha pjesët e Gadishullit Arabik. Ato përziheshin dhe bashkëjetonin në mes veti, nuk kishte kufij të caktuar, dhe njësoj ndodhte edhe me dialektet e tyre. Kështu arabishtja e veriut mbisundoi në shekujt pak para paraqitjes së Islamit dhe arabishtja e mbetur është një përzierje e dialekteve të jugut e të veriut. Për këtë shkak ndarja më e mirë do të ishte në: arabishte e vdekur dhe arabishte e mbetur.(7)
Arabishtja e mbetur është ajo që e kanë përdorur arabët si gjuhë shkrimi, të poezisë e të letërsisë deri më sot. Ajo gjuhë arriti deri tek ne përmes poezisë së kohës së injorancës, Kur’anit fisnik dhe Synetit të Pejgamberit a.s. Kjo gjuhë përbëhet prej disa dialekteve të ndryshme, shumica prej të cilave janë të Veriut të Gadishullit Arabik, e disa prej tyre të Jugut të Gadishullit; ato dialekte janë përzier me njëritjetrin dhe janë kthyer në një gjuhë të njësuar.(8)
Zanafilla e gjuhës arabe dhe zhvillimi i saj
Sot nuk është e mundur për asnjë hulumtues që të njohë zhvillimin e gjuhës arabe në periudhën e hershme të saj, për arsye se historia atë e ka njohur vetëm në periudhën e pjekurisë së saj. Sa u përket mbishkrimeve të saj të gdhendura nëpër gurë, që janë nxjerrë nga brendia e Gadishullit Arabik, ato ende janë shumë të pakta.(9)
Kështu është pothuajse çështja e të gjitha gjuhëve, historia e gjuhëve është e lidhur me mistere, sepse ajo ka të bëjë me një kohë shumë të hershme, kështu që, pothuajse nuk ka asnjë gjuhë së cilës t’ia dimë sa duhet historinë e saj të hershme. Mirëpo, të dhënat historike tregojnë se folësit e gjuhës arabe janë pasardhës të Samit, djalit të Nuhut a.s., dhe ata janë populli ad, themud, xhurhumët e parë, populli vebar e të tjerë. Dhe ajo që mbeti prej tyre, kaloi tek populli beni Kahtan. Prej saj u zhvillua gjuha emherite, gjuha e banorëve të Jemenit.
Ajo pastaj kaloi prej jugut në veri, dhe atë e mësuan bijtë e Ismailit a.s., në Hixhaz.(10)
Një numër i studiuesve bashkëkohorë mendojnë se gjuha arabe ka filluar – si duket – si një gjuhë e kufizuar në fjalët dhe shprehjet e saj, për arsye se edhe vetë jeta në atë kohë ishte e tillë. Mirëpo, me kalimin e kohës, u rritën nevojat e atyre që flitnin këtë gjuhë si dhe lëvizjet e tyre në Gadishullin Arabik, nga një vend në tjetrin, bënë që ata të shpiknin fjalë dhe shprehje të tjera, me anë të të cilave t’i shprehnin dëshirat dhe nevojat e tyre.
Për këtë arsye u shumuan fjalët dhe shprehjet e reja të gjuhës dhe u shfaqën dialekte arabe në vende të ndryshme. Kështu gjuha arabe kishte hyrë në një fazë të re, që ishte faza e fëmijërisë.
Studiuesit po ashtu vërejnë se takimet e fiseve arabe në tregje dhe në vende të tjera qenë një faktor i rëndësishëm për përhapjen e fjalëve, shprehjeve dhe kombinimeve të reja gjuhësore.(11)
Takime të vazhdueshme të fiseve arabe dhe përhapja e shprehjeve të reja përbënin parapërgatitjen e një ambienti të stabilitetit dhe përsosmërisë gjuhësore, sepse populli arab arriti një nivel të caktuar të civilizimit dhe gjuha arabe u bë më e përgatitur për t’iu përmbajtur rregullave, ajo u bë gjuhë e shkrimit dhe e poezisë. Këtë periudhë të gjuhës arabe, shumë studiues e quajnë protoarabe.(12)
Kështu, duke u mbështetur në natyrën e zhvillimit të gjuhës, gjuha arabe para paraqitjes së Islamit përjetoi një zhvillim të madh. Ajo arriti kulmin e të shprehurit për kuptime të ndryshme, qofshin ato konkrete a abstrakte, me fjalë të lehta, me shprehje të forta dhe me fjalë të ëmbla. Si duket, kjo ishte parapërgatitje për zbritjen e Kur’anit fisnik në këtë gjuhë, që t’i sfidonte të gjithë ata që krenoheshin se i njihnin fshehtësitë e kësaj gjuhe, oratorinë dhe bukurinë e stilit të saj.13 Me këtë gjuha arabe hyri në periudhën e rinisë së saj.(14)
Më pastaj gjuhës arabe iu mundësua që ajo të kishte dobi prej mrekullisë së përjetshme (Kur’anit fisnik), që e ndihmoi atë për një zhvillim të habitshëm në shprehjet, fjalët si dhe stilin e saj, kështu që ajo, me Kur’anin fisnik, arriti një shkallë të lartë të përparimit, pas të cilit nuk paramendohet përparim më i madh.(15)
Fazat e zhvillimit të gjuhës arabe
Nga ajo që u tha më lart, vërejmë se gjuha arabe lindi në vendin më të vjetër të popullit semit – në Hixhaz dhe Nexhd e rreth tyre – dhe se lindjen dhe zhvillimin e saj e përshkon një lloj mjegullie. Po ashtu vërejtëm se gjurmët më të vjetra që na kanë arritur deri më tash të arabishtes së vdekur, nuk kalojnë shekullin e parë para erës së re. Ndërsa ajo që ka arritur deri më sot prej dokumenteve të shkruara nga arabishtja e mbetur, nuk e kalon shekullin e pestë të erës së re.
Duke u mbështetur në dritën e dokumenteve të shkruara që janë zbuluar deri më sot, gjuhën arabe mund ta ndajmë në dy grupe.(16)
a) Arabishtja e vdekur apo “arabishtja e mbishkrimeve”: ajo është arabishtja për historinë e së cilës nuk kemi të dhëna të sigurta përveç tregimeve të librave të shenjtë si dhe mbishkrimeve e gjurmëve të tjera që janë gjetur në Gadishullin Arabik.(17) Prej mbishkrimeve më të njohura, për të cilat thuhet se përfaqësojnë gjuhën arabe para periudhës së letërsisë së injorancës, janë tri:
1. Mbishkrimi i “En-nem-maretu”: një pallat i vogël afër Damaskut, që ishte pronë e Imrul Kajsit, njëri prej mbretërve të al-Hires.
Mbishkrimi fillon me tekstin që vijon:
"تى نفسى مر القيسى بر عمر ملك العربكله ذو اسر التتج"...
Studiuesit mendojnë se ky mbishkrim i përket vitit 328 të erës së re. Ata në të vënë re fjalën "بر" që do të thotë "ابـن" (i biri). Fjala ,"بـر"e cila është përdorur në shumicën e gjuhëve të tjera samite.
2. Mbishrkimi "زيـد" - Zejd: këto janë gjurmë të mbetura afër Halebit. Në këtë mbishkrim bëhet fjalë për ndërtimin e një kishe në atë anë. Ky mbishkrim mban datën e vitit 512 të erës së re.
3. Mbishkrimi "حـران"( Haran): Këtë e ka zbuluar Bakran el-Lixhafi në pjesën veriore të malit Duruz, në jug të Damaskut. Mbishkrimi “Haran” ka qenë i gdhendur në një gur mbi derën e një kishe. Teksti i mbishkrimit është si vijon:
Vihet re se në këtë mbishkrim ekzistojnë disa fjalë, të cilat nuk i njeh gjuha arabe, si për shembull fjala "المرطـول" që ka kuptimin kishë.
Po ashtu edhe fjala "بر " aramite.(18)
Prej këtyre mbishkrimeve mund të konkludojmë se folësit e këtyre dialekteve ishin të izoluar prej arabëve të Hixhazit dhe Nexhdit dhe se ata i kishin humbur shumë elemente të arabishtes. Ata kishin rënë nën ndikimin e civilizimit aramit dhe nebatit. Kështu ata mbishkrimet e tyre i shënonin me luftën e Nebatit si dhe me luftën e persianëve dhe romakëve.(19)
b) Arabishtja e mbetur (e gjallë): Është fjala për gjuhën e sotme arabe, e cila përdoret sot tek shumë popuj arab si gjuhë e letërsisë, e
shkrimit dhe si gjuhë e folur.
Nuk dihet asgjë për zanafillën e saj, për arsye se dijetarët nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të shkruar në periudhën e saj të parë në vendlindjen e saj në Hixhaz dhe në Nexhd.
Gjurmët më të vjetra të arabishtes-letërsia e injorancës
Letërsia e injorancës ka të bëjë me disa gjurmë letrare, të cilat u përkasin disa poetëve të shekullit të injorancës (periudhës paraislame), njerëzve të mençur dhe oratorëve të mirë të asaj kohe. Mirëpo, ato poezi janë transmetuar vetëm gojarisht, dhe u shkruan e u tubuan vetëm në shekujt e parë të periudhës islame. Në bazë të të gjitha të dhënave, poezitë më të vjetra nuk e kalojnë shekullin e pestë të erës së re. Poezia në fjalë e pasqyron gjuhën arabe në periudhën e pjekurisë dhe përsosmërisë së saj, pasi kishte kaluar periudhat e shumta të rritës dhe zhvillimit të saj, dhe, më në fund, kishte mbizotëruar dialekti kurejshit ndaj dialekteve të tjera, si në aspektin e letërsisë, poezisë, oratorisë, edhe të prozës në mesin e fiseve të ndryshme arabe.(20)
Dialekti kurejshit, për shkak se flitej në Mekë – qendra fetare, ekonomike dhe kulturore e arabëve, ishte në kontakt edhe me dialektet e tjera të fiseve arabe, dhe ndodhte një përzierje me dialektet e tjera, për shkak të ardhjes së njerëzve për tregti dhe haxh në Mekë.(21) Arabët e vizitonin Mekën për çdo vit dhe Qabenë e vizitonin edhe në kohën e injorancës. Kurejshitët, dialektet e ndryshme i quanin “gjuhë arabe”, ato që i preferonin prej atyre gjuhëve i përdornin dhe ata u bënë oratorët më të mirë në mesin e arabëve dhe gjuha e tyre u bë gjuha më superiore. Ky është sekret i oratorisë së saj, po ashtu është një realitet, që e pranonin të gjitha fiset arabe, se ajo ishte më e pasura, më e rrjedhshmja dhe më e përshtatshmja për t’i shprehur ndjenjat më të thella dhe në mënyrën më të bukur.(22) Kështu, siç thotë ibu Xhin-ni(23), gjuha e kurejshit ishte e nivelit më të lartë se “an’anetu” Temim, se “keshkesheti” Rebia, “keskeseti” Hevazin, se “tedexhxhei” Kajs, se “axhrefeti” Dub-be dhe “telteleti Behra”.24 Kështu që në një periudhë të caktuar gjuha kurejshite u bë gjuhë e njësuar për të gjithë arabët. Prandaj nuk është për t’u habitur që Kur’ani zbriti në gjuhën më të përsosur të arabëve. Kjo bëri që dialekti kurejshit të arrinte nivelin më të lartë të përsosmërisë, edhe pse ishte një dialekt i kufizuar i një prej fiseve arabe.(25)
Qemajl Morina