Xhamia e Gurit në Rogovë të Hasit




Guri, njëri prej materialeve kryesore në ndërtimin e objekteve të rëndësishme, të mureve, kalave, urave, xhamive, kullave, istikameve, galerive, tuneleve, Kështjellave, Hamameve dhe shumë Objekteve të tjera në të kaluarën, që ishin objekte e ngrehina, të cilat pasqyronin madhështinë, strategjinë, mjeshtërinë, strehimin dhe ekzistencën e popullatës dhe ushtrisë për t’u mbrojtur nga fenomenet e fatkeqësitë natyrore, por edhe për t’u mbrojtur nga faktori njeri. 
Guri, si material shumë i përshtatshëm për ekzistencën e njeriut në rrethana të ndryshme jetësore për t’u përballur me vështirësitë ekzistenciale; ishte material i bollshëm, i lirë, i qëndrueshëm, rezistent dhe praktik, për t’u përdorur në ndërtimin e objekteve të ndryshme, sipas nevojës e mundësive të njerëzve. Prandaj, kësaj pasurie shumë të dobishme të natyrës për nevojat e njeriut qysh prej kohës së jetës së njeriut nëpër shpella, e deri në ditët e sotme, i është kushtuar kujdes, se si guri të shfrytëzohet mjeshtërisht për nevojat jetësore të tij. Kështu, edhe sot kemi objekte madhështore të ndërtuara nga gurët prej të parëve tanë, duke na lënë ato si pasuri të një trashëgimie historike.
Vendbanimi i Rogovës së Hasit është truall që ekziston që prej kohëve të moçme të iliro-dardanëve, gjë që dëshmojnë gjetjet arkeologjike në varrezat e këtij vendbanimi që janë bërë në vitin 1972, dhe gjurmëve të tjera të shumta, ku dëshmohet kultura më e hershme e konstatuar në rajon, e ajo është neolitike e Starçevës, e konstatuar në vendbanimin e Rogovës së Hasit në lokalitetet e Kalldërmave dhe në Katunishtë. Edhe sot ekzistojnë vende tumulare në këto lokalitete të pahulumtuara krejtësisht. 
Në bazë të kërkimeve arkeologjike të disa tumulave më të mëdha të vendbanimit të Rogovës së Hasit me rrethinë, e që këto gjetje i janë ekspozuar pjesërisht Muzeut Rajonal të Prizrenit, ku ky material i vjelë në këto tumula paraqet një tërësi të mbyllur, por prapëseprapë dëshmohet faza kalimtare prej periudhës së gurit në atë të metalit. Kjo Fazë e neolitit është në grupe kulturore sporadike, por të përkufizuara me karakteristika specifike. Kështu, përveç grupit Bubanj-Hum, është i pranishëm edhe elementi i grupit kulturor Baden-kostolian me elemente egjeane. Pra, materiali muzeal i tumulave të vendbanimit të Rogovës së Hasit, paraqet periudhën e mesme të bronzit, ose fazën B-2, apo sipas Reineckut, Fazën C. 
Vendbanimi i Rogovës së Hasit shtrihet në anën e djathtë të bregut të lumit Drini i Bardhë, në kilometrin e 20 ndërmjet qyteteve të Prizrenit dhe Gjakovës. Ky vendbanim është cilësuar gjithmonë me kushte jashtëzakonisht të volitshme për bujqësi e blegtori, dhe se vetë lumi Dri, që ishte i pasur me peshq, kanë ndikuar që këto vise të jenë të banuara prej bashkësive fisnore, duke filluar nga e kaluara e hershme e deri në ditët e sotme. 
Rogova e Hasit shtrihet në rrafshin bukur të gjerë të brigjeve të lumit të Drinit të Bardhë, në anën lindore dhe rrëzës së Kodrës së Tupecit, në anën perëndimore. 
Kodra e Tupecit është e vetmja kodër gurore në formë të një suke në rrafshin aluvial të Rrethinës së Rogovës. Kodra gurore e Tupecit, që është ngjitas me vendbanimin e Rogovës, ka pasur rrasa guri shumë të përshtatshme për qëllime ndër timore. Nga Kodra gurore e Tupecit, janë marrë sasi e madhe gurësh e rrasash për nevojat e banorëve të Rogovës, nga e kaluara e deri në ditët e sotme. Kështu, banorët e Rogovës, i kanë marrë rrasat e gurit të gjata 3-4 metra dhe iu kanë vendosur si kryevarre të vdekurve në Varret e Mëdha të fshatit dhe në varret afër Xhamisë, ku një pjesë e tyre edhe sot ekzistojnë, që mezi i kanë shpëtuar shkatërrimit të pamëshirshëm nga faktori njeri, sidomos të duarve të kolonëve serbosllavë të ardhur si kolonë në Rogovë e rrethinë, nga viti 1929 e deri në vitin 1941, me qëllim të zhdukjes së trashëgimisë kulturore e historike shqiptare, ku rrasat e kryevarreve 3-4 metra të gjata që u ishin vendosur të vdekurve në të kaluarën, thyhen dhe shkatërrohen, duke i shkatërruar e rrafshuar edhe varret e tyre. 
Edhe shtëpitë e banorëve të Rogovës, në këtë kohë, kanë qenë të mbuluara me rrasa guri që janë marrë nga Kodra e Tupecit, dhe se shtëpi të tilla të mbuluara me rrasa guri kanë ekzistuar në Rogovë deri kah fundi i shekullit XIX.



Disa prej rrasave të kryevarreve sot, që i kanë shpëtuar shkatërrimit nga faktori njeri në Rogovë


 I pari personalitet historik i Rogovës së Hasit që i shfrytëzoi rrasat dhe gurët e Kodrës së Tupecit, në mënyrë utilitare dhe të planifikuar në plane programore dhe të projekteve të hartuara bashkëkohore në zhvillimin urbanistik të Rogoves në shekullin XVI, është HIRËSIA E TIJ HASAN PASHË JEMISHÇIU (1535?-16 tetor 1603), i lindur po në Rogovë, ku Hasani heret mbeti jetim dhe u rrit në Rogovë te farefisi si fëmijë, kurse rininë e kaloi në Prizren, si shegërt te një i pasur, ku edhe kreu mësimet e para në Mejtepin e Qytetit. Pas moshës 20-vjeçare hyn në radhët e Ushtrisë turke, ku më pas e kreu edhe Akademinë Ushtarake në Stamboll. Mandej, ka një karrierë brilante, në fillim duke u emëruar si kryekomandant i Formacioneve Elite Jeniçere të Perandorisë Osmane, e më pastaj merr titullin AGA, kurse aty kah viti 1580, e ka titullin Pasha, ndërsa në vitet 1601, 1602 e 1603, ishte në postin e lartë të SADRIAZEMIT-VEZIRIT TË MADH si KRYEMINISTËR i Perandorisë Osmane. Ishte disa vite edhe vali i Rumelisë dhe i Shirvanit. Në këtë kohë martohet edhe me motrën e Sulltan Mehmetit të Tretë në Stamboll. 
Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës së Hasit, mbiemrin JEMISHÇI (turq.) = PERIMTARI, e mori në Stamboll, edhe pse arriti në pozita të larta në qeverisjen e Perandorisë Osmane, kurrë nuk e harroi vendlindjen e varret e të parëve të tij në Rogovë të Hasit. Së pari, në truallin tij në vitin 1570, e ndërtoi Vikend-Kullën prej gurit që kishte edhe bunarin me ujë pijshëm brenda kullës, e cila ende i qëndron kohës dhe është në shfrytëzim familjar.



Vikend-Kulla e gurit e Hasan Pashës në Rogovë sot, e ndërtuar në vitin 1570


Kulmi i Vikend-Kullës së Hasan Pashë Jemishçiut të Rogovës së Hasit, është në formë çemeri prej gurësh dhe është e mbuluar atëherë e sot me rrasa guri. Kjo Vikend-Kullë i shërbente Hasan Pashë Jemishçiut, si banesë e sigurt, sa herë që vinte për të pushuar dhe për të kaluar kohën e kufizuar në mesin e bashkëvendësve, ku kontrollonte dhe udhëhiqte realizimin e projekteve kapitale në ndërtimin e Kasabës së Rogovës, siç quhej dikur. 
Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës së Hasit, i shfrytëzoi për mrekulli pasuritë natyrore të Rogovës dhe të Rrethinës, sidomos GURËT, RRASAT E GURËVE dhe LISAT e shumtë që i kishte Rogova asokohe për ndërtimet kapitale të infrastrukturës së Qytezës së Rogovës. Krejt gurët e rrasat e gurëve, i muarën në Kodrën e Tupecit, që ishte ngjit me Rogovën, mandej edhe në Kodrën e Gradishit, 5 km. në veriperëndim, si edhe ne Bjeshkën e Ramajës, 5 km. në jug të Rogovës. 
Kështu, Hasan Pashë Jemishçiu, së pari i shtroi rrugët kryesore të Qytezës së Rogovës me rrasa guri në një gjatësi prej 3 km. Rrasat e gurit të shtruara janë edhe sot, por të dëmtuara dhe të mbuluara me asfalt. 
Hasan Pashë Jemishçiu vazhdimisht sillte donacione të bollshme për të gjitha veprimtaritë e infrastrukturës së Kasabës së Rogovës. Kështu, në vitin 1579 e ndërtoi Urën e moçme me 13 harqe dhe të gjatë 150 metra përstrup lumit të Drinit të Bardhë, në vendin Hija e Metës në pjesën jugore të Rogovës, ku në gërmadhat e themeleve të kamzave të urës së moçme, më 9 prill 2006, u gjet pllaka e meremerit e shkruar në osmanishte, në të cilën thuhet: “I njëjti bujar Hasan Aga, i cili u bë i pranueshëm i Mbretit të Mbretërve të botës, që të bëhet ndërtimi i rrugës te vendkalimi i lumit, ku ka bërë një Urë të përforcuar me shtylla. Valihu për këtë e tha kronostikun: O Urë e çuditshme ndërtim i fortë“!(Vlera numerike e kronostikut është 987, që tregon vitin e ndërtimit të Urës sipas kalendarit hixhrijan, që i përgjigjet vitit 1579 të erës sonë). 



Gërmadhat e Kamzave të Urës së moçme në mes të Drinit të Bardhë sot në Rogovë të Hasit 


Në vitin 1580, Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës së Hasit, e ndërtoi Xhaminë impozante dhe Mejtepin ngjitas me të, që edhe sot janë në shërbim publik. Mbi derën e hyrjes kryesore në Xhami, ndodhet edhe sot mbishkrimi i pllakës së mermerit e shkruar në osmanishte, që është e vendosur në mur me duart e Hirësisë së Tij Hasan Pashë Jemishçiut të Rogovës, në të cilën thuhet: „Pasi që Hazreti Hasan Aga e ndërtoi këtë vend që i ngjan një Parajse, e ngriti këtë Objekt me nijet për Zotin (xh.sh.). Kjo botë transitore e bëri të amshueshëm. Krijuesi le t’i pranojë të gjitha veprat bamirëse, kurse i mëshirueshëm le të bëhet Muhamedi (a.s.). Valihu i shprehu kronostikun: Qabja e dytë mesxhidi al Aksa“. (Vlera numerike e kronostikut është 988 sipas kalendarit hixhrijan ose viti 1580 sipas kalendarit të erës së re). 
Krejt Objekti i Xhamisë dhe i Mejtepit, është i ndërtuar prej gurëve të zgjedhur në formë kallëpi të një dimensioni të trashësisë. Kështu, Minarja e Xhamisë, prej fondamentit të themeleve e deri në maje, me shkallët dhe sherefën e Minarës, janë ndërtuar prej pllakave të gurëve, që secila pllakë e gurit është lidhur me njëra-tjetrën me kllamfa të hekurit të zhytura në plumb të shkrirë në gropat e hapura me dalta çeliku nëpër pllakat e gurëve



Pamjet e Xhamisë së Gurit, e ndërtuar në vitin 1580 nga Hasan Pashë Jemishçiu në Rogovë


Ndërsa, pllakat e gurëve janë të kapura edhe me llaçin e gëlqeres të përzier me lesh dhije. Për këtë vendësit e quajnë edhe Xhamia e Gurit e Hasan Pashës. 
Kjo Xhami e moçme dhe madhështore e ndërtuar në fshatin Rogovë të Hasit në vitin 1580, ishte bërë halë në sy për Serbinë, prandaj në luftën e fundit, makineria policore dhe militare serbe, e minoi xhamin më 1 prill 1999, kur të gjithë banorët e Rogovës dhe rrethinës ishin përzënë me dhunë nga trojet e tyre etnike për në Shqipëri, pra Rogova atë ditë ishte plotësisht e zbrazur nga banorët e saj. Minarja, Mejtepi dhe pjesa më madhe e objektit të xhamisë, u shkatërruan plotësisht.



Pamje tmerruese të objektit të minuar të Xhamisë në Rogovë, nga ana e policisë dhe ushtrisë serbe


Edhe dyshemeja brenda objektit të xhamisë, Mejtepi dhe hajati i saj, janë të shtruara me rrasa guri, të cilat ekzistojnë edhe sot, por nga viti 1981, dyshemeja brenda Xhamisë dhe e Mejtepit, janë mbuluar me dërrasa dyshemeje, por që rrasat e gurëve nuk janë prekur fare. Edhe Hajati i Xhamisë, atëherë e sot, është i shtruar me rrasa guri. Me gurë e Rrasa guri, është i rrethuar edhe oborri dhe varret rreth xhamisë. 
Pasi që lufta e fundit përfundoi, banorët e Rogovës u kthyen masivisht përsëri nëpër trojet e tyre stërgjyshore, edhe pse makineria policore e ushtarake serbe ua kishin djegur atyre shtëpitë, ku 103 familje nuk patën se ku të strehohen se ua kishin djegur banesat, kurse të tjerëve ua kishin plaçkitur e asgjësuar blegtorinë, ushqimin, veglat bujqësore, hambarët me drithë dhe çdo gjë tjetër që u shërbente banorëve për jetesë. U vranë 26 banorë të pafajshëm të Rogovës dhe 3 të tjerë mbetën të zhdukur. 
Menjëherë filloi puna në rindërtimin e objekteve të djegura dhe sanimin e gjendjes shumë të rëndë të skamjes, por falë solidaritetit mes banorëve dhe të shoqatave bamirëse ndërkombëtare, rogovasit u mëkëmbën dhe krijuan kushte e mundësi për të jetuar përsëri në këto troje. 
Banorët e Rogovës, me vetëkontribut dhe me ndihmën edhe të Bashkësisë së Fesë Islame të Kosovës, morën iniciativën dhe përsëri e rindërtuan minaren, Mejtepin dhe Hajatin e Xhamisë së Hasan Pashë Jemishçiut të Rogovës dhe i riparuan dëmet e shkaktuara brenda objektit të xhamisë gjatë verës së viteve 2007 dhe 2008, kështu që Xhamia impozante e Hasan Pashë Jemishçiut të Rogovës, e mori përsëri pamjen qysh e kishte më parë.



Pamje e sotme e Xhamisë së rindërtuar në Rogovë të Hasit


Përveç Urës së Moçme me 13 harqe, në gjatësi prej 150 metrash, e ndërtuar në vitin 1579 përstrup Drinit të Bardhë në Rogovë të Hasit, nga ana e Hirësisë së Hasan Pashë Jemishçiut të Rogovës, ky ndërtoi edhe dy ura të tjera prej gurit me një hark në periferi të Rogovës, të cilat ekzistojnë edhe sot dhe janë në shfrytëzim publik në qarkullimin e komunikacionit. Që të dyja urat nuk janë hulumtuar dhe se në themelet e kamzave të urës, me siguri ndodhen mbishkrimet e pllakave të mermerit, sikurse u gjet ajo e Urës së moçme, më 9 prill 2006, nën gërmadhat e Urës së moçme te vendi Hija e Metës në Rogovë.
Në afërsi të xhamisë, Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës, e ndërtoi edhe Bunarin e Xhamisë, që edhe sot ekziston, i cili u ka shërbyer banorëve të Rogovës dhe të rrethinës, për ujë të pijshëm dhe për nevojat e besimtarëve për abdes të faljes së namazit. Bunari në fillim e ka pasur arkën prej gurit të shpuem, por që më vonë iu ndërrua dhe iu qit arka e betonit, të cilën e ka edhe sot, por që tani është i mbushur me mbeturina dhe i papërdorshëm për ujë të pijshëm. 
Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës, aty kah viti 1577, e ndërtoi edhe Hamamin madhështor prej gurëve të latuar, i cili furnizohej me ujësjellësin me rënie të lirë, i ndërtuar enkas për të. Ky objekt madhështor sot i tëri është në gërmadha, i pahulumtuar e i mbuluar me shtresa të dheut dhe të asfaltit. Nuk dihet se si u shkatërrua dhe si u braktis ky objekt i rëndësisë së veçantë për shëndetin dhe nevojat e popullatës së Rogovës dhe të rrethinës, administratorëve, ushtarakëve, kujdestarëve të Imaretit, karvansarajeve, Mejtepit, dyqaneve dhe të nevojave të tjera publike. Sikur të hulumtohej, me siguri që në themelet e tij gjendet pllaka e mermerit, e shkruar në osmanishte, ashtu qysh u gjetën mbishkrimet tjera të objektit të Xhamisë dhe të Urës së moçme, ku do të vërtetohej saktësisht ndërtuesi dhe viti i ndërtimit të Hamamit. Edhe sot mund të shihen kanalet e ujësjellësit, ku uji ende rrjedh që disa shekuj. 
Në afërsi të xhamisë ndodhet trualli i banesave për imamin dhe myezinin e xhamisë, qyshse Hasan Pashë Jemishçiu e la si Vakëf të Xhamisë atëherë e sot. Deri vonë kanë ekzistuar edhe shtëpitë-banesa të ndërtuara prej gurësh për nevojat e shërbyesve të xhamisë. Shtëpitë e vjetra me kohë janë rrënuar, e në vend të tyre janë ndërtuar të rejat, të cilat edhe sot u shërbejnë të njëjtave qëllime, ndërsa trualli dhe oborri me bunar ekzistojnë edhe sot.
Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës së Hasit, përveç vakëfeve që ka lënë në Rogovë e rrethinë, sidomos të arave, livadheve, maleve e ba- shtinave për nevojat e Xhamisë së Rogovës, të cilat edhe sot u shërbejnë të njëjtave qëllime, Hasani ka lënë vakëfe edhe në Gjakovë dhe në Prizren. Kështu, bejtexhiu shqiptar Mehmet Tahir Efendiu nga Prizreni, në librin e tij në vargje në arabishte, me titull: “Menàkib“, shkruan se Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës së Hasit e ka shpërblyer Qytetin e Prizrenit me ujësjellës, kah fundi i shekullit XVI. Në Prizren Hasan Pashë Jemishçiu ka lënë si vakëf edhe mullinin me 2 gurë bloje, ku ujin e ka ndarë nga Lumbardhi, dhe se mulliri ka ekzistuar deri në vitin 1912, dhe për të është kujdesur një familje prizrenase me mbiemrin Koro, ku vazhdimisht ia ka sjellë hakun-ujemin e mullinit Xhamisë në Rogovë, deri në vitin 1912, kur mulliri u shkatërrua. 
Kështu veproi Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës së Hasit, duke na lënë një trashëgimi të madhe dhe të pasur dhe të një rëndësie historike, jo vetëm për fshatin Rogovë, por edhe më gjerë. Hasani bëri që vendlindja e tij Rogova e Hasit, për disa dekada, të jetë një qytezë me plot kuptimin e fjalës, që në fund të shekullit XVI, ta këtë kulmin e zhvillimit të vet, kurse pas ekzekutimit të Hasan Pashë Jemishçiut, nga ana e Sulltan Mehmetit të Tretë, më 16 tetor 1603 në Stamboll, Rogovës iu ndalën donacionet që i dërgonte vazhdimisht Hasani për të funksionuar infrastruktura kapitale e Qytezës së Rogovës, dhe dalëngadalë u shuan veprimtaritë zejtare, e ndalën punën Karvan Sarajet, Imareti i Xhamisë, Hamami, administrata dhe shumë shërbime publike të asaj kohe. Vetëm Xhamia dhe Mejtepi nuk e shuan veprimtarinë e vet prej se u ndërtuan e deri në ditët e sotme. 
Rogovasit do ta përkujtojnë me respekt bashkëfshatarin e tyre të çmuar, i cili bëri që Rogova një fshat i vogël dhe i pazhvilluar, kah fundi i shekullit XVI, të bëhet një Kasaba e zhvilluar në mbarë rajonin. 
Nuk dihet se kush mbeti nga trashëgimtarët e tij familjarë në Stamboll, vetëm se dihet që pasi Hasan Pashë Jemishçiu ekzekutohet nga i vjehrri Sulltan Mehmeti i Tretë, gruaja e Hasanit martohet me Rrustem Pashën, boshnjak



Mbishkrimi i Urës së Moçme-1579 



Mbishkrimi i Xhamisë-1580


 


Shaqir Shala 
Edukata Islame 101


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Ismail Mziu ?