Haxhi manifeston paqe, drejtësi dhe dashamirësi në mes njerëzve

 


Haxhi si një nga pesë kushtet themelore të Islamit, që Allahu i Plotfuqishëm e ka bërë obligim për ymetin e Muhamedit a.s., për ata që kanë mundësi financiare dhe fizike, që ta kryejnë këtë ibadet, që është i një rëndësie të veçantë në fenë islame për nga vlera dhe pesha e tij. Njëherësh, vështruar nga ky kënd, institucioni i Haxhit në embrionin e vet përmban shansin e hapjes apo mundësinë e çlirimit të vetë myslimanit nga çdo brengë a hall i kësaj bote, ngase është pikërisht Meka e ndritshme, ku besimtari i devotshëm gjen rastin dhe hapësirën që nga thellësia e zemrës së tij të burojë sinqeriteti me të cilin krenohet jo vetëm ai, po edhe Allahu Fuqiplotë. Dijetarët islamë kanë rënë në ujdi se ai që mohon Haxhin, ka dalë prej rrethit të fesë islame dhe është murted. Sipas disa dijetarëve, Haxhi është bërë obligim në vitin e gjashtë të hixhretit. Përveç faljes që haxhiu merr me vete, është edhe një element tejet interesant në vetë organizimin e jetës së haxhiut sa qëndron në vendet e shenjta të Mekës. Një rëndësi të kësaj jete e ka shpjeguar edhe i dërguari i fundit, Muhamedi a.s., i cili kur njëherë u pyet nga më të dashurit e tij(ashabët) se cila është vepra më e mirë, pati thënë: “Imani (Besimi) në Allahun xh.sh. dhe të Dërguarin e Tij. Të pranishmëve iu shtua edhe më kureshtja për të pyetur se cila vepër rënditet si e rëndësishme pas besimit, për se ai u tha: xhihadi (kauza e shenjtë) në rrugën e Allahut. Pastaj cila? Tha: Haxhi i pranuar". (Buhariu). Allahu xh.sh. e urdhëroi Ibrahimin a.s. që t’ i thërriste njerëzit për në Haxh, nga shkaku se zëri mund të depërtojë edhe deri tek ata që janë të verbët ose që nuk dinë të lexojnë. Prandaj, telbija mbeti si simbol dhe pjesë e Haxhit, përmes të cilit haxhinjtë thirren me zë: “LEBEJKE ALL-LLAHUME LEBEJK. LEBEJKE LA SHERIKE LEKE LEB-BEJK. INNEL HAMDE VE NIAMETE LEKE VEL MULKU LA SHERIKE LEKE”. Me këtë lutje, përveçqë i bëhet lutje Allahut xh.sh., në të njëjtën kohë i përgjigjemi edhe thirrjes së Tij, duke thënë “Lebejke”, që do të thotë “të përgjigjem...”. Si argument nga Syneti i Pejgamberit a.s. mund të shërbejë hadithi që transmeton Ibni Abasi: “Gjatë një fjalimi të vet, Resulullahu s.a.v.s., në mes të tjerash, tha: “O ju njerëz, haxhi është caktuar për ju, e ju veproni ashtu, shkoni në haxh”. Ndërkohë u ngrit Akrea, djali i Habisit, dhe e pyeti: “Për çdo vit a, o i Dërguari i Allahut?” Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Nëse ju them po, do t’ ju obligoj, e nëse ju obligoj, nuk do të veproni ashtu dhe as që do të keni mundësi përherë. Haxhi duhet të bëhet një herë, e ai që e përsërit disa herë, e bën këtë nga dëshira dhe vullneti i tij. ” Po të sqarohet si duhet porosia e Pejgamberit a.s., mund të konstatohet se i Dërguari i Allahut xh.sh. na e bëri me dije se “haxhi është bërë farz”. Edhe i Plotfuqishmi e ka bekuar këtë vend duke e bërë atë vendin më të sigurt në botën kalimtare ku jetojmë ne. 
”Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut! Nëse në këtë rrugë pengoheni, atëherë therni kurban, sipas mundësisë, dhe mos i rruani kokat tuaja, derisa të arrijë kurbani në vend të vet! Cilido prej jush që është i sëmurë ose ka ndonjë plagë në kokë (dhe si i tillë, nuk mund ta rruajë kokën), le ta zëvendësojë me agjërim, lëmoshë, ose kurban. Kur të jeni të sigurt (nga armiqtë), ai që prej jush kry en umren deri në haxh, le të therë kurban, sipas mundësisë. Ndërsa ai që nuk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në Haxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga Haxhi; këto janë dhjetë ditë të plota. Kjo vlen për ata që nuk banojnë në Mekë. “Të keni frikë Allahun dhe dijeni se Ai dënon ashpër”. (El Bekaretu, 197)1 Ai po ashtu në një vend tjetër të Kuranit, ka bërë me dije se “Aty ka shenja të qarta : Vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në të, ai është i sigurt. Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit”. (Ali Imran, 97). 
“Kjo është kështu ! E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave”. (El-Haxh, 32)(2) 
Me këtë ajet, Allahu Fuqiplotë sinjalizon se kryerja e Haxhit është obligim për ata që kanë mundësi financiare dhe fizike, dhe myslimanit nuk i lejohet assesi të dyshojë në të, apo, ruajna Zot, edhe ta mohojë, ashtu sikur veprojnë disa njerëz (intelektualë) tanë, që, për fat të keq, nga padija apo me qëllim, bëjnë një krahasim në mes shkuarjes në vende bregdetare dhe obligimit të Haxhit. Meka është vendi më i sigurt dhe më paqësor në tërë rruzullin tokësor, sado që më parë ishte vend i betejave dhe luftërave të përgjakshme, ku secili mundohej të robëronte tjetrin, vend ku sundonin epshet dhe emocionet, kurse me ardhjen e Islamit, kjo tokë është bërë një vend i qetë, paqedashës, vend i sigurt ku askush nuk ka frikë nga askush, dhe në vend të urrejtjes dhe frikës, aty është vendosur dashuria dhe besueshmëria. Kryerja e Haxhit dhe zbatimi i rregullave të tij, hap pas hapi tek njeriu krijon një ndryshim të dukshëm. Ky muaj është periudha më e mirë për të pastruar shpirtin dhe për t'Iu afruar Zotit, Krijuesit të botëve. Tani të dëgjojmë ajetin e Kuranit, ku në lidhje më Haxhin, thuhet: "Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura, që vijnë prej rrugëve të largëta". Kjo thirrje vlen për qytetarin, fshatarin, të bardhin, të ziun, të varfrin, të pasurin, me një fjalë për të gjithë njerëzimin. Gjithashtu kjo thirrje ka kuptimin e largimit nga çdo grupim, racë apo klasifikim shoqëror. Haxhinjtë që shkojnë me një dashuri dhe vullnet të madh në Haxh, veshin një bez të bardhë, i cili quhet Ihram, kështu që me anë të kësaj ngjyre, veten e largojnë nga çdo lloj animi apo preferimi tjetër të ngjyrave. Veshja e Ihramit ka kuptimin se njeriu në këtë vend nuk i takon asnjë race dhe asnjë grupi, përveçse ymetit islam. Kësodore, haxhinjtë me veshjen e Ihramit me ngjyrë të bardhë, hyjnë në botën ku mbizotëron barabarësia dhe e drejta, në këtë botë nuk ekzistojnë klasa shoqërore dhe asnjë epërsi. 


Disa të dhëna mbi madhësinë dhe historinë e Qabesë 


Qabeja (Qabeja) është ndërtesa drejt së cilës myslimanët drejtohen pesë herë në ditë gjatë namazit të tyre. Literalisht, fjala 'Qabeja' në arabisht i referohet një vendi të nderuar dhe prestigjioz. Aktualisht Qabeja është e lartë afërsisht 12 metra. Dhoma brenda Qabesë është me përmasat 13 me 9 metra. Muret e Qabesë janë të gjera1 metër. Muret janë të gjitha prej guri. Muret brenda, në dallim nga ato jashtë, nuk janë të lustruara. Dyshemeja e dhomës është 2,2 metra më lart se hapësira ku njerëzit kryejnë ritin e rrotullimit rreth Qabesë (Ta'uafin). Qabeja është ndërtuar dhe rindërtuar nga këta profetë: Ademi, Ibrahimi, Ismaili dhe Muhamedi (paqja qoftë mbi ta). Asnjë godinë tjetër nuk e ka pasur këtë nder. Ndërtimi i parë i Qabesë është bërë nga Profeti Adem (alejhi selam). Në Kuran Allahu thotë se kjo ishte shtëpia e parë e ndërtuar nga njerëzimi për të adhuruar Allahun. Më pastaj e rindërtuan Ibrahimi dhe Ismaili (paqja qoftë mbi ta). Historianët dhe dijetarët janë të mendimit se Qabeja është rindërtuar 5 deri 12 herë. Rikonstruksioni më i fundit i Qabesë u bë në vitin 1996.(3) 


Haxhi shlyen gjynahet (mëkatet) e kaluara 


Ebu Hurejra transmeton se Muhamedi a.s. ka thënë: "Ai që kryen Haxhin pa folur gjëra të kota dhe pa kryer vepra të mbrapshta, do të kthehet nga Haxhi i pastër nga gjynahet sikundër në ditën e parë të lindjes”. (Buhariu dhe Muslimi). Ai po ashtu në një hadith, ka thënë se shpërblimi i personit të cilit i pranohet Haxhi, është Xheneti. Profeti a.s. ka thënë: "O njerëz, Allahu e bëri Haxhin obligim për ju, ndaj kryejeni atë. Shpërblimi për Haxhin është Xheneti”. Profeti (a.s.) ka thënë: “Të gjitha mëkatet e kryera në periudhën midis një umre dhe një tjetre, shlyhen e fshihen dhe shpërblimi për Haxhin e pranuar është Xheneti”. Në lidhje me këtë një person e pyeti: "O i Dërguari i Allahut, a duhet kryer Haxhi për çdo vjet? Muhamedi a.s. heshti dhe njeriu ia përsëriti pyetjen tri herë. Muhamedi a.s. i tha: "Nëse unë do të them 'Po', atëherë do të bëhej obligim për ju që ta kryeni atë (Haxhin) për çdo vit, por ju nuk do të jeni në gjendje ta bëni atë”. Transmetohet nga Amr bin El Asi, i cili pasi kishte pranuar Islamin, erdhi tek Muhamedi a.s. dhe i tha: “Zgjate dorën të ta jap besën”. Atëherë Profeti a.s. ia shtriu dorën dhe i tha : “Ç´ke kështu, o Amër? I thashë kushtëzoj. Profeti i tha: Çfarë kushtëzon? I thashë që të më falë Allahu. Muhamedi a.s. atëherë i tha a nuk e dinte se Islami i shlyen të kaluarat, hixhreti i shlyen të kaluarat dhe haxhi i fal mëkatet e kaluara”. (Muslimi) Po ashtu hadithet profetike na mësojnë se haxhinjtë janë delagacion (mysafirë) të Allahut. Trasmeton Ebu Hurejre se Pejgamberi i Allahut ka thënë: “Haxhinjtë, umrexhinjtë janë delegacion (mysafirë) të Allahut, nëse I luten Atij, Ai u përgjigjet, nëse I kërkojnë falje, Ai do t’i falë”. Nga Aishja r.a. trasmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën Allahu liron robër më shumë nga zjarri, se në ditën e Arefatit”. (Muslimi)(4) 
”Allahu e bëri Qabenë, shtëpinë e shenjtë, vend jetësimi (për çështje të fe së e të jetës) për njerëzit, dhe muajin e shenjtë, edhe kurbanin edhe (ato kafshë të shënuara për kurban) atë me qafore. Këtë (përcaktim nga Zoti), që ta dini se Allahu e di ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë dhe se Allahu ka përfshirë me urtësinë e e dijën e Vet çdo send (përcaktimi i Zotit për këto është me qëllim të caktuar, e për të mirën e njerëzve)”. (El Maide, 97.)
Gjatë qëndrimit në vende të shenjta haxhiut nuk mund t’i kaloj koha pa medituar se ç’ka bërë bindja ndaj Allahut dhe Resulullahut me popujt që ishin në injorancë dhe më pastaj u bënë thirrës dhe bartës të mesazhit hyjnor duke shporrur armiqtë e Zotit nga ai vend i shenjtë. 


Haxhiu udhëton drejt së vërtetës dhe paqes 


Allahu xh.sh. ka bërë që siguria në qytetin e Mekës të jetë jo vetëm për njeriun si krijesa më e çmuar dhe e dashur e Allahut xh.sh., por edhe për botën shtazore, shpendtë, bimët dhe insektet, gjatë periudhës së mbajtjes së ihramit, po edhe jashtë sezonit të Haxhit . Në këtë vend të shenjtë gërshetohet dhe jeton fjala paqe, një gjë që nuk ndodh në vendet e tjera, ku, edhe pse flitet e debatohet shumë dhe studiohet e analizohet nëpër medie, qoftë elektronike apo të shkruara dhe kushtetuta e rregullore të ndryshme anekënd botës, prapëseprapë paqja mbetet një realitet i shkruar vetëm në letër dhe assesi nuk gjen një zbatueshmëri konkrete në terren. “Patjetër që duhet theksuar se Muhamedi a.s. në vitin e dhjetë të hixhrit, së bashku me shokët e tij, u prekën thellë nga pamja madhështore e numrit të madh të myslimanëve që u shkonin pas në Mekë ndonëse të gjithë ishin të paarmatosur dhe sypatrembur. Dhe, atyre nuk mund të mos u kujtohej arratisja e tyre nga Meka, kur ishin aq pak në numër dhe kur u detyruan të iknin vetëm e vetëm që t’i shmangeshin zemërimit të kurejshitëve”(5) 
Edhe vetë Muhamedi a.s. gjatë qëndrimit në Arefat, ku ishin tubuar 124 mijë ose 144 mijë njerëz, haxhilerë(6), dhe aty Muhamedi a.s. iu drejtua njerëzve si ligjërues dhe mbajti një hutbe universale dhe koncize duke thënë: “O njerëz! Dëgjoni ç’do t'ju them, sepse nuk e di nëse do t'ju takoj në këtë vend pas këtij viti. O njerëz! Kini frikë Zotin dhe respektojeni Atë. Bëhuni të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Kjo është dita e flijimeve në Emër të Allahut. Më të vërtetë, gjaku dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend. 
Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit dhe dinjitetit njerëzor. Njeriu është vepër madhështore e Allahut dhe mjerë ai që e nënçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut. Ju, o njerëz, do t'i ktheheni pashmangshëm dhe pakthyeshëm Allahut të Amshueshëm, dhe Ai do t'ju marrë në përgjegjësi për veprat dhe punën tuaj. O besimdrejtë! Ta dini, ta mbani mend dhe të jeni të bindur se përfundoi koha e mosdijes dhe traditave të këqija, që i sollën fatkeqësi të shumta gjinisë njerëzore. Unë jua kam treguar rrugën e shpëtimit, nëpër të cilën duhet të shkoni. Gjakmarrja është e ndaluar. Të gjitha akuzat e këtilla që rrjedhin nga koha para Islamit, anulohen. Akuza e parë e këtillë që anulohet, është gjakmarja e xhaxhait tim, Amir b. Rebi`b. Harith b. Abdulmuttalibit, të cilin pa kurrfarë faji e mbytën njerëzit nga fisi Hudhejl. Kjo gjakmarrje le të harrohet dhe të gjitha të tjerat në të ardhmen, le të falen.
Fajdeja dhe kamata janë të ndaluara. Huadhënësi nga huamarësi duhet ta marrë vetëm atë që i ka huazuar vërtet. Huatë e para që i nënshtrohen këtij vendimi, janë huatë e xhaxhait tim, Abbasit, i cili ka pasur mjaft borxhlinj. O besimdrejtë! Duhet t`ua falni kamatat borxhlinjve. Dëgjoni këshillën time, dhe pasuria juaj do të shtohet, sepse juve ju mbetet kryegjëja për tregti dhe punë të ndershme. Nëse nuk e bëni këtë, duhet ta dini se do të zemëroni thellë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Nëse borxhliu juaj është në vështirësi, duhet t`ia vazhdoni afatin e pagimit, e nëse jeni në gjendje t`ia falni borxhin, kjo do të ishte edhe më mirë për ju. 
O besimdrejtë! O njerëz! Frikësojuni asaj dite që do të vijë me siguri, kur të gjithë do të paraqiteni para Allahut, Gjykatësit të Vetëm Suprem. Kur ju pret drejtësia absolute. Kur të zotoheni se një borxh do ta paguani me kohë dhe kur ta lidhni marrëveshjen, të gjitha këto bëni me shkrim, dhe me besnikëri theksoni afatin e pagimit. O të vdekshëm! Duajeni dhe dëgjojeni Zotin, Krijuesin e tërë materiales dhe jomateriales, i cili krijoi meshkuj e femra, prej të cilëve u zhvillua gjinia njerëzore. Kini frikë nga Allahu, për ndihmën, prehjen dhe mëshirën e të Cilit jemi të udhëzuar të gjithë. Ne jemi të vdekshëm dhe në çdo çast jemi gjithnjë e më afër vdekjes dhe takimit me Të, me Allahun e Amshueshëm, me Gjykuesin e Drejtë. Shprehni respektin e duhur ndaj farefisit. Me përgjegjësi të thellë përmbushni detyrat dhe obligimet që janë ndërmjet burrit e gruas, ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Fëmija e fiton Xhenetin nën këmbët e nënës së tij. Ruajuni nga prostitucioni, tradhtia bashkëshortore dhe xhelozia. Prostitucioni dhe tradhtia bashkëshortore janë mëkate të rënda, ndërkaq xhelozia mund të shkaktojë prishjen e bashkëshortësisë. Martohuni me ato që i doni. E kur vullneti i Zotit t'ju bashkojë, atëherë respektojeni dhe duajeni njëri-tjetrin dhe jetoni në dashuri e harmoni të vërtetë. O bashkëshortë! Silluni ndaj grave tuaja me shumë mirësi dhe dashuri. O besimdrejtë! Largohuni nga ngatërresat dhe përgoji met! Ata që shpifin për gratë e ndershme, le të jenë të mallkuar në të dy botët. Ata që i akuzojne gratë e ndershme për tradhti në martesë ose për amoralitet, sa kohë që nuk mund të sjellin katër dëshmitarë të besueshëm për këtë, dënoni me tetëdhjetë goditje, dhe asnjëherë në të ardhmen mos u besoni për asgjë, sepse ata janë njerëz të këqij. Nëse mendoni se ndaj grave tuaja nuk ndieni më dashurinë e dikurshme, mos nxitoni, po mendoni mirë. Ndoshta Allahu nëpërmjet këtij sprovimi ju udhëzon në rrugën e fatit të ri të madh, me të cilin dëshiron t'ju përgëzojë. Mos kërkoni shkurorëzim pa shkaqe të arsyeshme, meqë prej të gjitha gjërave që Allahu ka lejuar, më së tepërmi e urren shkurorëzimin. Gratë tuaja u janë dorëzuar në besë të Zotit. Respektoni, o besimdrejtë, atë amanet të Zotit. 
O njerëz! Sot djalli i mallkuar është i dëshpëruar, sepse ka pësuar humbje dhe më nuk mund të ndikojë tek ju. Por ju, megjithatë, bëhuni të kujdesshëm gjithnjë, në mënyrë që ai i mallkuar të mos ju vërë në lajthitje as për gjërat më të vogla. O besimdrejtë! Kur të caktoni dhe ndani ndërmjet jush trashëgiminë, bëhuni të drejtë dhe përmbajuni Librit të Zotit. Ruajeni pasurinë e bonjakëve, të paaftëve dhe të të sëmurëve mendorë. Zoti i ka dhënë çdonjërit të drejtën e vet, andaj nuk ka nevojë që trashëgimtarëve t'u lihet testament; ndërsa si testament nuk mund të lihet më tepër se një e treta (1/3) e pasurisë. Fëmija i takon atij në shtratin e të cilit ka lindur. Kush pohon se i takon tjetërkujt përveç prindit, atë do ta arrijë mallkimi i Zotit. Nuk i lejohet gruas që të japë diçka nga pasuria e burrit të saj pa lejen e tij. Borxhi duhet paguar ndërsa sendi i huazuar duhet kthyer. Dhurata duhet të kthehet me dhuratë. Kush hyn dorëzan për dikë, detyrohet edhe me përgjegjësi për dorëzani. Me robërit dhe shërbëtorët silluni në mënyrë njerëzore. Ushqeni ata si ushqeheni vetë, dhe vishni ata sikur visheni vetë. Nuk guxoni t'u bëni keq, as t'i keqpërdorni. Edhe ata janë njerëz, edhe ata janë shërbëtorë të Zotit. 
O besimdrejtë ! Ta dini dhe të mos harroni se të gjithë myslimanët janë vëllezër. Ju të gjithë jeni pIotësisht të barabartë në të drejta dhe detyra. Nuk ka kurrfarë përparësie arabi ndaj joarabit, dhe as joarabi ndaj arabit, as i ziu ndaj të kuqit, e as i kuqi ndaj të ziut përveçse me devotshmëri. Të gjithë jeni pasardhësit e Ademit, kurse Ademi është prej dheut.
O myslimanë ! Duhet të kujdeseni, të duheni dhe të ndihmoheni ndërmjet jush. Nuk guxoni të ofendoni njëri-tjetrin, e as t'i merrni diçka me dhunë njëritjetrit. Këto janë mëkate të rënda. Merreni vetëm ate që ju jepet me dëshirë. Respektoni pacenueshmërinë e pasurive tuaja derisa janë në frymën e ligjeve të Zotit. Në punën tuaj Islami dhe interesi i përgjithshëm le të jenë mbi ju dhe interesin tuaj personal. Përkushtojani Islamit jetën tuaj dhe në punën për Islamin jepni prej vetes githçka që mundeni. Kurrë mos shkelni të drejtën dhe nderin e askujt. Vetvetes mos i bëni dhunë. Mos harroni se mëshira është një nga bazat kryesore të Islamit. 0 njerëz! Dëgjoni ç’po ju them dhe mbajeni në mend mirë. Unë po jua lë Librin e Zotit - Kuranin – i cili, nëse i përmbaheni gjithnjë, do t'ju ruajë që të mos e humbni rrugën e drejtë, rrugën e drejtësisë dhe të së vërtetës. Kurani është libër i qartë dhe i shenjtë, Vepër e vërtetë e Allahut, Fjalë e Tij, për vërtetësinë e së cilës nuk ka kurrfarë dyshimi. Para vetes keni tërë jetën time, fjalët dhe veprat e mia. Gjithçka që kam folur dhe punuar, jam përpjekur që të jetë në pajtim të plotë me Urdhrat e Allahut. Ju vërtet nuk do të gjendeni në lajthitje përderisa t'i përmbaheni Kuranit dhe Synetit tim. 
O besimdrejtë! Thuani gjithnjë të vërtetën e pastër. Urrejtja asnjëherë të mos ju largojë nga rruga e të drejtave dhe drejtësisë. Drejtësia është motra e devotshmërisë. Frikësohuni nga Allahu! Ai e sheh punën tuaj. O njerëz! dëgjuat porositë e mia, futini në zemrat tuaja e në jetën tuaj. Të gjithë ata që i kanë dëgjuar këto fjalë të mia, le t'ua përcjellin atyre që nuk i kanë dëgjuar, sepse prej tyre mund të ketë më mbamendës se vetë dëgjuesit. (Pas një pushimi të shkurtër, i Dërguari i Zotit, me një zë më të butë, ka thënë): 
"A e percolla mesazhin e Allahut tek ju, o njerëz?" 
"O i Dërguari i Zotit! Ti e ke përmbushur misionin tënd besnikërisht dhe na ke komunikuar neve çka të ka urdhëruar Zoti", - u përgjigjën më se 100.000 haxhinj të pranishëm. 
(Atëherë Muhammedi a.s., me zë solemn, tha:) "O Zoti im, dëshmoje (këtë)! (Të njëjtën ditë, Zoti i Lavdishëm e shpalli edhe ajetin e fundit të Kuranit):
"Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë time, dhe zgjodha për ju Islamin fe". (Sure Maide, 3). 
Myslimanëve të shumtë filluan t’u rridhnin lot nga sytë, ngase e dinin se, nëse Pejgamberi kishte përfunduar shpalljen e tij, atëherë jetës së tij deomos do t’i kishte ardhur fundi. Në mesin e atyre që qanë me dënesje, ishte edhe Ymeri r.a., të cilit, kur e pa duke qarë, Muhamedi a.s. i tha: “Ç’të shtyri të qash?“ Ai iu përgjigj: “Pas plotësimit dhe përsosjes, nuk mund të ketë asgjë, përveç mungesës dhe pakësimit”. 
Pas mbarimit të Haxhit, nxirren mësime shumë të dobishme dhe që mbeten të përjetshme në kujtesën e haxhiut, si një nga kujtimet që i kujton me ëndje, aq më shumë kur jemi thirrës për revelatën e fundit hyjnore, synojmë që të kemi një botë ku të gjithë të kenë mundësinë që të jetojnë në paqe, liri, dashuri e harmoni; të mbizotrojë drejtësia në marrëdhëniet mdërkombëtare; një botë ku luftohen varfëria dhe skamja si dhe sëmundjet e ndryshme e nuk i kundërvihet natyrës, s’u lë hapësirë keqëbërsve, gjallëron ambientin ku jeton; të mos lejojë që të pasurit të shtojnë kapitalin e tyre e të varfrit të thellohen në varfërinë e tyre, të përparuarit në teknologji të avancojnë në zotrimin e teknologjisë, kurse të prapambeturit të shtojnë prapambeturinë teknologjike; mendjemëdhenjtë t’u shtohet mendjemadhësia, kurse të dobëtve t’u shtohet pamundësia dhe nënçmimi. Vërtet bota ka nevojë për drejtësinë e Islamit apo së paku të marrin diçka nga drejtësia e Islamit, që të bëhet një ekuilibrim në mes klasave në shoqërinë njerëzore dhe të vihet rend e rregull. 


Situata aktuale e gjendjes së muslimanëve athua luhat ndjenjat dhe qëndrimet e muslimanëve? 


Vërtet myslimanët sot jetojnë dhe ballafaqohen me sfida të mëdha, ndoshta edhe më të rëndat që kanë pasur ndonjëherë në historinë e tyre shekullore. Atij po i bëhet pa të drejtë sulm nga mjetet më të fuqishme të kohës, mjetet e informimit, që në masë të madhe bartin përgjegjësinë për moskrijimin e kanalave të komunikimit midis kulturave dhe civilizimeve më të mëdha botërore. Asnjëherë në botë nuk ka ekzistuar një shabllon i kulturës dhe si përvojë e kaluarës nuk mund të themi që edhe sot apo në të ardhmen, mund të ekzistojë diçka e tillë. Mediet duhet të luajnë rolin e afrimit në mes njerëzve, të ngritjes së vlerave të mirëfillta njerëzore duke mos nënçmuar asnjë fe a popull. Fundja, misioni i çdo medieje është informimi sa më i drejtë dhe objektiv i qytetarëve dhe opinionit publik të gjerë. Duhet t’i jepet më shumë hapësirë fesë islame, që ta njohin nga afër njerëzit dhe të krijojnë qëndrime të drejta, pa paragjykime dhe shtrembërime si pasojë e informimit të keq nga mediet me peshë botërore. Mediet kosovare duhet të ndjekin shembullin e medieve dhe të rrjeteve më të fuqishme botërore, të cilat transmetojnë drejtpërdrejt kryerjen e lutjeve të haxhinjve nga Meka, dhe kanë ekipe të formuara për këtë çështje. Mediet kosovare kanë mundësi dhe potencial t’u ofrojnë një shërbim të tillë qytetarëve të Kosovës. Nga ana tjetër, situata e myslimanëve, sot është mjaft e më e vështira që nga rënia e halifatit më 1924. Kjo është një çështje për të cilën shumë institute kërkimore kanë publikuar rezultate të gabuara, kinse periudha e Islamit ka përfunduar dhe ka përenduar me rënien e halifatit osman, dhe tash për tash zotëron filozofia perëndimore me të gjitha format e saj të shekullarizmit, të djathtëve, të majtëve, liberalëve në shkolla e universitete, mjeteve të komunikimit masiv etj. Mirëpo të gjitha këto hidhen poshtë kur të shikosh këta miliona njerëz të bashkuar e të vëllazëruar, të cilët, në emër të Islamit, kryejnë ritualet fetare të haxhit pranë njëri-tjetrit, nuk të mbetet tjetër veçse të dorëzohesh para faktit se Islami është gjallë dhe i rrënjosur thellë në shpirtat e myslimanëve. Andaj ata që mendojnë se Islami është themeli i rizgjimit të ymetit dhe ndjenjave të tyre dhe përbërjen e tij nuk mund të komentojnë se si rastësisht mundet islami të rikthehet me tërë atë fuqi dhe mallëngjim. Në të vërtetë, haxhiu duhet ta kuptojë rolin e tij sa i takon shkuarjes në vendet e shenjta, dhe nuk duhet këtë vizitë ta kufizojë vetëm për të kryer këtë obligim, dhe si i tillë dhe të kthehet i falur nga mëkatet sikurse atë ditë që është lindur nga nëna e vet, dhe të mjaftohet me kaq, veçse duhet ta ndiejë dhe ta përjetojë fizikisht e psikikisht gjendjen e ymetit dhe si i tillë të dalë më i mirë se sa ka hyrë, - të përmirësojë raportet me Allahun xh.sh., po dhe ndaj njerëzve të tjerë, me ymetin e tij dhe përgjegjësinë ta marrë mbi vetveten, nëse nuk i praktikon udhëzimet, po dhe frymëzimet e reja që ka marrë nga kjo vizitë. Ymeti ynë i tëri ka një drejtim drejt Qabesë, ka një program hyjnor të përjetshëm dhe të pandryshueshëm, emocionet i kanë të njëjta dhe, nëse zgjohet dhe I kthehet Krijuesit absolut , me Emrin e Tij, nuk do të mungojë assesi ndihma e Allahut, sepse Ai thotë: “…Allahu është mbizotërues i punës së vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë (fshehtësinë e çështjeve)”. (Suretu Jusuf, 21.) 


Haxhi zgjon ndjenjat e besimtarëve 


Për çdo vjet në qytetin e bekuar të Mekës tubohen me miliona haxhinj, të cilët krijojnë një atmosferë dhe skenë të papërshkrueshme, të cilët si emblemë kanë faktorin e unitetit dhe vëllazërimit, I drejtohen Allahut Fuqiplotë me lutje të sinqerta, ku duaja përzihet me lotë, duke pyetur: Çfarë lidhjeje ka Islami me të gjithë këta njerëz? Si arriti Islami t’i barazojë të gjitha racat dhe kategoritë shoqërore? Dhe njëmend përgjigjen e gjen vetë në praktikueshmëri, duke jetuar ditë për ditë një realitet të tillë. Ata (haxhinjtë) janë vetëm një mostër që përfaqëson ymetin islam, pa marrë parasysh a janë nga shtresat e varfra, të cilët ndoshta për vite me radhë kanë ndarë nga kafshata e tyre, që të vijnë dhe ta kryejnë këtë ibadet kaq madhështor në Islam, apo nga shtresa e mesme apo e pasura. Nga mënyra e organizimit të Haxhit, vërehet se nuk ka fe apo drejtim fetar në botë që mund të tubojë kaq shumë njerëz në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend, të cilët thonë “Lebejke Allahume lebejk, lebejke lasherijke leke lebejk, innel hamde venimete vel mulk la sherijke leke”. Të veshur të gjithë me një petk të njëjtë (ihrame), të cilat zhdukin klasat dhe dallimet njerëzore, s’ka të pasur e të varfër, të gjithë vishen njësoj, dhe kjo pamje e krijuar në këto momente detyrimisht ndikon në emocionet e haxhinjve. Pastaj qëndrimi në fushën e Arefatit të krijon një emocion të veçantë, pasi na kujton qëndrimin në këmbë në ditën kur do të dalim para Allahut xh.sh., kur do të ekspozohen veprat tona dhe do të lexojmë librin e veprimeve tona. 
“Secilit njeri ia kemi ngjeshur në qafë flutaraken (shënim-për veprimin) e tij, në Ditën e Gjykimit, Ne do t’ia prezentojmë atij libër të hapur. Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot vetë llogaritës i vetvetes” (El-Israë, 13-14.) 
Gjuajta e guralecave në Mina na e kujton armiqësinë dhe na e ngjall në zemrat tona luftën e përhershme ndaj djallit të mallkuar, dhe nuk ka ndonjë kohë kur ai ndihet më i nënçmuar se në ato çaste, dhe myslimanët kryejn dhe u përgjigjen Urdhrave të Allahut me një bindje të thellë. “O bijt e Ademit (kriminelë), po a nuk ju dërgova porosinë që të mos e dëgjoni djallin, se me të vërtetë ai është armiku juaj i hapur!? (Ju porosita) Të Më adhuroni Mua, se kjo është rruga e sigurt. Vërtet, ai ka humbur shumë njerëz prej jush, a nuk keni mbledhur mend?” (Jasin 60-62.) 
Dhe, kështu Allahu i urdhëron haxhinjtë që gjatë kryerjes së lutjeve të Haxhit, të mos bëjnë vepra që bien ndesh me këtë ritual. “Nuk duhet t’i afrohet gruas, nuk bën të marrë nëpër këmbë dispozitat e Sheriatit, as nuk duhet të shkaktojë grindje”. (El Bekaretu 197). Pra, atmosfera e Haxhit duhet përjetuar me tërë qenien e tij dhe që dashuria, toleranca, zemërgjerësia, durimi, paqja dhe vëllazëria të zotërojnë në shpirtin dhe mendjet e haxhinjve gjatë këtyre ditëve të bekuara. 
Ky udhëtim për haxhinjtë është udhëtim vendimtar në mes udhëzimit hyjnor dhe humnerës, prandaj ajeti i lartpërmendur tregon shumë qartë drejtimin e duhur të myslimanit, meqë e ka kryer këtë shtyllë të pestë të Islamit, ku myslimani “lidh” një kontratë të re me Allahun xh.sh., është një lindje e re. Myslimani që merr pjesë në këtë kongres mbarëbotëror islam, ka edhe një emanet më të madh se të tjerët, që s’kanë arritur apo s’ua ka mundësuar Allahu të bëjnë një ibadet të tillë. Ata duhet ta kujtojnë Allahun në çdo kohë, sikurse është dhe një shans i mirë për t’u lutur edhe për vëllezërit e tyre, të cilëve u rrezikohet jeta nga armiq të shumtë në çdo kohë, të luten për rehatinë e tyre, për lirinë e tyre dhe për prosperitetin dhe mirëqenien islame që aq shumë po i mungon shumicës së vendeve islame anekënd globit tokësor.
Vetëm duke përjetuar të gjitha vështirësitë e udhëtimit, turmën e madhe të haxhinjve dhe vështirësitë e tjera të Haxhit, - njeriu mund të arrijë e të kuptojë ajetin e lartpërmendur të Allahut xh.sh. “Fshetësia më e madhe e haxhit qëndron në atë se është ibadet me trup dhe me mund të madh e me jetë të pamësuar, me pasuri e me shpenzime bukur të mëdha. Më në fund, në haxh mund të arrihet mësimi më i lartë se si duhet njeriu të sakrifikojë veten dhe pasurinë për hir të të Dashurit-Zotit, si duhet të jetë i durueshëm, si duhet të jetë jeta në bashkësi, si është barabarësia para Allahut për të gjithë e njëjtë, si thërrasin të gjithë myslimanët me një gjuhë Zotin e tyre, etj”.(7)
 __________________
 Fusnotat: 
1. Kur’ani i madhërishëm, prof. Hasan I. Nahi, Tiranë, 2006 
2. Kur’ani përkthim me komentim në gjuhën shqipe, H. Sherif Ahmeti, ribotim i Medine Munevere, 1413 h 
3. http://forumi.kurandhesunet. net/haxhxhi(6)/ haxhi(2728).html. 
4. Fikhu sune, Sejjid Sabik, , botimi i dytë, Dar el Fikr, Liban vl. 1, fq 462. 
5. Jeta e të dërguarit Muhamedit a.s Lejla AzzamAisha Gouverneur, fq 120, Logos A, Shkup 1994. 
6. Nektari i vulosur i xhenetit, fq 533, Safijurrahman El Mubarekfuri, Nun 1999.
 7. Ibid fq 534.


Dituria Islame  208-209


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi