Muhtesari i Ker’hit
Pothuajse në periudhën kur në Egjipt vepronte Tahaviu, në Bagdad jetonte dhe vepronte Ker’hi, e që ishte një perso nalitet tjetër shumë i madh i medhhebit hanefi. Ai është autor i veprës që llogaritet muhtesar-i i dytë fikhor i këtij medhhebi.
Jeta e Ker’hit dhe veprimtaria e tij medhhebore
Për jetën e tij nuk kanë mbërritur shumë të dhëna edhe pse Sajmeriu deklaron se po t’i kishte shënuar gjitha historitë për Ker’hin dhe Ebu Hazimin, atij do t’i duhej një libër i posaçëm. Emri i plotë i Ker’hit është Ubejdullah b. Husejn b. Dellal b. Delhem. Më i njohur është si Ebu’l-Hasen Ker’hi. Lindi në vitin 260 hixhri në një vendbanim të lashtë me emrin Ker’h Xhudam (Guddam), që ndodhej në fund të provincës së Irakut. Pastaj erdhi në Bagdad dhe këtu përvetësoi fikhun hanefi nën kujdesin e Ebu Seid Berderiut. Gjersa mësonte te Berderiu, ai për një kohë të shkurtër mësoi edhe nga kadiu Ebu Hazimi, mësuesi i Tahaviut.(1) Berderiu ishte prej fukahave të mëdhenj hanefi të Bagdadit, i cili pati debate edhe me vetë Davudin, themeluesin e medhhebit dhahiri.(2) Me kalimin e viteve, si dhe zgjerimin e diturive dhe përvojave, Ker’hi arriti që pas dy mësuesve të tij, të bëhej udhëheqësi i hanefive të Bagdadit dhe medresesë hanefite irakiane. Në shumicën absolute të burimeve që flasin për jetën e tij, ai cilësohet si një dijetar me asketizëm të plotë e me de votshmëri të lartë, adhurues i madh, me namaz nate e agjërim dite, si dhe dhikre të shumta. Ai asnjëherë nuk hynte pa abdes në një dhomë ku kishte mus’haf. Qe durues i fukarallëkut dhe asnjëherë nuk e shtriu dorën të lypte lëmoshë ose diç nga pasuria e njerëzve.(3) Tërë jetën e tij qëndroi larg posteve dhe detyrave zyrtare, madje edhe i shkëpuste lidhjet e tija me nxënësit që bëheshin kadi. Rasti i tij me kadiun, Ebu’l Kasim Tenuhi, është më se i njohur, me të cilin Ker’hi i shkëputi lidhjet edhe pse atë e kishte nxënës dhe deri në fund të jetës më nuk e pranoi në mexhlis. Bile, pak para vdekjes së Ker’hit në vizitën e fundit që Tenuhi i pati bërë, Ker’hi nuk i foli as edhe një fjalë të vetme, por vetëm i dha një buzëqeshje.(4) Në moshën 80 vjeçare u paralizua dhe në vitin 340 hixhri vdiq në Bagdad. Kur u sëmur, detyrën e mësim dhënies e la në dorën e nxënësit të tij, Ebu Ali Shashi, kurse detyrën e fetvave e la në dorën e nxënësit tjetër, Ebu Bekër Dameganit.(5) Pak para vdekjes, nxënësit i kishin kërkuar ndihmë materiale princit hamdanid të Halepit, të njohur si Sejfudevleh, kjo për mjekimin dhe nevojat e hoxhës së tyre tanimë të paralizuar.
Ndërsa, kur mësoi Ker’hi këtë gjë, ai u lut duke thënë: “Allahu im, mos më furnizo përveçse me riskun tim të zakonshëm!” Pas vdekjes së tij arriti ndihma prej 10 mijë dirhemëve dhe të gjitha këto para u shpërndanë sadaka për shpirtin e Ker’hit.(6) Ker’hi në burimet historike cilësohet si gjuhëtar i madh, poet i shquar, mufessir, fakih dhe usulij i madh hanefi. Ai sipas rangimit klasik të fukahave hanefi, e që është edhe rangimi hierarkik më i njohur, renditet në nivelin e tretë që njihet si rangu i muxhtehidëve të meseleve, ku krahas Ker’hit numërohen edhe dijetarët si: Hasafi, Tahaviu, Halvani, Serahsiu, Bezdeviu, Kadihani, etj.(7)
Ker’hi dhe Tahaviu
Ajo që dihet është se këta dy patën të paktën një mësues të përbashkët dhe një nxënës të përbashkët. Mësuesi është kadiu Ebu Hazimi, ndërsa nxënësi është Ebu Bekër Damegani. Gjithashtu në disa burime josunite shënohet se Ker’hi një kohë deklaronte: “Në botë nuk ka më njeri që mund të bëjë ixhtihad veç Tahaviut në Egjipt.” Mirëpo, pastaj kur e pa Tahaviun në haxh thoshte: “...Madje, as edhe Tahaviu në Egjipt!”(8) Kjo deklaratë nuk e ulë pozitën e Tahaviut, por dëshmon për të paktën një takim mes tyre, ku sigurisht është zhvilluar edhe ndonjë bisedë a debat që ka çuar në këtë vlerësim të Ker’hit. Nga ana tjetër, në librat e zgjeruara të f ikhut hanefi, qëndrimet e këtyre dyve aty-këtu hasen përballë njëri-tjetrit, ku thuhet se qëndrimi i Ker’hit është kështu, e ndërsa qëndrimi i Tahaviut ashtu, edhe pse për shumë çështje të tjera hasen bashkërisht me të njëjtin qëndrim. Ndryshe nga Tahaviu, për akiden e të cilit nuk ka fare dyshim se ajo ishte pastër sunite dhe plotësisht e njëjtë me atë të Ebu Hanifes dhe dy nxënësve të tij të mëdhenj, Ebu Jusufit dhe Shejbanit, për akiden e Ker’hit, në mesin e dijetarëve ka diskutime. Kjo, për shkak të periudhës dhe vendit ku Ker’hi veproi. Historianët si Hatibi, Ibën Xhevzij, Dhehebiu, Ibën Kethiri, etj., krahas devotshmërisë së Ker’hit shënojnë se ai ishte prej mutezilëve. Mirëpo hafëz Ibën Haxher Askalani është më objektiv kur thotë: “Ker’hi ishte njeri i devotshëm, njeri i hairit dhe i vlerave. Atë e pati akuzuar (rama-hu) për mutezilizëm Ebu’l-Hasen Ibën Furati.” Pastaj, këtë deklaratën e Ibën Furatit e shënoi Hatibi dhe prej tij u bë e famshme dhe e morën kallëp shumë historianë. Ndërsa kronisti i madh hanefi, Tekijudin Gaziu shënon: “Hatibi e konsideroi atë (Ker’hin) si kokë të mutezilizmit, megjithatë Allahu e di më së miri hallin e tij, e ndërsa halli i Hatibit dhe fanatizmit të tij është më se i njohur, Allahu e faltë atë!”. Po këtë fjalë të Gaziut e aprovon edhe Kumilai, kronisti i madh hanefi i kohës sonë.(9) Mirëpo, një gjë është e sigurt se jeta e Ker’hit figuron në të gjitha veprat kronike të dijetarëve hanefi dhe për çudi asnjëri prej tyre nuk e paraqet atë si mutezili.
Gjurmët e Ker’hit
Ker’hi llogaritet dijetari hanefi, i cili pas Ebu Hanifes, Ebu Jusufit dhe Shejbanit pati numrin më të madh të studentëve. Kjo gjë vërtetohet me një lexim të thjeshtë të biografive të dijetarëve hanefi të Irakut që jetuan në periudhën e Ker’hit dhe pak pas tij. Bile këtë gjë e deklarojnë edhe ca njohës perëndimor të studimeve orietale-islame.(10) Veçori tjetër është se me nxënësit e Ker’hit filloi periudha e komentimit (el-shuruh) të doracakëve të shkurtër (el-muhtesarat) të f ikhut hanefi. Fillimtari qe Xhesasi, që komentoi veprat Muhtesar Tahavi dhe Muhtesar Ker’hi, pastaj vijuan të tjerët. Në burimet e jetës së Ker’hit shënohen të paktën gjashtë vepra të tija dhe ajo që më së shumti na intereson është muhtesar-i tij i fikhut hanefi, e që sipas Afganit është muhtesar-i i dytë i fikhut hanefi, pas atij të Tahaviut.(11)
Muhtesari i Ker’hit
Muhtesari i Ker’hit ishte doracak bazë i shumë studentëve hanefi të Bagdadit. Materiali i tij ishte kriter vlerësues për shumë dijetarë të asaj periudhe. Koha e shkrimit të tij nuk dihet edhe pse sigurisht ngjau pas shkrimit dhe përhapjes së Muhtesar Tahavit. Sot si kopje në vetvete nuk ekziston më dhe llogaritet libër i humbur edhe pse Mer’ashliu pretendon se një kopje e tij ekziston në Stamboll,(12) mirëpo kjo gjë duket shumë e vështirë edhe pse jo e pamundur. Sigurisht në pushtimin mongol të Bagdadit, në mesin e veprave të zhdukur ishin edhe kopjet e këtij doracaku të hanefive. Pra, edhe në shqip nuk pritet të gjendet diç e përkthyer prej tij, përderisa llogaritet i humbur në vetë botën arabe. Kuduriu deklaron se, Ker’hi, e nisi librin e tij që ai të dalë si një version shumë i shkurtër. Mirëpo, pas kapitujve të ibadeteve u zgjerua pakëz më shumë si dhe prej kapitullit të hipotekës u zgjerua tërësisht. Përderisa mbetet libër i humbur, atëherë edhe nuk mund të thuhet se sa kapituj përfshinte, edhe pse Kuduriu jep shenjë se autori la disa kapituj pa përmendur. Gjithashtu nuk mund të gjykohet se ku u bazua saktësisht në përpilimin e tij edhe pse nuk ka dalë jashtë kornizave të medhhebit hanefi. Për atë se a ka pasur edhe përzgjedhje individuale dhe opinione personale nuk mund të thuhet gjë. Haxhi Halifeja citon Ker’hiun të ketë thënë në el-Muhtesar: “Kush dëshiron të kalojë përtej asaj që kemi shënuar në këtë libër (el Muhtesar), le të shikojë veprën el Xhamiu’s-Sagir të shkruar nga ne. E ndërsa kush dëshiron akoma më shumë, atëherë le të shikoj el Kebirin (el xhamiu’l-Kebir), i cili përmbledh gjithçka.”(13) Deklarata e sipërpërmendur e Kuduriut është si në vijim: “...Patët përmendur gjendjen e Muhtesarit të shejh Ebu’l-Hasen Ker’hit, rahimehullah, dhe nevojën për komentimin e tij. E që ky libër ka përmbledhur degëzime të f ikhut në atë formë që s’e ka bërë tjetër kush. Bile, Ebu Ali Shahi thoshte se kush e memorizon këtë libër ai konsiderohet më hafëzi në mesin e dijetarëve tanë dhe kush arrin ta kuptoj këtë libër ai është më i mençuri në mesin e dijetarëve tanë. Ky libër ka një renditje të dallueshme, ngase autori atë e filloi që të jetë një libër i vogël, mirëpo pastaj shtoi në të pas (kapitullit të) ibadeteve, e ndërsa kur e kaloi kapitullin e hipotekës u zgjerua tej mase. Unë (Kuduriu) punova për të diktuar një libër gjithëpërfshirës që do ta komentonte atë (Muhtesar Ker’hin) duke u nisur me sqarimin e degëzimeve fikhore dhe rivajeteve si dhe renditjen e tyre, ndërsa për meseletë divergjente do të shënoj më pak. E kush dëshiron më gjerësisht, atë e kemi përmbushur në librin tonë el Texhrid. Po ashtu, në të (doracakun e komentuar) kemi shtuar asi degëzime fikhu që i ka hije, kjo për ta balancuar fillimin e librit me fundin e tij. Pastaj kemi shtuar në këtë vepër edhe ata kapituj që autori (Ker’hi), rahimehullah, i pati lënë dhe në fund do t’i komentojë të gjithë...”(14) Mulla Ali Lexuesi, këtë doracak e vlerëson kështu: “Litari më i sigurt për të cilin kapen dijetarët e fesë dhe eprorët e të devotshmëve.”(15)
Komentet (El-Shuruh) të Muhtesarit të Ker’hit
Për Muhtesarin e Ker’hit numri i komenteve bie në gjashtë, dhe të paktën deri më tani, tre prej këtyre komentarëve ekzistojnë si dorëshkrime, ku njëri është i botuar. Nevoja e komentit të këtij muhtesari ishte e madhe siç deklaroi vetë Kuduriu pak më parë. Komentet(16) e Muhtesar Ker’hit janë:
1. Komenti i Razi Xhesasit (vdiq 370 hixhri). Kjo vepër deri më tani llogaritet e humbur edhe pse në disa shënime të Kevtheriut aludohet se ai ka pasur qasje në brendinë e tekstit të këtij komentari, ngase ai thotë: “Vrullshmëria e Xhesasit në medhheb duket në veprat e tija Ahkamu’l-Kuran, el Fusulu fi’l-Usul, Sherhu’l-Xhami el Kebir, Sherhu Muhtesar et Tahavi dhe Sherhu Muhtesar el Ker’hi.” Pastaj, në një shënim tjetër thotë: “Prej librave më të mira të dijetarëve të hershëm në fushën e haditheve të fikhut (ehadithu’l-ahkam) përveç sahihëve, suneneve dhe musnedeve janë edhe veprat Musannef i Ibën Ebi Shejbes, veprat e Tahaviut e sidomos Meani’l-aathar, veprat e Ibën el Mundhirit e sidomos el Ishraf, komentet e Xhesasit mbi Muhtesar Tahavi dhe mbi Muhtesar Ker’hi, el Xhami el Kebir...”, në një vend tjetër thotë: “Suneni i Ebu Davudit është prej veprave më të dobishme hadithore për ata që merren me hadithet e fikhut (hallallit & haramit)...prandaj gjejmë se imam Ebu Bekër Razi Xhesasi i kushtoi shumë rëndësi këtij suneni si dhe hadithet e tija i zotëron mirë, sidomos në dy komentet e tija mbi veprën El Xhami el Kebir si dhe në dy komentet e tija mbi Muhtesar Tahavi dhe Muhtesar Ker’hi.”(17) Xhesasi si dhe Xhuëli në vijim ishin nxënës të Ker’hit.
2. Komenti i Xhuëlit (vdiq 399 hixhri). Ky koment llogaritet i humbur që moti kohë.
3. Komenti i Kuduriut (vdiq 428 hixhri). Prej këtij komenti ekzistojnë ca kopje të plota në Turqi. Ndërsa së fundmi kjo vepër është botuar në Kuvajt në 9 vëllime, afërsisht 5500 faqe, duke përfshirë edhe shënimet margjinale të recensuesit. Kuduriu është nxënës i nxënësit të Xhesasit. Ky punim i Kuduriut citohet me të madhe në literaturën e zgjeruar të f ikhut hanefi, sidomos në fushën e veprave esh shuruh dhe el fetava. Me sa duket puna e Kuduriut në këtë komentar është ajo që e shpëtoi nga zhdukja shumicën e tekstit të këtij doracaku edhe pse është mjaftë e vështirë të bëhet vija ndarëse mes fjalëve të Kuduriut dhe atyre të Ker’hit.
4. Komenti i Ispixhabit të Madh (vdiq 481 hixhri). Autori i tij është Ebu Nesr Ahmed b. Mensur Huxhendi Ispixhabi (Isfixhabi) el Kebir. Flitet për një kopje dorëshkrimi të tij në Turqi.
5. Komenti i Kirmanit (vdiq 543 hixhri). Fatmirësisht edhe kjo vepër ekziston si dorëshkrim në disa biblioteka të Turqisë, porse akoma nuk e ka parë dritën e botimit bashkëkohor.
6. Komenti i Kutlubugasë (vdiq 879 hixhri). Si vepër përmendet nga Sehaviu dhe Merashliu. Llogaritet libër i humbur.
____________________
1. Kadi Ebu Abdilah Sajmeri, Ehbaru Ebi Hanifeh ve Es habihi. (Rijad: Alemu’l-kutub, botimi i dytë, 1985), fq. 161, 165 dhe 166.
2. Abdulkadir el Kurashi, El Xhevahiru’l-mudijeh fi Tabekati’l Hanefijeh. (Rijad: Hexhr, botimi i dytë, 1993), vëll. 1, fq. 164.
3. Shiko: Ibën el Xheuzij, el-Muntedham fi tarihi’l-muluki ve’l umem. (Bejrut: daru’s-Sadir, botimi i parë, 1979), vëll. 6, fq. 369; Dhehebi, Sijeru ealami’n-nubela. (Bejrut: muesesetu’r-risaleh, botimi i tretë, 1985), vëll. 15, fq. 426; Dhehebi, Tarihu’l-islam ve vefejatu’l-meshahiri ve’l-ealam. (Bejrut: daru’l-garbi’l-islamij, botimi i parë, 2003), vëll. 7, fq. 742; Ibën Kethir, el-Bidajeh ve’n Nihajeh. (Rijad: daru’l-hexhër, botimi i parë, 1997), vëll. 15, fq. 209; Ahmed bin Jahaj bin el Murteda, Tabekatu’l-mu’tezileh. (Bejrut: daru mektebeti’l-hajat, 1961), fq. 130; etj.
4. Ehbaru Ebi Hanifeh ve es’habihi, fq. 167.
5. Po aty, fq. 169.
6. Sijeru ealam’in-nubela. Vëll. XV, fq. 426-427.
7. Ibën Abidin, Radu’l-Muhtar ale’d-durri’l-muhtar. (Damask: daru’th-thekafeti ve’t-turath, botimi i parë, 2000), vëll. 1, fq. 254.
8. Tabekatu’l-mu’tezileh. Fq. 130.
9. Për debatin e akides së Ker’hit shiko: Hatib el Bagdadi, Tarihu Bagdad. (Bejrut: daru’l-garbi’l-islamij, botimi i parë, 2002), vëll. 12, fq. 74; el Muntedham fi tarihi’l-muluki ve’l-umem, vëll. 6, fq. 369; Sijeru ealami’n-nubela, vëll. 15, fq. 427; el-Bidajeh ve’n Nihajeh, vëll. 15, fq. 209; Ibën Haxher el Askalani, Lisanu’l Mizan. (Bejrut: daru’l-beshairi’l-islamijeh, botimi i parë, 2002). Vëll. 5, fq. 321; Tekijudin el Temimi el Gazij, el-Tabekatu’s senijeh fi teraxhimi’l-hanefijeh. Rijad: Hexhër & Daru’r-Rifaij, botimi i parë, 1989. Vëll. 4, fq. 422; el Kumilai, el-Buduru’l Medijeh fi teraxhimi’l-hanefijeh. (Kajro, daru’s-salih, botimi i dytë, 2018). Vëll. 12, fq. 181; etj.
10. Christopher Melchert, The Formation of the Sunni Schools of Law, 9th-10th cebturies c.e. (Leiden: Brill, 1997), fq. 125.
11. Ebu’l-Vefa Afgani. Hyrja studimore e Muhtesar Tahaviut. (Kajro: metbeatu dari’l-kitabi’l-arabij, 1951), fq. 4.
12. Jusuf Abdurrahman el Mer’ashli, Mesadiru’d-Dirasati’l islamijeh el-fikhu’l-hanefiju furuan ve usulen. (Bejrut: DKI, 2020), vëll. 1, fq. 131
13. Katip Çelebi, Keshfu’dh-Dhunun an esamij el-kutubi ve’l-funun. (Londër: Al-Furqan Foundation, 2021), vëll. 3, fq. 185, lib. nr. 5217.
14. Kuduri, Sherhu Muhtesar el-Ker’hi. Stamboll: dorëshkrim me numër 804 në bibl. Fejzullah efendi. Vëll. 1, fq. 2a.
15. Ali Lexuesi, El Ethmaru’l-xhenijeh fi esmai’l-hanefijeh”. (Bagdad: Divanu’l-vakfi’s-sunij, botimi i parë, 2009), vëll. 2, fq. 489.
16. Për komentet e Muhtesarit të Ker’hit shiko: Abdullah el Habeshi, Xhamiu’sh-shuruh ve’l-havashi. (Xhide: daru’l minhaxh, botimi i parë, 2017), vëll. 4, fq. 147; Mesadiru’d Dirasati’l-islamijeh, vëll. 1, fq. 131, 141, 202, 269; Mesadiru’d Dirasati’l-islamijeh. vëll. 2, fq. 127; Sehavi, El-dau’l-lamië li ehli’l-karni’t-tasië. (Bejrut: daru’l-xhil, botimi i parë, 1992). Vëll. 6, fq. 187, bio. nr. 635.
17. Zahid el Keutheri, (Hyrja studimore) Risaletu Ebi Davud. (Kajro: metbeatu’l-envar, 1950), fq. 2; Mekalatu’l-Keutherij. (Kajro: el mektebetu’t-teufikijeh). Fq. 452; Mekalatu’l-Keutherij, fq. 83.
Hazir D. Selmani