A ishin ashabët ata që gjuanin njëri-tjetrin me kufër (mosbesim) ose a ishin ata që përgënjeshtronin njëri-tjetrin?
Në këtë kontekst nuk gjendet asnjë transmetim autentik, që mund të tregojë se ashabët e gjuanin njëri-tjetrin me kufër. Disa prej ensarëve, kur ishin në kulm të hidhërimit me njëri-tjetrin, nganjëherë përdornin fjalën hipokrit , por jo si akuzë drejtuar njëri-tjetrit. Këto ishin raste të njëanshme dhe të rralla, që në asnjë çast nuk duhet marrë si gjithëpërfshirëse dhe të përgjithshme, që t’i konsideronim se ato ishin ndodhi të shpeshta. Po ashtu, ashabët nuk përgënjeshtronin kurrsesi njëri-tjetrin. Transmetimet shumicë që kanë ardhur në këtë kontekst, tregojnë se fjala përgënjeshtrim nuk ka bazë dhe as që kishte ekzistuar. Theksuam më sipër thënien e Enesit r.a.:”Ne nuk përgënjeshtronim njëri-tjetrin”. Në anën tjetër, dikush mund të pyesë se çfarë ishte përgënjeshtrimi i nënës së besimtarëve - Aishes r.a. ndaj Ebi Derdait lidhur me deklarimin e tij: “Atë që e arrin namazi i sabahut , për të nuk ka namaz të vitrit”. Aishja tha: “Ebu Derdai ka gabuar (gënjyes), sepse Pejgamberi a.s. (nganjëherë), pas mëngjesit (sabahut) falte namazin e vitrit”. Pra, fjala e ka kuptimin të drejtë sikur kjo fjalë të trajtohet nga gjeneza e saj , sepse këtu nuk ka kurrfarë arsyeje për përgënjeshtrim të Ebu Derdait. Ai kishte mendimin ose fetvanë e vet. Mendimet dhe fetvatë nuk përgënjeshtrohen, por mund të jenë të gabuara. Bazuar në këtë, mund të themi se vërtet ashabët nuk përgënjeshtronin njëri-tjetrin. Është e mundshme që ndonjëri prej tyre të ketë gabuar dhe të ketë pirë alkool, ose të ketë bërë vepër me mëkate të mëdha, sikur ishte të luftuarit në mes dy palëve (në Sifinë). Pavarësisht nga kjo, asnjëherë nuk është vërtetuar ndonjë gënjeshtër në mes tyre (ashabëve).
Aliu r.a. ka thënë: “Kur t’ ju tregoj ndonjë hadith nga Pejgamberi a.s., më e dashur është për mua të hidhem prej qiellit sesa të gënjej ndaj tij. E kur t’ ju tregoj diçka nga tjetërkush, atëherë unë jam luftëtar, e lufta është mashtrim…”.(27) Një tjetër rast që ndërlidhet me këtë, e kemi kur një ushtar është i palës që e lufton Aliun, mirëpo, në të njëjtën kohë, shohim se edhe ai, për interes të vetin, nuk gënjen ndaj Pejgamberit a.s., por vetëm e komenton ndryshe hadithin.“Kur u vra Amar bin Jasiri, Amër bin Hazmi hyri tek Amr bin Asi dhe i tha: Amari është vrarë. E Pejgamberi a.s. ka thënë: Atë kanë për ta vrarë grupi i kryengritësve (rebelistëve)…”. Atëherë Amr bin Asi u ngrit menjëherë duke u kthyer dhe shkoi te Muaviu. Muaviu i tha: Çka ke? Ai tha: Amari është vrarë. Muaviu tha: Amari është vrarë, e çka? Amri tha: E kam dëgjuar Pejgamberin duke thënë”: Atë kanë për ta vrarë grupi i kryengritësve. Muaviu tha: A e kemi mbytur ne, a”? Por, atë e kanë vrarë vërtet Aliu me shokët e tij. E prunë dhe e hodhën në mes të shigjetave tona, ose (tha:) në mes të shpatave tona”.(28)
Këtu shihet se Muaviu nuk gënjeu as nuk përgënjeshtroi askënd, por vetëm e komentoi ndryshe hadithin. Bazuar në këtë, vërtet ashabët, në pamje të përgjithshme të myslimanëve, si për dijetarët ashtu edhe për njerëzit, janë persona me kriter të lartë fetar. Në lidhje me këtë, kemi disa transmetime të ashabëve nga Pejgamberi a.s., ku theksohen lëvdatat e tyre dhe që njerëzit këto hadithe i kishin mirëpritur dhe i kishin pranuar. Disa grupe të devijuarish kishin akuzuar ashabë, dhe sidomos Velid bin Aukben, Abdullah bin ebi Serhin, Muavije bin Eb Sufjanin etj.. Është shumë çudi se nuk gjejmë që nuk gjejmë asnjë hadith autentik, i cili të ndërlidhet me ta e në të të theksohen lëvdatat e tyre. Dhe, sikur ata të ishin prej gënjeshtarëve, do të shpifnin hadithe të cilat, më vonë, do të transmetoheshin nga hadithologët, ngase ata ishin ashabë, dhe në sy të hadithologëve ata gjithashtu ishin të drejtë e me kriter të lartë fetar. Kështu që mosekzistimi i haditheve të vërteta, që theksojnë lëvdatat e tyre, është një argument tjetër i sinqeritetit të tyre. Pra, koncepcioni i ashabëve ishte të mos akuzonin njëri-tjetrin, e si të marrim ne guximin për këso shpifjesh që kanë prapavijë përçarëse shumëdimensionale.
Se kriteri i lartë fetar i ashabëve bie në kundërshtim me natyrshmërinë njerëzore, është diçka e papranueshme. Ky pretendim nuk ka mbështetje e as bazë në realitetin e jetës. Por vetë teza e pretendimit bie në kundërshtim me natyrshmërinë njerëzore.* Kjo sepse ata që pretendojnë këtë hipotezë, injorojnë plotësisht influencën e edukatës (etikës) në shpirtrat e njerëzve. Ata gjithashtu mohojnë ndikimin dhe skalitjen e shpirtrave. E natyrshmëria njerëzore nuk është diçka e ngurtë, decidive dhe e pakapshme. Mirëpo, ne shohim njerëz që, kur janë nën ndikimin e besimit të sinqertë, pastrohen në tërësi nga gjërat e ulëta duke u ngritur dhe duke u afruar me melekët. Po ashtu, edhe të kundërtën, shohim njerëz që, duke kultivuar poshtërsira, zhyten dhe ulen në shkallën e djallit.
Epshi është instinkt natyror thelbësor, ndërsa martesa dhe bashkimi në bashkëshortësi është ligj i Allahut. Ligji islam e lejon shkurorëzimin, kurse Krishterimi nuk e lejon shkurorëzimin përveç në raste të tradhtisë bashkëshortore. Nga ky aspekt, sipas të dhënave, në disa shtete perëndimore dhe të Amerikës, në një mijë raste martesash kemi gjashtëqind e më tepër shkurorëzime. Po të dëshirojmë të njohim zhvillimin dhe llojin e natyrshmërisë njerëzore në këto vende, a duhet marrë, vallë, përqindja e shkurorëzimeve si analogji me natyrshmërinë njerëzore? Unë mendoj se një krahasim i tillë do të ishte gabim fatal. Pra, shprehje natyrshmëri njerëzore është shumëdimensionale. Dhe nuk lejohet që kaq lehtë të bëhen krahasime të gjendjeve shoqërore të një shteti me shtetin tjetër, të një kohe me një kohë tjetër. Nga kjo që thamë më lart, mund të vërtetojmë se nuk lejohet që ashabët të krahasohen me të tjerët, dhe anasjelltas.
Përgjigjja për këtë është si vijon:
1. Ashabët janë vërtet njerëz sikur ne. Ata gabojnë dhe harrojnë. Me kriterin e tyre të lartë fetar, nuk nënkuptohet mohimi i mundësisë për të gabuar dhe as i harresës.
2. Ata ishin vërtet bashkëkohanikë dhe shoqërues të Pejgamberit a.s.. Gjithçka panë e dëgjuan, edhe praktikuan. Ata ishin pasqyrë e vërtetë e traditës së Pejgamberit a.s.. Këtë veçori nuk e patën fat ta kishin edhe gjeneratat e tjera. Pavarësisht nga kjo, ata vazhdimisht uleshin dhe i rikujtonin njëri-tjetrit mësimet e Pejgamberit a.s.. Disa prej tyre ia rikujtonin edhe vetvetes dhe u dukej ashtu sikur lexonin Kur’anin.(29)
3. Suhejbi r.a. thoshte: “Ejani të rrëfej për betejat tona. Mirëpo unë nuk mund të them se ka thënë Pejgamberi a.s.”.(30)
4. Muxhahidi tha: “E kam shoqëruar Ibn Omerin deri në Medinë. Nuk kam dëgjuar nga ai përveç një hadith . Ai tha: “Ishim tek Pejgamberi a.s.,(31) Abdullah bin Zubejri i tha babait të vet: Vërtet unë po dëgjoj nga ti ndonjë hadith të Pejgamberit a.s., ashtu siç tregon filani dhe filani. Ai tha: Sa më përket mua, kurrë nuk jam ndarë nga ai, por e kam dëgjuar atë duke thënë: Kush përgënjeshtron për mua, vetes së tij le t’i përgatisë ulëse të zjarrt”.(32)
5. Ibn ebi Lejla tha: “Kur shkonim te Zejd bin Erkam dhe i thoshim - na trego ndonjë hadith nga Pejgamberi a.s.. Ai thoshte: Vërtet ne jemi moshuar dhe kemi harruar. Ashabi mund të gabojë, të harrojë, sepse ai nuk është i mbrojtur, e të treguarit e hadithit nga Pejgamberi i Allahut është i vështirë”.(33)
6. Enesi r.a. tha: “Vërtet ajo që më pengon mua t’ju tregoj hadithe të shumta, është se Pejgamberi a.s. ka thënë:”Kush përgënjeshtron për mua qëllimisht , le t’i përgatisë vetes ulëse prej zjarri”.(34)
7. Sherehbil bin Es-Samt i tha Ka’bit: “O Ka’b bin Merre, na trego ndonjë hadith nga Pejgamberi a.s. dhe ki kujdes”.(35)
8. Imran bin Husajn i shmangej tregimit të haditheve të shumta, në mënyrë që të mos bënte ndonjë gabim.(36) Aishja r.a. kishte hedhur poshtë transmetimin e Ibn Omerit për sa u përket datave të umres së Pejgamberit a.s..(37) Neveviu tha: “Heshtja e Ibn Omerit ndaj kundërshtimeve të Aishes tregon se ai, ose kishte harruar, ose i ishin ngatërruar, ose dyshonte”. Ibn Haxheri, duke përdorur këtë për argument, tha: “Kjo tregon se ashabi mund të gabojë ose të harrojë, sepse ai nuk është i mbrojtur”.(38) Seid bin el Musejjib kishte hedhur poshtë fjalët e ibn Abbasit se Pejgamberi a.s. e kishte marrë për grua Mejmunen, kur ishte në ihram. Po ashtu Darekutnij kishte përgënjeshtruar (mohuar) fjalët e Rafi el Mezenij, i cili kishte thënë: “E kam parë Pejgamberin a.s. në Minë duke mbajtur hytben hipur në mushkë. Ndërsa të gjithë transmetuesit e tjerë kishin transmetuar se Pejgamberi a.s., ishte hipur në deve. Pastaj Darekutnij tha: E a dobësohet ashabi nga kjo?”.(39) Nga kjo që u tha, shihet qartë se bindja për kriterin e lartë të ashabëve nuk është në kundërshtim me natyrshmërinë njerëzore.
_____________________
27. Musned ibn Hanbel, vëll.1, f. 81.
28. Musned ibn hanbel, vëll: 4, f. 199, Ensabul eshraf, vëll: 1, f. 168.
29. Dirasat fil hadith en-nebevij , f. 329.
30. Ensabul eshraf, vëll: 1, f. 183.
31. Sahihul Buhari, kitabul ilmi, 14.
32. Sahihul Buhari, kitabul ilmi 38.
33. Ibn Maxhe, mukadime, f. 3.
34. El Buhari. El ilmi.38.
35. Ibn maxhe- ikame: 154.
36. Musned bin Hanbel, vëll: 4, f.433.
37. Buhari, el umre.
38. Fet’hul Bari, vëll: 3, f. 202.
39. Ilel ettermidhij, f. 34.