Transmetimi i sahabëve në bazë të kuptimit (2)

 


Hadithet që nuk transmetohen në bazë të kuptimit


Hadithologët dhe dijetarët e tjerë janë unikë se ekziston një grup hadithesh që duhet të transmetohen vetëm sipas shprehjeve të tyre, pa bërë ndryshime ose zëvendësime, paraprirje ose vonim të fjalëve.
Historiku i transmetimeve tregon se sahabët i janë përkushtuar mjaft mirë transmetimit tekstual (shkronjë për shkronjë) ashtu siç i kanë dëgjuar shprehjet nga Profeti s.a.v.s. Një transmetim tekstualisht i haditheve ka vazhduar derisa është bërë kodifikimi i tyre në koleksionet e hadithit, tashmë të njohura për opinionin islam. Këto lloj hadithesh mund t'i përkufizojmë në tri tematika:
Tematika e parë: Shprehjet e haditheve teksti i të cilave përmban një prej Cilësive të Allahut xh.sh. ose ndonjë prej Emrave të Tij. Transmetuesit nuk i lejohet t'i përpilojë këto me shprehje nga vetja. Në këtë konotacion hyn gjithçka që jemi informuar nga Allahu xh.sh. se Ai është:
"që dëgjon dhe sheh gjithçka, Ai është i urtë, i gjithëdijshëm, i gjallë, i vetëmbajtur, më i madhi, më i larti."
Sepse të gjitha Cilësitë dhe Emrat e Tij, sipas mendimit të Ehlu Sunetit, janë çështje të prera nga Allahu xh.sh., të cilat merren vetëm ashtu siç na informon Kurani dhe Syneti. Për logjikën, mendjen dhe angazhimin nuk ka fare hapësirë në çështjet që ndërlidhen me Qenien e Allahut xh.sh. dhe Atributet e Tij.
Tematika e dytë: Shprehjet e haditheve të strukturuara nga fjalët e pakta e përmbledhëse, të cilat, edhe pse figurativisht janë të shkurtra, në konotacionin e tyre ekziston saktësi e shprehjeve dhe janë kuptimplota.
Këto hadithe shquhen nga emërtimi hadithe me fjalë shumë përmbajtëse.
Këto fjalë janë veçori me të cilat Allahu xh.sh. e ka nderuar e frymëzuar dhe mirësuar Profetin s.a.v.s. mbi të gjithe profetët e tjerë. Në kontekst me këtë kemi hadithin e regjistruar në Sahihun e Muslimit, i transmetuar nga Ebu Hurejra, se Profeti s.a.v.s. ka thënë:
"Me gjashtë çështje jam mbivlerësuar nga Profetët (e tjerë): "Mua më është dhënë fjala shumë përmbajtjesore..."(1)
Dijetarët thonë se, sipas mendimit dominues, edhe Kurani edhe hadithi kanë konotacion të këtyre fjalëve. Vlen të theksojmë disa prej haditheve që janë me fjalë shumë përmbajtjesore (universale):
"Vërtet veprat çmohen vetëm sipas qëllimit."
"Mysliman është ai prej gjuhës dhe dorës së të cilit myslimanët janë të shpëtuar. Ndërsa muhaxhir (emigrant) është ai që ka braktisur atë që Allahu e ka ndaluar."
"Nuk i duhet bërë dëm as vetes e as tjetrit”(2)
"Ai që shpik në çështjen (fenë) tonë diçka që nuk është e saj, ajo është e refuzuar."(3)
"Nga Islami (virtyti) i mirë i njeriut është largimi i tij nga ajo që nuk i intereson."(4)
Arsyeja e obligimit të transmetimit të këtyre haditheve me shprehje identike, ashtu siç janë thënë, dhe ndalimi i transmetimit të tyre në bazë të kuptimit, bëhen për dy shkaqe:
1. Kujdesi dhe ruajtja e retorikës frymëzuese (shpirtërore) nga ndryshimi dhe zëvendësimi. Nëse e transmetojmë në bazë të kuptimit, hadithi humb karakteristikën e tij të saktësisë dhe përsosmërisë.
2. Shprehjet e hadithit janë të pakta, sa që memorizimi i tyre është çështje e lehtë dhe e shpejtë. Atëherë nuk ka nevojë të domosdoshme të transmetohet në bazë të kuptimit.


Tematika e tretë: Shprehjet e hadithit që kanë kuptim në vetvete dhe me të kujtuar ato, kryhet adhurimi. Nën ombrellën e tyre radhiten shumë çështje. Ndër to janë shprehjet e lutjeve që Profeti s.a.v.s. ua kishte mësuar bashkëkohanikëve të tij në raste të ndryshme. Është obligim për atë që I përulet Allahut xh.sh., që t'i thotë ato me shprehjet identike të plota, duke ruajtur me këtë fshehtësinë e përmbajtjes, duke qenë se vetë Profeti s.a.v.s. i kishte zgjedhur për lutje, si dhe duke konsideruar me to afrimin tek Allahu dhe shpresën e pranimit të tyre.
Prej këtyre shprehjeve që kanë kuptim dhe synim në veten e tyre, janë shprehjet e përmendjes siç janë: - Allahu është i pastër prej çdo mangësie; - Falënderimi I takon vetëm Allahut;
- Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Allahu është më i Madhi; - Nuk ka ndryshim të gjendjes e as fuqi, pa ndihmën e Allahut; - O Zoti im, Të lutem me anë të kënaqësisë Sate të më ruash nga hidhërimi Yt;
- O Zoti im, Zot i të shtatë qiejve dhe Zot i Arshit të madh, Zoti ynë dhe Zoti i çdo sendi, zbërthyes i farës (i kokrrës së saj) dhe i bërthamës (së pemës)...
Këto shprehje dhe shumë të tjera është obligim për besimtarin që t'i thotë tekstualisht (shkronjë për shkronjë), pa- varësisht a gjendet brenda namazit apo jashtë tij. Në këtë pikëpamje kemi shumë transmetime që tregojnë për saktësinë e tyre në shprehje gjatë gjithë shekujve.
Prej shembujve ilustrues, që tregojnë në mënyrë të qartë se shprehjet që përmbajnë adhurim, tek ne janë transmetuar plotësisht shkronjë për shkronjë, ashtu siç janë dëgjuar prej Profetit s.a.v.s., kemi shprehjet e ezanit dhe të ikametit, dhe shprehjet e lutjes për haxh. Myslimanët në tërësi, në Lindje e Perëndim, përgjatë gjithë shekujve, ezanin dhe ikametin i kanë shqiptuar me të njëjtat shprehje. Po ashtu edhe sot haxhinjtë e nacionalitete- ve dhe të racave të ndryshme, të cilët udhëtojnë nga viset e largëta për në Qa- be, vazhdimisht ftesën e haxhit e shqiptojnë me të njëjtat shprehje.
Prej shprehjeve që duhen transmetuar tekstualisht shkronjë për shkronjë dhe që Profeti s.a.v.s. personalisht ua mësonte bashkëkohanikëve të tij, janë shprehjet përshëndetëse në uljen e parë të namazit, për arsye se këto shprehje kanë kuptim dhe synim në veten e tyre dhe me thënien e tyre kryhet adhurimi.
S'ka fare dyshim se sahabët shprehjet e teshehudit i kishin memorizuar me përkushtim të plotë dhe i kishin transmetuar në formën më të duhur. Këtë e kishin bërë të shtyrë nga obligimi që ndienin për memorizimin dhe transmetimin e tyre. Në të njëjtën kohë, obligimi ndaj këtyre shprehjeve bie mbi të gjithë myslimanët, që t'i shqiptojnë tekstualisht gjatë çdo namazi.
Vlen të theksohet se shprehjet e teshehudit kanë ardhur në forma dhe trajta të shumta. Nga Profeti s.a.v.s. i kanë transmetuar një numër i konsiderueshëm sahabësh, duke filluar nga Ibn Mes'udi, Omeri, Ibn Abasi, Aliu, Aishja, Ebu Musa El-Eshariju, Muaviju, Semrete, Ene- si, Ebu Hurejra, dhe Ibn Omeri ra. Në vijim do të sjellim tre teshehude, për të cilët dijetarët mendojnë se janë trajtat dhe format më të sakta të teshehudit.
Forma e parë e teshehudit, e transmetuar nga Ibn Mes'udi r.a., i cili thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. ma ka mësuar te shehudin duke vendosur duart e mia në duart e tij, ashtu siç më mësonte mua ndonjë sure prej Kuranit:
"Përshëndetjet, lutjet dhe të gjitha mirësitë I takojnë Allahut. Le të jetë paqja mbi ty, o Pejgamber, paqja le të jetë mbi të gjithë ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe vër- tet Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij."(5)
Këtë hadith e kanë regjistruar Buhariu, Muslimi, autorët e katër Suneneve. Për këtë Termidhiu tha: "Ky është hadithi më i saktë i teshehudeve." Ebu Bekr El-Bezari tha: "Hadithi i Ibn Mes'udit është transmetuar nga njëzet e më shumë rrugë transmetimesh."
Këtë teshehud për argument e kanë marrë shumica absolute e sahabëve, ta- bi'inëve dhe tabitabi'inëve. Në mesin e tyre janë edhe Ebu Hanife dhe Ahmed bin Hambeli.
Forma e dytë e teshehudit, e transmetuar nga Omeri r.a.:
"Përshëndetjet I takojnë vetëm Allahut. Po ashtu pastërtitë, mirësitë, lutjet I takojnë vetëm Allahut...". Pastaj përmendi shprehjet e tjera, të cilat nuk kanë dallim nga shprehjet e teshehudit të Ibn Mes'udit. Teshehudin e Omerit e kanë regjistruar Maliku në Muveta, El-Hakimi në El-Mustedrek, El-Bejhekij në Es-Sunen El-Kubra. Këtë teshehud për argument e kishte zgjedhur Imam Maliku ngase Omeri ua kishte mësuar njerëzve nga minberi i Resulullahut dhe askush nga të pranishmit nuk e kishte kundërshtuar. E në mesin e tyre ndodheshin një numër i madh sahabësh. Ai pëlqimin e tyre ndaj Omerit e kishte konsideruar si argument vërtetues për këtë teshehud.


Forma e tretë e teshehudit, e trans- metuar nga Ibn Abasi r.a.:
"Përshëndetjet, begatitë, lutjet dhe mirësitë I takojnë vetëm Allahut ..."(6)
Ndërsa shprehjet e tjera nuk dallojnë nga teshehudi i Ibn Mes'udit dhe Omerit r.a. Këtë teshehud e kanë regjistruar Muslimi, autorët e katër Suneneve dhe Shafiu në Musnedin e tij.
Këtë teshehud e kishte zgjedhur për argument Shafiu, për arsye se përmbante shtim fjalësh që ngërthejnë begati dhe mirësi.
Pavarësisht prej rrugëve të këtyre teshehudeve, të cilat karakterizohen nga saktësia dhe fuqia argumentuese, s'ka dyshim se ai që mediton për metodologjinë e Profetit s.a.v.s. në arsimimin e sahabëve, në bartjen dhe transmetimin e haditheve, arrin në përfundimin se vërtet Profeti s.a.v.s. ishte shprehur me shpre je të ndryshme dhe vërtet sahabët i kishin transmetuar këto shprehje në mënyrë tekstuale, shkronjë për shkronjë. Pra, atë teshehud që Profeti s.a.v.s. ia mësonte ndonjërit prej sahabëve, nuk ia mësonte edhe tjetrit. Secilit prej sahabëve mësonte nga një formë tjetër të teshehudit. Kjo metodologji ishte e ngjashme me atë të Kuranit. Profeti s.a.v.s. ndonjërit prej sahabëve Kuranin ia mësonte në një dialekt, ndërsa ndonjërit ia mësonte në një dialekt tjetër nga shtatë dialektet bazë.


Polemika e kundërshtarëve të transmetimit në bazë të kuptimit


Disa dijetarë kanë kundërshtuar dhe kanë paraqitur dilema rreth transmetimit të haditheve në bazë të kuptimit. Në vijim do të paraqesim disa prej dilemave dhe kundërshtimeve të tyre.
1. Këta dijetarë kundërshtuan lejimin transmetimeve nga kuptimi duke u bazuar në hadithin që ka regjistruar Buhariu nga El-Bera bin Azibi r.a., se Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Kur të flesh, në mes të tjerash thuaj:
"O Zoti im, unë kam besuar librin Tënd, të cilin e ke zbritur, Profetin tënd, të cilin e ke dërguar." Ai tha: “Nëse vdes në atë natë, ti ke vdekur në Islam dhe ato lutje (fjalë) le të jenë fjalët e tua të fundit." El-Berau tha: “Pastaj këtë lutje e kam përsëritur para Profetit s.a.v.s., mirëpo në vend të fjalëve - "Nebijjike", unë thashë fjalën - "Resulike", e Profeti s.a.v.s. tha: "Jo ashtu, por thuaj "Nebijjike".
Këta dijetarë që kundërshtojnë transmetimin nga kuptimi, thanë: "Sikur një gjë e tillë të ishte e lejuar, Profeti s.a.v.s. nuk do ta kundërshtonte El-Beraun, kur në vend të fjalës "En-Nebij - Lajmëtar" tha "Err-Rresul - i Dërguar", kur dihet fakti se Profeti s.a.v.s. ishte edhe Nebij edhe Resul dhe nocioni Resul plotësisht i përgjigjet fjalës Nebij në aspektin kup- timor. E, kundërshtimi i Profetit s.a.v.s. ndaj El-Beraut tregon më së miri për ndalimin e transmetimit kuptimor."(7)
Këtë mendim e refuzojmë duke iu kundërvënë se vërtet shprehjet e hadithit të lartpërmendur janë prej shprehjeve të kategorisë së lutjeve, për të cilat dijetarët nuk kanë dilemë fare se nuk duhet të transmetohen në bazë të kuptimit. Pra, nuk është për t'u çuditur qëndrimi i Pro- fetit s.a.v.s. ndaj El-Beraut.
Dijetarëve që kanë këtë mendim, u themi se pozicioni i Profetit s.a.v.s. dhe i El-Beraut ka qenë pozicion i përsëritjes së fjalëve, e në përsëritje patjetër nxënë si duhet të pasojë plotësisht arsimtarin e tij. Për këtë arsye, Profeti s.a.v.s. ia ter- hoqi vërejtjen El-Beraut për ndryshimin e fjalës gjatë transmetimit.
2. Kundërshtarët e lejimit të transmetimit të hadithit në bazë të kuptimit, për argument morën edhe lutjen e Profetit s.a.v.s. për ndriçimin e fytyrës për personin që e transmeton hadithin ashtu siç e kishte dëgjuar. Këtë e ka regjistruar Termidhiu nga Zejd bin Thabiti, se Profeti s.a.v.s. ka thënë:
"Allahu e ndriçoftë fytyrën e personit që nga ne e ka dëgjuar hadithin dhe e ka memorizuar atë, sa kohë që ia ka komunikuar edhe tjetrit..."(8)
Ata thanë se Profeti s.a.v.s. është lutur për personin që e transmeton hadithin ashtu siç e ka dëgjuar, ndërsa ai që e transmeton hadithin në bazë të kuptimit, e ka transmetuar ashtu siç e ka kuptuar e jo siç e ka dëgjuar.
Këtij mendimi i kundërvihemi me fjalët se vërtet kuptimi i hadithit dhe domethënia e tij është e ndërlidhur më te për me anën kuptimore sesa me anën tekstuale. Qëllimi me fjalën e Profetit s.a.v.s. - "E ka transmetuar ashtu siç e ka dëgjuar" thjesht është vetëm lutje për atë që e ka transmetuar tekstualisht, nga se ai ka bërë një vepër më të mirë dhe më parësore, e nuk ka për qëllim ta thek- sojë si argument për ndalimin e transmetimit në bazë kuptimore.
3. Këta dijetarë e kundërshtuan transmetimin në bazë të kuptimit, për arsye se në të mund të gabohet. E ne gabimin nuk duhet ta mbajmë në veten tonë, por duhet ta pengojmë dhe ta largojmë nga hadithet e Profetit s.a.v.s., që të mos shpifim fjalë të cilat ai nuk i ka thënë.”(9)
Këtij mendimi i kundërvihemi se vërtet gabimi i mundshëm në transmetimin kuptimor dhe në çdo fjalë apo vepër, është çështje e ndaluar fetarisht, por mundësia për të gabuar nuk mund të shërbejë si pretekst për t'u ndaluar transmetimi në bazë të kuptimit ose për diçka tjetër.
4. Gjithashtu dijetarët që ndaluan transmetimin nga kuptimi, mendonin se vazhdimësia e transmetimit kuptimor të hadithit nëpër gjenerata të njëpasnjëshme shpie në krijimin e ndryshimeve, të cilat më pas e humbin edhe kuptimin e hadithit origjinal te gjeneratat e mëvonshme.
Këtij mendimi i përgjigjemi se në transmetimin kuptimor kushtëzohet që transmetuesi të jetë fekih dhe dijetar i vendimeve të Sheriatit, i normave gjuhësore, në mënyrë që kuptimin e origjinalit ta transmetojë pa shtuar dhe munguar në të.(10)
Më tepër se kaq mund të themi se transmetimi kuptimor i haditheve nuk ka zgjatur gjeneratë pas gjenerate, por është kufizuar në shekullin e parë të hixhrit, atëherë kur ndodhi tubimi, koleksionimi dhe shumëzimi i haditheve. Pas kësaj, dijetarët ishin unikë për sa i përket lirisë së transmetimit në bazë të kuptimit, për arsye se sfidat dhe peripecitë ishin tejkaluar me kohë, pas kodifikimit të haditheve. Nëse një shprehje e hadithit harrohej, ajo shprehje mund të përmirësohej nga hadithet e shkruara.
Pas kodifikimit dhe koleksionimit të haditheve nëpër libra, publikimit dhe shpërndarjes së tyre, Ymeti islam shkarkoi një barrë të rëndë nga supet e veta. Ajo barrë shoqërohej nga nxënia përmendsh e haditheve, transmetimi dhe përsëritja e tyre. Dihet fort mirë se më parë mbështetja kryesore e njerëzve ishte në memorizimin e haditheve që gjendeshin në mendjet e njerëzve.
Bazuar në këto, themi se është obligim që nxjerrja e haditheve të bëhet nga koleksionet (librat bazë të haditheve), duke e bartur shkronjë për shkronjë, shprehje për shprehje, ashtu siç është shkruar në libër. Sot kjo formë e nxjerrjes së haditheve nga librat nuk është e vështirë, saqë ta shtyjë hadithologun apo studiuesin që të zëvendësojë një fjalë me një fjalë tjetër, një nocion me një nocion tjetër, pavarësisht në kanë përputhshmëri të plotë kuptimore apo jo. 
Pra, pas shkrimit, kodifikimit dhe koleksionimit të haditheve në libra, nuk lejohet transmetimi dhe bartja e haditheve në bazë të kuptimit, ngase sot bibliotekat tona janë të stërmbushura me libra të  hadithit.


______________________
Fusnotat:
1. Sahihu Muslim, "Kitabul mesaxhid", vëll.1, fq.370.
2. Sunen Ibn Maxhe, "Kitabul Ahkami", vëll.2, fq.784.
3. Sahihul Buhari, vëll.5, fq.301, nr.2697.
4. Sunen Et-Termidhij, "Kitabuz Zuhdi”, vëll.3, fq.382, nr.2319.
5. Sahihu Muslim, "Kitabus Salati", vëll.4, fq.118. 
6. Po aty, vëll.4, fq.118.
7. Fet'hul Bari, Ibn Haxher, vëll.13, fq.358. 
8. Sunen Et-Termidhij. "Kitabul ilmi", vëll.1, fq.125.
9. Fet'hul Bari, Ibn Haxher, vëll.1, fq.211. 
10. Mukadime ulumil hadith, Ibn Salah, fq.106.


 


Dituria islame  222


Artikulli i kaluar
Pasojat e kamatës

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi