Paraqitja e vulës së fundit të profetëve zhvendosi vëmendjen e njerëzimit duke krijuar një kod të ri moral dhe një shpresë të mirëfilltë për jetën e njerëzimit. Ai gjatë jetës së tij u përpoq dhe mbolli vazhdimisht vlerat njerëzore, si butësia, dashuria, respekti, toleranca, respekti ndaj prindërve, dashuria dhe mirësjellja ndaj jetimit, dhembshuria ndaj shtresës së varfër dhe miskinëve etj.. Krahas kësaj, dërgimi i tij është mëshirë për të gjithë njerëzimin. 
Çdo shfletim i sirës së Pejgamberit a.s. na rrëfen se ai ishte njeri i përsosur nga morali, sjelljet me të tjerë dhe këto virtyte ishin prej shenjave të pejgamberllëkut të tij. Edhe Allahu e ka lavdëruar në Kur’an: “Vërtet ti je në piedestalin më të lart të moralit”. (El-Kalem, 9). 
Rahmeti ishte nga atributet më të çmuara të personalitetit të tij, pra kjo vlerë përfshinte të rriturit e të vegjlit, besimtarët e pabesimtarët, të lirët dhe robërit, për se vuri rregulla, me të cilat garantoi dhe i nxiti shokët e tij për t’i liruar skllevërit, që edhe ata të jetonin të lirë si gjithë të tjerët. Bile, lirimi i skllevërve ishte përplasja më e madhe që u bë ndërmjet kampit të Muhamedit a.s. dhe kampit të kurejshitëve që s’donin të përqafonin këtë vlerë të mëshirës. Thirrja e tij shembi çdo mur a pengesë shoqërore në mes skllevërve dhe zotërinjve, barazoi shoqërinë, hoqi kastat dhe mbolli vlerën se Allahu nuk shikon ngjyrën as prejardhjen, veçse shikon takvallëkun (devotshmërinë) në zemrën e secilit njeri. Bile Aliu r.a. transmeton se, edhe në momentin e vdekjes, Muhamedi a.s. porositi që ta ruajmë kohën e namazit (të mos e lëmë atë) si dhe të kemi frikë Allahun në sjelljet tona ndaj robërve. (Ahmedi). 
Butësia e tij ndaj robërve apo shërbëtorëve arrin deri në atë masë, saqë pati ndaluar që të obligonim me punë ata që nuk janë në gjendje t’i përballojnë ato, ose edhe të lutemi kundër tyre.” Mos i rëndoni ata (robërit apo shërbëtorët) por, nëse i obligoni të kryejnë ndonjë punë, ndihmojuni. (Buhariu). Kurse Xhabir bin Abdullah r.a. thotë se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mos u lutni kundër vetvetes, as kundër fëmijëve tuaj, as kundër shërbëtorëve tuaj, as kundër pasurisë suaj…” (Ebu Davudi). Kurse në një hadith tjetër, që po ashtu e transmeton Ebu Davudi, një njeri kishte ardhur tek Muhamedi a.s. dhe e kishte pyetur dy herë se sa jemi të obliguar që t’i falim shërbëtorët tanë. Pejgamberi a.s. më pas, të tretën herë iu përgjigj: Fale atë 70 herë për çdo ditë”. 
Enesi r.a. i ka shërbyer Pejgamberit a.s. dhjetë vjet, por asnjëherë nuk ka dëgjuar nga goja e tij të shara, as të ketë thënë ‘of’, e as ta ketë qortuar për një punë që e kishte bërë apo për ndonjë që nuk e kishte bërë. Dhe këto fjalë që i thotë një shërbëtor për zotërinë e tij, janë të sakta, e sidomos nga një njeri siç ishte Enesi r.a., pasi ai nga Profeti a.s. ka transmetuar me mijëra hadithe, dhe ishte sikur hije për të. Poashtu, Aishja r.a. transmeton se Muhamedi a.s., nuk kishte rrahur kurrnjëherë asnjë shërbëtor dhe asnjë grua”. (Ebu Davudi). 
Këto sjellje kanë lënë gjurmë të thella dhe të pashlyera tek shërbëtorët që ishin të lidhur me të. Ai arriti të robëronte zemrat e tyre, zotëroi ndjenjat e tyre. Mjafton të sjellim këtu shembullin e Zejd bin Harithit r.a. (shërbëtorit të tij), i cili jetoi në shtëpinë e Muhamedit a.s., duke i shërbyer dhe duke u kujdesur për punët shtëpiake, derisa babai i tij, posa kishte dëgjuar për këtë gjë, ishte drejtuar atje me vrap dhe kishte kërkuar nga Muhamedi a.s. për t’ia kthyer të birin. Në atë çast Profeti kishte shikuar nga Zejdi dhe i paskësh thënë: Nëse dëshiron, mund të rrish tek unë, por nëse do, shko me babanë tënd. Ai kishte zgjedhur të qëndronte me Muhamedin a.s. (Et Taberani). 
Pra, sjellja e mirë e Profetit ndaj tij, kishte bërë që ai të pranonte të vazhdonte e të qëndronte tek profeti si shërbëtor e jo të shkonte me babanë e vet e të jetonte i lirë.
Horizontet e rahmetit të tij, a.s., mbushën siren dhe jetën e tij, po edhe thirrja e tij. Ai mëshiroi të vogël e të madh, të afërm e të largët, gra e të pafuqishëm, jetimin e fukarain, shërbëtorët e robërit, jo vetëm njerëzit po edhe kafshët e sendet. Pra, mesazhi i tij ishte vërtet mirësi dhe bardhësi për të gjithë njerëzit.”E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat. (El-Enbija, 107). 
Nuk mund ta lavdërojmë këtë personalitet, sepse fjalët tona janë shumë të varfra në krahasim me veprën dhe lëvdatën që i bëri Allahu në Kur’an. Allahu në Kur’anin fisnik thotë: “Besoni Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që Ai u bëri trashëgues në të, se ata që besuan prej jush, dhanë për hir të Zotit, ata kanë shpërblim të madh. Ç’keni ju që nuk i besoni Allahut, kur i dërguari i Tij ju thërret t’i besoni Zotit tuaj dhe kur Ai ka marrë besën tuaj, nëse jeni besimtarë (o sot o kurrë). Ai robit të vet i shpall argumente të qarta për t’ju nxjerrë ju prej errësirave në dritë. E, s’ka dyshim se Allahu është i butë e i mëshirshëm ndaj jush. E, ç’keni ju që nuk jepni për rrugën e Allahut, kur dihet se Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe Toka? Nuk janë të barabartë prej jush ata që dhanë nga pasuria e tyre dhe luftuan para çlirimit, sepse të tillët kanë vlerë të madhe nga ata që dhanë dhe luftuan pas. Por të gjithëve Allahu u premtoi të mirat; Allahu di ç’punoni. Kush është ai që i huazon Allahut një hua të mirë e që Ai t’ia shumëfishojë atë dhe ai ka një shpërblim të mirë. (Kujto) Ditën kur i sheh besimtarët dhe besimtaret që drita e tyre flakëron para tyre dhe në të djathtë të tyre. (U thuhet) Myzhde e juaj sot janë Xhenetet nën të cilat rrjedhin lumenj, aty do të jeni përgjithmonë. E ajo është fitore e madhe”. (El-Hadidë: 7-12). 



Dituria Islame 248


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi