"Edhe kur Ibrahimi e Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabesë)- luteshin: "Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di! Zoti ynë, na bëj ne të dy besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje, na i mëso rregullat e ibadetit (adhurimit) tonë dhe falna ne, vërtet Ti je që fal, je mëshirues! Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre të dërguar që t'u lexojë atyre ajetet e Tua, t'u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t'i pastrojë (prej ndytësisë së idhujtarisë). S'ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi i dijshmi".(1)
Nga këto ajete kuranore kuptojmë se Ibrahimi a.s. kishte dëshirë dhe ishte lutur që pasardhësit e Ibrahimit dhe të Ismailit a.s. të ishin myslimanët dhe t'i nënshtroheshin Allahut xh.sh. dhe që pasardhësit e tyre të bëheshin të udhëzuar në rrugë të drejtë, në të cilën do t'i thërriste pejgamberi nga mesi i tyre, i cili do t'u lexonte ajetet e Allahut xh.sh., do t'ua mësonte Kuranin dhe urtësinë e tij, me se ata do të pastroheshin shpirtërisht.
Pas disa mijëra vjetësh, në natën e Regaibit Allahu xh.sh. vendosi të krijonte në embrion Muhamedin a.s. në tri errësirat e padukshme, dhe kështu i përgjigjet duasë së Ibrahimit a.s., siç e përshkruan Kurani famëlartë: "Juve ju erdhi i dërguari nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët. Po, nëse ata refuzojnë (atë që ua sjell), atëherë thuaj: "Alllahu është për mua mjaft, s'ka të adhuruar përveç Tij, vetëm tek Ai jam mbështetur, e Ai është Zot i arshit të madh!".(2)
Kjo ëndërr disamijëravjeçare, kjo dëshirë dhe kjo nevojë, për mbarë njerëzimin filloi të realizohej kur në pranverën e vitit 571, në Mekë shkëlqeu një yll i ndritshëm, i cili, me rrezet e tij, jo vetëm që mbuloi pallatet e Shamit, por depërtoi në mbarë rruzullin tokësor, që natyra në heshtjen e saj të zakonshme e priste me padurim dukjen e këtij shpirti reformator, të asaj pranvere përplot shpresa, dhe ringjalljen e një jete të re mbi tokën e vdekur të idhujtarisë dhe të imoralitetit.
Lindi i dërguari i Allahut xh.sh., Muhamedi a.s., i cili rrjedh nga një prej shtëpive më të ndershme të Mekës, nga një prej familjeve më autoritative, prej familjes së Hashimit, të birit të Abdul Menafit. Erdhi i dërguari i Allahut xh.sh., Muhamedi a.s., i cili, së bashku me ashabët e vet, i dhanë fund injorancës përmes paraqitjes së të vërtetës islame, mbi bazat e së cilës u themelua shteti islam, i cili mori përsipër përhap- jen e Shpalljes islame në katër anët e botës.
Me dëshirën e Allahut xh.sh., Muhamedi a.s. do të bëhej i dërguar për mbarë njerëzimin. Me personalitetin e tij sublim, me moralin e tij të lartë, me drejtë sinë e tij, me fisnikërinë e tij dhe me durimin që e shquante, ai do të bëhet shëmbëlltyrë për të gjithë njerëzit në botë. Allahu i Lartmadhëruar në Kuranin famëlartë, thotë: "Ju keni shembull të mrekullueshëm në profetin e Allahut".(3)
Për herë të parë revelata kishte filluar të zbriste në vitin 610, kur Muhamedi a.s. ishte afër të dyzetave. Kjo shpallje hyjnore i ofroi botës njohuri dhe ide të reja dhe të plota për njohjen më të lehtë të Krijuesit të gjithësisë, pasi simbol dhe imperativ të parë kishte fjalën “Ikre", që domethënë “lexo, mëso, studio”.
Vlera dhe rëndësia e veprimtarisë së Pejgamberit a.s., të këtij jetimi dhe biri shkretëtire, të cilit iu hap rruga e dijes për ta njohur të vërtetën e Fuqisë së Zotit, nuk mund të kuptohet pa njohur paraprakisht në plotëni rrethanat e asaj kohe, kur përçarjet e fiseve arabe, politeizmi, barbarizmat dhe urrejtjet e pamëshirshme ndaj femrave, ishin të pranishme në masë të madhe.
Pejgamberi a.s. ishte një njeri i cili kishte jetuar në mesin e idhujtarëve. Ai ishte njeri sikur edhe të tjerët, por ishte i inspiruar nga Allahu xh.sh. dhe fjala e tij nuk ishte vetëm një zë në shkretëtirë, veçse ishte një mesazh i fuqishëm, që u përhap në shumë pjesë të botës, dhe e ndiejnë në zemrat e tyre edhe sot e kësaj dite qindra miliona njerëz.
Muhamedi a.s. ishte ai që pastroi Arabinë nga veset e këqija, nga amoraliteti, nga alkooli, nga skllavëria, nga urrejtja, duke i bashkuar fiset rivale, në konflikte midis tyre, në një vëllazërim të përgjithshëm nën flamurin e dinit islam dhe të Sheriatit të tij, i cili thjeshtësoi mënyrën e jetës, duke kultivuar pastërtinë në besim, drejtësinë dhe realitetin në çdo pore të jetës, në mënyrë të përsosur teorike e praktike, dhe i cili barazoi të drejtat e privilegjet e burrit e gruas.
Jeta dhe edukimi i Muhamedit a.s. në këtë mënyrë, rrugëtimi i tij i pastër para zbritjes së Shpalljes dhe pas saj, pajisja e tij me cilësi aq të larta morali, paralajmëroi se ai njeri do të ishte bartës i vulës së të gjithë të dërguarve dhe udhërrëfyes për mbarë njerëzimin. Për cilësitë e larta të moralit të tij, Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Në të vërtetë, ti posedon shkallë të lartë të moralit".(4)
Edhe pse Muhamedi a.s. kishte lindur jetim, i varfër dhe i pakrah, ai ndërroi jetë si një njeri i pakrahasueshëm dhe me autoritet të madh në mbarë njerëzimin.
Në mes këtyre dy ekstremeve, atij iu desh të kalonte nëpër etapa të ndryshme të jetës. Jetëshkrimi i tij na tregon dhe na dëshmon se në të gjitha kushtet ai ishte njësoj, i drejtë dhe i pandryshueshëm. Tek ai nuk mund të gjejmë dallim në mes Muhamedit "jetim" dhe atij Muhamedit që më vonë u bë udhëheqës i shtetit dhe personalitet sublim për mbarë botën. Përulja, thjeshtësia dhe shenjtëria e karakterizuan atë në çdo veprim të jetës.
Muhamedia.s. ishte shok besnik, mik i sinqertë, tolerant ndaj pjesëtarëve të besimeve të tjera, udhëheqës fitimtar e, mbi të gjitha, njeri i praktikës dhe zotëri me kuptimin e plotë të fjalës. Ai ngjallte respekt dhe admirim edhe në mendjen dhe zemrën e armiqve më të ashpër të tij. Ai ishte i vetmi udhëheqës shpirtëror shembull, që gjithçka që u mësonte të tjerëve, e zbatonte edhe vetë. Muhamedi a.s. ishte edhe udhëheqës edhe zbatues modest, ishte komandant dhe ushtar. Prandaj është e natyrshme që të përfillet dhe të respektohet një udhëheqës i tillë, i cili gjithnjë qëndronte në mesin e njerëzve. Ata që janë mbinjerëzorë, nuk mund të jenë shembull për ne.
Në saje të këtyre sjelljeve të buta të Pejgamberit a.s., feja islame solli një revulucion të mbështetur në moral dhe në kuptimin e jetës. Islami formoi dhe afroi në gjirin e vet grupe idealistësh të sakrificës, të pajisur me tolerancë, të cilët posedonin një revolucion të brendshëm në ndërgjegjen e tyre, duke qenë kundër lakmisë, kundër padrejtësisë shoqërore dhe me ide shumë fisnike, nga të cilat njerëzimi ka nxjerrë përfitime të mëdha.
Prandaj, ata që mundohen t'i shpifin Islamit elemente prapambetjeje, janë ose të padijshëm, ose të njëanshëm dhe shikojnë nga paragjykimet dhe urrejtja, e s'kanë fuqi ta pranojnë forcën reale shpirtërore të Islamit, e cila ka dhënë aq shumë kontribut si në shkencë, ashtu dhe në filozofi.
Sikur të mos bazohej Profeti a.s. në devotshmëri, në sinqeritet, në karakterin dhe zellin e çeliktë për zhdukjen e padrejtësisë e të injorancës, feja islame nuk do të kishte një shtrirje aq të shpejtë, të gjerë dhe një influencë aq depërtuese e të pavdekshme.
Muhamedia.s. ishte ai që kaloi vetëm një jetë njeriu, po që, me Shpalljen e tij nga Zoti, bota pa një revolucion në moral, që edhe në ditën e sotme ka vlerën e tij të çmuar. Ishte pra ky personaliteti sublim madhor i Pejgamberit a.s., i cili ua kaloi të gjithëve vetëm pse ishte i pajisur me fuqinë hyjnore dhe me cilësitë e durimit e të tolerancës.
Bazuar në gjithë këto fakte, që burim kanë ajetet kuranore dhe Synetin e jetëshkrimin e Pejgamberit a.s., mund të themi se gjithë veprimtaria e Muhamedit a.s. ishte zhvilluar me urtësi dhe në mënyrë vullnetare e paqësore, pa dhunë e imponime.
Me gjithë përpjekjet e arabëve mekas që të pengonin Pejgamberin a.s. dhe përkrahësit e tij që të mos përhapnin Islamin, duke insistuar që të shuanin nurin e Allahut xh.sh. nëpërmjet sjelljesh injorante të tyre, dhe me gjithë dështimet e tyre në këtë rrugë, prapëseprapë Pejgamberi a.s. ndiente dhimbje në zemrën e tij të pastër për popullin e vet.
Pejgamberi a.s. ndjente dhimbje për popullin e vet, sepse e dinte që populli i tij ishte në rrugë të gabuar dhe në humbje të sigurt. Prandaj, nga dhimbja që kishte për ta, ai mundohej me çdo kusht t'i shpëtonte nga dënimi në Xhehenem dhe t'ua kthente dinjitetin dhe lumturinë e përjetshme të kësaj bote dhe të botës tjetër.
Me gjithë dhimbjen që ndiente Muhamedi a.s. për pjesëtarët e popullit të vet, Allahu xh.sh. ia bëri të qartë Pejgamberit a.s. se ai ka për obligim vetëm komunikimin e Shpalljes, kurse udhëzimi dhe shpërblimi ishte në dorë të Allahut xh.sh.. Në lidhje me këtë, Allahu i Lartmadhëruar në Kuran thotë: "Andaj ti (Muhamed) mos e shkatërro veten me dëshpërim për ta, Allahu e di shumë mirë atë që bëjnë ata".(5)Dhe në ajetin tjetër: "A thua ti do të shkatërrosh veten nga hidhërimi pas tyre, nëse ata nuk i besojnë këtij ligjërimi".(6)
Dihet se në zhvillimet e para të Islamit Muhamedi a.s. shpeshherë vihej në situata të rënda shpirtërore për krizën që kishte kapluar farefisin e tij. Këto shqetësime, lodhje dhe telashe shpreheshin edhe në jetën e përditshme të Pejgamberit a.s.. Në lidhje me këtë, nga Kurani zbret: "Ne nuk ta shpallëm Kur’anin për të të munduar ty. Ta shpallëm vetëm këshillë (rikujtim) për atë që frikësohet".(7)
Muhamedi a.s. si Pejgamber, ishte i pari i besimtarëve dhe më i ngrituri në mesin e tyre e më i dobishëm për ta sesa vetë ata për vetveten e tyre. Ai ishte ndërtues i raporteve dhe lidhjeve të mira ndërmjet besimtarëve; kujdesej për të rinjtë dhe i kursente të vjetrit; ofronte të mira, kënaqësi dhe shpëtim për të gjithë njerëzit dhe për të dy botët. Ai ishte baba i popullit dhe i pasardhësve të vet në fe.
Allahu i Lartmadhëruar në Kuranin famëlartë, thotë: "Pejgamberi është më i ndjeshëm ndaj besimtarëve sesa ata ndaj vetvetes së tyre, ndërsa gratë e tij janë në vend të nënave të tyre".(8) Bazuar në këto vlerësime të karakterit dhe moralit të lartë të Pejgamberit a.s., ai kishte arritur suksese në përhapjen e fesë islame, suksese që nuk i kishte arritur asnjë i dërguar më parë.
Prej vlerave të tjera morale të larta që posedonte Muhamedi a.s., ishin dhe sjellja e konsultimi që bënte ai me ashabët e tij, pa mendimin e të cilëve nuk gjykonte. Ishte ky edhe një faktor mjaft i rëndësishëm që ndikoi në arritjen e sukseseve të Pejgamberit a.s. në përhapjen e Shpalljes.
_________________________
Fusnotat:
1. El-Bekare: 127-129
2. Et-Tevbe: 128.
3. El-Ahzab: 21
4. El-Kalem: 4.
5. Fatir: 8.
6. El-Kehf: 6
7. Taha: 2,3.
8. El-Ahzab: 6.
Dituria Islame 224