"(Ai) më dërgoi mua si mësues e lehtësues"

 


Në rolin e tij prej një të dërguari, Muhamedi a.s., mbetet njeriu që bëri ndryshimet më të thella në rrjedhat e historisë. I lindur në një shoqëri injorante (xhahilije), e cila pos lajthitjes nga besimi i drejtë e shthurjes së skajshme morale, vuante edhe nga jetesa në një errësirë e privim diturie, që realisht kishte pllakosur çdo cep të saj. Të imagjinosh mundësinë e ndryshimit dhe të guxosh të mendosh për reformim të saj, në sytë e të gjithë vrojtuesve dukej si një iluzion që s'do bëhej kurrë realitet. Megjithatë, aty lindi një njeri, që guxoi e shpresoi dhe ndryshoi çdo gjë.
Mu në atë shoqëri të pashpresë, Vullneti Hyjnor, përcaktoi të dërgonte Muhamedin, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, si mësues i së mirës dhe udhërrëfyes jetësor. Për ta përshkruar rrethin e tij ku u dërgua dhe misionin e tij në të njëjtën kohë, Allahu tha: "Ai është që arabëve të pashkolluar-analfabetë ua dërgoi një pejgamber nga mesi i tyre, që ua ka lexuar ajetet e Kuranit dhe i ka pastruar (nga gjendjet e gabuara), ua ka mësuar Librin (Kuranin) dhe urtinë (dijeninë e thellë), meqë, ata më parë, në të vërtetë, kanë qenë në humbje të plotë." (El Xhumuah, 2).
Në kontekst të komentimit të këtij ajeti, Xhafer ibën Ebi Talibi, si më së miri rrëfeu për diferencën që krijoi ardhja e Muhamedit a.s. në mesin e arabëve. Ai këtë gjë e bëri në prezencën e mbretit etiopas Negus-it (Nexhashiut). Xhaferi r.a. tha: “O mbret i nderuar! Ne kemi qenë një popull injorant. Adhuronim idhujt, hanim cofëtinat, vepronim vepra amorale, kishim ndërprerë lidhjet tona farefisnore dhe kishim fqinjësi të prishur. I forti nga ne e gllabëronte të dobëtin. Ne ishim në këtë gjendje gjersa Allahu nuk na e dërgoi te ne një të dërguar nga mesi ynë. E njohim prejardhjen, sinqeritetin, besnikërinë dhe ndershmërinë e tij. Ai na ftoi që ta adhuronim vetëm Allahun, e të hiqnim dorë ne e prindërit tanë nga adhurimi i kujtdo tjetër pos Tij. Na urdhëroi me sinqeritet gjatë të folurit, ruajtje të amanetit, mbajtje të lidhjeve farefisnore, fqinjësi të mirë dhe të shmangemi nga ndalesat dhe derdhja e gjakut..."
Ky përshkrim i mahnitshëm e detajues për misionin dhe ndryshimet që solli Muhamedi a.s. në shoqërinë e tij të lajthitur, mbetet njëra prej shumë dëshmive të pashlyeshme historike se ai, me një mision prej mësuesi, gravoi në mendësinë njerëzore vlerat më sublime nëpërmes misionit të tij prej mësuesi. Mësues, në kuptimin më të thellë e më të plotë të fjalës, ngase i frymëzuar nga Zoti i tij, ai ua tregonte rrugën e drejtë dhe i motivonte për të ndjekur atë, ndërsa në anën tjetër ua tërhiqte vërejtjen nga veset e shëmtuara dhe iu dëftonte për rreziqet e ecjes në rrugën e gabuar në jetë.
Ai thoshte për veten e tij me mburrje: “Allahu nuk më dërgoi mua si stërngarkues e vështirësues, por më dërgoi mësues e lehtësues." (Sahihu i Muslimit, 1806). Secili cilësim në këtë thënie profetike, vë në spikamë parimet e palëkundura të misionit të shenjtë të mësuesit. Kushdo që dëshiron të korrë sukses në këtë mision të dëlirë, duhet që të synojë lehtësimin e jetesës së njerëzve e jo stërngarkimin. Ai duhet të derdhë mundin e tij në drejtim të nxitjes e motivimit për të mësuar, mbështetjes së zhvillimit të brezit të ri, aftësimit për jetë dhe përgatitjes së tyre për të ardhmen e tyre.
Muhamedia.s. lindi më 12 rebiul evvel, për të mbetur lindja e tij si pikë kthese në orientimin e njerëzimit mbarë. Lindi ai njeri, që pas moshës së tij 40 vjeçare do të fillonte detyrën madhore në tokë. Ai, po ua mësonte çdo njeriut të brezit të tij dhe atyre që vijnë më pas, gjer n'Amshim se "ai - njeriu është epiqendra e universit për të cilin Krijuesi Suprem i ka nënshtruar të gjitha dukuritë dhe potencialet kozmike." (Seid I. Ali).
Andaj në këtë fillim shtatori, kur shkollat tona kthejnë dinamikën e mësimdhënies e mësimnxënies, këtij fenomeni ilumizues e dëlirësues, e rikthejmë në vëmendjen e secilit mësues atë të dërguar që lindi për të mbetur model i çdo pedagogu deri në përjetësi.


Editoriali
Dituria Islame 406


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi