Komentim i i kaptinës “Et-Tekvir” (6)

 


22. Nuk është i marrë shoku juaj (Muhamedi)! 
23. Dhe se ai e pat parë atë (Xhibrilin) në horizontin e qartë lindor. 


Idhujtarët mekas, e ndër ta Ukbe Ebi Muajt, talleshin me Muhamedin a.s. duke e quajtur si të çmendur, duke menduar se ky kishte luajtur nga mendtë kur pretendonte se po i vinte shpallje nga qielli nëpërmjet Xhibrilit a.s., që të besohej vetëm një Zot. Ata ishin tërësisht të verbuar nga shejtani i mallkuar dhe nuk po mund ta shihnin dritën e së vërtetës, sepse mendjet e tyre ishin të robëruara nga prangat e djallit. 
Megjithatë, Allahu xh.sh. i largon të gjitha këto akuza e shpifje ndaj të Dërguarit të Vet, duke thënë se Muhamedi nuk ishte i çmendur, nuk ishte poet e as magjistar, por i Dërguar nga Zoti që t’i shpëtonte ata nga mjerimi dhe katandisja në të cilën kishin rënë. 
Idhujtarët në fakt, ishin të çmendur teksa sfidonin adhurimin e Allahut me zota të tjerë të shpifur. Për ta ishte e paimagjinueshme që një engjëll nga qielli 
– Xhibrili a.s. të zbriste tek Muhamedi a.s. me shpallje. Por e vërteta është se Muhamedi a.s. vërtetë e kishte parë Xhibrilin a.s. dy herë në formën e tij të vërtetë reale; një herë në fillim të Shpalljes, dhe herën e dytë gjatë udhëtimit në Miraxh. 
Asnjë prej të dërguarve të tjerë të Allahut, para tij, nuk e kishte parë Xhibrilin a.s. në formën e tij të vërtetë. Ky ishte një nderim i veçantë vetëm për Muhamedin a.s. 
Ajo që kërkohet nga ne të besojmë, është se Muhamedi a.s. e ka parë Xhibrili a.s. edhe në formën e tij të vërtetë në të cilën e ka krijuar Allahu, por e jona nuk është ta përshkruajmë konstruktin e tij nga drita-nuri, sepse asgjë as nuk na e shton e as nuk na e pakëson imanin. Siç janë munduar ta përshkruajnë shumë njerëz. Ne thjesht duhet të besojmë se Xhibrili a.s. është një engjëll, i krijuar nga nuri, i cili e ka përcjellë shpalljen me besnikëri, një engjëll të cilit Allahu i ka dhuruar pozitë të lartë nderi, por njëkohësisht edhe fuqi të paimagjinueshme për përmasat e logjikës dhe të mendjes sonë. 


24. Dhe ai (Muhamedi) nuk është që në të fshehtën (shpalljen) ka dyshim (ose ua lë mangu). 
25. Dhe ai (Kur’ani) nuk është thënie e djallit të mallkuar! 
26. Pra, ku jeni, kah shkoni? 


Fjala “gajb” në këtë ajet ka për qëllim Shpalljen-Vahjin ndërsa fjala “danin” nënkupton faktin se Pejgamberi a.s. nuk është i akuzuar për ndryshim e as falsifikim të Kur’anit, e as nuk ka mundësi që të ndryshojë nga vetvetja diçka në të, sepse është shpallje hyjnore për të cilën Allahu ka garantuar se nuk do të pësojë kurrfarë deformimi e as ndryshimi. Po ashtu një prej kuptimeve të fjalës “daniin” është se Muhamedi a.s. nuk është dorështrënguar e as koprrac që të mos ia transmetojë njerëzimit këtë Kur’an, ashtu siç kishte zbritur. 
Fjala “bi danin” në një kiraet tjetër (të pranuar) është lexuar edhe me tingullin e trashë (dha) d.m.th. “bi dhanin” që do të thotë i akuzuar për trillim a shtrembërim, që nënkupton se Muhamedi a.s. është shumë i pastër sa të akuzohet për shtrembërim të Kur’anit apo ndryshim të tij. Kjo akuzë e idhujtarëve ndaj tij ishte akuzë e pabazë, sepse ai ishte besnik në transmetimin e përpiktë të asaj që i vinte nga Vahji. Ky ajet Kur’anor e shfajëson Pejgamberin a.s. nga të gjithë këto shpifje, duke ua bërë të ditur mekasve se para se t’i vinte Shpallja, Muhamedi a.s. në mesin e tyre ishte i njohur si “sadikul va’dil emin” – “mbajtës i premtimeve dhe besnik”. E kishin njohur për 40 vite si të tillë, prandaj si u bë që tash të dyshonin në të dhe në sinqeritetin e tij?! 
Kur idhujtarët nuk kishin gjetur arsyetim për ta cenuar dinjitetin dhe besnikërinë, tashmë të dëshmuar të Muhamedit a.s., ata filluan ta akuzonin se ishte falltar, dhe se bashkëpunonte me djajtë. Në lidhje me këtë akuzë të tyre Kur’ani thotë:
 “Pra ti përkujto (me Kur’an) se me dhuntinë e Zotit tënd ti nuk je as falltor, as i çmendur.” - (Et-Tur, 29) Herën tjetër e kishin akuzuar për magjistar dhe se kjo që po i vinte ishte mësim nga shejtani i mallkuar dhe fjalë të tij. 
Kur’ani famëlartë e shfajëson dhe e pastron të Dërguarin e Allahut nga këto akuza të veshura se gjoja këto fjalë Kur’anore nuk ishin nga shejtani, sepse shejtani, pasi që ishte përzënë nga mëshira e Allahut, më nuk ka mundësi as të afrohet në sferat e larta qiellore që të dëgjojë a të marrë ndonjë lajm prej lajmeve të qiellit. Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. thotë: 
“Atë (Kur’anin) nuk e sollën djajtë (si fallin falltarëve). Atyre as nuk u takon e as që kanë mundësi. Pse ata janë të penguar edhe për ta dëgjuar!” - (Esh-Shuara’ë, 210- 212) 
Por, bartës i kësaj shpalljeje të dritës e udhëzimit është një melek i pastër, i fuqishëm, me pozitë të lartë te Allahu, i respektueshëm në botën e engjëjve, mbi të gjitha besnik në kryerjen e misionit të cilin ia kishte besuar Allahu xh.sh., të ishte i dërguar i Tij si i zgjedhur i qiellit tek të dërguarit e zgjedhur të Tij në tokë. 
Në fund, Allahu xh.sh. i pyet pabesimtarët: “Pra, ku jeni kah shkoni?”. Cilën rrugë do ta zgjidhni për ta ndjekur? 
Tash i Lartmadhërishmi, sikur u thotë idhujtarëve: Pasi që tash e kuptuat bindshëm se Muhamedi a.s. nuk është as i çmendur, as falltar e as magjistar, a thua si do të veproni?! A do ta pasoni atë, e t’i besoni Shpalljes që po i vjen nga Unë dhe të udhëzoheni, apo do ta ndiçni rrugën e djallit të mallkuar e ta humbni Ahiretin?! Pse nuk e largoni perden e errët nga sytë tuaj e ta shihni të vërtetën?! 
Edhe në ajetin 32 të sures “Junus” sqarohet kuptimi i kësaj pyetjeje që ua bën Allahu xh.sh. pabesimtarëve kur thotë: 
“E ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. Pas të vërtetës nuk ka tjetër pos iluzione, e si po ia ktheni shpinën (të vërtetës)?” 
Që do të thotë se si mund të devijoni nga e vërteta në humbje, nga Njëshmëria në idhujtari, nga udhëzimi në shkatërrim kur para vetes keni vetëm një alternativë të shpëtimit, - rrugën e besimit në Allahun dhe në misionin qiellor të Muhamedit a.s. 


27. Ai (Kur’ani) s’është tjetër pos këshillë për njerëzit! 
28. Për atë nga mesi juaj që dëshiron të gjendet në të vërtetën. 


Allahu i Madhëruar, në këto dy ajete vijuese, ua sqaron njerëzve se ç’është në të vërtetë Kur’ani. Çfarë përmban ky libër i shenjtë, kujt do të mund t’i shërbenin këshillat e tij etj. 
Dijetarët muslimanë janë kompakt se Kur’ani famëlartë është një Libër plot dritë, udhëzime dhe këshilla, i cili njëkohësisht ua rikujton robërve të Allahut dobitë dhe interesat e tyre në këtë botë dhe në botën tjetër, ua rikujton ringjalljen, dhe daljen para Krijuesit për të dhënë llogarinë, ua rikujton Krijuesin e tyre dhe mënyrën e adhurimit të Tij, i lartësuar qoftë në madhërinë e Tij. Ky Kur’an, ua bën me dije se kush është armiku i tyre më i madh, duke e personifikuar atë si shejtanin i mallkuar. Ua kujton detyrimet e tyre ndaj Allahut, ndaj shoqërisë, familjes dhe raportin e tij me botën në përgjithësi. Ua rikujton vetveten dhe gjendjen e tyre shpirtërore, duke i orientuar besimdrejtët në mirësi e shtigje të dritës hyjnore. 
Por, këto këshilla vlejnë vetëm për një grup të caktuar njerëzish, vetëm për ata që dëshirojnë vërtetë të përudhen në rrugën e drejtë, në rrugën në të cilën ka porositur i Gjithëmëshirshmi. Ndërsa ai i cili nuk dëshiron të përudhet, ai e ka vulosur fatin e vet me damkën e kufrit të përjetshëm. Ai nuk ka ç’të kërkojë në Ahiret, sepse veprat e tij pa iman të plotë, i ngjajnë një fatamorgane në mes të shkretëtirës. Nga larg të duket si ujë, kurse në fakt rrezet e diellit që përthyhen në rërën përcëlluese të shkretëtirës, të reflektojnë imazhe joreale. Të tillë janë pabesimtarët, të cilët në këtë botë mbase edhe mund ta kenë bërë ndonjë vepër të mirë, por shtamba-rezervuari i tyre është i zbrazët pa ujë (iman) i cili do ta plotësonte boshllëkun e brendshëm. 
Pra, vetëm ai që kërkon udhëzimin hyjnor me sinqeritet të plotë, vetëm ai ka shpresa se e nesërmja e tij-Ahireti do të jetë ashtu siç duhet dhe kërkohet nga i Gjithëmëshirshmi. 
Fjala “Dhikrun lil alemin”, nënkupton Kur’anin, të potencuar si përkujtim, por kuptimi i saj nënkupton Islamin në përgjithësi, si fe, rrugë dhe program për të gjithë njerëzit dhe exhinët. Nënkupton Islamin si një fe universale, me parime gjithëpërfshirëse të etikës dhe moralit të shëndoshë e të pastër, i cili njeriun e çliroi nga prangat e shirkut dhe pabesimit. 
Ajo çka është e rëndësishme tek njeriu dhe që çmohet tek Allahu është devotshmëria – takvaja në zemra. A nuk na ka dëftuar Allahu xh.sh. se: “Më i miri prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshmi”. 
A nuk ka thënë po ashtu i Dërguari i Allahut se: “Vërtetë Allahu i Madhërishëm nuk shikon as fizionominë e as pasurinë tuaj (në një rivajet tjetër: “as fytyrat e as fizionominë tuaj(1) ”) por shikon zemrat dhe veprat tuaja”(2) 
Kjo pra është madhështia e Islamit, e cila i nënshtroi superfuqitë e atëhershme të botës. Jehona e kësaj feje bëri që njerëzit sapo të dëgjonin për këtë fe, menjëherë ta përqafonin. Muslimanët kanë luftuar dhe kanë çliruar territore të mëdha, por kurrë me dhunë, sepse me një qasje të tillë, kurrë nuk do të arrinin të pushtonin zemrat e njerëzve, meqë ato pushtohen vetëm me dashuri dhe mëshirë. Zaten, ky është shpjegimi i vetëm i pranimit të Islamit nga popujt aziatikë, në Indonezi, Malajzi, Kinë etj, kur dihet se atje nuk ka shkelur kurrë ndonjë këmbë e ushtarit arab-musliman, porse këtë detyrë e kanë kryer tregtarët dhe dijetarët e devotshëm muslimanë, të cilët ua kanë shpjeguar njerëzve Islamin, duke bërë që drita e tij të rrezatojë pjesën më të madhe të këtij kontinenti duke u mishëruar në zemrat dhe mendjet e këtyre njerëzve, që kishin kërkuar udhëzim dhe e kishin gjetur atë në Islam. 
Nga ky ajet: “Për atë nga mesi juaj që dëshiron të gjendet në të vërtetën.” nënkuptojmë se çdo njeri është i obliguar të përpiqet ta gjejë të vërtetën dhe rrugën e udhëzimit me të gjitha mundësitë e tij, ndërsa pjesa tjetër i takon Allahut, i Cili nëse dëshiron i udhëzon dhe i përudh këto zemra që kërkojnë dritë e udhëzimit të Tij. 


29. Po ju nuk mundeni, (të përudheni) por vetëm nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve! 


Shkaku i zbritjes së këtij ajeti. Transmetojnë Ibn Xheriri dhe Ibn ebi Hatimi nga Sulejman bin Musa të ketë thënë: Kur zbriti ajeti 28 i kaptinës “Et-Tekvir”: “Për atë nga mesi juaj që dëshiron të gjendet në të vërtetën”, Ebu Xhehli kishte thënë: Ky ajet ka të bëjë me ne. Nëse dëshirojmë përudhemi e nëse nuk dëshirojmë, nuk përudhemi! Këto fjalë të tij ishin shkak që Allahu xh.sh. të zbriste ajetin 29: “Po ju nuk mundeni (të përudheni), veç nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” 
Sipas kuptimit sipërfaqësor të këtij ajeti, mund të themi se ky ndërlidhet me ajetin paraprak, i cili fliste rreth faktit se njeriu nëse dëshiron, mund të përudhet në rrugën e Allahut, kurse tash ky ajet vë në pah një fakt tjetër, se ky udhëzim ndonëse njeriu mund ta kërkojë, nuk mund të ndodhë nëse një gjë të tillë nuk e dëshiron Allahu! 
Ky mospajtim sipërfaqësor në shikim të parë, në mes dy ajeteve, në fakt është një çështje e kamotshme, dhe mjaft diskutabile në mesin e dijetarëve nëpër kohë, të grupacioneve të ndryshme filozofike dhe kelamiste, përfshirë këtu xheberinjtë, kaderinjtë dhe mu’tezilet në njërën anë dhe Ehli Synetin në anën tjetër. F.v. xheberinjtë kanë anuar nga mendimi, se njeriu nuk ka absolutisht liri dhe vullnet të tij vetanak, duke e përngjasuar njeriun si një pendël, të cilën një forcë më e madhe “fati-era” e bart sa andej sa këndej. Ky grup, morën për bazë këtë ajet Kur’anor, dhe disa ajete të tjera të ngjashme në Kur’an, si f.v. 
“Vërtet, këto janë një këshillë, e kush do e merr rrugën që e çon te Zoti i tij. Po ju nuk mund të doni gjë, pos nëse do Allahu, e Allahu është shumë i dijshëm, shumë i urtë.” (El-Insan, 29-30) 
Sipas tyre njeriu nuk posedon lirinë e tij vetanake të mendimit dhe as të veprimit, mirëpo veprimet, sjelljet dhe mendimet e tij janë paraprakisht të determinuara dhe të përcaktuara!!! 
Në anën tjetër, mu’tezilet dhe kaderinjtë morën për bazë disa ajete të tjera, të cilat flasin për diçka tjetër, flasin për një liri të plotë të njeriut në vepra dhe mendime si f.v. 
“E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë...” (El Kehf, 29)
 dhe: 
“Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës.” – (El-Insan, 3). 
Sipas këtyre dy grupeve, njeriu ka liri të plotë, pa kurrfarë imponimi dhe në bazë të kësaj lirie, ai do të jap llogari para Allahut dhe nëse veprat e tij janë të këqija, ai nuk ka arsyetim ta fajësojë Allahun se nuk e ka udhëzuar!!!
Ndërsa dijetarët kelamistë të Ehli Synetit (Maturidiu, Esh’ariu dhe Tahaviu dhe pasuesit e mendimit të tyre) si mbrojtës të akides së Ehli Synetit, dhe si grupi i katërt i këtij mozaiku mendimesh, janë përpjekur të ndjekin një mendim të mesëm duke thënë se njeriu është i lirë në vullnetin e tij, por megjithatë ky vullnet i tij është i varur (kufizuar) nga vullneti i Allahut. Sipas tyre, Vullneti i Allahut është Vullnet absolut dhe i pakufizuar në limite, ndërkohë që vullneti i njeriut megjithatë është i kufizuar dhe i varur në një mënyrë nga Vullneti i Allahut. 
Nga kjo mund të konkludojmë se kur kuptimi sipërfaqësor i ajetit nënkupton që njeriu është i lirë në vullnetin dhe veprat e tij, atëherë fjalët e Allahut e pasqyrojnë realitetin e mirëfilltë sepse njeriu vërtetë ka liri të plotë në zgjedhjen e rrugës të cilën do ta ndjekë gjatë jetës së tij, ose rrugën e udhëzimit ose atë të humbjes. 
Ndërsa kur në disa ajete Kur’anore hasim kuptimin sipërfaqësor që nënkupton se vullneti i njeriut është i kufizuar dhe në këtë rast duhet ndërhyrja e vullnetit hyjnor që ta udhëzojë ose ta humbë, në fakt kemi të bëjmë me vullnetin shtesë hyjnor i cili ia ka sqaruar njeriut rrugën drejt Allahut nëpërmjet të dërguarve dhe librave të shenjtë. 
Me një fjalë, ne duhet të kuptojmë se Allahu i Madhërishëm në këtë ekzistencë ka sjellë shkaqe të cilat shpijnë në humbëtirë, po edhe shkaqe të cilat shpijnë në udhëzim e mirësi. Ai njeri që zgjedh qoftë udhëzimin qoftë humbëtirën, ai në fakt ka zgjedhur me vullnetin e tij të lirë, dhe nuk mund t’i atribuohet Allahut kurrfarë imponimi në këtë rast, ndonëse vullneti i tij është i pakufizuar dhe i palimituar. (Allahu a’lem-Allahu e di më së miri). 


Porosia e këtyre ajeteve – (15-29)


 - Allahu si Krijues i kësaj ekzistence, është i Vetmi që ka kompetenca dhe të drejtë të betohet në krijesat që Ai i ka krijuar, ndonëse ne nuk i dimë urtësitë e këtyre betimeve, si f.v. betimi në planetët dhe galaktikat që fshihen gjatë ditës dhe shfaqen gjatë natës, gjë që dëshmon se çdo planet apo trup qiellor, noton nëpër orbitat e tyre të caktuara në një sistem të përkryer. 
- Ajetet e kësaj sureje e kanë përshkruar Xhibrilin a.s. me pesë cilësi që janë: Fisnik, i fortë, i respektueshëm tek Allahu, i respektueshëm edhe nga engjëjt, sepse është zotëria i tyre dhe mbi të gjitha është besnik i zbritjes së Shpalljeve të Allahut në Tokë. 
- Pejgamberi a.s. e ka parë Xhibrilin a.s. në formën e tij të vërtetë në horizontin e qiellit, në drejtim të Lindjes së diellit, nga ana lindore. Muhamedi a.s. pasi e pa atë u bind se është melek i afërt tek Allahu e jo shejtan i dëbuar.
- Pas cilësimit të Xhibrilit si besnik dhe ndërmjetësues mes Allahut dhe pejgamberëve, ajetet e kësaj sureje sqarojnë se Kur’ani nuk është fjalë e shejtanit siç thoshin idhujtarët kurejshitë, as fjalë e ndonjë falltari e magjistari, por këshillë nga ana e Allahut për mbarë botët, për ata që dëshirojnë udhëzim. 
- Allahu xh.sh. e ka pastruar të Dërguarin e Tij nga shpifjet dhe akuzat e idhujtarëve se ai ishte i çmendur, por është më i zgjedhuri i njerëzimit i ardhur si mëshirë për botët. 
- Allahu na dëfton se njeriu nuk mund të veprojë diçka pa vullnetin dhe dëshirën e Allahut fuqiplotë. Vullneti i pjesshëm i njeriut i nënshtrohet Vullnetit dhe Dëshirës së Allahut xh.sh. 


________________
 1. Muslimi (2564). 
2. Transmetojnë nga Ebu Hurejra: Muslimi (4651); Ibn Maxhe (4143); Ahmedi (2/284)



Sabri Bajgora


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi