15. Betohem fuqimisht në yjet që tërhiqen (ditën, e ndriçojnë natën),
16. Që udhëtojnë e fshihen (si dreri në strofkë)
Allahu xh.sh. në ajetet kuranore është betuar shumë herë në qiellin, yjet, planetët dhe galaktikat, me qëllim të argumentimit se kjo ekzistencë i nënshtrohet një sistemi të përkryer hyjnor, të cilin Ai Vetë e ka përcaktuar. Ky argumentim është njëkohësisht tërheqje e vërejtjes për njerëzit, që t’i vrojtojnë këto shenja të mëdha të Allahut në gjithësi e të mos lajthiten a devijojnë nga besimi i pastër, për t’u zhytur në ujërat e turbullta të idhujtarisë e pabesimit, duke lënë anash adhurimin e Atij që është i Vetmi i denjë dhe meritor për adhurim.
Në të kaluarën, po dhe tash, banorët e shkretëtirave si dhe lundruesit nëpër dete, gjatë udhëtimeve të tyre, natën, orientoheshin vetëm në bazë të pozitës së yjeve, prandaj edhe është i njohur fakti se shumë popuj të lashtë, po edhe arabët, adhuronin disa prej këtyre yjeve, siç ishte ylli “Sirius”, i cili natën ka shkëlqimin më të fortë. Për këtë arsye, Zoti xh.sh. ua tërhoqi vërejtjen njerëzve se ai është edhe Zoti i “Siriusit” për ç’gjë flet në suren “En-Nexhm”, ajeti 49: “Dhe se Ai është Zoti i Shi’rasë (Siriusit-yllit polar që e adhuronin)”. Pastaj edhe në suren Fusilet, 37, Ai sqaron e thotë: “Nga faktet e madhështisë së Tij janë nata, dita, Dielli e Hëna. Mos i bëni sexhde as Diellit, as Hënës! Sexhde bëni vetëm Allahut, i Cili i krijoi ato, nëse adhuroni vetëm Atë!”
Pra, kjo është një thirrje e hapët hyjnore që njerëzit t’u shmangen besimeve të kota në yjësitë e krijuara nga Krijuesi Fuqiplotë, i Cili u ka dhënë atyre dritën dhe shkëlqimin.
Ajeti fillon me betim, duke përdorur “lamin” mohues, i cili nënkupton përforcim të betimit, dhe është një prej betimeve më madhështore në Kuran. Një prej betimeve të tilla me “lamin” mohues kemi edhe në suren “El-Vakiatu”, ku Allahu xh.sh. thotë: “Betohem në shuarjen (perëndimin) e yjeve. E ai është betim i madh, sikur ta dini!” (El-Vakiatu, 75- 76) Fjala “El-Hunnesi” në këtë ajet nënkupton yjet që lëvizin, por që gjatë ditës, nga shkëlqimi i dritës së Diellit, fshihen dhe bëhen të padukshëm për syrin e njeriut, ndërsa në kuptimin gjuhësor kjo fjalë nënkupton vonimin, kthimin mbrapa, fshehjen apo zhdukjen nga të pamit.
Mu për shkak se fshihet dhe vepron me ngacmime e intriga të fshehta, edhe shejtani është quajtur “el hannas”. Disa nga dijetarët kanë shfaqur mendimin se me fjalën “Hunnesi” nënkuptohen planetët e sistemit tonë diellor, si Marsi, Saturni, Jupiteri etj., të cilët sillen vazhdimisht nëpër orbitat e tyre të përcaktuara, por mendimi më i fuqishëm është se kjo fjalë nënkupton të gjitha yjet që duken në kupën e qiellit tonë dhe lëvizin pa ndërprerë. Ndërsa fjala “Kunnesi” ka për qëllim po ashtu yjet, të cilat fshihen nën dritën e Diellit, duke qenë vazhdimisht në lëvizje.Ndoshta mu për këtë, disa dijetarë kanë shfaqur mendimin se fjala “Kunnesi” nënkupton drerin (drenushën), që gjatë ditës struket në strofkën e vet, për të mos iu ekspozuar ndonjë rreziku të mundshëm, dhe në këtë rast kemi të bëjmë me një alegori kuranore, sepse fjala është saktësisht për yjet që ndriçojnë si kandila dhe që shfaqen e fshihen. Mendimin se në këto dy ajete Allahu është betuar në yjet në tri gjendjet e tyre: lindjen, lëvizjen dhe fshehjen e tyre, e përkrahin Aliu r.a.. Ibn Abbasi, dhe shumica dërrmuese e dijetarëve.(1)
Ibn Kajjim el Xhevzij, në lidhje me kuptimin e fjalëve “hunessi” dhe “xhevaril kunnesi”, pasi paraprakisht refuzon mendimin e disa tefsirologëve që kanë thënë se këto dy fjalë nënkuptojnë lopën e egër apo drerin, thotë se Allahu xh.sh. në Kuran në asnjë vend nuk është betuar në kafshë, por qëllimi i betimit janë yjet, si argumente të mjaftueshme për njerëzit që të udhëzohen dhe të kuptojnë Fuqinë e Allahut.(2)
17. Pasha natën kur ajo ia beh me errësirë.
18. Pasha agimin kur ia shkrep!
Betimet e radhës nga i Plotfuqishmi, janë në natën kur ajo vjen, me errësirën e saj të plotë, dhe në agimin kur ai fillon të zbardhë. Fjala “as-ase” në kontekst të ajetit na vjen me dy kuptime. Njëri kuptim është kur nata ia beh me errësirën e saj trishtuese pas dritës së ditës, kurse tjetri flet për pjesën e fundit të natës dhe errësirën e plotë të saj. Megjithatë, nga vetë konteksti i ajetit, mendimi i dytë është më i pranueshëm, sepse, pas përfundimit të natës të errët, vjen agimi dhe drita e mëngjesit, që e cek ajeti vijues.”Pasha agimin kur ai ia shkrep”.
Ndërsa në lidhje me fjalën “teneffese”, kjo nënkupton shkreptimën e dritës së Diellit, e cila shpërndan errësirën e natës.
Disa kanë thënë se fjala “teneffese” nënkupton aromën dhe frymën që freskon çdo gjë, e në këtë kontekst figurativisht nënkuptohet aroma dhe fryma e mëngjesit që përhumb errësirën.
Në këto dy ajete, ashtu si thuajse në tërësi në këtë sure, ka një metaforë dhe alegori të mahnitshme, sepse ashtu sikur toka gjallërohet me lindjen e diellit dhe dritën e tij, duke dalë nga errësira e ngrysur, po ashtu edhe Kurani për jetën njerëzore simbolizon mëngjesin e ndritur të saj, i cili kishte pritur një kohë të gjatë për t’u shfaqur e për ta dëbuar errësirën e injorancës e të kufrit, ku ishte zhytur bota atëherë. Në kohën e zbritjes së Kuranit, mëkatet, shirku dhe kufri kishin mbërthyer mendjet e njerëzve, por deshi Allahu nga mëshira e Tij, që me rrezet e Dritës së Tij t’i ndriçonte horizontet e Mekës dhe të kësaj bote, duke përndjekur e shkatërruar hijet dhe ushtritë e kufrit e të errësirës, në rrugën e tyre pa kthim. Ishte ky një përgëzim i madh se njerëzimi nën dritën e Islamit do të ngrihej në piedestalin më të lartë të moralit dhe të udhëzimit.Megjithatë, në kontekst të këtyre ajeteve spikat edhe komentimi bashkëkohor i kolosit të tefsirit – Sharaviut, i cili thotë se fjalët “Hunnesi” dhe “Xhevaril Kunnesi”, në dy ajetet paraprake, që flasin për yjet që shfaqen e zhduken, në fakt në formë metafore dhe alegorie simbolizojnë shpalljet paraprake të Allahut, të cilat për një periudhë të caktuar kohore kanë qenë udhërrëfyese të rrugës së Allahut, por më pastaj, për fajin e njerëzimit, ishte zhdukur drita e tyre nga kujtesa e njerëzve. Ndërsa me ajetin: “Pasha natën kur ajo ia beh me errësirë.”, simbolizohet koha e injorancës më të errët të njerëzimit, koha para ardhjes së Shpalljes së fundit të Allahut - koha e xhahilijetit, ndërsa ajeti vijues: “Pasha agimin kur ia shkrep!”, simbolizon ardhjen triumfuese të Islamit - të mesazhit të fundit të Allahut në tokë, i cili i dha gjallëri çdo gjëje, pas vdekjes shpirtërore që kishte përjetuar njerëzimi. Dhe, vërtet, ardhja e Islamit gjallëroi mendjet dhe zemrat e fjetura të njerëzve, për ta kapur mesazhin e Krijuesit të tyre, që njëherë e përgjithmonë të shpëtonin nga errësira e injorancës ku ishin katandisur.(3)
19. S’ka dyshim se ai (Kurani) është thënie e të dërguarit fisnik (që e pranoi prej Zotit).
20. Që është i fortë dhe që ka vend të lartë te Zoti i Arshit.
21. Që është i respektuar atje (në mesin e engjëjve) dhe besnik.
Ajetet në vazhdim, të cilat janë përgjigje për të gjitha betimet e mëparshme, flasin për Kuranin famëlartë si Fjalë hyjnore, të cilin e ka bartur e përcjellë me besnikërinë më të madhe krijesa më madhështore në botën e engjëjve – Xhibrili a.s..
Këto ajete, thuajse janë një vazhdim i përshkrimeve të Xhibrilit a.s., të përshkruara në suren “En-Nexhm” dhe në disa sure të tjera kuranore.
Xhibrili a.s. është quajtur “i dërguar fisnik”, i cili ka për detyrë vetëm të përcjellë mesazhin hyjnor tek i dërguari i Tokës, krijesa më madhështore e ekzistencës, Muhamedi a.s., e ky tek mbarë njerëzimi. Është quajtur “Fisnik”, sepse është melek i afërt tek Allahu, e nuk është shejtan, siç shpifnin idhujtarët mekas, sa kohë që dihet se cilësitë e shejtanit janë: i keq, me pamje të shëmtuar, intrigant, mosmirënjohës dhe, mbi të gjitha, simbol i së keqes në këtë ekzistencë, kurse i Dërguari Fisik- Xhibrili a.s. është një melek i afërt, i bukur në pamje, me mirësi të shumta dhe, mbi të gjitha, besnik, të cilit Allahu ia besoi zbritjen e Shpalljeve nga qielli në Tokë.Po këto ajete, Xhibrilin a.s. e përshkruajnë edhe me katër cilësi të tjera, përveç asaj së parës si fisnik, të ndershëm e të dashur të Allahut. Cilësia e dytë e Xhibrilit a.s., e cekur në ajetet vijuese, është “ i fortë”, që e ka cekur edhe në ajetet e sures “En-Nexhm”, kur thotë: “Atë ia mësoi Ai, fuqiforti, (Xhibrili), që ka mendje precize...” - (En-Nexhm, 5-6)
Cilësimi i Xhibrilit si “i Forti” sqaron forcën dhe fuqinë e tij në disa aspekte:
1. Ai me fuqinë e tij ka mundësi t’i largojë djajtë dhe të mos i afrohen, që të shtojnë apo pakësojnë diçka nga Shpallja e Zotit të botëve. Madje, edhe vetëm po ta shohë nga larg, shejtani largohet prej tij pa bërë zë. Një rast të tillë e kemi të portretizuar në luftën e Bedrit, kur shejtani, i trupëzuar në formë njeriu, teksa marshonte në betejën e Bedrit kundër myslimanëve, përkrah idhujtarëve, e pati lënë fushëbetejën, duke u thënë: Unë po e shoh atë që ju nuk po e shihni, d.t.th. kishte parë Xhibrilin në krye të melekëve të Allahut, të cilët kishin zbritur për të përkrahur moralisht myslimanët në këtë betejë.
2. Xhibrili është përkrahës i të Dërguarit të Allahut në Tokë- Muhamedit a.s., të cilin idhujtarët po e refuzonin dhe përndiqnin. Në lidhje me këtë, Allahu xh.sh. thotë: “... E nëse bashkëveproni kundër tij, ta dini se All-llahu është Ai mbrojtësi i tij si dhe Xhibrili dhe besimtarët e ndershëm; e kur është kështu, edhe engjëjt i dalin në ndihmë.” – (Et-Tahrim, 4) Prandaj, ai njeri që ka këtë përkrahje nga Allahu i Gjithëpushtetshëm dhe nga Xhibrili me këtë forcë të paimagjinueshme nga ana e Allahut, i cili në çdo kohë, me Urdhrin e Allahut mund të kthejë çdo gjë mbrapsht, siç pati vepruar me popullin e Lutit dhe me popujt e disa pejgamberëve të tjerë, - atëherë, sigurisht që ai njeri do të jetë ngadhënjyes në përcjelljen e mesazhit të tij qiellor tek njerëzit.
3. Xhibrili është i aftë dhe ka mundësi të zbatojë me përpikëri çdo urdhëresë që i vjen nga Allahu, duke mos pasur asnjë pengesë në realizimin e këtij urdhri, për shkak të fuqisë që i është urdhëruar nga i Plotfuqushmi.
Cilësia e tretë e Xhibrilit a.s. është se ai ka një vend dhe pozitë të lartë nderi tek Allahu, madje krejt pranë Arshit madhështor.
Cilësia e katërt e Xhibrilit a.s. është se ai është i respektuar në mesin e engjëjve të tjerë, duke u nisur nga fakti se është më madhështori prej tyre. Disa nga mufessirët, sjellin një rast të tillë të respektit nga ana e melekëve për të, kur në natën e Miraxhit, kishte urdhëruar rojën e Xhenetit që t’i hapte dyert e tij për t’i lejuar Muhamedit a.s. të hynte në të dhe shikimin e mirësive e bukurive të tij, dhe po ashtu kishte urdhëruar rojën e Xhehenemit që t’i hapte dyert e tij, që Muhamedi a.s. t’i shikonte tmerret e tij.(4)
Dhe cilësia e pestë e Xhibrilit a.s. është cilësimi i tij me fjalën “besnik”.
Ky pra është besniku i qiellit, i cili ia përcolli besnikërisht Fjalët e Krijuesit besnikut të Tokës, Muhamedit a.s., vulës së pejgamberëve, për ta nxjerrë njerëzimin nga errësirat në dritë.
Siç theksuam më parë, Allahu e ka quajtur Xhibrilin a.s. edhe me disa emra e cilësi të tjera, si: “Rruh-Shpirt”, “Rruhul emin-Shpirt Besnik”, “Rruhul kudus-Shpirt i Shenjtë” etj..
Emërtimi i Xhibrilit me emrin “Rruhul kudus-Shpirt i shenjtë” duke i bashkëngjitur pas edhe emrin e Allahut: “El-Kuddus”- “I Shenjti” – nënkupton fisnikërimin e tij me fisnikërimin hyjnor nga ana e Allahut Fuqiplotë, meqë Emrit të Tij ia ka bashkëngjitur emrin e Xhibrilit a.s..
(vijon)
________________________
1. Abdulhamid Kishk, “Fi Rihabi-t-tefsir”, vëll. 30, f. 7880
2. Ibn Kajjim el Xhevzij “Ed-Dav’ul munir ale-t-tefsir” vëll. VI, f. 282-283, Rijad, pa vit botimi. (Këto komentime të Ibn Kajjimit të përzgjedhura nga libra të ndryshëm, i ka tubuar në një tefsir Ali ibn Hamd ibn Muhamed es-Salihij dhe ka emërtuar “Ed-Dav’ul munir ale-t-tefsir”)
3. Sharaviu, “Tefsirul Kur’anil Adhim”, f. 142-143.
4. Izzuddin Abdurrazik el hanbelij “Rumuzul kunuz fi tefsiril kitabil aziz” vëll. VIII, f. 512
Sabri Bajgora