Kumtesa e Myftiut, Naim ef. Tërnava në konferencën kushtuar ish-myftiut, dr. Rexhep ef. Boja
I nderuar reis i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, hfz. Shaqir ef. Fetahu,
I nderuari nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Enver Hoxhaj,
I nderuari ish-president i Kosovës, z. Fatmir Sejdiu,
I nderuari përfaqësues i presidentes znj. Vjosa Osmani, z. Bekim Kupina,
I nderuari ambasador i Turqisë z. Tunq Angili,
E nderuara përfaqësuese e Ambasadës së Amerikës, znj. Brooke Young,
I nderuari ish-sekretar i Organizatës së Konferencës Islamike, z. Ekmeludin Ihsanogllu, një prej miqve më të mëdhenj që ka Kosova dhe populli shqiptar, personalitet i cili në vazhdimësi e përkrahi Kosovën për çlirimin e saj, e më vonë edhe anëtarësimin e saj në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, por edhe në njohjen e Kosovës shtet sovran e të pavarur nga shtete të ndryshme të botës. Sot, me prezencën e tij në këtë Konferencë na ka nderuar ne si Bashkësi Islame, ka nderuar popullin dhe shtetin e Kosovës.
E nderuara familje Boja,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale,
Të nderuar kryetar të komunave, z. Përparim Rama, z. Zenun Elezaj,
Të nderuar studiues,
Të nderuar përfaqësues të këshillave e të institucioneve të Bashkësisë Islame të Kosovës,
Të nderuar bashkëpunëtorë të ish-myftiut Boja, Vëllezër e motra,
Të nderuar të pranishëm!
S'ka pikë dyshimi se vdekja dhe jeta janë të krijuara nga Zoti i Madhërishëm. Zoti krijoi vdekjen dhe jetën për të na sprovuar se kush prej nesh është më vepërmirë gjatë jetës sonë në këtë botë. Ashtu siç janë të krijuara, ato edhe janë të përcaktuara nga Ai, dhe po të mos ishte njëra, nuk do të ekzistonte as tjetra. Nuk ka vdekje pa jetë dhe nuk ka amshueshmëri pa kalim në botën tjetër. Bazuar dhe besuar në këtë, ne, para tri vjetësh e përcollëm në përjetësi imamin, pedagogun, profesionin, kolegun, politikanin, humanistin, ambasadorin dhe udhëheqësin tonë të shquar, ish-myftiun e Kosovës, dr. Rexhep efendi Bojën, për të cilin edhe sot bashkërisht, lusim Zotin e Madhërishëm që ta shpërblejë me begatitë e Tij të pakufishme. Zoti në Kuran thotë: "Kudo që të gjendeni, do t'ju arrijë vdekja, madje qofshi edhe në kështjellat më të forta." (En Nisa, 78).
Të nderuar të pranishëm,
Me doktor Bojën kam pasur fatin që një pjesë të gjatë të jetës ta kalojmë së bashku, duke qenë kështu së bashku në forumet dhe institucionet e Bashkësisë Islame të Kosovës, por jo vetëm. Tek ai kam njohur, ndier e përjetuar urtësinë, vizionin, përkushtimin, përgjegjësinë dhe vendosmërinë e tij, andaj edhe e kam të vështirë që të zgjedh se nga t'ia filloj të flas për kontributin e dr. Rexhep Bojës për Bashkësinë Islame të Kosovës dhe institucionet e saj, ashtu siç nuk di se nga t'ia nisi që të përmendi angazhimin e tij për çështjen kombëtare në përgjithësi dhe çështjen e Kosovës në veçanti. Kjo sepse kontributi i dr. Bojës është i shumanshëm dhe shumëdimensional. Këtë e them me përgjegjësi të plotë, ngase isha njëri nga shokët më të afërt të dr. Rexhep Bojës, prandaj edhe kam bindjen se kjo Konferencë dhe këta shkencëtarë dhe hulumtues, do të hedhin në dritë një pjesë të punës dhe kontributit të dr. Rexhep Bojës.
Kontributi i dr. Rexhep Bojës, apo i Doktorit, siç e kemi quajtur ne kolegët e tij është i paçmuar për institucionet tona, për vendin dhe për shtetin tonë.
Çdo detyrë dhe përgjegjësi që iu besua, doktori e përmbushi me përgjegjësi dhe profesionalizëm, me qetësi dhe urtësi. Edhe si imam, edhe si profesor në Medrese dhe FSI, por edhe si dekan e myfti, ishte një model për brezin e ri se si duhej qasur xhematit dhe besimtarëve, apo edhe për atë se si duhet edukuar me përkushtim brezin e ri në rrugën e Zotit e të kombit.
Ne si Bashkësi Islame patëm fatin e mirë që në vitet e 90-ta të shekullit të shkuar kishim në udhëheqje dr. Rexhep ef. Bojën, i cili megjithëqë e mori këtë detyrë në kohë e ditë të vështira, nëpër të cilat po kalonte jo vetëm ky institucion, por edhe i gjithë populli dhe vendi ynë, ai, me vizionin dhe urtësinë që e karakterizonin gjithmonë, arriti që Bashkësinë Islame ta udhëhiqte drejt pavarësisë dhe mëvetësisë. Për më tepër ai u angazhua fort dhe pa pushim që Bashkësinë Islame të Kosovës, tashmë si etnitet i pavarur ta promovonte dhe ta bënte të njohur gjithandej, duke vënë lidhje bashkëpunimi në arenën ndërkombëtare, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.
Përveçse udhëheqës shpirtëror dhe kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, doktor Rexhep ef. Boja, shquhej edhe për kontributin e tij të dhënë në përparimin kombëtar të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, me përpjekjet e tij për t'i mbrojtur të drejtat fetare e politike të shqiptarëve, si dhe për ta bërë të njohur para opinionit botëror çështjen e pazgjidhur shqiptare. Kudo që shkoi, doktor Boja, Bashkësinë Islame të Kosovës, e rrjedhimisht edhe Kosovën dhe popullin e saj e prezantoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke thyer stereotipat e ish-Jugosllavisë. Doktori e njihte mirë domosdoshmërinë e sensibilizimit të opinionit ndërkombëtarë për Kosovën. Ai, kudo që u paraqit, e paraqitjet e tij ishin të shumta, dhe atë nëpër qendrat kryesore të botës, prezantoi gjendjen e vështirë në të cilën ynë, duke e promovuar të drejtën e popullit tonë për të qenë po kalonte populli i lirë dhe sovran.
Për ta kuptuar edhe më guximin intelektual që kishte dr. Rexhep Boja, po përmendi vetëm një rast në raport me çlirimin e vendit. Ishim së bashku në një vizitë zyrtare në Kuvajt, dhe ndër të tjera, para një mase afërsisht 400-500 veta, në një ambient të hapur e të qetë nate të vitit 1996, dr. Boja, mbajti ligjëratën me temën "Kasaphana e ardhshme në Kosovë pas asaj në Bosnje". Për t'u kthyer në Kosovë, u dashtë që në pikë të natës ta kalojmë kufirin me Maqedoninë nëpër male, që ishte një rrezik në vete, e kjo ka ndodhur disa herë. Një segment tjetër i rëndësishëm i dr. Rexhep ef. Bojës, ishte edhe angazhimi i tij për kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimit në radhët e popullit shqiptar. Ai në çdo paraqitje të tij gjithandej ku mori pjesë, me krenari dhe mburrje e theksonte si vlerë të veçantë të popullit tonë pikërisht virtytin e tolerancës dhe të mirëkuptimit ndërfetar. Dr. Rexhep Boja, pa humbur kohë iu përvesh punës për themelimin dhe hapjen e Fakultetit të Studimeve Islame, institucion ky që pas një angazhimi të gjithanshëm të BIK-ut, në krye me dr. Bojën, u bë realitet më 1992.
Dr. Boja, përveçqë u angazhua drejtpërdrejt në procesin mësimor, qe edhe dekani i parë i këtij institucion, dhe kështu praktikisht falë angazhimit të tij, në hapësirat shqiptare nisi punën fakulteti i parë për studimet islame në gjuhën shqipe.
Nga kjo që u tha më lartë, po vërehet qartë se në nivel global, personalitetet fetare luajnë një rol kryesor në promovimin e respektit për vlerat njerëzore dhe mbrojtjen e tyre. Prestigji i një njeriu vjen nga dinjiteti i tij, i cili vjen nga sinqeriteti i të folurit e i sjelljeve, i kontributit e respektit për të tjerët, pavarësisht nga pozita, niveli arsimor dhe social i tij. Koncepti i prestigjit që e gëzon një person në mesin e njerëzve - shoqërisë, do të thotë se ky person është i nderuar dhe i respektuar, dhe se njerëzit e marrin parasysh, e respektojnë dhe e nderojnë. Kjo sepse ai zotëron një sërë cilësish apo veçorish, të cilat e bëjnë atë shembull në mesin e popullit të tij, e i tillë ishte dr. Rexhep Boja, Zoti e pastë mëshiruar me mëshirën e Tij të pakufishme!
Gjatë veprimtarisë së tij, ishte karakteristikë e dr. Rexhep Bojës që të flasë pak e të punojë shumë. Sekretet personale që kishin të bënin me veprimtarinë për çlirimin e vendit i ndante me pak njerëz. Nuk ishte njeri ekspozues për punën e tij me të tjerët. Ai në vazhdimësi punonte për fe dhe atdhe me një heshtje të një intelektuali të mirëfilltë e të një njeriu të urtë dhe të drejtë në përmasa të gjera.
Ai ishte një personalitet unik, i cili tërhoqi vëmendjen e njerëzve brenda shoqërisë shqiptare dhe asaj islame e globale, gjë që e bëri atë të gëzojë një status të veçantë brenda shoqërisë shqiptare e më gjerë. Me një vendosmëri të prerë merrte çështjet e rëndësishme, të cilat kishin të bënin me çlirimin e vendit. Në këtë mënyrë, dr. Rexhep Boja, siç e quanim ne të gjithë, mori përgjegjësi për gjërat dhe situatat, që kishin të bënin me përmbushjen e premtimeve që një personalitet siç ishte dr. Boja ia bëri vetes. Duke u bazuar në aftësinë e tij të komunikimit, duke ditur se si të merrej me situata të reja dhe emergjente, dhe si një person me prestigj të lartë, shpesh u bënte përshtypje njerëzve me fleksibilitetin e tij të lartë në zgjidhjen e problemeve dhe përballimin me rrethanat emergjente. Ai pranonte kritikat brenda kufijve të arsyeshëm, duke mos lejuar askënd të tejkalojë kufijtë e lejuar dhe duke siguruar që e gjithë kjo të bëhet me qetësi dhe qëllim të pastër për të ardhmen e sigurt të vendit.
Për të marrë vendime apo për të zgjedhur mes opsioneve, dr. Rexhep Boja, ishte një personalitet i fortë dhe i mençur, duke mos lënë vend që të tjerët të konfirmojnë apo miratojnë vlefshmërinë e vendimeve të tij. Kjo pasi ai ishte i sigurt në vetvete dhe shokët përreth tij. Ai e dinte mirë se çfarë dëshironte, përkundër situatave tejet të vështira që krijonte atëkohë okupimi klasik serb. Dr. Boja e kuptonte rëndësinë e zgjedhjes së fjalëve në masë, për të përcjellë kështu mesazhin e tij të fortë e të qartë te masa, e cila atëherë përjetonte një aparteid të paparë nga forcat policore e ushtarake serbe dhe bandat e tyre.
Puna e Bashkësisë Islame në krye me Rexhep Bojën ishte shumë vizionare për një mbijetesë të imponuar prej okupuesve, por edhe me ndjenjën dhe motivimin e vazhdueshëm dhe përpjekjet për çlirim. Me punën tonë dhe me porositë e dr. Rexhep Bojës, puna e Bashkësisë Islame kishte përfshirë të gjitha segmentet dhe fushat e jetës. Aty ku ishte populli, aty ishte Bashkësia Islame, Aktivistë të shumtë të saj ishin shpërndarë anekënd Kosovës e vendeve të tjera shqiptare, por edhe në mërgatën e largët. Shumë nga nëpunësit e Bashkësisë Islame, imamë e administratorë u radhitën aty ku e kishin vendin, brenda UÇK-së dhe brenda thirrjes për t'i dalë në ndihmë popullatës së shpërngulur në Kosovë e vende të tjera të rajonit. Bashkësia Islame në fillim të vitit 1998, formoi edhe Këshillin e Emergjencës për t'iu dalë në ndihmë UÇK-së dhe popullatës së zhvendosur, por jo vetëm.
Prej 300 imamëve sa ishin të uniformuar me uniformën e UÇK-së, 37 prej tyre ranë dëshmorë - shehidë, për t'iu bashkëngjitur radhës së gjatë të emrave të dëshmorëve, të cilët ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. Kështu na mësonte dhe porosiste atëkohë i urti, hoxha, atdhetari dhe i pathyeshmi dr. Rexhep Boja, i cili thoshte: "Krahas përgjegjësisë që kemi për fenë, edhe kontributin për çlirimin e vendit e kemi farz - obligim, se punën tonë do ta shohë Zoti, Pejgamberi, por e shohin edhe të gjithë besimtarët në Ditën e Gjykimit, dhe për këtë, pa pikë dyshimi do të shpërblehemi tek Ai?"
Të nderuar të pranishëm,
Udhëheqësi fetar islam është një personalitet besnik ndërgjegjshëm dhe i sinqertë, i përkushtuar ndaj fesë së Zotit të tij dhe ndaj atdheut, i ekuilibruar dhe i integruar, që përpiqet për hir të Zotit dhe vatanit, të forcojë personalitetin e tij të pavarur dhe t'i shërbejë binomit Fe-Atdhe, gjë që e dallon atë nga të tjerët, e ky personalitet ishte vetë dr. Rexhep Boja.
Një nga karakteristikat më dalluese të lidershipit është besnikëria ndaj parimeve të tij dhe qëndrimi në besimet e tij, duke refuzuar të devijojë qoftë edhe pak prej tyre, pavarësisht se sa është e madhe sakrifica apo rezistenca.
Dr. Rexhep Boja ishte njeriu më besnik ndaj parimeve të tij dhe një luftëtar i pashembullt për to. Ai nuk dëshironte t'i linte ato të preken e të përdhosen nga armiqtë e vatanit tonë. Besnikëria ndaj parimeve dhe qëndrueshmëria në idenë për liri, janë objekt i besimit dhe urdhër hyjnor. Kjo bindje dhe besnikëri, si dhe lidershipi i tij prej një personaliteti të urtë e vizionar, e bëri dr. Rexhep Bojën një njeri me vlerë të pavdekësisë, për kontributin e dhënë për mirëqenien fetare, çlirimin e vendit dhe njohjen e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.
I ndjeri ishte një nga figurat e rëndësishme të lëvizjes së përgjithshme për çlirimin e vendit. Nga pozita që mbante si myfti i Republikës, ai kontribuoi efektivisht në aspekte të ndryshme të rizgjimit të përgjithshëm të shqiptarëve, në ngritjen e idealit dhe motivimin për çlirim të vendit.
Ai, përmes aktiviteteve dhe kontributeve të shumta e të ndryshme, hapi rrugën e shumë iniciativave për të mirën e vendit, si në politikat sociale, kulturore, fetare dhe kombëtare. Ai mori pjesë aktive në hapjen e rrugës për formimin dhe motivimin e UÇK-së për çlirimin e vendit. Në vazhdën e përpjekjeve për pavarësi, i ndjeri vazhdoi përpjekjet e tij në ndërtimin e themeleve të shtetit të ri të Kosovës.
Nga e gjithë kjo, mund të konkludojmë se personaliteti është shkëmbi mbi të cilin ngrihet çdo udhëheqje e fortë dhe e qëndrueshme. Si i tillë, ai duhet të jetë i palëkundur në fatkeqësi, kriza, luftëra, sprova rrethanash dhe sprova të ditëve; në vazhdimësi ngre kokën e tij duke u ngritur mbi retë e dyshimit dhe mbi retë e fiksimit dhe të hezitimit; zotëron atë fuqi që sfidon kohën, talljen dhe nënçmimin e ngjarjeve. Është ajo forcë që mposht dëshpërimin dhe ndihmon në çdo akt të madh shoqëror dhe në çdo vepër të mirë e fisnike logjikë racionale në kapërcimin e problemeve të natyrave të njerëzore.
Brenda kësaj, në vazhdimësi e gjejmë personalitetin e dr. Rexhep Bojës, i cili mësoi shumë edhe nga shkolla e jetës, të cilën më ai e bëri platformë, përmbajtja e së cilës duhet pas t'ju shërbejë studiuesve që të kërkojnë, të gjurmojnë dhe të studiojnë këtë rrugë apo platformë, e cila në vete ngërthen ende shumë gjëra të pathëna e të panjohura. Virtytet e tij në të gjitha fushat duhet të kopjohen dhe të përcillen te studiuesit dhe brezi i ri. Të gjithë ata që kanë punuar apo kanë bashkëvepruar me të e dinë këtë. S'ka dyshim se ai ishte një nga figurat e shquara në nivel kombëtar, i cili tërë jetën luftoi për vendin dhe fenë.
Ai ishte i pajisur me shumë cilësi, që rridhnin nga mësimet e Kuranit, mësimet e ligjit islam dhe nga realiteti praktik. Përgjegjësia ndaj vatanit, drejtësia, besimi, konsultimi, devotshmëria, durimi, mbështetja në Zotin, diturinë, urtësinë, shpirtin e sakrificës, përmbushjen e besëlidhjes dhe përsosmërisë, janë elemente të rëndësishme të udhëheqjes në Islam, elemente këto, të cilat ishin të mishëruar në shpirtin dhe zemrën e dr. Rexhep Bojës.
Udhëheqja e tij e mençur, e urtë dhe e drejtë ndaj besimtarëve në përgjithësi, ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Këto e çuan Bashkësinë Islame drejt asaj që ishte e mirë dhe e duhur për atdheun dhe fenë në këtë botë dhe në botën tjetër. Pas kësaj qëndronin cilësitë që i posedonte lidershipi, virtytet dhe morali fisnik, që e kualifikuan atë të ishte një shembull dhe model i plotë i udhëheqjes së mençur dhe të suksesshme drejt arritjes së qëllimeve dhe objektivave, për të cilat erdhi mesazhi i Islamit dhe të cilat ishin kërkesa e kombit për vendin.
Një figurë e shquar siç ishte dr. Rexhep Boja ka një reputacion të spikatur dhe të lartë në shoqëri edhe pas vdekjes, ku respektohet dhe vlerësohet vepra e tij edhe nga brezat e rinj, e nga të tjerët. Ky personalitet konsiderohet një model që duhet ndjekur. Një shembull që me punën dhe kontributin e tij fuqizon dhe motivon brezat e rinj për një edukatë dhe mirësjellje, për respekt e nder ndaj Krijuesit, fesë dhe vatanit, për një ndershmëri, dinjitet, përulësi dhe lidership të drejte.
Të nderuar të pranishëm,
Falja dhe toleranca ishin virtyte që e shoqëronin në vazhdimësi punën e tij të suksesshme në rrethana tejet të vështira. Këtë ai e bënte gjithherë i bazuar në atë që thotë Kurani: "Dhe sikur të ishit i vrazhdë dhe zemërgur, ata do të ishin shpërndarë nga rrethi juaj, prandaj falni ata!" (Ali Imran, 159).
Me gjithë tolerancën e tij, Allahu e bekoftë, dr. Rexhep Boja, ishte i vendosur në marrjen e çështjeve në duart e veta. Ai asnjëherë nuk u tërhoq nga marrja e vendimeve dhe zbatimin e tyre në të mirën e vendit kur çështja e kërkonte këtë. Ai gjithherë konsultohej me shokët e tij për çështje të rëndësishme, si dhe përdorte mendime të shëndosha dhe logjike racionale në kapërcimin e problemeve të natyrave të ndryshme të saja kohe.
Për fund:
Pa dashur të krijoj skena patetike, megjithatë para jush po rikujtoj edhe takimin e fundit me dr. Bojën. Dhjetë ditë para vdekjes ishte tek unë në zyrë. Biseduam mundësinë që të shkojmë për disa ditë në Shqipëri, pa menduar se kjo dëshirë do të mbetet e parealizuar. Nga zyra ime e thirri djalin e tij në telefon dhe i tha: "Muhamed, shko boni përgatitjet e duhura në Shqipëri, me disa shokë do të vijmë pas pak ditësh." Të nesërmen unë papritur u shtriva në spital ku pata një ndërhyrje kirurgjikale.
Dr. Rexhep Boja pothuajse për çdo ditë ishte aty, madje edhe vajzën e tij, doktoreshën e nderuar Safanë, e porosiste dhe i thoshte: "Shko vizitoje Myftiun dhe kur të hysh në dhomë, më thirr në telefon!" Pas një jave, unë dola nga spitali, por fatkeqësisht, të nesërmen dr. Boja u shtri në spital. Shkuam dhe e vizituam, e pash se nuk ishte mirë me shëndet. U larguam shumë të mërzitur bashkë me shokët Elezin dhe Ahmetin, duke i dëshiruar shërim të shpejtë. Përkundër dëshirës sonë, engjëlli i vdekjes veproi sipas porosisë së Zotit, duke marrë shpirtin e tij për ta qefinosur me petkun e Xhenetit, e për të vazhduar në shtatë qiejt me aromën e miskut të një shpirti xhenetli e të dashur edhe për banorët e qiejve, dhe duke e vendosur në rrugën e amshueshmërisë, i shpërblyer dhe i graduar me të mirat e Zotit xh.sh..
Myftiu Naim ef. Tërnava
Prishtinë, më 18 tetor 2024