“Pejgamberi është më i ndjeshëm ndaj besimtarëve sesa ata ndaj vetvetes së tyre, ndërsa gratë e tij janë në vend të nënave të tyre.” (El Ahzab, 6); “Juve nuk ju takon ta shqetësoni të Dërguarin e Allahut, e as të martoheni kurrë me gratë e tij, pas (vdekjes së) tij. Këto tek Allahu janë mëkat i madh.” (El Ahzab, 53).
Kush ishte seuda bint zumah, para se të bëhej bashkëshortja e pejgamberit a.s.
Seuda bint Zumah, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte gruaja e parë, e cila emigroi në Abisini me grupin e dytë, së bashku me bashkëshortin e saj. Ajo ishte e martuar me Sekran bin Amrin, vëllain e Suhejl bin Amrit. Seuda lindi dhe u rrit në Meke, në Arabinë paraislamike. Babai i saj, Zamah ibën Kajsi, ishte nga fisi Benu Amir i fisit Kurejsh në Meke, ndërsa nëna e saj, Shemsu bint Kajsi, ishte nga fisi Nexhar i fisit Hazraxh në Medine. Gjatë rrugëtimit të saj, kthimit nga Abisinia për në Meke, bashkëshorti i saj, Sekran bin Amri vdiq, duke e lënë Seudën të vejë me gjashtë fëmijë. Pas vdekjes së tij, ajo mbeti të jetonte me babanë e saj të moshuar. Seuda mbeti e ve në moshë të mesme, dhe cilësohej si një grua dashamirëse e madhe.
Hezitimi para pranimit
Pas vdekjes së Hatixhes, Allahu qoftë i kënaqur me të, gruaja e parë me të cilën u martua Pejgamberi a.s., ishte Seuda bint Zumah. Por, para propozimit, ajo hezitoi dhe nguroi që të martohej me Pejgamberin a.s., për shkak të respektit të madh që kishte ndaj tij a.s., si dhe për faktin se pas vetes kishte gjashtë fëmijë. Pejgamberi a.s., e pyeti: “Çfarë është ajo që të pengon të martohesh me mua?” Ajo u përgjigj: “O i Dërguari i Zotit, asgjë nuk më pengon që të martohem me ty, ngase ti je njeriu më i dashur për mua dhe unë të respektoj shumë. Por si kam për t’i lënë këta fëmijë të vegjël të ulërijnë rreth kokës sate gjatë gjithë kohës.” Pejgamberi a.s. i tha: “A ka ndonjë gjë tjetër që ju pengon të martoheni me mua?” Ajo u përgjigj: “Jo, për Zotin!” Atëherë Pejgamberi a.s., i tha: “Gratë më të mira që kanë rrugëtuar mbi devetë e tyre janë gratë e virtytshme të kurejshëve, të cilat janë më të dashurat ndaj fëmijëve të vegjël dhe më të shkëlqyerat në sjelljen e mirë ndaj burrave të tyre kur ato janë të pasura.”(1)
Ëndrra që më vonë do të bëhej realitet
Seuda, Allahu qoftë i kënaqur me të, siç e përmendëm edhe më lartë, para se të martohej me Pejgamberin a.s., ishte e martuar me Sekran bin Amrin, vëllain e Suhejlit. Një natë, ajo pa në ëndërr se Pejgamberi a.s. teksa ecte, shkeli në qafën e saj. Kur i tregoi për këtë ëndërr burrit të saj, ai i tha: “Pasha jetën e babit tënd, nëse ëndrra jote është e vërtetë, atëherë unë do të vdes dhe Muhamedi do të martohet me ty.” “Zoti na ruajt!” – tha ajo. Seuda e tha këtë për ta larguar idenë e komentimit të ëndrrës nga burri i saj. Një natë tjetër, ajo pa në ëndërr një hënë që binte mbi të nga qielli, teksa ajo ishte e shtrirë. Kur edhe këtë ëndërr ia tregoi burrit të saj, ai i tha: “Pasha jetën e babait tënd, nuk do të kaloi shumë kohë që unë të vdes dhe ti do të martohesh me Pejgamberin.” Që nga ajo ditë, Sekrani vuajti nga disa ankesa dhe nuk kaloi shumë kohë e ai vdiq.(2)
Propozimi për martesë
Transmetohet se pas vdekjes së burrit të Seudas, ajo që ia propozoi Seudan Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ishte Havla bint Hakim bin el Evkas es Sulemijeh, gruaja e Othman bin Mazunit. Ajo erdhi tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: “O i Dërguari i Zotit, ju shoh të pikëlluar për humbjen e Hatixhes?” Ai tha: “Po, ajo ishte nëna e fëmijëve dhe e zonja e shtëpisë.” Ajo i tha: “A të të propozoj (dikë)?” Ai tha: “Po, ju femrat jeni më të ndjeshme ndaj kësaj.” Havla ia propozoi Seudan dhe kur Seuda e përfundoi periudhën e idetit, i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i propozoi për martesë. Ajo pranoi, duke e ndjerë se ishte një nder i madh. Seuda shkoi menjëherë të jetonte në shtëpinë e Muhamedit a.s., dhe mori përsipër kujdesin për vajzat dhe shtëpinë e tij.(3)
Sipas Ibën Umerit r.a., Pejgamberi a.s., u martua me Seudën në muajin ramazan, në vitin e dhjetë pas shpalljes. Kjo martesë u bë pas vdekjes së Hatixhes dhe para martesës së Pejgamberit a.s., me Aishen r.a..(4)
Ishte një habi e madhe në Meke, që Pejgamberi a.s., zgjodhi të martohej me një të ve, që nuk ishte as e re e as nuk shquhej për bukuri. Megjithatë, Pejgamberi a.s., ia kujtoi sprovat që kishte kaluar kur ajo kishte emigruar në Abisini, duke lënë shtëpinë dhe pronën e saj, duke kaluar kështu shkretëtirën e më pas edhe detin, për të shkuar në një tokë të panjohur, me të vetmen arsye, për ta ruajtur fenë e saj.(5)
Pranim dhe falje
Pas përfundimit të betejës se Bedrit dhe fitores së myslimanëve kundër idhujtarëve, nëna e besimtarëve, Seuda bint Zumah r.a., kishte dalë nga shtëpia për të kryer detyrimin e saj për ngushëllime në familjen e Ali Afraes. Në këtë kohë ajetet për mbulesën nuk kishin zbritur ende.
Kur mori vesh për ardhjen e myslimanëve dhe robërve të luftës, ajo u kthye në shtëpinë e vet. Derisa po kthehej, u habit shumë kur në mesin e robërve pa djalin e axhës se saj, Suhejl bin Amrin. E pa të lidhur me litar në të dy duart që i vareshin mbi qafe. Ishte kjo një pamje përçmuese dhe përbuzëse për Suhejin, dhe ajo nuk mundi ta frenonte veten e tha: “A edhe ndaj Ebi Jezidit veprohet kështu”, - dhe iu drejtua atij me fjalët: “O Ebu Jezid, pse u vetëdorëzuat, më mirë të vdisnit me nder?!”
Kur i dëgjoi fjalët e saj, i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, u hidhërua shumë në të dhe tha: “Oj Seuda, a po nxit armiqësi edhe kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij?” Seuda e pa që gaboi dhe menjëherë kërkoi falje për ato që tha, e iu drejtua Resulullahut a.s. me fjalët: “O i Dërguar i Allahut, pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, nuk munda ta përmbaja veten kur e pashë Ebu Jezidin me duar të lidhura dhe thashë ato që të thashë.”
Pejgamberi a.s. e kuptoi se ajo nuk kishte qëllim të keq dhe se fjala doli prej saj pa e menduar, prandaj e pranoi pendimin e saj dhe e fali. Nuk i vuri veshin më shumë gabimin të saj, veçse i tha: “Allahu të faltë!”(6)
Në pleqëri me seudën
Kur Seuda ishte më e vjetër, ajo i tha Pejgamberi a.s., se natën e saj do t’ia dhuronte Aishes r.a., ngase atë e kishte shumë për zemër. Kështu që ajo dhe Aisheja r.a., qëndruan shumë së bashku dhe ishin shumë të afërta me njëra-tjetrën. Seuda jetoi deri në fund të kohës së udhëheqjes së kalifatit nga Omer ibën el Hatabi. Pas vdekjes së Muhamedit a.s., Seuda, së bashku me gratë e tjera, morën çdo vit një dhuratë parash nga Kalifati, të cilat ajo i shpenzonte për bamirësi. Ajo jetoi një jetë të gjatë dhe vdiq në vitin 54 Hixhëri në Medine, ku u varros në Xhenetul Baki. Ajo vdiq në muajin sheval, gjatë udhë heqjes së Muavije ibën Sufjanit. Ibën Sadi e vendos datën e vdekjes së saj në vitin 674. Pas vdekjes së saj, Muavije I, kalifi i parë në pushtet i dinastisë Umajad, bleu shtëpinë e saj në Medinë për 180.000 dirhemë.
______________________
1. https://archive.org/details/tabarivolume39/page/ n201/mode/2up?view=theater
2. https://archive.org/details/tabarivolume39/page/ n199/mode/2up?view=theater
3. https://web.archive.org/web/20130806103851/ http://www.islamawareness.net/Muhammed/ ibn_kathir_wives.html
4. https://archive.org/details/tabarivolume39/page/ n199/mode/2up?view=theater
5. https://web.archive.org/web/20130806103851/ http://www.islamawareness.net/Muhammed/ ibn_kathir_wives.html
6. Amër Halid, “I Dërguari s.a.v.s.”, Shtëpia Botuese “Dituria Islame”, Prishtinë.
Samire Bilalli
Dituria Islame 404