Arben Hyseni ka lindur më 12 prill 1980 në fshatin Godanc të komunës së Shtimes, nga babai Rexhepi dhe nëna Hyrija.
Shkollën fillore “Hasan Prishtina” e ka mbaruar në Godanc, kurse në medresenë “Alaudin” të Prishtinës ka kryer tri klasa në gjeneratën XXXIII.
Arbeni dy vjet ka shërbyer imam i Ramazanit në “Lagjën e Pajtimit” në Shtime.
Në kohën e daljes publike të UÇK-së dhe krijimin e njësive në fshtrat e Drenicës Jugore, Arbeni me disa shokë kontaktuan me UÇK-në në Krojmir.
Në këtë pikë, asokohe ishte edhe luftëtari Jetë Hasani, bashkëvendas i Arbenit, i cili kishte një kujdes të madh sidomos për ushtarët e rinj nga mosha, të cilët fillimisht dërgoheshin në Shqipëri, për të kryer stërvitjet dhe për të marrë armë e municion për nevojat e UÇK-së. Nëkorrik të viti 1998, Arbeni me disa vullnetarë qenë nisur për në Shipëri.
Meqë kishte filluar beteja në Junik, Arbeni mori pjesë në ato luftime dhe ndërkohë kaloi në Shipëri, prej andej së bashku me disa shokë, do të ktheheshin me armë dhe me uniforma të UÇK-së në njësitet që më vonë do të sistemoheshin në kuadër të batalionit “Ruzhdi Salihu” të Brigadës 121 “Ismet Jashari Kumanova”.
Bashkëluftëtarët e tij kanë qenë Enes ef. Rexha, Selim ef. Selimi, Fadil ef. Rashiti, Nuhi Jakupi etj..
Arbeni ka marrë pjesë në luftimet e zhvilluara në Carralevë dhe Zborc në verë dhe në vjeshtë të viti 1998.
Ai iu bashkua sërish, më 3 nëntor 1998, radhëve të batalionit “Ruzhdi Salihu”, me synimin që të niseshin për në Shqipëri për të marrë armë, ndonëse ai vet kishte armë dhe uniformë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, për afro 40 ditë, Arbeni me shokët, kryen me sukses ushtrimet taktike luftarake në Cahan të Tropojës, që i përfunduan më 7 nëntor 1998.
Më 14 dhjetor Arben Hyseni, në mesin e 143 luftëtarëve, të cilëve u printe Mujë Krasniqi, u nisën për të hyrë në Kosovë.
Në vendin e quajtur “Likenet e Hasit” ata ranë në pritë të forcave serbe, dhe aty, Arben së bashku me 26 luftëtarë të tjerë, ranë shehidë. Trupi i Arbenit, së bashku me trupat e të rënëve të tjerë në Has, janë varrosur në “Varrezat e dëshmorëve” në Polac të Skënderajt. Në Godanc u është ngritur një lapidar i përbashkët të rënëve të këtij fshati.
Me emrin e këtij dëshmori është emërtuar një rrugë në Shtime – rruga “Arben Hyseni”.
Arbenit i janë dhënë mirënjohje post mortum nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së (2003), nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes (1999); Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Shtime i ka dhënë Medaljen për kontributin e dhënë në Luftën për Liri (2009); Flaka e Janarit (2000); Drejtoria e Medresesë së mesme më 1999 Arben Hysenit i ka dhënë post mortum diplomën e kësaj shkolle.