Institucioni i shurasë-konsultimit në të drejtën islame


Në të drejtën islame institucioni i shurasë-konsultimit ka një vend dhe pozitë të lartë shumë të rëndësishme dhe ky institucion konsiderohet si një prej shtyllave bazë në sistemin udhëheqës në fenë islame. Vlerën dhe rëndësinë e këtij institucioni e vërejmë në mënyrë shumë të qartë në burimet bazë të jurisprudencës islame si në Kuran, Synet dhe n Ixhm’a (konsensusi i dijetarëve islam). Pa dyshim, e drejta e konsultimit-shurasë është e drejtë ekskluzive e Ymetit dhe në të njëjtën kohë obligim i prerë për kërkimin e konsultimit nga ana e halifit-prijësit të myslimanëve. Po ashtu vlera e këtij institucioni mund të kuptohet shumë qartë edhe nga historia e shtetit islam, ku shohim se halifët e shtetit gjithmonë kishin konsideratë të lartë për zbatimin dhe respektimin e këtij institucioni. Tjetra është se, falë respektimit të këtij institucioni, Bota Islame në të kaluarën ka pasur një pozitë dhe prestigj të lartë botëror. Rreth këtij institucioni janë shkruar artikuj e libra të shumtë, dhe ne do të mundohemi me disa rreshta të përmendim disa pika më kryesore rreth kësaj tematike.


Argumentet për domosdoshmërinë e këtij institucioni


Argumentet që flasin shumë qartë për këtë çështje, mund t’i hasim në Kuran si: “...e konsultohu me ta në të gjitha çështjet”( Ali Imran: 159. Nga ky ajet shpjegohet qartë se halifi duhet të konsultohet doemos me Ymetin. Në ajet ka një urdhër për zbatimin e këtij institucioni. Disa nga komentuesit e Kuranit thonë se me këtë ajet halifi obligohet të konsultohet me Ymetin dhe se Ymeti të konsultohet midis tyre. Po ashtu domosdoshmërinë e konsultimit e vërteton vetë praktika e themeluesit dhe prijësit të parë të shtetit islam, Muhammedit a.s., i cili, edhe pse kishte pozitë të lartë në mesin e Ymetit, konsultohej shumë me shokët e tij. P.sh., i Dërguari a.s ishte konsultuar me shokët e tij për strategjinë ushtarake në luftën e Bedrit - a t’i linin puset prapa apo të qëndronin prapa puseve duke pritur armikun; ishte konsultuar me shokët e tij për strategjinë e luftës së Uhudit, duke i konsultuar ata - a të qëndronin në Medinë e ta prisnin armikun, apo të dilnin jashtë qytetit; i Dërguari a.s. i kishte konsultuar Se’ad bin Muadhin dhe Sead bin Ibadete në çështjen e fisit Gatafan, për se i Dërguari a.s. kishte paraparë një marrëveshje me këtë fis dhe t’u jepte 1/3 e të ardhurave vjetore, po qe se do të hiqnin dorë nga qëllimi i tyre për sulmimin e Medinës. Mirëpo, pa konsultës, ata e pyetën: O i Dërguari i Allahut, nëse ky veprim është urdhër prej Allahut, vepro ashtu, e nëse është vetëm mendim personal, atëherë ne mendojmë se ai fis duhet të luftohet. Në këtë rast i Dërguari a.s. e pranoi mendimin e atyre dyve, bëri luftë më atë fis dhe nuk bëri kurrfarë marrëveshjeje paqësore me fisin Gatafan, etj.. Të gjithë dijetarët me konsensus (ixhma) janë të mendimit se zbatimi i konsultës-shurasë është i domosdoshëm. 
Ajo që mund të përmendim si argument për domosdoshmërinë e zbatimit të këtij institucioni, shihet në faktin se, nëse prijësi i myslimanëve e braktis këtë institucion, atëherë Ymeti ka të drejtë të kërkojë shkarkimin e tij. Në tefsirin e el-Kurtubijut qëndron: “Ka thënë Ibn Atije: Institucioni i konsultimit është një prej parimeve të Sheriatit dhe dispozitave të tij, ai i cili nuk i konsulton të diturit, shkarkimi i këtij prijësi është obligim”. Pra në shtetin islam nuk ka vend për prijës diktator.(2)


Për cilat çështje bëhet zbatimi i këtij institucioni


Ky institucion gjen zbatimin në të gjitha çështjet shtetërore dhe për ato çështje të Sheriatit që i takojnë fushës së ixhtihadit, d.m.th. për çështjet fetare për të cilat nuk ka tekst të qartë (ajet dhe hadith). Në tefsirin e el-Xhesasit qëndron: “Konsultimi duhe të bëhet për çështje të kësaj bote dhe për çështjet fetare për të cilat nuk ka shpallje...”.(3) Konsultimi nuk bëhet për çdo imtësi të çështjeve shtetërore, ngase kjo është e pamundur, nuk kërkohet, nuk ka nevojë, nuk ka dobi dhe se nuk ka argument për një çështje të tillë.


Kush janë ata që duhet të konsultohen (ehlu shura)


Duke pasur parasysh veprimet dhe praktikën e të Dërguarit a.s., do të shohim se vetë ai e konsultonte Ymetin në përgjithësi, e nganjëherë konsultohej me disa nga shokët e tij e nganjëherë mund të ishte si këshilltar vetëm ndonjë person për ndonjë çështje të veçantë. Prijësi i myslimanëve-halifi do të angazhohet të konsultohet me njerëzit që i nevojiten për konsultë rreth ndonjë çështjeje, pra do të konsultohet me profesionistët e çështjes për të cilën kërkohet konsultim. Imam el-Kurtubiju, në tefsirin e tij, e shpreh atë që po themi ne. Ky dijetar, Allahu e mëshiroftë, thotë: “E kanë për obligim prijësit që të konsultohen me dijetarët për ato çështje fetare që nuk i kanë të qarta: njohësit e ushtrisë për çështje të luftës, njohësit e çështjeve të interesave të njerëzve, kur ka të bëjë çështja me interesat e përgjithshme. Të konsultojë evidentuesit, ministrat dhe punëtorët - kur çështja ka të bëjë me ndërtimin dhe rregullimin e shtetit.”. Ky (imam) thotë se dijetarët kanë thënë: nga cilësitë e atij me të cilin kërkohet konsulta, duhet të jenë: nëse çështja është fetare të duhet konsultuar dijetari i fesë, e nëse çështja është që ka të bëjë me çështjet e kësaj bote - atëherë ky duhet të jetë i mençur dhe i provuar me ato çështje”.(4)


Divergjencat në mes kryetarit të shtetit dhe konsulentëve


Ka mundësi që të ketë mospajtime në mes të kryetarit të shtetit dhe konsulentëve, atëherë cila është zgjidhja në këtë rast? Zgjidhja për këtë është ajo që ka urdhëruar ajeti fisnik: “O ju që besuat, bindjuni All-llahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë tek All-llahu (te libri i Tij) dhe tek i dërguari, po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.”( En Nisa: 59). Pra, kur ka mospajtime, duhet të shihen Libri i Allahut dhe Syneti i të Dërguarit a.s.. Kjo është ajo që shpreh ky ajet fisnik dhe për të cilën çështje kanë konsensus të gjithë komentuesit e Kur’anit.(5) Kur për çështjen ekziston norma e qartë në Kuran dhe Synet, duhet ndjekur kjo normë e jo mendimin që është në kundërshtim me këtë. Por, nëse për çështjen nuk ka normë të qartë nga Kurani dhe Syneti, atëherë duhet t’i përmbahemi mendimit që është më i ngjashëm me Librin e Allahut dhe Syetin e të Dërguarit a.s.(6)


Veprimi sipas mendimit të kryetarit të shtetit


Kur ndodh që nuk ka asnjë mendim të ngjashëm me Librin e Allahut dhe Synetin e të Dërguarit të Tij dhe që ka divergjenca në mes të kryetarit të shtetit dhe konsulentëve, atëherë si bëhet zgjidhja? Ne mendojmë dhe e konsiderojmë si mendim mbizotërues atë që çështja e tillë të lihet në dorë të kryetarit të shtetit, nëse ai do të marrë mendimin e shumicës apo do të marrë mendimin e pakicës, dhe, po qe se do, i përmbahet mendimit të vet edhe nëse mendimi i tij është në mospërputhje me mendimin e shumicës dhe të pakicës.
Argumentet për respektimin e mendimit të kryetarit të shtetit nëse ai mendim është në kundërshtim me mendimin e shumicës. 
Argumenti i parë: Fjala e Allahut: “... e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten.”( Ali Imran: 159. Katade, në komentimin e këtij ajeti, thotë: “Allahu e ka urdhëruar të Dërguarin e Tij që, kur të vendosë për ndonjë çështje, duhet ta zbatojë - të mbështetet në Zotin, e të mos mbështetet mbi konsultën që i është dhënë”.(7) 
Argumenti i dytë: Ndodhitë e hershme, siç ishte rasti me halifin Ebu Bekrin r.a., me ushtrinë e udhëhequr nga Usameja dhe me luftimin e renegatëve (murtedëve). Shpjegimi i shkurtër për rastin e ushtrisë që udhëhiqej nga Usame bin Zejdi r.a., e të cilin i Dërguari Allahut a.s. e kishte caktuar si komandant të ushtrisë, se të largohej ky edhe pse në mesin e ushtrisë kishte më të vjetër dhe trima të njohur, dhe po ashtu e kishte urdhëruar që të drejtohej nga drejtimi i Palestinës. Por, para me ushtrinë e tij prej Medinës, pati vdekur i Dërguari i Allahut a.s., e Usameja r.a. kishte ndaluar dhe kishte pritur derisa qe bërë inaugurimi i Ebu Bekrit r.a. si halif. E pastaj kishte dërguar Umer bin el-Hatabin r.a., që të kërkonte leje prej Ebu Bekrit r.a. që ushtria të kthehej, me qëllim që të ishte përkrahje e tij në mbrojtjen prej sherrit të renegatëve (murtedëve). Pra, ky ishte mendimi i Umerit r.a. dhe i myslimanëve të tjerë, mirëpo Ebu Bekri r.a. e refuzoi këtë mendim duke thënë: Pasha Allahun, po ta di se luanët do të më merrnin zvarrë sepse nuk kam pranuar ta kthej këtë ushtri prapa, nuk kisha për ta kthyer dhe nuk e prish vendimin e të Dërguarit të Allahut a.s.(nuk lejoj të kthehet parapa ushtria)”.(8) 
Ndërsa, për sa i përket tregimit të renegatëve (murtedëve): Ishte një numër i madh i myslimanëve që refuzonin të jepnin zekatin, edhe pse besonin në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Këta (murtedët) dërguan një delegacion në Medine, që ta bindnin halifin që të pranonte të mos e jepnin zekatin, mirëpo Ebu Bekri r.a. refuzoi këtë mendim duke thënë: Pasha Allahun, sikur ata të mos më japin zekatin e një kërpeshi, do t’i luftoj. Ebu Bekri r.a. ishte i prerë në mendimin e tij, pavarësisht se ashabët e tjerë ishin të mendimit që të tregohej më i butë në ato momente, mirëpo Ebu Bekri r.a. qëndroi i palëkundur në mendimin e tij, që Allahu i kishte dhuruar të vërtetën në zemrën e tij...(9) 
Ajo që argumentohet nga këto raste të mëhershme, është se Ebu Bekri r.a. i është përmbajtur mendimit tij si halif dhe e ka zbatuar atë, pavarësisht se shumica nuk ishin të atij mendimi. 
Argumenti i tretë: Vërtet halifi -kryetari i shtetit- ka përgjegjësi të plotë për veprimet e tij, prandaj nuk duhet të detyrohet të zbatojë mendimin e tjetrit, nëse vetë ai nuk është i bindur për saktësinë e atij mendimi, ngase njeriu është përgjegjës për punën e tij, d.m.th. për atë punë që e kryen pa presion, kurse për atë që kryen nga presioni, njeriu nuk është përgjegjës. 
Argumenti i katërt: Saktësia apo pasaktësia e mendimit mbështeten në mendimin dhe në natyrshmërinë e tij e jo në shumicën a pakicën që shprehin mendimin. 
Argumenti i pestë: Shumica nuk është argument i prerë dhe as mbizotërues në saktësinë e mendimit. Po ashtu, as pakica nuk është argument i prerë dhe as mbizotërues që mendimi i tyre të jetë i gabuar, ngase ka mundësi që mendimi i gabuar të jetë në anën e shumicës. Për këtë realitet ka dhënë shenjë vetë Kurani Fisnik: “Në qoftë se u bindesh shumicës (mohuese që janë) në tokë, ata do të të largojnë nga rruga e All-llahut.”( El-Enam: 116). “Thuaj: “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira, po edhe nëse të mahnit ty shumimi i së keqes, pra kini frikë All-llahun (e mos pranoni të keqen) o ju të zotët e mendjes, ashtu që të shpëtoni.”( El-Maide: 100) 
Argumenti i gjashtë: Në momente lufte, e kjo është gjendja më e keqe nëpër të cilën kalon Ymeti, e gjithë çështja i dorëzohet komandantit të ushtrisë, që të veprojë ashtu si mendon ai në raste të sulmit dhe të mbrojtjes, pasi të konsultohet me ndihmësit e tij, por ai nuk obligohet t’i përmbahet mendimit të të tjerëve edhe nëse detyrohet të konsultohet me të tjerë. Kuptimi i gjithë kësaj është që njerëzit vetë arrijnë të kuptojnë se është më së miri që të zgjidhet çështja e divergjencave në mes të kryetarit dhe konsulentëve të tij, duke e lënë çështjen në dorë të kryetarit, që të veprojë ashtu si mendon ai. Për këtë shkak në gjendje lufte veprohet ashtu si thotë komandanti, edhe nëse ndodh që veprimi i tij të jetë i gabuar, saqë ky gabim nganjëherë të mund të shpjerë në shkatërrimin e tërësishëm të ushtrisë po edhe të Ymetit. Mirëpo pavarësisht nga këto, zgjidhja e kësaj divergjence në mes kryetarit dhe konsulentëve bëhet në atë mënyrë që vendimi t’i lihet kryetarit.


Kufijtë e lirisë së mendimit


E drejta e personave të shoqërisë është që të shprehin mendimin e tyre në lidhje me veprimet e halifit, por edhe kjo liri e shprehjes së mendimit i ka disa rregulla dhe kufij: 
E para: që qëllimi i këshilluesit të jetë i sinqertë ndaj halifit. Përmendet në hadithin e saktë të transmetuar në sahihun e Muslimit, se i Dërguari a.s. ka thënë: “Feja është këshillë! Ne thamë për cilin? Ai tha: për Allahun, Librin e Tij, të Dërguarin e Tij, prijësit e myslimanëve dhe masën e rëndomtë”. Nuk i lejohet personit që, me këshillën e tij, të ketë për qëllim të këqija ndaj prijësve, apo t’i rrisë gabimet e tyre ose t’i nxisë njerëzit kundër tyre etj.. Prej qëllimeve të këqija janë synimet që nuk e kanë për qëllim arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe as të mirën ndaj atij që e këshillon, dhe as nuk e kanë për qëllim interesin e përgjithshëm të Ymetit. 
E dyta: që myslimani të shprehë mendimin e tij ndaj veprimeve të prijësve mbi bazën e diturisë dhe njohjes së vërtetë, prandaj nuk lejohet që të reagojë ndaj një të keqeje të prijësve apo të përmendë ndonjë mangësi të tyre rreth çështjeve për të cilat ka hapësirë të ixhtihadit. Arsyeja e kësaj është se mendimi i tij nuk mund të jetë i rëndësisë së parë përderisa çështja është e fushës së ixhtihadit. 
E treta: nuk u lejohet personave që të bëjnë ndonjë fitne dhe që të nxisin për luftimin e atyre që kanë mendim të kundërt, përderisa çështja është e hapësirës së ixhtihadit.


Sistemi i konsultimit në kohën tonë


Në rreshtat më lart kemi përmendur raste të Synetit të të Dërguarit a.s. rreth çështjes së tematikës së konsultimit. Të gjitha këto argumentojnë se Sheriati islam nuk ka përcaktuar mënyrë të veçantë se si të veprohet me parimin e konsultimit. Kuptimi i kësaj është se sistemi i institucionit të konsultimit është lënë në duar të Ymetit, në varësi prej rrethanave dhe mundësive më të përshtatshme për sistemin e institucionit të konsultimit. Pra, kjo në fakt është një prej begative të Sheriatit për mundësinë e zbatimit në të ardhmen. Mbështetur në këtë, na bëhet e qartë se ajo që përputhet me kohën tonë, është që Ymeti të angazhohet për të bërë zgjedhjen e konsulentëve me të cilët do të konsultohet kryetari i shtetit dhe që, në të njëjtën kohë, ata të konsiderohen si ehlul hil-li vel-akdi. Pos kësaj, kryetari i shtetit duhet të konsultohet me njerëzit e specializuar për lëmin e tyre; po ashtu kryetari i shtetit ka të drejtë të kërkojë referendum për ndonjë çështje shumë delikate dhe të vendosë një sistem të qartë për të gjitha këto çështje e të tjera që kanë të bëjnë me tema për konsultim, sipas parimeve dhe rregullave të Sheriatit islam për udhëheqjen e shtetit. Gjithashtu kryetari e ka për obligim që t’u ofrojë njerëzve mundësinë që të shprehin mendimin e tyre lirshëm për çështjet e shtetit, brenda kufijve të Sheriatit. P.sh. nuk lejohen ofendimi, shpifja, sharja, përdorimi i fjalëve të këqija, trillimet dhe gjepurat duke u mbështetur në të drejtën gjoja të shprehjes së lirë të mendimit. Askush nuk ka të drejtë të sjellë telashe duke u mbështetur në të drejtën e shprehjes së mendimit të lirë. 
Realiteti faktik është se vendosja e sistemeve dhe kufijve të shprehjes së mendimit të lirë nuk mjaftojnë për të pasur zgjidhje të drejta, po ato që bëjnë dobi shumë në këtë aspekt, janë vendosja e sistemeve jetësore, përhapja e koncepteve islame, përhapja e moralit islam, edukimi i njerëzve me konceptin e besimit islam, edukimi i tyre që të kenë frikë prej Allahut, si kur janë në vetmi, ashtu edhe kur janë me njerëz. Në këtë mënyrë njeriu do të jetë i jashtëm t’u përmbahet dispozitave të Sheriatit, do ta kryejë detyrën e tij ashtu si kërkon Allahu i Lartësuar pavarësisht nëse kjo detyrë është për zgjidhjen e këshillit konsultues apo për shprehjen e mendimit për të cilin mendohet se është interesi i përgjithshëm. 


_______________________
* Ky punim kryesisht është i bazuar në librin e dr. Abdul Kerim Zejdanit “Usulu Daveti”, boton Muesesetu Rrisaleti, Bejrut 2002, 
2. Tefsirul Kurtubi vol. IV, fq. 249, 
3. El-Xhesasi: Ahkamul Kur’an vol. II, fq. 40, 
4. Tefsirul Kurtubij vol. IV, fq. 249-250, 
5. Tefsiru Taberiu, vol. V, fq. 87, Tefsirul Kurtubij, vol. V, fq. 261, Tefsirul Xhesas vol. II, fq. 212, 
6. Tefsirul Kurtubij, vol. IV, fq. 257, 
7. Tefsirul Kurtubij vol. IV, fq. 257, 
8. Prof. Alij Tantavi: Ebu Beker es-Siddik, fq. 162-163,
9. po aty,


 


Dituria Islame 230