Dita e Gjykimit sipas besimit islam është dita që ndan jetën në këtë botë nga jeta e Ahiretit. Ndan jetën e përkohshme nga jeta e përhershme. Me të përfundon përgjithësisht jeta e angazhimit dhe veprimit, për të filluar jeta e shpërblimit, eventualisht edhe e dënimit. Në mes të angazhimit dhe shpërblimit qëndron llogaridhënia për respektimin e urdhrave të Zotit, apo even- tualisht të kundërshtimit të tyre dhe mu për këtë, kjo ditë quhet edhe Dita e Llogarisë. Kjo ditë paraqet fundin e jetës në këtë botë, për këtë fakt quhet edhe Dita e Fundit. Të gjitha krijesat që kanë qenë të ngarkuara me obligime dhe ndalesa ringjallen para Zotit të tyre dhe kështu emërtohet edhe Dita e Ringjalljes. Kjo ditë në Kuranin fisnik ka më shumë se pesëdhjetedy emërtime të ndrysh- me.(1) Secili emërtim i kësaj dite vë në pah një fakt interesant të ndodhive të kësaj Dite të Madhe.
Obligueshmëria e të besuarit në ditën e gjykimit
Besimi në këtë ngjarje të madhe është parim fetar te shumica e banorëve të tokës përgjatë historisë. Në Islam, të gjithë myslimanët, me konsensus të plotë besojnë se Dita e Gjykimit do të ndodhë dhe se njerëzit do të ringjallen me trup dhe me shpirt para Zotit të tyre, pastaj do t’i gëzojnë shpërblimet që Zoti i tyre i ka përgatitur për besimdrejtët në përjetësi. Besimi në këtë moment të madh është njëri nga parimet më të famshme islame, pas besimit në Zotin Një dhe besimit në misionin e pejgamberisë. Kushdo që nuk beson se Dita e Ringjalljes do të ndodh, sipas parimeve islame nuk konsiderohet besimtar mysliman, për shkak se përmes mosbesimit refuzohen një pjesë e madhe e ajeteve të qarta të Kuranit fisnik. Koha kur do të ndodh Kiameti është e panjohur për çdo krijesë. Kjo çështje është në dijen e Allahut xh.sh..(2)
Ndërlidhja e besimit në ditën e gjykimit me veprimin
Në momentin kur besimi zë vend në zemrën e njeriut, prej tij kërkohen vepra të cilat dëshmojnë vërtetësinë e besimit që posedon. Në shumë ajete në Kuran qën- dron ky binom i famshëm: besimi dhe veprat e mira. Në njërin nga këto ajete, Zoti thotë: “E për ata që besuan dhe bënë vepra të mira, për ta do të jenë xhenetet e begatshme.” (Lukman, 7).
Në hadithin që quhet hadithi i Xhibrilit, Muhamedi a.s. numëroi gjashtë gjëra, që janë ajka e parimeve islame në besim: “Imani është të besosh Allahun, melaqet e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe se e mira dhe e keqja ndodh me lejen e Tij.”(3) Në mesin e këtyre gjashtë pikave, parimi më i qartë që ndërlidhet me veprimin është besimi në Ditën e Gjykimit, sepse gjykimi gjithherë ndodh për shkak të veprimit. Në shpjegimin islam, besimi qëndron si fondament i çdo veprimi, porse edhe veprimi nënkuptohet se është i kërkuar që të mbështetet në këtë besim. I tërë besimi islam, pra feja islame, nuk është zbritur për tjetër, vetëm se për të vepruar sipas saj. Në hadithin e mësipërm, nuk ceket vetëm aspekti i besimit, që në fakt paraqet aspektin teorik të parimeve bazë të Islamit, por aty kur pyetet për Islamin, i Dërguari a.s. numëron veprime të cilat paraqesin bazat e praktikës islame, ajo që te ne njihet me shprehjen “shartet (kushtet – shtyllat) e Islamit”, në të cilën përfshihet dëshmia gojore e përkatësisë islame, pastaj namazi, zekati etj., veprime këto, pa të cilat imani i besimtarit është i mangët.
Muhamedi a.s. ka thënë: “S’ka besim (të rregullt) ai që nuk ruan amanetin dhe s’ka fe ai që nuk ka besë.”(4) Besimtari është ai nga i cili burojnë virtytet e mira dhe sjelljet e këndshme. Përndryshe asgjë nuk ka përfituar nga besimi. Muhamedi a.s. ka thënë: “Mysliman është ai, nga dora dhe gjuha e të cilit të tjerët janë rehat.”(5)
Në një rast shokët e dëgjuan Muhamedin a.s. duke u betuar: “Për Zotin nuk ka besuar” dhe këtë e përsëriti tri herë. Ata i thanë: “Kush është ai o i Dërguari i Zotit që qenka shkatërruar?” Ai tha: “Ai që fqinjin e tij nuk e lë të sigurt me shqetësimet që i bën.”(6)
Sjellja e keqe – shkak për dështim në ditën e gjykimit
Transmetohet se Muhamedi a.s. një ditë i pyeti shokët e tij: “A e dini, kush është i falimentuar?” Ata thanë: “I falimentuar te ne është ai person që nuk i mbetet gjë nga pasuria dhe mallrat.” I Dërguari a.s. u tha: “I falimentuar është ai person që Ditën e Gjykimit vije me namaz, agjërim dhe zekat të kryer (në një transmetim tjetër, ai person që vije me të mira sa kodrat), porse dikë e kishte fyer, e dikë e kishte rrahur, dikujt ia kishte marrë pasurinë, e dikë e kishte vrarë. Atëbotë, secilit prej të dëmtuarve u jepet nga veprat e mira të këtij personi, e nëse harxhohen veprat e mira para se të shpaguhet dëmi, ngarkohet ky person me të ligat e të dëmtuarve dhe hidhet në zjarr.”(7)
Dijetarët kur përmendën këtë rast, thanë se sahabët i treguan Muhamedit a.s. për të falimentuarin e kësaj bote, kurse i Dërguari a.s. u tregoi për të falimentuarin në botën tjetër. Në një rast tjetër, Muhamedi a.s., ka thënë: “Ruajuni padrejtësisë, sepse ajo në Ditën e Gjykimit do të jetë errësirë.”(8)
Secili mëkat i madh është potencialisht i dënueshëm, por sjellja e keqe me njerëzit dhe shkaktimi i dëmit është niveli më i ulët dhe paraqet rrezikun më të madh për dënim. Nuk është i rastësishëm shpjegimi profetik, se dëshmorit i falen të gjitha mëkatet përveç borxhit, përderisa vlera e dëshmorit vije menjëherë pas vlerës së të dërguarve të Zotit. Kjo ngase, mospagimi i borxhit është marrje pa të drejtë e pasurisë së tjetrit dhe si e tillë është shkaktim i dëmit. Për dallim nga shumica e mëkateve të tjera, të cilat mund të ndëshkohen në botën tjetër, sjellja e keqe mund të ketë dënimin në këtë botë, siç është rasti me sjelljen e keqe ndaj prindërve dhe ushtrimi i prostitucionit.
Përveç kësaj, lutjet që i bëhen Zotit Fuqiplotë kundër atyre që shkelin të drejtat, ushtrojnë dhunë ndaj tjerëve dhe u bëjnë njerëzve padrejtësi pranohen me patjetër te Zoti Fuqiplotë, edhe nëse janë nga jobesimtarët. Muhamedi a.s. ka thënë: “Ruajuni lutjes së atij që i është bërë padrejtësi edhe po që se është jobesimtar, sepse në mes saj dhe Zotit nuk ka pengesë.”(9) Diku tjetër thoshte: “Njeriu është brenda mureve të fesë, përderisa nuk vret dikë pa të drejtë.”(10)
Mirësjellja – një nga veprat më të çmueshme
Përderisa sjellja e keqe ishte kërcënim ndaj besimtarit, në anën e kundërt qëndron sjellja e mirë. Ajo gjithherë ngrit pozitën e vepruesit në shkalla të larta, si në këtë botë, po ashtu edhe në Ahiret. Muhamedi a.s. ka thënë: “Njerëzit më së shumti do të hyjnë në Xhenet për shkak të devotshmërisë dhe sjelljes së mirë.”(11)
Sjellja e mirë ka shumë segmente në të cilat mund të ushtrohet. Ajo ndonjëherë është të qëndruarit pranë dikujt derisa t’i largohet mërzia, ndonjëherë mund të jetë angazhim për ta ndihmuar vëllain ose motrën për të shlyer një borxh, e herë-herë mund të jetë përpjekje për të ngazëllyer zemrën e dikujt. Muhamedi a.s. ka thënë: “Njerëzit më të dashur tek Allahu janë më të dobishmit për njerëzit, kurse vepra më e dashur tek Allahu është futja e gëzimit në zemrën e dikujt, ose heqja e mërzisë, apo shlyerja e një borxhi, ose largimi i urisë. Të jem në shërbim të një vëllai mysliman në nevojën që ka, për mua është më e vlefshme se të bëj itikaf në xhaminë time një muaj.”(12)
Në Ditën e Gjykimit, njerëzit me sjellje të mirë do t’i kenë pozitat më të larta në Xhenet. Muhamedi a.s. ka thënë: “Njerëzit më të afërt me mua në Xhenet do të jenë ata që kanë sjelljet më të mira.”(13) Në mesin e veprave të mira, sjellja e mirë do të ketë peshën më të madhe. Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk ka në mesin e veprave të besimtarit diçka peshë më të madhe në Ditën e Gjykimit se sa sjellja e mirë. Zoti nuk e do atë që fyen dhe përdor fjalor të ndytë.”(14)
Në jetën e përditshme gjejmë shumë njerëz të cilët para se të përqafonin Islamin, ishin të vrazhdë, jo tolerantë dhe të ashpër në raportet e tyre me njerëz. Shumë prej tyre ishin edhe pjesëmarrës në krime të ndryshme, por pasi që pranuan Islamin, ata u qetësuan, ndryshoi qasja e tyre, u bënë njerëz të butë dhe të mirësjellshëm. Këta shembuj janë të panumërt, si në kohërat e vjetra, po ashtu edhe tani në kohën tonë. Arabët para se të pranonin Islamin, konsideronin se vajzat janë barrë e gjithë fisit, përderisa pas Islamit garonin se kush të fitonte Xhenetin përmes edukimit të vajzave dhe mirësjelljes ndaj tyre.
Shumë njerëz të njohur në muzikë dhe film, para Islamit ishin plotësisht të shfrenuar pas përmbushjes së tekave të tyre, kurse pas pranimit të Islamit ata lanë çdo ves të lig duke u bërë prijatarë edhe në hapjen e fondacioneve të ndryshme bamirësie, në mënyrë që kështu të presin ditën e takimit me Zotin e tyre ballëhapur dhe me bagazh më të madh të veprimeve të mira.
Pra, besimi në Ditën e Gjykimit, besimtarit i jep një vizion më të qartë rreth qëllimit të tij final. Ky besim ndikon në vazhdimësi në përmirësimin e sjelljeve të tij gjatë këtij rrugëtimi. Besimtari kur kërkon mëshirën e Zotit për këtë ditë që do të vije, reflekton në jetën e tij që të jetë edhe vetë burim mëshire. Ai kur kërkon nga Allahu lehtësim të llogarisë në Ditën e Gjykimit, në jetën e përditshme bashkëvepron me lehtësi me njerëzit që ka përreth. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Besimtari është i butë dhe i lehtë (në bashkëpunim).”(15) Pra, sa herë që besimtari kujton ringjalljen para Zotit të Madhëruar, domosdo do të përmirësohet sjellja e tij me njerëzit në tokë, për t’i dhënë besimi në Ditën e Gjykimit vullnetin dhe kujdesin për të vepruar konform ndërtimit të një jete më të mirë në tokë.
________________________________
1. Quhet edhe Dita e Kiametit (Ringritjes), Dita e Madhe, Dita e Shpagimit.
2. Shih: Zija Adullahu, Ndikimi i besimit në sjelljet e besimtarit, Prishtinë, 2017, f.119.
3.Transmetojnë Buhariu (950) dhe Muslimi(8).
4. Transmetojnë Ahmedi (12567), Bezari (7196) dhe të tjerë.
5. Transmetojnë Buhariu (10) dhe Muslimi (40).
6. Transmeton Buhariu (6016).
7. Transmeton Muslimi (nr.2581).
8. Transmeton Buhariu nr. 2315.
9. Transmeton Ahmedi (nr.12549). Imam Munaviu thotë se ky hadith ka isnad të saktë (vërtetë).
10. Transmeton Buhariu nr.6862.
11. Transmetojnë Tirmidhiu (nr.2004), Ahmedi (9694) dhe Buhariu në “El Edeb el Mufred” (nr.289).
12. Transmeton Sujutiu (nr.2/298) d.
13. Transmeton Tirmidhiu nr 2018.
14. Transmetojnë Tirmidhiu (nr. 2002), Ahmedi nr.27517 dhe Ebu Davudi nr. (4799).
15. Transmeton Tirmidhiu (2488).