Në rruzullin tokësor ka shumë shtete të ndryshme, por vetëm njëra prej tyre është vatani ynë. Në këtë botë ka shtete të lashta, por vetëm një është shteti më i ri në kontinentin tonë.
Meqë një kohë të gjatë, tri dekada e disa vite, kemi jetuar në mërgim, atëherë sa herë që vinim në pushim u thosha shokëve, miqve, madje edhe pjesëtarëve të familjes sime: "Lirisë më së miri ia di vlerën i burgosuri, kurse vatanit më së miri ia di vlerën mërgimtari!"
Nuk e di a thua këtë fjalë e kam lexuar dikur në gjuhën shqipe, boshnjake apo arabe, apo kjo fjalë është rezultat i përvojës dhe përjetimit tim. Megjithatë, sido që të jetë, besoj se lexuesi i nderuar do të pajtohet me mendimin tim. Prandaj, këtë citat të cilin filluat ta lexoni, mbaj shpresë se do ta lexoni deri në fund, që është mendim i zakonshëm, i një qytetari të zakonshëm, ku shfaq dashuri për vatanin, i cili më 17 shkurt do të kremtojë pavarësinë e tij. Njëherësh, të mos harroj se ky mendim është po ashtu i një besimtarit të zakonshëm për temën në fjalë.
Njëmend, qejfi nuk ma do, që në fjalorin tim me shkrim apo gojarisht ta përdorë fjalën "i zakonshëm", jo për shkak se nuk e di saktësisht çdo të thotë ajo fjalë, por për shkak se nuk di çka do të thotë antonimi i asaj fjale "i jashtëzakonshëm", sepse çdo gjë në botë ka pa ashtu antonimin e vet. Me bindje se lexuesi tani nxjerr në pah se çka është qytetari i zakonshëm dhe çka është besimtari i zakonshëm i vatanit tonë, prandaj edhe nga ky pozicion do të vazhdoj me këtë shkrim modest.
Kështu, këtu me theks të veçantë do të fokusohem në vështrimin e besimtarit ndaj atdhedashurisë, si motiv nga përvoja ime e deritanishme me njerëz të zakonshëm, thuajse të të gjitha kontinenteve, ku shumica dërrmuese e tyre, ende sot e kësaj dite, i përmbahen parimeve fetare, që përputhen plotësisht me parimet kombëtare. Prandaj, unë shkruaj nga pozicioni përsëri i një myslimani të zakonshëm, gjegjësisht nga një njeri i përkatësisë islame, që është njëri nga tri religjionet e përbotshme monoteiste. Po, gjithsesi kështu përkrah dhe ndjej kënaqësi të madhe kur për atdhedashuri flasin edhe përkatësit e religjioneve të tjera në vatanin tonë shqiptar, madje edhe ata të cilët e konsiderojnë vetën si jobesimtarë apo agnosticistë.
Prandaj, çdokush që e konsideron veten besimtar, është i përcaktuar si besimtar - mysliman, e këtë nuk mund t'ia mohojë atij askush, pavarësisht nivelit të tjetrit. Ai si besimtar beson në Një, të Vetmin Zot, beson në parimet e fesë së tij, që plotësisht përputhen me parimet kombëtare. Ai beson në të gjithë të dërguarit pa kurrfarë dallimi, sikur që beson në të dërguarin Ibrahim, Musa, Isa dhe të dërguarin e fundit Muhamed, paqja, bekimi dhe shpëtimi qofshin mbi ta!
Andaj, besimtari i denjë është atdhedashës, meqë ai si shëmbëlltyrë i ka të gjithë të dërguarit e veçanërisht këta katër, të cilët i theksuam më parë, që po ashtu ishin atdhetarë të denjë. Kështu, besimtari beson se çdo që ndodh në planin tonë individual dhe kolektiv është vullnet i Krijuesit.
Kështu, vullneti i Tij është edhe jeta jonë. Prandaj ne nuk e krijuar veten që nga fetusi në barkun e nënës, e të mos shkojmë më larg. Po ashtu nuk e zgjodhëm se në cilin bark do të jemi, sikur që nuk e zgjodhëm hapësirën gjeografike dhe kohore, në të cilën do të lindim. Andaj, hapësira gjeografike në të cilën kemi lindur, kohën kur kemi lindur dhe kohën kur jetojmë është me (para)caktimin, vullnetin dhe urtësinë e Tij.
Ai dëshiroi, që ne si krijesa të Tij të jemi pikërisht në këtë vend e në këtë tokë prej këtij globi si dhe pikërisht në këtë kohë. Ai na dhuroi këtë vatan, andaj ne e falënderojmë dhe e madhërojmë Krijuesin e gjithësisë, që në këtë mënyrë konfirmojmë se jemi mëkëmbës të kësaj toke. Në këtë mënyrë e kemi obligim ta respektojmë tërë krijimtarinë e Tij, si botën e dukshme, po ashtu edhe atë të padukshme. Kështu, në tokën ku jemi lindur, Kosovën e dashur, e përqafojmë dhe e pranojmë para së gjithash, si përcaktim, mëshirë, urtësi hyjnore dhe dhuratë e Zotit. Po ashtu me vetëdije e pranojmë këtë epokë d.m.th. shekulli XXI, si kohë jona që jemi krijimtari e papërsëritshme dhe mëkëmbës në këtë tokë. Prandaj, siç thashë më parë, është obligim që ta respektojmë thellë Krijuesin dhe tërë krijimtarinë e Tij të llojllojshme në këtë gjithësi deri në kalim nga kjo botë kalimtare në botën e përtejme.
Dashuria ndaj vatanit është pjesë e pandashme e imanit
Vatan është fjalë e gurrës arabe, por meqë shekuj me radhë kjo fjalë ekziston në fjalorin tonë, prandaj ne të gjithë e kuptojmë domethënien e saj. Po ashtu edhe fjala iman është fjalë e gjuhës arabe, që s'do mend të gjithë e dimë kuptimin e saj. Kështu fjalia: "Dashuria ndaj vatanit është pjesë e pandashme e imanit", është shprehje dhe rezultat i dijetarëve myslimanë, që në këtë rast, si respekt ndaj tyre do ta shkruaj siç ata janë shprehur: Kam përshtypje se këto dy fjalë kur kanë hyrë në leksikun tona, kanë hyrë bashkërisht të pandashme, prandaj të mos i ndajmë edhe ne, sepse delen e vetme e ha ujku. Dashuria ndaj vatanit është obligim i prerë nga këndvështrimi islam dhe veprim i parapëlqyer i Krijuesit, sepse atdhetari në këtë mënyrë pranon përcaktimin e Tij. Nuk duhet harruar se dashuria ndaj vatanit është natyrë e lindur e njeriut.
Nuk ka dyshim se besimtari i denjë e do vatanin e tij, ai po ashtu e do tërë këtë botë, sepse ai e ka kultivuar zemrën e tij vetëm me dashuri, që s'ka vend për urrejtje ndaj askujt. Myslimani, shëmbëlltyrën e tij e kërkon në mirësjelljen e Muhamedit, paqja, bekimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, sepse ai, siç e dimë e ka dashur shumë vatanin e tij, e ka dashur Mekën, në të cilën ka lindur, po ashtu e ka dashur edhe Medinën, e cila i ofroi strehim për misionin e tij. Kështu, ne duke treguar dashuri ndaj vatanit tonë, ne në ndërkohë ndjekim traditën e të dërguarit Muhamed, paqja, bekimi dhe shpëtimi qofshin mbi të. Nuk duhet harruar këtë se Muhamedi a.s. me rastin e çlirimit të Mekës, për dashuri ndaj vatanit nuk i ndëshkoi ish-bashkëqytetarët e tij, por ju tha: "Shkoni, jeni të lirë!". Ndërsa në hytbenë e lamtumirës, pos të tjerash tha: "Njeriu është krijimtari e Zotit, mallkuar qoftë ai që e shkatërron atë!"
Dashuria ekstreme është dashuria e verbër dhe anasjelltas. Dashuria është vepër e Krijuesit, të cilën Ai e krijoi si pjesë e mëshirës së pakufishme, që ia dhuroi njerëzve. Mirëpo, ne sot në vendin tonë, shpeshherë dashurinë ndaj vatanit e shprehim në mënyrë të gabueshme. Këtu do t'i theksojmë vetëm dy nga disa të tjera, duke mos hyrë në shpjegim detal. Njëra nga to është konsiderimi se urrejtja ndaj ndryshueshmërisë konsolidon dashurinë ndaj njëjtësisë dhe vatanit, kurse tjetra është identifikimi i dashurisë ndaj vatanit me ndonjë parti politike. Kështu të tillët harrojnë se vatani ynë është më i lashtë sesa regjimet politike njëra pas tjetrës.
Më parë, siç e dimë regjimi monarkik, pastaj regjimi komunist me një partishmëri, kurse tani demokracia që solli regjimin e shumëpartishmërisë. Këtu në ketë kontekst do ta citoj fjalën e historianit dhe letrarit libanez Shekib Arsllanit (1869-1946), i cili thotë: "Atdhetari mendon për brezat e ardhshëm, ndërsa politikani mendon vetëm për zgjedhjet e ardhshme."
Në vijim do të theksoj kush s'janë vatandashësit e politikës aktuale: Në grupin e parë, janë ata të cilët e kanë dashur vatanin gjatë luftës, por tani shikojnë interesin personal. Këtij grupi i bashkëngjiten edhe disa a shumë ndërkombëtarë. Në grupin e dytë, janë ata të cilët nuk e kanë dashur dhe as që e duan vatanin, por shikojnë vetëm interesin personal, sepse të tillët kanë zhvatur edhe në sistemin komunist, pa përmendur emrat e tyre. Në grupin e tretë, janë ata të cilët e kanë dashur dhe e duan vatanin. Këtu fatmirësisht janë të gjithë qytetarët e zakonshëm të vatanit.
Mirëpo, të mos harrojmë, se edhe në mesin e klerikëve, por ka pak të tillë që s'janë atdhedashës 100%.
Andaj, këta mund t'i ndajmë në dy kategori: Në kategorinë e parë, bëjnë pjesë disa injorantë, të cilët kanë lexuar pak nga Islami, e pretendojnë se dinë gjithçka. Të tillët janë injorantë, ndonëse thirren në Islam. Ata manipulojnë me masën dhe fenë e monopolizojnë. Në kategorinë e dytë, bëjnë pjesë disa tullacë finokë vendorë a ndërkombëtarë, që kanë hapur qendra për konvertimin e qytetarëve të zakonshëm, duke shfrytëzuar gjendjen ekonomike të vështirë në vatanin tonë. Prandaj, këta si të tillë krijojnë të vetëquajtur lëvizje, në emër të qytetit të Kosovës, por rrënjët e saj janë jashtë saj. Prandaj, ata në këtë mënyrë dëshirojnë ta destabilizojnë vatanin tonë duke krijuar taraf, për të sjellë ujkun në kope. Kështu përfundojmë këtë elaborim modest lidhur me politikanët dhe klerikët me fjalë e të madhit Shemsudin bej Sami Frashëri: "Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtra".
Si ta duam vatanin?
Në fillim thamë se këtë që lexoni është vështrim i një qytetari të zakonshëm, po ashtu i një besimtarit të zakonshëm ndaj vatanit. Prandaj, çdo njëri prej nesh që e konsideron veten të zakonshëm, ai me vepra modeste mund të bëjë vepra të jashtëzakonshme për vatan, kështu në këtë mënyrë shfaq dhe realizon dashurinë e vet ndaj tij. Prandaj, për të vazhduar këtë rrugëtim, më së pari që mund të ballafaqohemi është së tij, atëherë pastrohet e tërë mëhalla. E, nëse pastrohet çdo shtëpia a oborri ynë. Andaj, çdo kush që pastron para shtëpisë lagje, atëherë është i pastër i tërë qyteti. Në qoftë se pastrohen të gjitha qytetet, atëherë i tërë vatani ynë është pastër. Meqë ra fjala për pastërtinë, atëherë duhet kushtuar kujdes të veçantë të gjithë vatandashësit nga hedhja e plehrave në vatanin tonë. Dikur kishim të pastër thuajse çdo lumë brenda në fashat a qytet, ndërsa tani gati çdo gjë është e ndotur. Më kujtohet fort mirë, atëbotë kur ishim të vegjël nga ura e lumit Krena i shihnim peshqit, kurse sot, siç thuhet në zhargonin popullor, nuk gjendet asnjë peshk as për ilaç. Po kjo ka të bëjë edhe me lumenjtë e tjerë.
Dashurinë ndaj vatanit në këtë krizë ekonomike mund ta shfaqim po ashtu edhe me blerjen e prodhimeve vendore në dyqanet tona. Të mos bëhemi si ndonjë politikan, që trumbeton për prodhimet vendore, ndërsa pikërisht ai është që në shtëpi të vet sjell prodhim të huaj! Të tillët janë llafazanë, që hanë bukën e tyre, por rrahin thekrën e botës. Prandaj, vatani kërkon shërbim dhe sakrificë, e kurrsesi fjalë boshe. Më në fund e përfundojmë këtë artikull me fjalën e urtë: "Vatani kur mbrohet nga "vatandashësit", atëherë ai është i pathyeshëm." Megjithatë, më shpresë së në të ardhmen e afërt do të kremtojmë në vatanin e natyrshëm, me të gjitha trojet e tij, vetëm deri aty ku bukës i thonë bukë dhe ujit i thonë ujë.