Formimi i shtetit dhe mëvetësimi si projekt shekullor, mbeten aspiratat sublime që i përjetuam ne bijtë e këtij qindvjeçari, duke realizuar kështu mëkëmbësinë dhe lirinë e plotë në truallin tonë të trashëguar. Shteti, si strukturim i lartë dhe tregues i vetëdijes së ngritur shoqërore, as te ne, e as gjetiu, nuk është themeluar ndryshe vetëm se mbi supet e njerëzve zemërdëlirë, heronjve shpirtmëdhenj, fisnikëve vetëflijues, intelektualëve mendjeurtë, dhe natyrisht të tjerëve që ndiqnin me plot zell gjurmët e tyre pa u hamendësuar. E pra, heroizmi, shpirtdëlirësia, fisnikëria, mendjeurtësia e vetëflijimi, janë një bontonë vlerash e virtytesh që s'bën t'i quash ndryshe veçse atribute të larta morale të cilat, në fakt mbesin të paçkapshme nga personaliteti i atyre heronjve shtetndërtues. Kushdo që tenton ta ndërtojë një shtet pa këto virtyte, ta konsolidojë e ta mbajë në këmbë pa këso vlerash, në versionin më të butë, klasifikon vetveten si një person naiv, e mbase tejmase mediokër.
Kur ne përfytyrojmë portretin e heronjve e ‘etërve’ të mëvetësisë së shtetit të parë shqiptar, por edhe të atyre të shtetit tonë të dytë, këtu në Kosovë, medoemos do të bindemi se ata ishin ëndërrimtarë të pathyeshëm dhe idealistë, që besuan fortë në ëndrrën për liri e mëvetësi. Ata mishëruan në shpirt, gjithë ato virtyte të larta morale e njerëzore, që sot margjinalizohen ndoshta edhe me plan, nga shumë shtresa të shoqërisë sonë.
Ata ishin individë të virtytshëm, të cilët vinin nga familje me rrënjë e themel të kulluar moral, kombëtar e fetar. Pa trashëgimtarët e denjë, që ruajnë të njëjtat virtyte, shteti ynë i bërë, nuk i reziston dot furtunave historike, dhe ne, brezi fatlum, rrezikojmë të shembim gjithë atë që heronjtë me pietet u flijuan për të.
S'mund të jetë ndryshe, ngase është thënë nga lashtësia greke që "shteti është më i virtytshëm, kur qytetarët e tij janë më të virtytshëm”, dhe si e tillë, kjo parullë, as sot, fare nuk është vjetruar.
S’druheshin asnjëherë moralistët puritanë, kur këmbëngulin se morali mundëson shndërrimin e njeriut nga karakteri i tij ‘shtazor’ në atë etik e human, dhe rrjedhimisht shteti i përbërë nga këta njerëz, kalon nga gjendja e tij e anarkisë në atë të rendit. Filluar nga Kanti, pastaj Hegeli e N. Hartmani, e shumë të tjerë, që të gjithë pajtoheshin për një gjë faktike se njeriu mbetet krijesa e vetme që mund të bartë e të adoptojë virtyte morale. Duke qenë i tillë, njeriu si krijesë e përsosur, vetëm i stolisur me virtyte morale, mund të jetë një shtyllë e fortë e një shteti të mirëkonsoliduar.
Edhe në përcepcionin islam, njeriu është krijesa e vetme që llogaritet mëkëmbës i Zotit në tokë, dhe ai mbetet i vetmi që mund ta mishërojë tërë atë korpus të gjerë vlerash morale, që me to e ka udhëzuar e ngarkuar Vetë Krijuesi i tij. Të mos harrojmë, Islami aspiron të ndërtojnë atë shoqëri, ku individët e saj do të jenë të stolisur me virtyte të larta morale, aq sa, edhe nëse nuk i sheh 'syri' i shtetit, ata gjithnjë kanë frikën nga Zoti i tyre. Preventivë e keqbëries për ta mbetet frika ndaj Zotit, e jo medoemos droja nga ligji apo tmerri nga ashpërsia e dënimit njerëzor. Silleni ndërmend porosinë e Allahut kur Ai tha: "...Mos iu frikësoni njerëzve, por më frikësohuni Mua...", (Ali Imran 175). Thënë ndryshe, nëse i ke shpëtuar ndëshkimit njerëzor, prej të cilit je frikësuar, mos u mashtro, ngase ti nuk i shpëton dot dënimit hyjnor për të cilin je paralajmëruar.
Kështu që, shtetit tonë, mëtonjës i lirisë dhe skajshmërish qëndrestar, virtytet morale i duhen jo si luks, por si gurë themeli që ai s'mundet dot pa to. Edhe nëse këtij shteti ia kemi ruajtur mirëfilli baltën-truallin e tij, por kemi anashkaluar gjakun - pra njerëzit e tij, misionin e ruajtjes e mëkëmbies së tij e kemi kryer të përgjysmuar. Nga ne kjo gjë cilësohet si një mision i papërfunduar. Prandaj, nuk mjafton!
Editoriali
Dituria Islame 411