Janë shkruar shkrime, artikuj, libra prej më të ndryshmeve rreth gruas, vlerave, pozitës, obligimeve dhe detyrave të saj ndaj vetes, familjes dhe shoqërisë së saj. Po ashtu shkrime pati edhe rreth rolit, dhe pozitës së gruas në shoqëri. Disa nga to e vendosën në vendin e merituar, e disa të tjera e degraduan rolin e saj shumë. Gjithsesi jemi dëshmitarë të shumë padrejtësive dhe parregullsive që iu bën asaj dhe që i bëhen edhe sot e kësaj dite, si në familje, në arsimim, shkollim, punësim etj..
Është thënë bukur nga Muhamed Amare se: “Kur flitet për gruan dhe emancipimin e saj, të gjithë njerëzit me arsye të shëndoshë pajtohen me faktin se mbi supet e gruas rëndojnë padrejtësi që shtrihen nga kohët e lashta e deri sot në ditët tona.”
Gjithashtu, pajtohemi me faktin se tashmë gruaja është shndërruar në një kauzë dhe se emancipimi i saj, edhe pse lidhet me atë të burrit, ka nevojë për më shumë vëmendje dhe për një qasje specifike. Por ajo që ka shkaktuar mosmarrëveshje dhe debate, në nivel ndërkombëtar, është modeli ideal, i cili i mundëson gruas emancipimin e vërtetë. Sot na afrohet modeli perëndimor ekstrem, modeli i lëvizjeve feministe, të cilat duan që gruaja të fokusohet te vetja, duke u rebeluar kundër natyrës së saj femërore me të cilën e ka krijuar Zoti, kundër burrit dhe kundër vlerave dhe feve. Ky është një model, i cili ka arritur kulmin e ekstremizmit. Ekziston dhe një model tjetër, ai tradicional, ai i izolimit dhe kufizimit, zakonet dhe traditat, e të cilat i janë veshur fesë. Ndërsa kur kthehemi te feja islame, gjejmë një trajtesë të mrekullueshme dhe të veçantë që i është gruas në të gjitha etapat që kalon ajo. Islami nxit dhe inkurajon në mënyrë sistematike leximin, nxënien e dijes dhe ngritjen intelektuale.
Dituria e dobishme, kusht për arritje, sukses dhe emancipim
Fjala e parë që zbriti nga Zoti ishte “Lexo!”, në mënyrë urdhërore, sepse leximi është një nga komponentët kryesor, që e ngritë lexuesin, e drejton në rrugën e drejtë, e emancipon dhe lartëson atë në një nivel njerëzor të duhur.
Dallimi ndërmjet të diturit dhe paditurit është si nata me ditën, qoftë burrë apo grua. Këtë e dëshmon fjala e Zotit kur thotë: “Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” (Zumer, 18). Kjo dëshmon se assesi nuk janë të barabartë të diturit me të paditurit. Gjithashtu Zoti me një ajet tjetër thotë: “Allahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri.” (Muxhadele, 11).
Zoti i ngriti aq shumë njerëzit e dijes, saqë i bëri dëshmitarë të njëshmerisë. I Plotfuqishmi thotë: “Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit.” (Ali Imran, 18).
I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., diturinë e bëri farz (obligim) për çdo mysliman, mashkull apo femër qoftë. Fjala është për diturinë e dobishme, sepse dituria e padobishme nuk shpie askund, vetëm se në humbje dhe humnerë. Për këtë Profeti ynë a.s. bëri këtë dua: “O Allah, unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga dituria prej së cilës nuk ka dobi!”(1)
Allahu xh.sh. nuk i dalloi në Librin e Tij burrat nga gratë kur tha: “Frikën e Zotit e kanë të diturit.” (Fatir, 28). Frika nga Zoti është e lidhur ngushtë me diturinë, ashtu siç dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve. Të dyja palët (burra dhe gra) në këtë çështje janë të barabartë. Pra nga kjo që u tha më lartë themi se gruaja nëse nuk është e ditur, e arsimuar dhe e edukuar, atëherë edhe frika ndaj Zotit i mungon, e në këtë rast do të ndodhë prishje, shkatërrim për veten e saj së pari, për familjen, dhe pastaj për shoqërinë ku jeton. Shkollimi i gruas është mburojë për të nga shumë dukuri negative, si nënçmimi, padrejtësia, dhuna, frika e panevojshme.
Dituria e dobishme e gruas, kusht për një familje të shëndosh dhe të lumtur
Çdo punë çfarëdo qoftë ajo është më e lehtë sesa amësia. Kur gruaja kryen këtë mision në mënyrë të përsosur, çdo përgjegjësi dhe punë tjetër është më e lehtë dhe me më pak e ndjeshme sesa kjo e amësisë, kështu që nënkuptohet se punët e tjera do t’i kryejë me plotë lehtësi dhe përpikëri.
Gruaja, kjo qenie të cilën Zoti e ka krijuar për të qenë mbi të gjitha nënë. Ajo bartë në brendësinë e saj një krijesë që frymon, ushqehet me gjakun e nënës së tij, e bartë lodhje pas lodhje, mundim pas mundimi, bile edhe jetën e saj e rrezikon vetëm e vetëm që ajo te vije në këtë botë shëndosh e mirë. Kurani famëlartë bukur e përshkruan kur thotë: “Nëna e vet e bartë atë mund pas mundi.” (Llukman, 14).
Lindja e fëmijës, përkujdesja ndaj tij në shumë aspekte, si në atë shëndetësor, edukativ, moral, akademik është puna më madhore, dhe obligimi më i rëndë, të cilin nuk mund ta kryej vetëm se një nënë e suksesshme, e edukuar e arsimuar. Nuk mund ta kryejë këtë obligim as edhe burri më perfekt mbi faqen e dheut. Edhe nëse mundohet dhe e bën të pamundurën prapëseprapë ndjesinë, mëshirën, kujdesin, dashurinë e nënës nuk mund ta dhurojë askush përveç saj.
T’i falësh fëmijës dashuri, dhembshuri, ngrohtësi dhe mëshirë gjatë gjithë këtij procesi të gjatë, të vështirë dhe sfilitës, është një mrekulli që vetëm gratë nëna mund ta bëjnë. Mu për këtë gjë, Zoti i drejtohet fëmijëve se ky mund do mirënjohje dhe falënderim duke ju thënë: “Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu.” (Llukman, 14). Pra Zoti e veçoi gruan me këtë pozitë dhe këtë privilegj që nuk ia dha askujt përveç saj.
Ndjesia e gruas, nënës, përcillet, ecën në jetën e pjesëtarëve të familjes. Kur gruaja është e lumtur e gjithë familja janë të lumtur, ashtu siç kur ajo është e sëmurë, e tërë familja janë të sëmurë. Vetitë, cilësitë, karakteri i saj ndikojnë në formimin e familjes, qoftë në edukatë, sjellje, arritje, sukses etj., e që i bie se bërthama kryesore e familjes dhe më rëndësishmja është gruaja.
Dituria e dobishme e gruas, kusht për një shoqëri të stabilizuar dhe ekuilibruar
Edukimi i shoqërisë duhet të bëhet përmes edukimit familjar, detyrë që tradicionalisht u besohet grave, nënave. Ato (gratë) përkufizohen si një brez që transmetojnë ndryshimet më të thella shoqërore.(2)
Prandaj, edukimi i gruas duhej të kishte një premisë për të drejtat e grave, sepse e ardhmja e kombeve varet nga gruaja, nga emancipimi i tyre. Roli i nënës që i është caktuar gruas është themelor, sepse asaj i është besuar detyra e formimit të brezave të së ardhmes.(3) Shembuj të shumtë dokumentojnë se edukimi i gruas është kushti kryesor për ngritjen dhe zhvillimin e shoqërive. Sikur mos të ishin gra të ditura dhe të fuqishme në kohën e lindjes së Islamit, do t’i duhej njerëzimit një mund shumë i madh të arrijë tek ajo pjesë, ndoshta edhe nuk do të arrinte fare.
Shembulli i nënës së besimtarëve, Hatixhes, Zoti qoftë i kënaqur me të. Sikur mos të ishte një grua e edukuar, e emancipuar dhe e ngritur, nuk do të kishte shoqëria islame burra të cilët e flijuan veten e tyre vetëm e vetëm që të ngritët lart fjala e Zotit.
Pastaj kemi Esmën, bijën e Ebu Bekrit, e cila e mbështeti një çështje shumë delikate, po ashtu tejet e rëndësishme. Asaj iu besua sekreti i migrimit të profetit Muhamed a.s. nga Meka në Medine, gjë e cila ishte një ndër ndryshimet më të rrezikshme të thirrjes islame, shtetit dhe ymetit islam. Ajo ishte pjesëmarrëse në këtë ngjarje të rëndësishme dhe e kreu këtë detyrë në mënyrë precize dhe të shkëlqyer.
Po ashtu kemi edhe një grua të veçantë, e ajo është Aisheja, vajza e Ebu Bekrit. Edhe ajo ishte fryt i modelit të këtij emancipimi islam të gruas. Paralelisht me të qenët bashkëshorte e dashur dhe e dhembshur, ajo ka transmetuar një pjesë shumë të madhe të thënieve profetike, njihte shumë mirë ligjin islam, deba tonte me njerëzit më të ditur, kishte shije ar tistike. Kemi shembuj të mrekullueshëm të tjerë, sikurse Hafsa, bija e Omerit, së cilës iu besua Kurani, në kohën kur gjendja për ruajtjen dhe përkujdesjen ndaj Kuranit ishte jo lehtë.
Kemi edhe Umu Amaren, një grua që veten dhe djalin e saj e bëri mburojë për Profetin a.s., derisa Profeti a.s. i tha se kush mund ta bëj këtë që e bën ti o Umu Amare?
__________________________
1 Transmeton Tirmidhiu.
2 Shiko: Elena Gjika, Dora d’Istrias.
3 Shiko: Elena Gjika, Dora d; Istrias.