Gambia, përhapja e Islamit në Gambi

 


Të dhëna statistikore(1): 


Emri ndërkombëtar në anglisht: Gambia. 
Emri zyrtar: Gambia. 
Sistemi i qeverisjes: Republikë. 
Sipërfaqja: 11,300 km². 
Numri i banorëve: 1.782.893 (korrik 2009). 
Dendësia: 164 (banorë në 1 km²). 
Feja: Myslimanë 90%, të krishterë 8%, besime vendëse afrikane tradicionale 2%. 
Kryeqyteti: Banxhuli, ndërsa Serekunda llogaritet qyteti më i madh në vend.
Qytetet e tjera: Kerewan, Brikama, Mansa Konko. 
Grupet etnike: Afrikanë 99% (mandinika 42%, fula 18%, uluf 16%, xhola 10%, serahuli 9% dhe etni të tjera afrikane 4%), joafrikanë 1%. 
Gjuhët kryesore: Anglishtja (gjuhë zyrtare) dhe gjuhë të tjera vendëse (mandinika, uluf dhe fula). 
Njësia monetare: Dalasi (1.00 GMD = 0.027 EUR). 
Data e pavarësisë: 18 shkurt 1965. 
Festë kombëtare: 18 shkurt 1965.


Pozita gjeografike


Gambia si shtet afrikan shtrihet në pjesën e Afrikës Perëndimore, në brigjet e oqeanit Atlantik. Nga tri anë (veri, lindje dhe jug) vendi është i rrethuar nga shteti i Senegalit, që është i vetmi shtet me të cilin kufizohet Gambia, me një gjatësi 740 km. Gambia konsiderohet shteti më i vogël në Afrikë, i cili sipërfaqen tokësore e ka të formës së një rripi të ngushtë, që ndodhet përgjatë brigjeve të lumit Gambi, i cili rrjedh në një gjatësi 322 kilometrash, për t’u derdhur në oqeanin Atlantik. Brigjet e vendit mbulohen nga një sërë pemësh, edhe në brendi ka pemë, por më të vogla(2). Shteti i Gambias ka vetëm një aeroport (sipas shënimeve të vitit 2008). Vendi ka edhe porte detare, nga të cilat më i rëndësishmi është porti që gjendet në kryeqytetin Banxhul(3). Në Gambia ka disa institucione të larta arsimore, siç janë: Instituti Afrikan Islamik Brikama-ba, Kolegji Brikama, Instituti Islamik Njie Kunda, etj(4). Banxhuli: Si kryeqytet i Gambias ka një popullsi prej 44,188 banorësh. Ky qytet bie në rrjedhën e lumit Gambia, në ishullin që ndodhet përgjatë bregut perëndimor të Afrikës, respektivisht të Atlantikut. Këtë qytet e themeluan britanikët në vitin 1816 dhe e quajtën Bathurst, dhe ky shumë shpejt do të bëhej qendër tregtare. Qytetin Bathurst e menaxhuan britanikët, si pjesë të kolonisë së tyre, deri në kohën kur vendi fitoi pavarësinë, në vitin 1965. Pastaj, në vitin 1973, qyteti mori emrin e ri Banxhul, sikur quhet edhe sot. Banxhuli konsiderohet zonë kryesore urbane në Gambia, prandaj konsiderohet qendër e rëndësishme ekonomike, bujqësore dhe komerciale e vendit. Në kryeqytet janë përqendruar shumica e fabrikave të Gambias, ndër to edhe fabrikat e prodhimit të lëngjeve e të pëlhurave dhe të gjitha mjetet e bujqësisë, si dhe funksionalizimi i disa industrive të rëndësishme, përfshirë industrinë e përpunimit të dyllit të bletëve, të drurit, të vajit të hurmës dhe, në fund, përfitimet nga anijet përmes portit të Banxhulit. klima e qytetit është e nxehtë dhe me të reshura stinore. Qyteti njihet për një numër të konsiderueshëm xhamish dhe për qendra islame të shumta, në të cilat mësohet edhe gjuha arabe dhe nxënia përmendsh e kuranit(5).


Historia e Gambias


Në shekullin xIII, në zonat e Gambias së sotme, nga lindja dhe veriu kishin ardhur fiset uluf, malinki dhe fulani, dhe ishin vendosur aty. Në shekullin xIV zonat e vendit u bënë pjesë e Perandorisë së Madhe Islame të Malit, zona të cilat në veri–lindje konsideroheshin qendër e kësaj Perandorie, dhe përfshinin edhe Senegalin, Malin dhe jugun e Mauritanisë. Më vonë, në periudhën nga fundi i shekullit xV deri në fund të shekullit xVI zonat e Gambias qenë pjesë e Perandorisë Sunxhaj, e cila pati zëvendësuar Perandorinë e Malit. Portugezët në vitin 1455 panë për herë të parë lumin Gambia. Mandej, në shekullin e xVII ata dhe britanikët ngritën vendbanime të vogla pranë këtij lumi. Në atë kohë, skllavëria ishte burimi kryesor i të ardhurave, dhe kjo zgjati derisa, në vitin 1807, u anulua tregtia me skllevër. Ndërkaq, në vitin 1842 Gambia u bë koloni e Mbretërisë Britanike, kurse në vitin 1965 vendi arriti pavarësinë e tij si Monarki Kushtetuese, në kuadër të komunitetit britanik. Davda xhavara nga Partia Progresive Popullore mori përsipër kryeministrinë e vendit, në krye të një sistemi demokratik, në të cilin zbatohej sistemi shumëpartiak. Dhe, në fund, vendi u bë republikë, kurse president i tij u zgjodh Davda xhavrra(6).


Historia e përhapjes së islamit


Disa historianë mendojnë se feja islame në Gambia kishte hyrë që në kohën e murabitëve (sunduan veriperëndimin e Afrikës dhe Spanjën nga viti 1056 deri në vitin 1147), sundimi i të cilëve përfshinte Mauritaninë dhe rajonet e Senegalit – ndër të cilat edhe Gambian e sotme – dhe atje filloi të përhapej thirrja islame që nga viti 1040 miladi - gregorian / 432 hixhri - lunar. Ka një mendim tjetër nga historianë, sipas të cilit hyrja e fesë islame në këto rajone ishte meritë e tregtarëve myslimanë, në kohën kur me aktivitetet e tyre tregtare kishin arritur në këto zona, dhe banorët e këtyre viseve qenë magjepsur nga sjelljet morale, shoqërore dhe individuale të tregtarëve myslimanë. E tërë kjo ishte nxitje e madhe për popullin e këtyre vendeve – dhe të Gambias – drejt përqafimit të fesë islame. 
Po ka dhe një mendim të tretë të historianëve – që ndoshta është mendimi më i saktë – , sipas të cilit të gjithë këta faktorë kontribuuan në forcimin e rrënjëve të Islamit në këto rajone. Në lidhje me këtë, historiani sudanez Profesor Abdullah Et-taj-jib, ka thënë se këtu kishte ndikuar një element i rëndësishëm, që ishte takimi i afrikanëve me fenë islame, që kur shokët e Pejgamberit a.s. kishin emigruar në Habeshe – Etiopi. Habeshe asokohe përfshinte vende të ndryshme të Afrikës, një hapësirë shumë më të madhe sesa përfshin Etiopia në kohën tonë. Historiani i lartpërmendur thotë se më pastaj banorët myslimanë të atyre viseve, që nga kohët e hershme, arritën të kapërcenin lumin Nil dhe të vendoseshin në rajone të ndryshme të Afrikës. Kështu, myslimanët e parë bartnin me vete edhe thirrjen islame kudo që depërtonin, për të vazhduar të njëjtin mision edhe pasardhësit e tyre. Me fjalë të tjera, depërtimi dhe përhapja e fesë islame në Gambia kishte ndodhur në kohë shumë të hershme, kështu që islami ka lënë gjurmë rrënjësore dhe të shëndosha në këto rajone, prandaj përqindja e myslimanëve në Gambia sot ka arritur shifrën më shumë se 90% e popullsisë(7).


Klima


Në Gambia zotëron kryesisht klima tropikale dhe e nxehtë. Kjo nxehtësi në vend zotëron nga qershori deri nëntor, kurse klima e ftohtë dhe e thatë zotëron kryesisht nga nëntori deri në maj. Territori i Gambias është i shtrirë në formë të një gjuhe tokësore, një formë që e ka marrë nga ndikimi i përmbytjeve të lumit Gambia, i cili kalon nëpër tërë gjatësinë e vendit, kështu që edhe vendi u quajt me emrin e lumit - Gambia. Distanca tokësore e shtrirjes së lumit Gambia arrin në 300 km, kurse gjerësia më e madhe e tij nuk e kalon 50 km. Në të dy anët e Republikës së Gambias ka disa kodra të ulëta. Pika më e ulët në terrenin e vendit në nivelin e detit, është në brigjet e oqeanit Atlantik, kurse ajo më e larta mbi nivelin e detit, arrin deri në 53 m(8).


Gjendja ekonomike


Gambia llogaritet ndër vendet më të varfra në botë dhe me një përqindje të lartë të vdekshmërisë, sikurse renditet e para nga vendet ku është e përhapur malaria. Tregtia në vend konsiderohet një segment i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik. Gambia mbështetet rreth 80 për qind tek eksportet nga jashtë. Megjithëkëtë, plani i qeverisë për të inspektuar mallrat para ngarkimit dhe jostabilitetit i kursit të monedhës së vendit (dalasi), ka çuar në dështimin e një pjese të tregtisë së rieksportimit. Kikiriku konsiderohet të jetë një nga burimet më të rëndësishme të ekonomisë në vend. Gjithashtu vendi ka edhe kultura të tjera si, pambuk, vaj palmash dhe oriz. Në vend zhvillohen disa industri të thjeshta, siç janë industria e vajit të perimeve, e këpucëve, e përpunimit të lëkurave, e makinerisë bujqësore, përpunimi i drurit, prodhime metalike dhe industria e veshjeve. Të gjitha këto veprimtari zhvillohen kryesisht në kryeqytetin e vendit dhe në periferi të tij. Bukuritë natyrore të Gambias dhe pozita gjeografike në afërsi të Evropës, kanë bërë që vendi të jetë tërheqës për pushime të turistëve të shumtë evropianë në Afrikën Perëndimore. Për këtë arsye turizmi përbën një burim të rëndësishëm të të ardhurave, sepse siguron 71 për qind të të ardhurave të vendit. Gjithashtu peshku titan dhe kallaji janë nga burimet më të rëndësishme të pasurisë natyrore në Republikën e Gambias. Vendi nuk ka burime minerale. Në fushën e bujqësisë, Gambia mbështetet në një bazë të kufizuar të të ardhurave, kryesisht nga kultivimi i disa të lashtave dhe kultivimi i bagëtive kryesisht të imëta – dhi, dhen etj. –, që sigurojnë tri të katërtat e burimeve të jetës për popullsinë e vendit(9).
____________________
1. Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f.68. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame, f, 63. Logos a, 2009, Shkup. www. ar.wikipedia.org 
2. Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f.332. Mektebetul Adab, 2007, Kajro.
3. www.mukatel.com/
4. www.islamicfinder.org 
5. www.moqatel. com 
6. Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 333. 
7. Mr. Mesh’hur Hasen Hamud, Dr. Hasen jusuf Ebu Semur dhe Umer Muhammed El-Armuti, Mevsuatu-l-Alemi-l-Islami, f. 318. Boton: Vekaletu-n-Neiimi Li-l-i’lani ve-t-Tiba’ati, Amman – jordani, viti: 1994 
8. www.moqatel.com
9. www.ar.wikipedia.org


 


Mr. Samir B. Ahmeti 


 


Nuk ka artikull pas ketij.