Komentimi i kaptinës “El-Kehf” (5)

 


“Dhe ti e shihje diellin, kur lindte bartej prej shpellës së tyre nga ana e djathtë, e kur perëndonte largohej nga ata nga ana e majtë, e ata ishin në një vend të gjerë të saj. Kjo ishte një nga argumentet e Allahut. Atë që e udhëzon Al lahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte. Do të mendoje se ata janë të zgjuar, ndërsa ata ishin të fjetur, e Ne i rrotullonim herë në krahun e djathtë e herë në të majtin. Qeni i tyre i kishte shtrirë këmbët e para pranë hyrjes. Sikur të kishe hasur në ta, do të ishe kthyer, duke ikur dhe do të ishe mbushur frikë prej tyre. Ashtu (sikurse i vumë në gjumë) i zgjuam ata që të pyesin njëri-tjetrin (se sa kanë fjetur). Njëri prej tyre foli e tha: “Sa keni ndenjur?” Ata thanë:”Kemi ndenjur një ditë ose një pjesë të ditës!” Disa thanë: “Zoti juaj e di më së miri se sa keni ndenjur, prandaj dërgojeni njërin prej jush me këtë argjend (monedhë argjendi) në qytet, e të zgjedhë ushqim më të mirë, e t’ua sjellë atë juve dhe le të ketë shumë kujdes e të mos i japë të kuptojë askujt për ju”. Pse, nëse ata (të qytetit) kuptojnë për ju, do t’ju mbysin me gurë, ose do t’ju kthejnë në fenë e tyre, e atëherë kurrë nuk keni për të shpëtuar. Dhe ashtu (sikurse i zgjuam nga gjumi) i zbuluam (t’i shohin njerëzit), e të kuptojnë se premtimi i Allahut (për ringjallje) është i sigurt dhe se katastrofa e përgjithshme (kiameti) është e padyshimtë. (I zgjuam) Mu atëherë kur ata (populli) bisedonin për çështjen e tyre dhe thanë: Ndërtojuni atyre një ndërtesë (të jetë shenjë). Zoti i tyre di më së miri për ta. E ata që ishin me shumicë thanë: “Do të ndërtojmë gjithqysh në hyrjen e tyre një xhami”.


* * * 


17. “Dhe ti e shihje diellin, kur lindte bartej prej shpellës së tyre nga ana e djathtë, e kur perëndonte largohej nga ata nga ana e majtë, e ata ishin në një vend të gjerë të saj. Kjo ishte një nga argumentet e Allahut. Atë që e udhëzon Allahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte.”


Pasi djelmoshat së bashku me qenin e tyre u futën në shpellë, dhe u shtrinë të pushonin, Allahu xh.sh. i vuri në gjumin e tyre shekullor. Ata gjatë tërë kësaj kohe ishin nën kujdesin e Allahut dhe nën mëshirën e Tij. Ajetet në fjalë, të cilat po i komentojmë, dëftojnë për një mrekulli të madhe, sepse dielli, nuk i kapte ata me rrezet e tij, as kur lindte e as kur perën donte, në mënyrë që drita e tij të mos i zgjonte. Ky ajet, i ka shtyrë shumë komentatorë që të hamendësonin për pozitën dhe vendin e shpellës, duke dhënë mendime të shumta, por këto detaje, sipas nesh janë të panevo jshme, sepse të vërtetën e saj e di vetëm i Lartmadhër ishmi. Kryesorja, këtu kemi të bëjmë me një mrekulli, sepse, ndonëse djelmoshat qëndronin mu në mes të shpellës, e cila kishte një të çarë, nga ku mund të de përtonin lehtë rrezet e diellit, Allahu i gjithëfuqishëm, bëri që rrezet e tij të mos binin asnjëherë mbi ta, as kur lindte e as kur perëndonte. Ata qëndronin të shtrirë ndërkohë që flladi dhe freskia që vinte nga të çarat e shpellës, ua mundësonte atyre që të ndjenin rehatinë e duhur. Allahu i Madhërishëm me fuqinë e Tij i bëri shkaqet, që ata djelmosha të mos e ndjenin lëvizjen e kohës për 300 e sa vite, ndërkohë që përreth tyre çdo gjë kishte ndryshuar. Kishte vdekur mbreti tiran e zullumqar, e kishin ardhur e shkuar mbretër të tjerë, e ata vazhdonin gjumin e tyre të papenguar nga askush. Ky fakt është një argument shtesë se atë, që do Allahu e udhëzon dhe e mbron nga çdo e keqe, ndërkohë që ai i cili nuk e pranon udhëzimin hyjnore, vështirë se mund ta udhëzojë dikush. Ky ajet është njëkohësisht edhe një paralajmërim për Pejgamberin a.s., që të mos preokupohej aq shumë për udhëzimin me çdo kusht të mekasve, sepse ky udhëzim është vetëm në kompe tencën e Zotit të madhërishëm. 


18. Do të mendoje se ata janë të zgjuar, ndërsa ata ishin të fjetur, e Ne i rrotullonim herë në krahun e djathtë e herë në të majtin. Qeni i tyre i kishte shtrirë këmbët e para pranë hyrjes. Sikur të kishe hasur në ta, do të ishe kthyer duke ikur dhe do të ishe mbushur frikë prej tyre. 


I Lartmadhërishmi e njofton në detaje të Dërguarin e Tij për gjendjen e djelmoshave gjatë gjumit të tyre, duke i thënë se ndonëse ata ishin të fjetur, sytë e tyre ishin të hapur, dhe po t’i shihje, do të mendoje se ata janë të zgjuar. Kjo është një mrekulli e radhës e Allahut xh.sh. për djelmoshat e shpellës. Sytë e tyre qëndronin hapur, sepse edhe sipas mjekësisë është vërtetuar se mbyllja e kapakëve të syrit për një kohë të gjatë, shkakton kapjen (ngjitjen) e tyre në mes vete me një materie që tajitet nga syri, dhe pastaj hapja e sërishme e tyre është e vështirë. 
Ndërsa rrotullimi i tyre herë në krahun e djathtë e herë në të majtë, është po ashtu një mrekulli tjetër ne vete. Nëse trupi i njeriut i shtrirë për një kohë të gjatë, qoftë në dhe-tokë, qoftë edhe në shtrat, nëse nuk rrot ullohet, atëherë qelizat e lëkurës vdesin, i cili proces ka si pasojë pamundësimin e qarkullimit normal të gjakut nëpër trup. Nëse mishi i trupit rri një kohë më të gjatë pa lëvizur, atëherë nuk ka mundësi që oksigjeni të futet në trup nga poret, gjë që pashmangshëm, shkak ton mpiksjen e gjakut dhe ky mish i ngjan një cope të vdekur që kalbet. Për këtë arsye edhe mjekësia e sotme, të sëmurëve, që janë të palëvizshëm, u rekomandon familjarëve, që, dikush t’i rrotullojë gjatë ditës dhe natës, herë në të djathtë e herë në të majtë. 
Nga ky ajet kuptojmë se në hyrje të shpellës, para tyre si një rojë vigjilente qëndronte qeni i tyre besnik, po ashtu i vënë në gjumë me sy të hapur, sikurse djel moshat. 
Pjesa e fundit e këtij ajeti: “Sikur të kishe hasur në ta, do të ishe kthyer duke ikur dhe do të ishe mbushur frikë prej tyre.” sikur ia shfaq para syve Pejgamberit a.s. pamjen e këtyre djelmoshave së bashku me qenin e tyre, të cilët po t’i shihje në atë gjendje do të ikje me vrap nga frika. 
Në lidhje me këtë ajet, disa mufessirë e kanë parash truar pyetjen, se për ç’arsye Allahu xh.sh. e ka vendo sur si fjalë paraprijëse fjalën “ikje” para asaj “frikë”. Përgjigjja e tyre është se njeriu kur sheh diçka të trish tuar e të frikshme, ai do të mundohet të ikë, ndërkohë që “frika” që ia ka pushtuar tërë trupin, vazhdon të jetë ende në zemrën e tij edhe pas largimit nga rreziku.(1)
E vërteta është se Allahu xh.sh. mbi këta djelmosha kishte hedhur pamjen e një krenarie, e cila në të njëjtën kohë shkakton tek shikuesi admirim dhe frikë.
Ndërkohë, disa prej komentatorëve, që kuptimet e ajeteve i kuptojnë vetëm përciptazi e në mënyrë sipërfaqësore, kanë shkuar aq larg në pohimet e tyre, se atyre djelmoshave gjatë qëndrimit në shpellë, u ishin rritur flokët, mjekrat dhe thonjtë, kështu që pamja e tyre e jashtme të trishtonte e të kallte datën nga frika. Mirëpo këto hamendësime të tyre, bien në ujë, sepse djelmoshat pas zgjimit të tyre nga gjumi 309 vjeçar, nëse kjo do të kishte ndodhur, do ta kishin parë njëri tjetrin në këtë dukje të llahtarshme, ndërkohë që një gjë e tillë nuk ka ndodhur, sepse ata pas zgjimit, i bënin pyetje njëri-tjetrit se sa kohë kishin fjetur, ku disa kishin thënë një ditë ose një pjesë të saj, për ç’gjë na flet ajeti vijues... 


19. Ashtu (sikurse i vumë në gjumë) i zgjuam ata që të pyesin njëri-tjetrin (se sa kanë fjetur). Njëri prej tyre foli e tha: “Sa keni ndenjur?” Ata thanë:”Kemi ndenjur një ditë ose një pjesë të ditës!” Disa thanë: “Zoti juaj e di më së miri se sa keni ndenjur, prandaj dërgojeni njërin prej jush me këtë argjend (monedhë argjendi) në qytet, e të zgjedhë ushqim më të mirë, e t’ua sjellë atë juve dhe le të ketë shumë kujdes e të mos i japë të kuptojë askujt për ju”. 
20. Pse, nëse ata (të qytetit) kuptojnë për ju, do t’ju mbysin me gurë, ose do t’ju kthejnë në fenë e tyre, e atëherë kurrë nuk keni për të shpëtuar. 


Pas 300 e ca viteve, deshi Allahu xh.sh. me urtësinë e Tij, që T’i zgjonte nga gjumi shekullor, këta djem që u larguan nga shtëpitë e tyre për të mbrojtur çiltërsinë e besimit. Ashtu siç I kishte udhëzuar në besimin e pastër, I kishte vënë në gjumë shekullor, duke i mbajtur të gjallë, pa ngrënë dhe pa pirë, ashtu siç I kishte rro tulluar herë në të djathtë e herë në të majtë, po kështu i zgjoi nga gjumi i tyri letargjik disa shekullor... Dhe, ata sapo u zgjuan, filluan ta pyesnin njëri-tjetrin a thua sa kemi fjetur? Filluan të hamendësonin e të thoshin kemi fjetur tërë ditën, e disa kemi fjetur një pjesë të saj (d.m.th. disa orë). Meqë nuk po arrinin të pajtoheshin rreth kohës sa kishin fjetur, në fund thanë: Allahu e di më së miri se sa kemi fjetur në këtë shpellë, por, meqë na paska kapur uria, le të shkojë dikush prej nesh në qytet, fshehurazi, që të blejë ca ushqime, dhe gjatë kthimit, të ketë kujdes të mos e zbulojë askush vend qëndrimin e tyre, sepse nëse do ta diktonin, atëherë pashmangshëm do t’i priste ose mbytja me gurë, ose kthimi me dhunë në idhujtari. 
Atij që i ra shorti të shkonte në qytet për të blerë ushqim, sapo doli nga shpella u shtang nga habia. I dukej sikur ndodhej në një vend të huaj. Çdo gjë i dukej ndryshe, nga dita “e djeshme”. Ai po e pyeste vetveten, në mos kam gabuar rrugën? Me kujdes të shtuar u afrua në qytet, të cilin madje as nuk po e njihte. A thua ishte ky qytet në të cilin ishte rritur dhe kishte kaluar ditët e fëmijërisë? Shihte kudo fytyra të panjohura dhe ndërtesa të reja, që kurrë më parë nuk i kishte vërej tur. Kjo gjë e vuri në siklet, dhe u ndal në dyqanin e parë, me një dozë frike, në mos do ta njihnin dhe do ta lajmëronin mbretin për të. Kur i kërkoi atij bukë dhe ca ushqim, vërejti se edhe gjuha e të folurit të shitësit ishte paksa më ndryshe nga e tij, prandaj deshi që sa më shpejt të përfundonte punën me të cilën ishte ngarkuar. Kur ia ofroi monedhat e argjendta, shitësi e shikoi me habi. Për të ishte një monedhë e vjetër, që prej sheku jsh nuk ishte në qarkullim, dhe ai së pari mendoi se djaloshi kishte gjetur ndonjë thesar të fshehur prej kohëve të vjetra. Duke u munduar të nxirrte ndonjë fjalë prej djaloshit, se ku i kishte gjetur ato monedha të vjetra, njerëzit filluan të afroheshin për të parë se ç’po ndodhte. Kështu, lajmi i tij arriti shumë shpejt tek mbreti i qytetit, i cili menjëherë e kuptoi se çështja e këtij djaloshi, ishte një mrekulli, meqë ata e dinin që prej shekujve se disa djem të rinj kishin ikur nga mbreti tiran i atij vendi... 
Mirëpo, tash në atë vend, kishte lëshuar rrënjë besimi i pastër në Njëshmërinë e Zotit. Njerëzit ishin të lirë në besimin e tyre. Allahu xh.sh. nëpërmjet rizgjimit të këtyre djelmoshave, dëshiroi T’u jepte argument të qa rtë njerëzve se ringjallja është e vërtetë dhe se premtimi i Allahut do të realizohet. 
I Latmadhërishmi, nuk ka sqaruar më tej çështjen e këtyre djelmoshave nëse ua takuan për së gjalli me mbretin dhe popullin, por, ajo çka mund të hamendëso het nga konteksti i ajeteve, është se djaloshi së bashku me popullin e tyre ishin nisur tek shpella, dhe kur kishin arritur në hyrje të saj. ai mbase u ka thënë atyre të prisnin derisa t’i lajmëronte të tjerët. Kur ai kishte hyrë në shpellë tek shokët e tjerë, më nuk kishte dalë, sepse ndërkohë Allahu i Gjithëfuqishëm, i kishte marrë shpirtrat e tyre pranë mëshirës së Tij, duke bërë që ata ta shijojnë vdekjen e përnjëmendtë. Meqë dalja e djemve nga shpella po zgjaste, kjo ishte një shenjë që njerëzit e tubuar të hynin brenda saj dhe t’i shihnin ata tashmë të vdekur, e në mesin e tyre edhe djaloshin që sapo kishte blerë ushqim të freskët. Nëpër librat e Tefsirit, hasim në variante të ndryshme të këtij rrëfimi, se ata ishin takuar me mbretin besimtar të asaj kohe, etj, etj,, por kjo për ne nuk paraqet ndonjë çështje me të cilën ia vlen të merremi, sepse rrëfimet e tilla, janë kryesisht të përcjella nga Ehli Kitabi, dhe ne nuk jemi të obliguar, t’i pasojmë ata në këto gjëra. Ajo që është me interes për ne, është porosia e qartë që njerëzit të kuptonin se ringjallja është e vërtetë. Ajeti në vazhdim na sqaron rrjedhën e ngjarjeve pas vdekjes së djel moshave... 


21. Dhe ashtu (sikurse i zgjuam nga gjumi) i zbuluam (t’i shohin njerëzit), e të kuptojnë se premtimi i Allahut (për ringjallje) është i sigurt dhe se katastrofa e përgjithshme (kiameti) është e padyshimtë. (I zgjuam) Mu atëherë kur ata (populli) bisedonin për çështjen e tyre dhe thanë: “Ndërtojuni atyre një ndërtesë (të jetë shenjë). Zoti i tyre di më së miri për ta. E ata që ishin me shumicë thanë: “Do të ndërtojmë gjithqysh në hyrjen e tyre një xhami”. 


Nga tërë kjo ngjarje e çuditshme që sjell para nesh sprovën në besim, nëpërmjet personazheve të këtyre djemve të strehuar në shpellë, argumenti i ringjalljes ishte pika qendrore e saj, që njerëzit të kuptonin se premtimi i Allahut është i vërtetë, se ringjallja është e vërtetë, se Llogaria pas vdekjes është e vërtetë. 
Njerëzit e atij vendbanimi, ishin ndarë në dy grupe se çfarë të bënin me djemtë tashmë të vdekur. Njëri grup thoshte që të ndërtojmë për ta një ndërtesë e cila do të ishte si shenjë kujtimi për ta, kurse grupi tjetër, që ishte shumicë (muslimanët), vendosën që në hyrje të shpellës të ndërtonin një xhami. 
Lidhur me këtë mospajtim të tyre ka disa mendime: 
1. Mospajtimi i tyre ishte se çfarë të ndërtonin për ta: muslimanët insistonin të ndërtonin një xhami, në të cilën njerëzit do të vinin për ta adhuruar Allahun, sepse këta djem ishin në fenë islame, kurse idhujtarët thoshin të ndërtojmë aty një ndërtesë, në shenjë kujtimi për ta, sepse ata ishin bashkëkombës të tyre. Këtë mendim e përkrah Ibn Abasi; 
2. Mospajtimi në mes tyre ishte rreth ringjalljes: muslimanët thoshin se ringjallja do të jetë me trup e me shpirt, kurse grupi tjetër thoshin se ringjallja do të jetë vetëm shpirtërore. Rizgjimi apo ringjallja e djemve të shpellës, ishte argument se ringjallja do të jetë me trup e me shpirt; Këtë mendim e përkrah Ikrime; 
3. Mospajtimi i tyre sipas Mukatilit ishte fakti se çfarë duhej të vepronin me djemtë e shpellës pas vdekjes së tyre; 
4. Mospajtimi i tyre ishte rreth viteve që djelmoshat kishin kaluar fjetur në shpellë, dhe 
5. Mospajtimi i tyre ishte rreth numrit të djemve që u strehuan në shpellë. Këto dy mendime i ka dhënë Tha’lebiu.(2) 


* * * 


Nga perspektiva islame, dijetarët muslimanë, duke analizuar këtë ajet, kanë sjellë dispozitat fetare rreth ndalimit të ndërtimit të xhamive apo faltoreve nëpër varreza. Këtë gjë e kishte ndaluar edhe vetë Pejgam beri a.s. në hadithet e tij, duke parë se hebrenjtë dhe të krishterët, kanë vepruar diçka të tillë me profetët e ardhur tek ta dhe për shenjtorët e tyre. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut thotë: “I ka mallkuar Allahu çifutët dhe të krishterët për shkak se varret e profetëve të tyre i shndërru an në faltore”(3) 
Në Kuran, është përmendur edhe çështja e idhujve në kohën e Nuhit a.s., pikërisht në ajetet 21-24 të sures Nuh: “Nuhu tha: “Zoti im, ata më kundërshtuan, ata shkuan pas atyre (pasanikëve), të cilëve pasuria dhe fëmijët e tyre vetëm ua shtuan dëshpërimin. Dhe ata (pasanikët) u kurdisën atyre kurthe shumë të mëdha”. Dhe u thanë: Mos braktisni zotat tuaj kurrsesi, mos braktisni Vedda-në, as Suvva-në, e as Jeguth-in, Jeukë-n e Nesre-n. Dhe ata i bënë të humbur shumë sish, e Ti zullumqarëve mos u jep tjetër, por vetëm humbje.” 
Dihet se në mesin e stërgjyshërve të popullit të Nuhut a.s. kishin jetuar pesë njerëz të mirë e të devotshëm. Jetuan jetën e tyre me ndershmëri dhe pastaj kishin vdekur. Këta ishin: Vedi, Suva’u, Jeguthi, Jeuku dhe Nesri. Pas vdekjes së tyre, njerëzit në shenjë kujtimi dhe f isnikërie për ta, u kishin gdhendur statuja. Kaloi një kohë e gjatë. Ata që i kishin gdhendur statujat, tashmë kishin vdekur. Pas tyre erdhën të bijtë. Edhe ata vdiqën e pas tyre erdhën bijtë e tyre. Ndërkohë rreth këtyre pesë njerëzve të mirë kishin filluar të thureshin legjen da e mite. Naiviteti dhe primitivizmi i këtyre mendjeve njerëzore kishin trilluar e imagjinuar rrëfime rreth këtyre statujave se gjoja ata posedonin fuqi të posaçme mbinatyrore. Iblisi i mallkuar e shfrytëzoi për mrekulli këtë rast të ofruar, kështu që dalëngadalë, njerëzve që kalonin për çdo ditë atypari, ua mbolli në zemra iluzi onin se këto statuja ishin “zota” që posedonin mundësi për të bërë mirë dhe keq. Si rezultat i këtyre intrigave, njerëzit, me kalimin e kohës filluan t’i adhuronin këto statuja (idhuj) sikur të ishin “zota”!(4)
Pra, pikërisht për shkak se njerëzit naivë, mund të bien në gracka të tilla djallëzore, ka ardhur ndalesa e ndërtimit të faltoreve apo xhamive nëpër varreza, si preventivë që njerëzit të mos merren me blasfemi të tilla, dhe të mos bien në kurthet e mosbesimit, të cilat shejtani i ngrit për t’i larguar njerëzit nga besimi dhe drita e së vërtetës. 
Sipas mendimit tim, në hadithet e Pejgamberit a.s., në të cilët përshkruhet gjendja e çifutëve dhe të krishterëve, të cilët shenjtëronin mbretërit dhe ud hëheqësit e tyre, e një gjë e tillë ndodh edhe sot e kësaj dite, sidomos tek të krishterët, ku Kisha shenjtëron njerëz në bazë të “dëshmive të imagjinuara” se filan prifti apo murgesha kanë bërë ndonjë “mrekulli”, është synuar edhe një pjesë “e muslimanëve” të devijuar nga rruga e Ehli Synetit, të ashtuquajtur “shia” dhe grupe të ndryshme sufiste, të cilët fatkeqësisht vazhdojnë të njëjtën praktikë të të krishterëve, duke ndërtuar tyrbe mbi varret e udhëheqësve të tyre shpirtërorë, ku madhërohet kujtimi i tyre me lloj-lloj dhikri e lutje. Një gjë e tillë bie në kundërshtim të plotë me natyrshmërinë e pastër islame, dhe është larg çdo pastërtie shpirtërore. Ndërkohë, ndërtimi i xhamive nga pjesëtarët e Ehli Synetit, të cilët ndërtojnë xhamia, në afërsi të varrezave, apo ndërtojnë xhami në emër të dhuruesit të tokës, apo në emër të ndonjë hoxhe a dijetari të madh, kjo nuk vjen ë kundërshtim me parimet e fesë islame, prandaj, duhet bërë dallimi në mes këtyre rasteve. Mbase një gjë e tillë ka ndodhur edhe me xhaminë apo faltoren që është ndërtuar për kujtim të banorëve të shpellës, jo për t’i madhëruar e glorifikuar ata si shenjtorë, por për të përjetësuar çiltërsinë e besimit të tyre të pastër... (Allahu a’ëlem)


- vijon


________________
 1) Et-Tefsiru-l-mevdui li suveril Kurani, vëll. 4, f.312. 
2) Mus tafa ibnul Adevijj “Et-Tes’hil li te’vili-t-tenzil-Tefsiru suretu-l Kehfi fi sualin ve xhevabin”, f. 85. 
3) Transmeton Muslimi në Sahihun e tij nga Aishja r.a., Kapitulli: “Ndalimi i ndërtimit të xhamive mbi varreza” 3) 
4) Ahmed Behxhet “Të Dërguarit e Allahut”, f. 79. Prishtinë, 2009


 


Sabri Bajgora


Nuk ka artikull pas ketij.