Predikimi i Islamit në frymën e inferioritetit

 


Μyslimanët bashkëkohorë, të gjendur në rrethana tëhuajsuese dhe brenda konteksteve gjeografike e kohore, relativisht jokompatibile me mënyrën e jetesës islame, jo rrallëherë mbesin të stepur dhe e humbasin elanin për ta bërë predikimin e Islamit mirëfilli e nga e para. Edhe pse mund të duket një prejudikim i nxituar, megjithatë vërehet qartë se një pjesë e madhe e predikuesve islamë bien në kurthin e prezantimit të Islamit, jo duke thënë atë se çfarë është në të vërtetë ai, por shterojnë provat për të treguar se çfarë nuk është ai. Në vetvete, ky koncept vuan nga një "sindromë" që i bënë myslimanët të mendojnë se feja e tyre tashmë është vendosur në gjykatore dhe mbi të rëndon barra e të pandehurit. Nuk i kemi të rralla predikimet tona që i fillojmë me sintagmat 'Islami nuk është fe intolerante'; 'Islami nuk e nxit ekstremizmin e as dhunën'; 'Islami nuk shtyp të drejtat e gruas' e të ngjashme. Asnjëra nga këto slogane nuk shpërfytyrojnë imazhin e bukur të Islamit, dhe në fakt e rrëfejnë të vërtetën rreth tij, veçse që të gjitha shpërfaqin versionin inferior të predikimit të tij. Ky version është narracion i njerëzve që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. I atyre që kanë filluar të ndihen keq pse i përkasin kësaj feje, dhe që ushqejnë në shpirt ndjenjën e fajësisë, që në rrethana komplekse është vënë në shënjestër të sulmeve të sinkronizuara kundër tij.
Kemi të bëjmë me një mungesë ose thënë më saktë një përmbysje të predikimit reprezentativ të Islamit, dhe atë në favor të versionit që më tepër ka karakter revanshues ndaj kundërshtarëve të tij sesa promovues e afirmues të vlerave ta patundura të tij. Është predikim i dalë nga një frymë e tensionuar, andaj si i tillë s'mund të jetë i ekuilibruar. Rëndom ai del edhe si një ngushëllim i gabuar nga të gjithë ata predikues që bartin mbi supet e veta mëkatin e inferioritetit.
Po të analizonim pak më thellë, kaptinën El Ihlas - si kaptina që në formën më të thuktë e bëri të kristaltë besimin monoteist islam, vërejmë se përgjigjja në dilemën e atyre që pyetën të Dërguarin tonë - Muhamedin a.s., se kush është Zoti i Vërtetë, vije duke u thënë: "Thuaj: Ai, Allahu është Një. Allahut i drejtohen (të gjitha krijesat) për çdo gjë! (Ai) nuk ka lindur prej ndokujt, as nuk ka lindur askënd, dhe askush nuk i ngjason Atij!". Dy ajetet hyrëse, nga katra gjithsejtë sa ka kjo kaptinë përvijuese e monoteizmit islam, bëjnë përshkrimin afirmativ se kush është Zoti i Vërtetë, e tek dy të fundit më pastaj rrëfejnë çfarë nuk është dhe çfarë nuk i përket Madhërisë së Tij, pra përvijojnë negacionin e monoteizmit islam. Pos qartësisë e elokuencës së kësaj kaptine, madhështore në të është edhe forma e narracionit mbresëlënës të saj.
Edhe sqarimet më thelbësore të të Dërguarit a.s. që iu bëri koncepteve më bazike të kësaj feje, pra të islamit, imanit e ihsanit, kur ai i sqaroi para Xhibrilit a.s. dhe sahabëve prezente - Zoti pastë qenë i kënaqur me ta, vërejmë po të njëjtën metodologji të kristaltë afirmative e promovuese, pa rrokur fare për goje negacionin e tyre. Ai tha për imanin-besimin se është: të besosh Allahun, engjëjt, librat, pejgamberët, ditën e takimin me Të, ringjalljen (në transmetimin tjetër edhe në përcaktimin-kadanë dhe kaderin). Ndërsa për Islamin tha se ai është: dëshmia e shehadetit, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në haxh. Pastaj tha për ihsanin se ai është: ta adhurosh Allahun sikur e sheh ti Atë, ngase edhe nëse nuk e sheh ti Atë, Ai të sheh ty". (Shih: El Buhari, 4777, e koleksionues të tjerë).
Shikuar në sensin e kësaj trajtese, secila prej këtyre termeve e koncepteve parimore të fesë sonë, i ka edhe negacionet e veta, anën e kundërt nga të cilat duhet kujdesur secili besimtar që të mos bie në to, por i Dërguari ynë paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, nuk shkoqiti fare asnjërën prej tyre. S'ishte rastësi e as nuk qe e pa synuar kjo. Ai para së gjithash ishte i ngarkuar me mision afirmues e reprezantues të koncepteve themelore të kësaj feje, ngase të kundërtat e tyre, rëndom do të kuptohen pastaj apriori nga secili mendjeshëndoshë. Një predikim i tillë, nuk bën të braktiset as nga ne sot, e sigurisht që duhet ta kuptojmë se ai bartë në vete edhe vulën profetike.


 


Editoriali
Dituria Islame 413


Nuk ka artikull pas ketij.