Jemi në ditët e Haxhit, e Haxhi është shtylla e pestë e Islamit, me të cilën Allahu i ka plotësuar ritualet dhe obligimet që duhen zbatuar, që Ai i ka bërë shtylla të Islamit.
"Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo".(1)
Kryerja e Haxhit është obligim për çdo mysliman (dhe myslimane), që ka mundësi fizike dhe financiare, që posedon ushqimin dhe mjetin e udhëtimit, siç është cekur në një hadith: "Një njeri i tha Pejgamberit (sal-lallllahu alejhi we sel-lem): Kush e ka obligim Haxhin? Ai tha: Ai që posedon ushqim dhe mjet të udhëtimit".(2)
Do të thotë, që të posedojë shpenzimet e udhë- timit për në Shtëpinë e Allahut, dhe shpenzimet e qëndrimit të tij atje, çdo njeri aq sa ka nevojë për vete.
Në kohën tonë E falënderojmë Allahun që nuk ankohemi për numrin e vogël të haxhinjve, madje ndoshta mund të ankohemi për numrin e madh të haxhinjve dhe mbipopullimin e tyre në sezonin e Haxhit, nga ata që e kryejnë Haxhin për herë të shtatë, ose të dhjetë, ose të njëzetë apo të katërdhjetë.
Falënderimi I qoftë Allahut që shtëpia e shenjtë "Qabeja" është e mbushur me ata që sillen rreth saj (e bëjnë tavafin), kërkuesit e haxhit janë të shumtë për çdo vjet, e shumica e tyre janë nga ata që s'u jepet mundësia.
Ligjërata ime s'do të jetë për këtë obligim, e as për mospërfillësit e tij, por do të jetë për sekretet e këtij Haxhi, për urtësitë që i ka përcaktuar kjo fe pas këtij riti madhështor.
Haxhi është përkujtim i njerëzve për babanë e pejgamberëve, Ibrahimin (alejhis-selam), që e ka ndërtuar shtëpinë e shenjtë "Qabenë", në të cilën njerëzit e kryejnë Haxhin. Kjo shtëpi është ajo që Allahu e ka obliguar çdo mysliman të drejtohet nga ajo pesë herë në ditë për çdo ditë, nëse i fal vetëm farzet, e kthen fytyrën e tij nga ana e xhamisë së shenjtë "Qabesë": "Dhe ngado që të dalësh, ktheje fytyrën tënde nga ana e xhamisë së shenjtë (Qabeja) dhe kudo që të gjendeni, kthenifytyrat tuaja nga ana e saj".(3)
Këtë shtëpi e kanë ndërtuar Ibrahimi dhe i biri i tij, Ismaili (alejhis-selam): "Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabesë- luteshin): Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di!".(4)
Është shtëpia e parë që është ndërtuar dhe ngritur vetëm për adhurimin e Allahut. Qabeja, shtëpia e shenjtë, është obliguar për ne që të drejtohemi nga ajo në namazet tona, ajo është kibleja e myslimanëve, dhe gjatë jetës sonë të sillemi rreth saj (të bëjmë tavaf) një herë, gjatë përmbushjes së këtij obligimi madhështor. Të sillemi rreth shtëpisë e t’i kryejmë ceremonitë rreth saj dhe afër saj.
Haxhi energji e madhe shpirtërore
Allahu i Madhëruar e ka bërë Haxhin rit të veçantë, në të ka energji shpirtërore, emocionale dhe sentimentale për njeriun mysliman, që shkon në atë tokë, i veshur me ihrame. Ç'do të thotë i veshur me ihrame? Të vendosë për Haxh për në shtëpinë e Allahut, i zhveshur (nëse është burrë) nga rrobat e tij të zakonshme, rrobat që janë të qepura dhe të zbukuruara, e i veshur me rrobat natyrore, rrobat e zakonshme, në të cilat s'ka qepje të rrobaqepësit, s'ka zbukurim e as disejnim të njerëzve, është më e afërta që mund t'i ngjajë veshjes me të cilën varroset i vdekuri mysliman (qefini), me atë që vishen besimtarët nga rrobat e bardha (ihramet).
Disa filozofë u kanë bërë thirrje njerëzve që ndonjëherë të heqin dorë nga jeta e qytetëruar, artificiale e e prodhuar, dhe që të kthehen herë pas here në natyrë, që të jetojnë në mesin e saj, të largohen nga angazhimet me të cilat kanë ngarkuar vetjet e tyre.
Kjo është kthesë në pastërtinë natyrore. Haxhiu i vesh ihramet dhe shkon në atë tokë të shenjtë, i përkujton ngjarjet e Ibrahimit (alejhis-selam) prej së largu, dhe ngjarjet e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) prej së afërmi.
Sugjerimet e këtyre ritualeve
Me të vërtetë, forca e shoqërisë islame e uniteti i saj, zhveshja e saj nga çdo stoli e kësaj bote, dhe thirrjet e saj për Allahun: "Lebbejke Allahumme lebbejk. Lebbejke la sherike leke lebbejk. Innel-hamde, venni'mete leke vel mulk. La sherike leke" (Të përgjigjem, o Zot, Ty, Zoti im, të përgjigjem. Të përgjigjem Ty, Që nuk ke shok, të përgjigjem Ty. Për Ty është çdo lëvdatë e falënderim, dhunti e pushtet. Ti nuk ke shok), - këto fjalë lënë gjurmë në shpirtin e myslimanit dhe e stimulojnë atë nga brenda.
Këto kuptime e tronditin myslimanin në thellësitë e tij, dhe e shndërrojnë atë në një krijesë të re, sikur të ishte i lindur rishtazi. Rikthehet me zemër të pastër dhe të dëlirë, me vendosmëri për respekt dhe pendim për mëkatet e bëra. Prandaj, e shohim njeriun që pas Haxhit ndryshon dhe bëhet njeri tjetër. E ka thënë të vërtetën Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), kur ka thënë: "Kush e kryen Haxhin, duke mos shkelur kushtet e tij, kthehet nga mëkatet e tij sikur atë ditë që e ka lindur nëna e vet".(5) Ka lindur rishtazi.
Haxhi zgjerim i horizonteve të myslimanit
Haxhi zgjeron horizontet e myslimanit, - myslimanit që ka jetuar në atdheun e tij dhe nuk ka dalë jashtë tij, as që di ndonjë vend tjetër veç tij, e as që ka dëgjuar për ndonjë vend tjetër veç tij, - Haxhi ia ngre gradën e tij, e lidh atë me Botën Islame, i takon myslimanët nga e tërë bota, nga popujt e ndryshëm, nga shtetet e ndryshme, me gjuhë e ndryshme, me poste e pozita të ndryshme, i zgjerohet horizonti i tij, e njeh madhë- shtinë e këtij Islami dhe universalitetin e tij, zgjerimin e horizonteve të tij, dhe mëson se ai ka vëllezër myslimanë nga e tërë bota
Këto janë disa nga dobitë e tij, në të cilat ata janë të pranishëm gjatë Haxhit: "Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura, që vijnë prej rrugëve të largëta. (vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi)".(6)
Disa nga dobitë janë materiale (tregtare), e disa shokë të Pejgamberit (sallall-llahu alejhi ve sel-lem) i druheshin tregtisë gjatë kohës së Haxhit, nga frika se ajo do t'i pengonte në nijetin e sinqertë të këtij adhurimi, ndërsa Allahu xh. sh. e zbriti Fjalën e Tij: "Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë Haxhit)"7. Nuk është mëkat të tregtosh gjatë kohës së Haxhit, të kërkosh mirësinë dhe furnizimin e Allahut, meqë qëllimi kryesor yti është kryerja e këtij obligimi.
Haxhi stërvitje e volitshme për praktikimin e parimeve të Islamit
Po ashtu, Haxhi është stërvitje e volitshme praktike për parimet e larta, me të cilat erdhi Islami:
1- Stërvitje për përballimin e vështirësive
Njeriu shkon në Haxh, largohet nga atdheu i tij, nga familja dhe të dashurit e tij, largohet për hir të Allahut xh. sh., një largim që s'kërkon asgjë prej tij veçse kënaqësinë e Tij, i përballon vështirësitë dhe mundimet e udhëtimit, se udhëtimi është pjesë e dënimit çfarëdo qoftë mjeti i udhëtimit. Është njësoj, nëse udhëton nëpër tokë, det apo ajër, udhëtimi është pjesë e dënimit. Në të kaluarën udhëtimi për në Haxh bëhej me kafshë, mirëpo s'kishte nevojë për viza e as procedura të tjera të udhëtimit, si ato të sotmet. Allahu s'ka dashur që këtë Haxh ta bëjë në ndonjë vend të bukur, si Libani a Zvicra, mirëpo dëshira e Tij ishte që Haxhi të bëhet në një luginë pa bimë. Po ashtu, Allahu ka dashur që kohën e Haxhit ta lidhë dhe ta lëvizë sipas muajve hënorë: "Haxhi është në muajt e caktuar".(8) Shewal, Dhul Ka'de dhe Dhul Hixhxhe, e këta muaj sillen sipas stinëve të vitit, ndonjëherë Haxhi bie në verë, ndonjëherë në pranverë, ndonjëherë në dimër, njësoj si agjërimi, në mënyrë që myslimani të mësohet për kryerjen e obligimeve të tij në çdo stinë të vitit.
Ka dashtë përcaktimi i Allahut që myslimanin ta ngarkojë me përballimin e vështirësive: të zbresë në këtë luginë të ngushtë, në Mina, të strehohet në shatorre, dhe të jetojë një jetë që është e ngjashme me jetën e kampistëve dhe endacakëve, të flejë mbi guraleca, aq sa mund ta bëjë atë.
Ky është Haxhi.
Haxhi është udhëtim i vështirë, në të cilin myslimani flijon veten dhe pasurinë e tij. Disa nga adhurimet islame janë adhurime fizike, si namazi e agjërimi, e disa janë financiare-materiale, si zekati, e disa të tjera kanë elemente ndërmjet adhurimeve fizike dhe materiale, si haxhi, që është adhurim fizik-material, gjatë tij njeriu i përballon vështirësitë, flijon nga vetja e tij dhe shpenzon nga pasuria e tij.
Myslimani duhet ta kërkojë pasurinë e lejuar (hallall). Ta kryejë haxhin nga pasuria e mirë dhe e lejuar. Haxhi i pranuar është ai që bëhet me pasuri të mirë e të lejuar, me qëllim të pastër, gjatë tij të mos ketë marrëdhënie me gruan, të mos i shkelë kushtet e tij, dhe as të mos shkaktojë grindje: "Umra deri në umre është mbrojtëse kundër mëkateve të haxhiut (të bëra ndaj Allahut xh. sh.), ndërsa haxhi i pranuar (i kryer me dinjitet) pa mëkate e i respektuar (tek Allahu), për këtë s'ka shpërblim (tjetër) përveçse Xhenneti".(9)
2- Stërvitje për barazi
Myslimani stërvitet në Haxh për përballimin e vështirësive, po ashtu stërvitet për kuptimin e barazisë. Islami erdhi dhe i njoftoi njerëzit se ata janë të barabartë si dhëmbët e krehrit, po ashtu edhe adhurimet e Islamit erdhën për të konfirmuar një gjë të tillë, si namazi me xhemat, çdo person qëndron afër atij që është në të djathtën e tij e në të majtën e tij, rojtari qëndron pranë ministrit, i vogli pranë të madhit, dhe i pasuri pranë të varfrit.
Mirëpo, në namaz njerëzit vazhdojnë të jenë të dalluar për rrobat dhe shenjat e tyre, njëri vesh xhaketë e tjetri kostum, njëri vesh rroba të shtrenjta e tjetri rroba të lira, ky vë një kapelë në kokë e tjetri një shall, kurse në Haxh njerëzit janë larguar dhe i kanë zhveshur të gjitha këto shenja dalluese, dhe i kanë veshur këto rroba të bardha, që janë më të afërtat dhe mund t'i ngjajnë veshjes me të cilën varroset i vdekuri mysliman (qefinit).
Disa njerëz mendojnë se e ndaluar është vetëm rroba e qepur, pra ajo rrobë që është qepur, jo, qëllimi është prodhimi dhe dizenjimi, qëllimi është rroba e qepur posaçërisht për trupin e njeriut. Të veshë njeriu diçka të ngjashme me fundin e grave, as ky s'është qëllimi. Qëllimi është që njeriu t'i veshë rrobat natyrore, dhe të stërvitet për kuptimin e barazisë, këtë e dëshiron Islami.
Të gjithë qëndrojnë në fushën e Arefatit, janë barazuar para Allahut xh.sh., të gjithë të barabartë. Për këtë Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), në mesin e ditëve të teshrikut ka thënë: "O ju njerëz! Vërtet Zoti juaj është Një dhe babai juaj është një. Kujdes! Nuk ka përparësi arabi ndaj joarabit, as joarabi ndaj arabit, as i kuqi ndaj të ziut, as i ziu ndaj të kuqit përveçse në devotshmëri".(10)
Haxhi është stërvitje për barazi të vërtetë.
3- Stërvitje për bashkim (unitet)
Haxhi po ashtu është stërvitje për bashkim, ky është një ymet, që besojnë në Një Zot, pasojnë një Pejgamber, kryejnë të njëjtat rituale, kanë një qëllim dhe një sistem. Andaj në Haxh manifestohet ky unitet: Uniteti në simbole, rituale, qëllime, veprime (të gjithë i kryejnë veprimet e njëjta) dhe uniteti në fjalë e brohoritje: "Lebbejke Allahumme lebbejk..." (Të përgjigjem, o Zoti im, të përgjigjem...).
Ky unitet personifikon këtë kuptim të madh: "Kjo fe është juaja dhe është e vetmja fe (e shpallur), kurse Unë jam Zoti juaj, pra Më adhuroni vetëm Mua".(11)
Ymeti duhet të qëndrojnë si tullat e ngjeshura të një ndërtese që forcojnë njëra-tjetrën; sidomos kur ta godasë ndonjë fatkeqësi apo ndonjë provë e rëndë, atëherë duhet të personifikohet uniteti i tij.
Haxhi personifikon këtë unitet dhe këtë kuptim madhështor.
4- Personifikimi i kuptimit të paqes
Po ashtu, Haxhi personifikon edhenjë kuptim tjetër, dhe e stërvit njeriun për të, e ai është kuptimi i "paqes".
Myslimanët akuzohen se janë thirrës për luftë, sa kohë që myslimanët janë thirrës të paqes. Udhëtimi i Haxhit është stërvitje e kuptimit të paqes, ai është një udhëtim i paqes, në tokën e paqes dhe në kohën e paqes.
Vendi i Haxhit është vend i paqes: Toka e shenjtë, Qabeja, Shtëpia e ndalimit të konflikteve, kushdo që hyn në të, ai është i sigurt; për këtë Umer ibn Hattabi (radijall-llahu anhu) ka thënë: "Edhe sikur në Qabe të gjeja vrasësin e babait tim, nuk do ta prekja me dorë".
"Dhe kur Shtëpinë (Qabenë) e bëmë vend kthimi dhe vend sigurie për njerëzit".(12)
Tokë të ndalimit të konflikteve, nuk gjuhen as nuk vriten gjallesat, nuk priten bimët, madje as gjallesat tokësore nuk dëmtohen dhe as vriten.
"Kurse gjahu tokësor ju është ndaluar, sa të jeni në ihram"(13)
Koha e Haxhit është kohë e paqes: Sepse pjesa më e madhe e ritualeve të Haxhit bëhen në muajin Dhul Ka'de dhe Dhul Hixhxhe, e këta janë dy muaj të shenjtë: "O ju që besuat! Mos i shkelni simbolet e Allahut, as muajin e shenjtë (mos lejoni luftë), as kurbanin (mos e pengoni), as atë me qafore (të caktuar për kurban)"(14)
Allahu i bëri muajt e shenjtë armëpushim të detyrueshëm për myslimanët, pushon lufta e ndërpritet gjaku, në të ruhet paqja.
Kështu Allahu xh. sh. i mëson myslimanët në këtë udhëtim madhështor: Kuptimin e paqes, dhe veprimet e paqes.
5- Haxhi kongres ndërkombëtar
Haxhi është kongres hyjnor për ymetin islam, në të mblidhet ymeti islam nga Lindja e Perëndimi, kongres, nikoqir i të cilit nuk është ndonjë mbret, qeveritar apo kryetar, por Zoti i botëve, Allahu i Lartësuar. Ai i thirri njerëzit në këtë kongres, që të takohen e të bashkohen në një fjalë, në fjalën e Islamit, myslimanët duhet të përfitojnë nga ky kongres vjetor madhështor.
Për çdo vjet takohen përafërsisht dy milionë e më shumë myslimanë, a thua a përfitojnë? A janë të pranishëm në dobitë e tyre? A i shqyrtojnë problemet e tyre? A ndihmohen në mes tyre dijetarët dhe njerëzit e vullnetit të mirë në hartimin e planeve më të mira për atë çka duhet vepruar? Apo ndoshta njerëzit shkojnë e vijnë, e s'përfitojnë asgjë nga ky kongres madhështor?
Me të vërtetë, armiqtë e Islamit janë ata që e kanë kuptuar rrezikun e këtij kongresi, saqë njëri prej tyre, i cili është nga misionarët krishterë, në fillim të shekullit të kaluar shkroi një reportazh për dështimin e aktivitetit të thirrjes së tij në Egjipt dhe shkaqet e tij. Në të thoshte: "Islami në Egjipt do të qëndrojë si një shkëmb hijerëndë e i pathyeshëm, në të cilin do të shkatërrohen përpjekjet e misionarëve të krishterë, përderisa Islami t'i ketë këto katër shtylla: Kuranin, Ez'herin, tubimin javor të Xhumasë dhe kongresin vjetor të Haxhit". Për këtë arsye, përpjekjet e tyre (falë Zotit) kanë dështuar, pavarësisht se kanë ndërtuar shkolla e institute, kanë hpenzuar pasuri, kanë shpërndarë libra e revista në mesin e myslimanëve, ndërsa Allahu xh.sh. e ka thënë të Vërtetën, kur ka thënë: "Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e Allahut. Ata do ta shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshpërim i tyre, madje ata do të mposhten. E ata që mohuan, do të mblidhen vetëm në Xhehennem".(15)
Kështu ka thënë njeriu që e vëzhgon jetën islame: Meqë Kurani lexohet e mësohet mëngjes e mbrëmje; meqë hafëzët dhe lexuesit e tij janë me miliona; meqë Ez'heri dhe dijetarët e tij ekzistojnë dhe e thonë fjalën e vërtetë, ua mësojnë njerëzve fenë, thërrasin për në rrugën e Allahut; meqë ekziston ligjërata javore e Xhumasë, njerëzit takohen në atë ditë dhe e mësojnë fenë e tyre, e kujtojnë atë që kanë harruar, kujdesen për atë që kanë lënë pas dore; meqë kongresi vjetor i Haxhit i mbledh myslimanët nga vendet më të largëta, i mbledh sepse ishin të shpërndarë, u kujton Zotin dhe fenë e tyre, - derisa të ekzistojnë këto katër shtylla, misionarët e krishterë s'do të kenë sukses në thirrjen e tyre.
Kjo është ajo që ne myslimanët duhet të përfitojmë nga ky kongres madhështor, që mbahet për çdo vit, e askush s'mund ta ndalë, po ashtu askush s'mund të ndërhyjë në mbajtjen e këtij kongresi hyjnor, njerëzor, ndërkombëtar e madhështor.
O ju vëllezër, Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) e ka ditur vleftën e këtij kongresi, dhe gjatë tij i shpallte vendimet madhështore e të rëndësishme. Për herë të parë, Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) e dërgoi Ebu Bekrin (radijallllahu anhu) në krye të delegacionit të haxhinjve myslimanë, e gjatë atij Haxhi Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sellem) shpalli disa parime të rëndësishme: Lajmëroi për shkëputjen e marrëveshjeve ndërmjet tij dhe idhujtarëve, po ashtu lajmëroi se pas atij viti idhujtarët s'do të lejoheshin të kryenin Haxhin dhe të mos bënin tavafin rreth Qabesë lakuriq. Në vitin e ardhshëm Pejgamberi (sallall-llahu alejhi ve sel-lem) e bëri Haxhin vetë, Haxhin e tij të vetëm, Haxhin e lamtumirës dhe Haxhin kumtues, qëndroi për të ligjëruar para njerëzve parimet islame, botërore dhe njerëzore, e tha: "Gjaku dhe pasuria në mes jush është e ndaluar, sikurse është e ndaluar në këtë ditë, në këtë muaj dhe në këtë vend".(16)
Pastaj kumtoi kumtesën e madhe për njerëzit, duke thënë: "A e kumtova? (Të pranishmit) Thanë: E kumtove, o i dërguar i Allahut. Tha: O Zoti im, më dëshmo".
Ne myslimanët duhet të përfitojmë nga Haxhi e t'i tregojmë tërë botës se ky ymet ende është i kapur për besimin në Zotin e tij, për fenë e tij, për Kuranin e tij, për Muhammedin (alejhis-selam) e tij, për Pejgamberin e tij, e nuk do ta lërë këtë fe; ky ymet do të qëndrojë i rreshtuar si një rresht para çdo armiqësie kundër shenjtërive të tij, dhe se s'do të lërë pas dore Mesxhidi Aksanë, që Kurani e ka lidhur me Qabenë në suren El-Isra, Qabenë e ka bërë fillim të Israsë, ndërsa Mesxhidi Aksanë e ka bërë fund të Israsë: "Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona".(17)
Ymeti s'do të lërë pas dore Mesxhidi Aksanë, ashtu sikur s'e ka lënë pas dore Qabenë. Duhet ta deklarojmë këtë gjë në këtë sezon dhe në çdo sezon, ashtu që Haxhi ynë të jetë i pranuar, mëkatet tona të falura, ecja jonë e falënderuar dhe veprat tona të pranuara, nëse Allahu dëshiron. Zoti ynë, na fal të kaluarën dhe na përmirëso atë që ka mbetur: "Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim, dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë, Ti je i Butë, Mëshirues".(18)
______________________
Fusnotat:
1. Ali Imran, 97. Përkthimin e ajeteve Kur’anore nga gj. arabe në gj. Shqipe e huazova prej përkthimit të Kur’anit nga H. Sherif Ahmeti, Prishtinë, 1988.
2. Hadithin e transmeton Ibën Maxheja nga Abdullah ibën Umeri (radijall llahu anhuma).
3. El Bekare, 150.
4. El Bekare, 127.
5. Hadithin e transmetojnë: Buhariu, Muslimi, Nesaiu, Ibën Maxheja dhe Tirmidhiu nga Ebu Hurejreja (radijall-llahu anhu).
6. El Haxh, 27-28.
7. El Bekare, 198.
8. El Bekare, 197.
9. Hadithin e transmetojnë: Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxheja nga Ebu Hurejreja (radijall-llahu anhu).
10. Pjesë nga ligjërata e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) në mesin e ditëve të teshrikut, që e ka transmetuar Ahmedi nga Ebu Nadrete.
11. El Enbija, 92.
12. El Bekare, 125.
13. El Maide, 96.
14. El Maide, 2.
15. El Enfal, 36.
16. Ky hadith është një pjesë nga hadithi i Xhabir ibën Abdull-llahit (radijall-llahu anhu) duke e përshkruar haxhin e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), që e ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij.
17. El Isra, 1.
18. El Hashr, 10.
Dr. Jusuf El Kardavi
(Përkthimi i këtij artikulli është bërë nga libri “Ligjëratat e Shejh El Kardavit”, përgatitur nga Halid Essa’d, mektebetu vehbeh, Kajro, 2000, vëllimi III, faqe: 229-237).
Dituria Islame / 208-209