Vlerat e Haxhit

 


Me të vërtetë ditët, muajt dhe vitet kalojnë shumë shpejt, ato janë stacione të jetës, përcaktuese të punëve. Këto kohë Allahu i ka dalluar, disa prej tyre duke i bërë kështu, disa sezona të mirësisë dhe kohë të nënshtrimit e devotshmërisë, në të cilat shtohen punët e mira dhe fshihen veprat e liga. Prej këtyre kohëve të begatshme, për të cilat shpërblimet janë të shumta, është edhe dita e Arafatit, për vlerën e së cilës kanë ardhur shumë argumente nga Kurani dhe Syneti i Muhamedit a.s..


Ç’është Arafati?


Arafati është një kodër që gjendet 20 km. në lindje të Mekës dhe në të kryhet një prej ceremonive më të rëndësishme të Haxhit, që njihet si qëndrimi në Arafat e që është në ditën e nëntë të muajit të dhul-hixhe. Për rëndësinë e qëndrimit të haxhinjve në këtë vend, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Haxhi është Arafati”.(1) Për emërtimin e këtij vendi me këtë emër, ka disa variante: Thuhet Arafat, për shkak se njerëzit këtu njihen ndërmjet tyre. Po ashtu thuhet se Xhebraili a.s. ishte duke e përshkruar këtë vend së bashku me Ibrahimin a.s. dhe i thoshte: A e mësove, a e mësove (d.m.th. vendin), ndërsa Ibrahimi i thoshte (e mësova, e mësova). Gjithashtu ka edhe një version tjetër, sipas të cilit thuhet se Ademi dhe Hava, pasi i pati dëbuar Allahu nga Xheneti, qenë takuar në tokë dhe qenë njohur në këtë vend.(2)


Vlera e Ditës së Arafatit


Dita e Arafatit është prej ditëve më të vlefshme të vitit. Për këtë kanë ardhur shumë argumente, të cilat dëshmojnë për vlerën dhe rëndësinë e kësaj dite:


1. Kjo është dita në të cilën është betuar Allahu:


“Pasha atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet!”(3) Pa dyshim se Allahu i Madhërishëm nuk betohet përveçse në atë që është madhështore dhe ka vlerë.
Transmeton Ebu Hurejre r.a., i cili ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut a.s.: “Dita e premtuar është Dita e Gjykimit, dita e dëshmuar është dita e Arafatit, kurse dita dëshmuese është dita e xhuma”.(4) Po ashtu kjo është teku në të cilin është betuar Allahu në kaptinën El- Fexhr, ku thotë: “Pasha Çiftin edhe Tekun”. Ibn Abbasi thotë: Çifti është dita e Bajramit, kurse teku është dita e Arafatit. Këtë mendim gjithashtu e kanë edhe Ikreme dhe Dahaku.


2. Ditë feste


Dita e Arafatit është ditë feste, prandaj nuk lejohet agjërimi i kësaj dite për ata që janë në haxh. I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e Kurban-Bajramit dhe ditët e teshrikut (gjuajtjes së gurëve) janë ditë feste për ne myslimanët, dhe janë ditë të ushqimit dhe pijes”.(5)


3. Dita e plotësimit të fesë


Këtë ditë Allahu e ka plotësuar fenë e Tij duke zbritur ajetin: “Sot jua plotësova juve fenë tuaj, dhe jua plotësova begatitë e mia, dhe jam i kënaqur që Islami të jetë fe juaja”.(6)
Omer b. Hattabi r.a. ka thënë: “Një njeri prej çifutëve ka thënë: O prijësi i besimtarëve, është një ajet të cilin e lexoni në librin tuaj. Sikur të na kishte zbritur neve çifutëve, atë ditë kur ka zbritur, do ta bënim festë. Tha: Cili është ai ajet? Tha: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe”. Omeri tha: Vërtet unë e di ditën se kur ka zbritur ai ajet, dhe vendin ku ka zbritur; i ka zbritur të Dërguarit të Allahut në Arafat, ditën e xhumasë derisa ne ishim me të duke qëndruar në Arafat”.(7)


4. Dita e marrjes së besës


Këtë ditë Allahu e ka marrë besën nga pasardhësit e Ademit a.s.. Transmetohet nga Ibn Abbasi, i cili ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut: ”Allahu e ka marrë besën nga pasardhësit e Ademit a.s. ditën e Nu’manit – d.m.th, të Arafatit, dhe prej kurrizit të tij i ka nxjerrë të gjithë pasardhësit e tij, dhe i paraqiti para Vetes e pastaj u foli duke u thënë: “Kujto kur Zoti yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): “A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmuam!”. Të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Ne nuk dinim për këtë (dëshmim)”.(8)


5. Agjërimi i kësaj dite fshin mëkatet e dy vjetve


Është transmetuar nga Ebu Katade se Muhamedi a.s. ishte pyetur për agjërimin e ditës së Arafatit dhe ishte përgjigjur se i fshin mëkatet e vitit të kaluar dhe të atij të ardhshëm”.(9) Ky agjërim rekomandohet përata që nuk janë në Haxh, ndërsa për haxhiu nuk është synet agjërimi i ditës së Arafatit, sepse i Dërguari i Allahut nuk e ka agjëruar këtë ditë kur ishte në Haxh,sikurse është transmetuar nga Ummul-fadl bint elharith, se disa njerëz kishin polemizuar tek ajo ditën e Arafatit rreth agjërimit të Pejgamberit a.s.. Disa thanë se ai është agjërueshëm, e disa të tjerë thanë se nuk është agjërueshëm e atëherë ajo ishte ngritur dhe i kishte dërguar Pejgamberit alejhis-selam një gotë me qumësht, të cilën ai e kishte pirë”.(10)


6. Kjo është dita e faljes dhe e lirimit nga zjarri i Xhehenemit.


Dita e mburrjes së Allahut me ata që janë në Arafat (haxhinjtë). Transmetohet në koleksionin e vërtetë të Muslimit nga Aisheja r.a. se i Dërguari i Allahut ka thënë: “S’ka asnjë ditë që Allahu të ketë liruar robër nga zjarri i Xhehenemit sa ditën e Arafatit. Allahu afrohet dhe u krenohet melaikeve me haxhinjtë e u thotë: “Çfarë dëshirojnë ata?” Ibn Abd. Berri thotë: “Kjo dëshmon se ata janë të falur, sepse Allahu nuk mburret me mëkatarë, përveçse me ata që të jenë penduar dhe të jenë falur. Allahu e di më së miri”.
Transmetohet nga Ibn Omeri se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mbrëmjen e Arafatit Allahu u krenohet melaikeve dhe u thotë: “Shikoni robërit e Mi, kanë ardhur të pluhurosur”. Ibnul-Kajjimi r.h., në librin e tij Zadul-mead, thekson dhe thotë: “Ditën e Arafatit Allahu i Madhërishëm u afrohet robërve të Tij në mbrëmje e pastaj u krenohet melaikeve dhe thotë: “Çfarë po dëshirojnë ata? Po u dëshmoj se unë ua kam falur atyre mëkatet”. Prandaj kjo ditë duhet të na kujtojë Ditën e Gjykimit kur të gjithë njerëzit do të dalin para Tij dhe do të presin që të japin llogarinë. Në këtë ditë të gjithë njerëzit janë të barabartë para Allahut, të zhveshur nga petku i kënaqësive të kësaj bote dhe me përkushtimin më të madh e me përuljen e sinqertë presin që Allahu t’u përgjigjet lutjeve të tyre.


Veprimet Ditën e Arafatit:


Pasi kuptuam vlerën dhe rëndësinë e kësaj dite dhe të këtij vendi, atëherë do të mundohemi të theksojmë se cilat janë veprimet që duhet t’i kryejë haxhiu këtë ditë: Në Arafat rekomandohet të shkohet nga Mina ditën e nëntë- ditën e Arafatit - pas lindjes së diellit, ashtu sikur ka ardhur në hadithin që e transmeton Xhabiri, në të cilin thekson se Pejgamberi a.s. kishte qëndruar në Mina deri pas lindjes së diellit , dhe haxhiu gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Arafat, e ngre zërin me tekbire dhe telbije, bazuar në hadithin e Abdullah ibn Omerit r.a., i cili ka thënë: “Kemi udhëtuar me të Dërguarin e Allahut nga Mina për në Arafat; prej nesh kishte që thonim telbijen e disa të tjerë thoshin tekbire”. Është prej Synetit të Pejgamberit a.s. (nëse ekziston mundësia për këtë), që haxhiu të ndalojë në vendin e quajtur Nemire, që është vendi ku sot gjendet xhamia në Arafat, dhe është vendi në të cilin kishte ndaluar Pejgamberi a.s. dhe kishte qëndruar aty deri në kohën e drekës. Por, duke pasur parasysh numrin e madh të haxhinjve dhe pamundësinë e qëndrimit në këtë vend të të gjithë haxhinjve, atëherë hanxhinjtë duhet të kenë kujdes që të qëndrojnë në Arafat brenda kufijve të Arafatit, të cilët janë përcaktuar me shenja, sepse i Dërguari i Allahut na ka sqaruar se i tërë Arafati është vendqëndrim, duke thënë: “Unë kam qëndruar në këtë vend, dhe Arafati i tëri është vendqëndrim”. Koha e qëndrimit në Arafat fillon prej kalimit të diellit nga pika e zenitit (kur të hyjë koha e namazit të drekës), e deri në perëndim të diellit, ndërsa disa dijetarë kanë thënë se koha e qëndrimit në Arafat fillon prej lindjes së diellit të ditës së Arafatit, duke u bazuar në hadithin që transmeton Urvete b. Mudarris, i cili ka thënë: “Kam shkuar tek i Dërguari i Allahut në Arafat dhe i kam thënë: “Erdha, o i Dërguari i Allahut, nga kodra Tajj, e kam lodhur kafshën time dhe e kam munduar vetveten time, Pasha Allahun! Nuk kam lënë kodër në të cilën të mos kem ndaluar unë në Haxh (a e kam Haxhin të pranuar)”? I Dërguari i Allahut tha: “Kush e arrin këtë namaz, (të drekës dhe të ikindisë), dhe vjen në Arafat para kësaj kohe, natën apo ditën, Haxhi i tij është plotësuar”. Nuk duhet të largohen haxhinjtë nga Arafati para se të perëndojë dielli, bazuar në hadithin që transmeton Xhabiri r.a., i cili thotë: “I Dërguari a.s. ka qëndruar derisa ka perënduar dielli dhe është larguar pak ngjyra e kuqërremtë, dhe është zhdukur drita”. Namazin e drekës dhe të ikindisë, në këtë vend haxhinjtë e falin me imam, së bashku namazin e drekës dhe të ikindisë, me një ezan dhe dy ikamete, të bashkuara dhe të shkurtuara, ndërsa përgjegjësi i haxhinjve mban një hytbe të shkurtër duke u shpjeguar haxhinjve rregullat dhe dispozitat e qëndrimit në Arafat dhe në ditët vijuese, të cilat duhet t’i përmbushin. Rekomandohet që, gjatë qëndrimit të tij në Arafat, haxhiu të jetë vazhdimisht me abdest, i kthyer nga kibla, duke shfrytëzuar kohën me lutje të sinqerta, kërkimfalje, lexim të Kuranit, telbije (Lebbejke allahumme lebbejk ….), tekbire, duke i ngritur duart gjatë duave, me përkushtim dhe frikë e respekt ndaj Allahut. Për kohën gjatë qëndrimit në Arafat, nuk ka ndonjë lutje të veçantë, po haxhiu E kujton Allahun dhe lutet për ato që ka nevojë nga çështjet e dynjasë dhe të Ahiretit. Rekomandohet që të përmblidhen mundësisht lutjet që kanë ardhur në Kuran dhe në Synetin e të Dërguarit të Allahut, duke pas parasysh se ato janë lutje gjithëpërfshirëse dhe kuptimplota. Po ashtu rekomndohet që të shpeshtohen fjalët “La Ilahe il-lallahu vahdehu la sherike leh lehul muljku ve lehul hamdu ve huve ala kul-li shej’in kadir”, bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s., ku thotë: “Lutja më e mirë është lutja e ditës së Arafatit, dhe fjala më e mirë që kam thënë dhe (kanë thënë) të Dërguarit para meje, është: ‘La Ilahe il-lallahu vahdehu la sherike leh lehul mulku ve lehul hamdu ve huve ala kul-li shej’in kadir”. Po ashtu Pejgamberi a.s. ka thënë: “Fjalët më të dashura tek Allahu janë katra: Subhanallah, Elhamdulilah, La ilahe il-lallah, Allahu Ekber”.Nuk është prej synetit që haxhiu të shkojë doemos te kodra e Arafatit, e cila njihet si “kodra e rahmetit”, posaçërisht kur kemi parasysh numrin e madh të haxhinjve dhe mundësia për t’u lënduar për shkak të turmës, është e madhe, prandaj nuk ka nevojë të mundohet askush për të shkuar tek ajo e as për t’u ngjitur lart në të. E lusim Allahun e Madhërishëm që të gjithë haxhinjve t’ua mundësojë pranimin e Haxhit dhe lutjeve, dhe t’i lirojë ata nga zjarri i Xhehenemit!



________________________
1. Transmetojnë autorët e katër syneneve.
2. Shih El-Kamus El-Muhit f., 752, viti botimit 1995.
3. Kaptina El-Buruxh 3.
4. Transmeton Tirmidhiu, shih: Zadul- Mead 1/411.
5. Transmetojnë autorët e katër syneneve.
6. El-Maide 3.
7. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, shih Zadul-Mead 1/62.
8. El-A’raf 172 (shih komentin e Ibn Kethirit f. 251).
9. Transmeton Muslimi (2747).
10. Transmetojnë Buhariu (1988) dhe Muslimi (2632)


 


Rexhep M. Lushta


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

KBIGJ priti përfaqësues të institucioneve lokale dhe politike me rastin e urimeve për Kurban Bajram (VIDEO)