"Ai (Sulejmani) vështroi shpendët e tha: "Ç'është që nuk e shoh pupëzën? Jo, ajo nuk qenka këtu! Unë do ta dënoj atë me një dënim të ashpër ose do ta therë ose ka për të më sjellë ndonjë argument të fortë (si arsyetim). Ajo nuk zgjati shumë e tha: "Unë kuptova atë që ti nuk je i njohur dhe të erdha nga Sebei me një lajm të sigurt. Në të vërtetë unë gjeta një grua që po i sundonte ata (popullin e Sebesë) dhe asaj i ishte dhënë çdo send, e ajo kishte një fron të madh. Madje takova atë dhe popullin e saj se adhurojnë diellin e jo Allahun, po djalli ua kishte hijeshuar atë veprim të tyre dhe i kishte shmangur prej rrugës së drejtë, andaj ata nuk gjejnë udhëzim, (i kishte shmangur) për të mos adhuruar Allahun që nxjerr në shesh (e di) të fshehtën në qiej e në tokë, dhe që e di atë që fshihni dhe atë që publikoni. Allahu është një, nuk ka zot tjetër pos Tij, Zot i Arshit të madh. Ai (Sulejmani) tha: "Do të shohim se a e thua të vërtetën apo je nga gënjeshtarët! Shko me këtë letrën time e hidhju atyre, largohu (pak) nga ata dhe përgjo se çka bisedojnë! Ajo (gruaja - Belkisa) tha: "O ju pari, mua më ka arritur një letër madhështore! (e lexova) Kjo është prej Sulejmanit (mandej e hapi, kur qe, në të) "Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!" (Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim!)"
"Të mos u mbani në të madh kundër meje, po të më vini të dorëzuar (dhe besimtarë)! Ajo tha: "O ju pari, më sugjeroni në këtë çështje timen se unë nuk do të vendos asgjë derisa edhe ju të jepni pëlqim! Ata (paria) i thanë: "Ne jemi të fuqishëm dhe jemi luftëtarë të rreptë, por puna qëndron te ti, e ti mendo se çka do të na urdhërosh! Ajo tha: "Kur sunduesit e pushtojnë ndonjë vend, ata e rrënojnë atë e parinë më të zgjedhur të atij vendi e nënshtrojnë. Kështu ata veprojnë! Po unë do t'u dërgoj atyre një dhuratë (të madhe), e do të shoh se çka do të na sjellin të dërguarit (me dhuratë). E kur i erdhi ajo Sulejmanit, ai tha: "A me pasuri më ndihmoni mua? E atë që Allahu ma ka dhënë mua është shumë më e dobishme nga ajo që u ka dhënë juve! Por ju krenoheni me dhuratat tuaja! Kthehu te ata (i tha kryesuesit të të deleguarve), se për Zotin ne do t'u vijmë atyre me një ushtri, të cilës ata nuk do të mund t'i bëjnë ballë dhe do t'i dëbojmë prej aty të nënshtruar e të poshtëruar! Ai (Sulejmani) tha: "O ju pari, cili prej jush do t'ma më sjell fronin e saj, para se të vijnë ata të dorëzuar? Njëri prej xhinëve të vrazhdë (Ifriti) tha: "Unë do ta sjell atë ty para se të ngrihesh nga vendi yt, unë për të kam fuqi dhe jam i sigurt! E ai i cili kishte dituri nga libri tha: "Unë ta sjell atë ty sa çel e mshel sytë (këtij i tha sille)!" E kur e pa atë (fron) të vendosur pranë tij, (Sulejmani) tha: "Kjo është dhuntia e Zotit tim që të më sprovojë mua se a do ta falënderojë, apo mos do ta përbuz. E kush falënderon, ai falënderon për të mirën e vet, e kush përbuz, Zoti im (s'ka nevojë), është i pa nevojë e bujar! Ai (Sulejmani) tha: "Ndryshoni asaj fronin që ta provojmë se a po e njeh apo është nga ata që nuk dinë ta njohin! E kur erdhi ajo, iu tha: "A është i këtillë froni yt?" Ajo tha: "Si të ishte vetë ai?!" (Sulejmani tha:) "Neve na është dhënë dituria përpara saj dhe ne ishim besimtarë para saj. Pse atë (Belkisen) e kishte penguar (nga besimi i drejtë) ajo që adhuronte, pos Allahut, dhe ishte nga një popull jobesimtar. Asaj iu tha: "Hyn në pallat", e kur e pa atë mendoi se është një ujë i madh dhe i përvoli këmbët. Ai (Sulejmani) tha: "Ky është një pallat i lëmuar prej qelqi!" Ajo tha: "Zoti im, unë i kam bërë krim vetes e tash i dorëzohem (pranoj besimin) së bashku me Sulejmanin Allahut, Zotit të gjithësisë". (En-Neml, 20.-44.)
Allahu i Lartësuar tregon se çfarë ndodhi ndërmjet Sulejmanit dhe pupëzës.
Të gjitha llojet e zogjve kishin përfaqësuesit apo të zgjedhurit e tyre, të cilët kishin detyra të caktuara dhe që herë pas here paraqiteshin personalisht para Sulejmanit, paqja qoftë mbi të, ashtu siç është zakon në ushtri.
Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe të tjerë kanë transmetuar se detyra e pupëzës ishte të kërkonte ujë nëpër shkretëtira dhe në vende të thatë.
Pupëza padyshim që kishte një aftësi të veçantë të dhuruar nga Allahu i Gjithëfuqishëm, për të dalluar dhe përcaktuar vendndodhjen e ujërave nëntokësore.
Pupëza e Sulejmanit kërkonte ujin nëntokësor dhe më pas e udhëzonte ushtrinë e tij në atë vend. Ata e hapnin tokën për të gjetur ujin dhe e shfrytëzonin atë për nevojat e tyre.
Një ditë, Sulejmanit (paqja qoftë mbi të) i nevojitej pupëza, por ajo nuk ishte aty, në vendin e saj, dhe ai tha:
"Ç'është që nuk e shoh pupëzën? Jo, ajo nuk qenka këtu!"
D.m.th., ajo nuk ndodhet këtu, ose nuk po mund ta shoh.
"Nëse nuk më sjell një arsye të fortë, do ta ndëshkoj rëndë, ose do ta therë!"
Kështu që Sulejmani, paqja qoftë mbi të, i kërcënohet me një ndëshkim të ashpër, nëse nuk sjell një justifikim të qartë që do ta shpëtojë nga ndëshkimi.
Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe nuk vonoi shumë, kur ja, ajo (pupëza) erdhi dhe tha..."
D.m.th., mungesa e saj nuk zgjati shumë.
Ajo i tha Sulejmanit, paqja qoftë mbi të:
"Unë kuptova atë që ti nuk je i njohur dhe të erdha nga Sebei me një lajm të sigurt."
D.m.th., kam zbuluar një informacion të rëndësishëm që ti nuk e kishe.
"Kam parë që një grua sundon mbi ta dhe i është dhënë pasuri e madhe. Ajo ka edhe një fron madhështor."
Kështu ajo përshkruan pasurinë dhe lavdinë e mbretërisë së Sebeit në Jemen. Ata kishin një mbretëri të fuqishme, me ushtri të organizuar dhe të aftë.
Gjatë asaj kohe, mbreti i tyre kishte ndërruar jetë dhe nuk kishte lënë trashëgimtar mashkull, përveç një vajze, të cilën populli e zgjodhi për mbretëreshë.
Sipas Es-Sa'lebiut dhe dijetarëve të tjerë, pas vdekjes së babait të saj, populli më parë caktoi një burrë si sundimtar, por gjatë sundimit të tij u përhapën korrupsioni dhe kaosi. Ajo i propozoi atij martesë, të cilën ai e pranoi. Natën e parë të martesës, ajo i dha të pinte verë, derisa u deh, dhe më pas ia preu kokën dhe e vari në derën e pallatit të saj.
Pas kësaj ngjarjeje, populli e shpalli atë si mbretëreshë të tyre.
Emri i saj ishte Belkisa bint Es-Sejre. Babai i saj quhej El-Hedhad, ose sipas një transmetimi tjetër, Shurahbil ibn Zi Xheden ibn Es-Sejre ibn El-Harith ibn Kajsi ibn Saifi ibn Sebe' ibn Jeshxheb ibn Ja'rib ibn Kahtan.
Babai i saj ishte një nga mbretërit më fisnikë dhe, thuhet, ai refuzoi të martohej me ndonjë femër nga Jemeni. Sipas disa burimeve, ai ishte martuar me një xhin me emrin Rejhana bint Es-Seken, e cila më pas lindi një vajzë të quajtur Belkama, e cila u bë e njohur më vonë si Belkisa.
Es-Sa'lebi transmeton nga Se'id ibn Beshiri, nga Katade, nga En-Nadr ibn Enesi, nga Beshir ibn Nuhejka, nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të), se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
"Njëri nga prindërit e Belkisës ishte nga xhinët."
(Ky është një hadith garib - i rrallë, dhe në zinxhirin e transmetimit të tij ka dobësi.)
Es-Sa'lebi ka thënë: "Më ka treguar Ebu Abdullah ibn Kabhune nga Ebu Bekr ibn Xherxhah, nga Ebu Bekri, i cili ka thënë: 'Një herë u përmend Belkisa para të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të), dhe ai tha: "Një popull që e udhëheq një grua, nuk do të ketë sukses." (Transmetuesi Ismail ibn Muslim el-Mekki është konsideruar i dobët, pra jo i besueshëm.)
Në Sahihun e Buhariut transmetohet nga Avfe, nga Hasani, nga Ebu Bekri se: "Kur i Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të) iu përcoll lajmi se Persët kishin kurorëzuar vajzën e Kisras si sundimtare të tyre, ai tha: 'Një popull që e udhëheq një grua, kurrë nuk do të ketë sukses.'"
Fjalët e tij: "...dhe asaj i është dhënë gjithçka" - domethënë, nga ato gjëra që mund t'i posedojë një sundimtar në Tokë.
"...dhe ka një fron madhështor" - që do të thotë se froni mbi të cilin ajo ulej ishte i stolisur dhe zbukuruar me lloje të ndryshme gurësh të çmuar, margaritarë, ar dhe sende të tjera të lavdishme dhe madhështore.
Më pas u përmend se ata nuk besojnë në Allahun e Gjithëfuqishëm, por i falen Diellit në vend të Tij. U përmend gjithashtu se janë mashtruar nga shejtani, i cili u ka zbukuruar veprat e tyre dhe i ka larguar nga rruga e Allahut:
"Andaj ata nuk gjejnë udhëzim, që të adhurojnë Allahun, i Cili nxjerr në dritë atë që është e fshehur në qiej dhe në tokë, dhe i di ato që ju i fshihni dhe ato që i shfaqni hapur. Allahu është një, nuk ka zot tjetër pos Tij, Zot i Arshit të madh.
Domethënë, Allahu i di të gjitha të fshehtat dhe Ai zbulon çdo gjë - qofshin gjëra të prekshme apo të paprekshme, të dukshme apo të padukshme.
"Allahu është një, nuk ka zot tjetër pos Tij, Zot i Arshit të madh."
Kjo nënkupton se Ai është Sunduesi absolut i gjithçkaje që ekziston, përfshirë edhe Fronin më Madhështor, të cilin askush nga krijesat nuk e zotëron.
Prandaj, Sulejmani (paqja qoftë mbi të) e dërgoi pupëzën me një letër, në të cilën i ftonte ata t'i nënshtroheshin Allahut dhe të dërguarit të Tij, të pendoheshin dhe të dorëzoheshin ndaj mbretërisë dhe fuqisë së tij.
Në letrën e tij shkruhej:
"Të mos u mbani në të madh kundër meje,"
d.m.th., mos lejoni që krenaria juaj t'ju pengojë të më bindeni;
"...po të më vini të dorëzuar!"
d.m.th., ejani si besimtarë të sinqertë që i nënshtrohen Allahut me bindje dhe përulësi të plotë.
Pupëza e uli letrën pranë mbretëreshës dhe qëndroi duke vëzhguar se çfarë do të bënte ajo.
Natyrisht, ajo mblodhi pleqtë e oborrit - fisnikët, princat dhe ministrat - për t'u këshilluar me ta.
Ajo tha: "O ju pari, mua më ka arritur një letër madhështore."
Pastaj, ajo lexoi fillimisht titullin e saj:
"Nga Sulejmani,"
e më pas vazhdoi me përmbajtjen:
"…dhe ajo thotë: 'Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të mos u mbani në të madh kundër meje, po të më vini të dorëzuar!'"
Më pas ajo kërkoi mendimin e tyre në një mënyrë shumë të sjellshme dhe të përzemërt:
"O paria ime," - u tha ajo - "Më sugjeroni në këtë çështje timen se unë nuk do të vendos asgjë derisa edhe ju të jepni pëlqim!"
Kjo do të thotë që ajo kërkonte nga ata të shpreheshin me mendimet dhe këshillat e tyre.
Ata iu përgjigjën:
"Ne jemi të fuqishëm dhe jemi luftëtarë të rreptë,"
që do të thotë se ata ishin të përgatitur për luftë, kishin të gjitha forcat ushtarake, materiale dhe gjithçka tjetër të nevojshme.
Ata shtuan:
"Nëse ti vendos kështu, ne jemi gati për luftë… por vendimi është i yti! Shiko ti çfarë do të urdhërosh!"
Pra, ata i shprehën besnikëri të plotë dhe, pasi treguan aftësitë dhe përgatitjet e tyre, ia lanë asaj përgjegjësinë e vendimit.
Me të vërtetë, mendimi i saj ishte më i mençur dhe më i mirë sesa i tyre, sepse ajo e dinte se nuk do të mund të kundërshtonte, gënjente apo mashtronte atë që i kishte dërguar letrën.
"Kur sunduesit e pushtojnë ndonjë vend, ata e rrënojnë atë e parinë më të zgjedhur të atij vendi e nënshtrojnë, kështu veprojnë ata."
Kjo do të thotë se, nëse ai mbret do të pushtonte mbretërinë e tyre, ajo do të ishte ajo që do të përballej me ndëshkimin më të ashpër dhe poshtërimin më të madh.
"Po unë do t'u dërgoj atyre një dhuratë (të madhe), e do të shoh se çka do të na sjellin të dërguarit (me dhuratë)."
Ajo dëshironte t'i jepte Sulejmanit dhurata dhe sende të çmuara, duke ditur mirë se ai (paqja qoftë mbi të) nuk do të pranonte asgjë tjetër përveç Islamit, ndërsa ajo dhe populli i saj ishin jobesimtarë. Sulejmani dhe ushtria e tij ishin shumë më të fuqishëm se ata.
Prandaj, kur i erdhi ajo Sulejmanit, ai tha:
"A me pasuri më ndihmoni mua? E atë që Allahu ma ka dhënë mua është shumë më e dobishme nga ajo që u ka dhënë juve! Por ju krenoheni me dhuratat tuaja!"
Kështu i tha Sulejmani kryesuesit të të deleguarve të tyre që sollën dhuratën:
"Kthehu te ata (i tha kryesuesit të të deleguarve), se për Zotin ne do t'u vijmë atyre me një ushtri, të cilës ata nuk do të mund t'i bëjnë ballë dhe do t'i dëbojmë prej aty të nënshtruar e të poshtëruar!."
Do të thotë: Kthehuni me dhuratat tuaja, sepse ajo që Allahu më ka dhënë mua është shumë më e mirë se pasuria, pasuritë dhe dhuratat me të cilat ju krenohemi dhe ngremë vetëbesimin ndaj popullit tuaj.
"Ne do t'u dërgojmë ushtri të pathyeshme dhe të pamposhtur, që askush nuk do të mund t'i bëj ballë,"
d.m.th., ushtri që nuk mund të mposhtet, dhe do t'i dëbojmë nga toka, pronat dhe pasuritë e tyre, duke i bërë të përjetojnë turp, poshtërim dhe shkatërrim.
Kur ata dëgjuan lajmin, u nxitën duke shprehur nënshtrim dhe besnikëri të plotë, si dhe dëshirën që mbretëresha e tyre të bashkohej me Sulejmanin (paqja qoftë mbi të) dhe ta vizitonte personalisht.
Kur Sulejmanin (paqja qoftë mbi të), dëgjoi për ardhjen e tyre dhe për qëllimin që të paraqiteshin para tij personalisht, i tha atyre që ishin me të:
"O ju pari, cili prej jush do t'ma më sjell fronin e saj, para se të vijnë ata të dorëzuar?"
Ifriti, njëri prej xhindëve, u përgjigj:
"Unë do ta sjell atë ty para se të ngrihesh nga vendi yt."
Thuhet se ai po merrej me punët e Izraelitëve, nga fillimi i ditës deri në mesditë.
Ifriti tha gjithashtu:
"unë për të kam fuqi dhe jam i sigurt,"
sepse froni përmban gurë të çmuar dhe margaritarë që duhet të ruhen me kujdes.
Por, "…ai i cili kishte dituri nga libri tha:..."
d.m.th. Asafi ibn Berhi, i cili ishte kushëri i Sulejmanit (paqja qoftë mbi të) nga ana e nënës. Thuhet se ai ishte njëri nga besimtarët mes xhindëve, i cili njihte emrin më të lartë dhe më të lartësuar të Allahut, të Gjithëfuqishmit. Po ashtu, thuhet se ai ishte njëri nga dijetarët e Izraelitëve.
Ekziston edhe një mendim tjetër, i pazakontë dhe i rrallë, që thotë se ai ishte vetë Sulejmani (paqja qoftë mbi të), por Es-Suhejli e përjashton plotësisht këtë mundësi.
Një tjetër mendim i përhapur është se ai ishte Xhebraili (paqja qoftë mbi të).
Ai tha:
"Unë ta sjell atë ty sa çel e mshel sytë,"
d.m.th., shumë shpejt, brenda një çasti.
Do të thotë, para se të dërgosh një dërgues në vendin më të largët të Tokës dhe ai të kthehet tek ti.
Gjithashtu thuhet se nënkupton para se personi më i largët që sheh të arrijë tek ti; ose para se sytë e tu të lodhen duke vëzhguar një pikë dhe të mbyllen; ose para se të shikosh përsëri në vendin më të largët që syri yt mund të arrijë dhe pastaj t'i mbyllësh sytë (që konsiderohet shpjegimi më i arsyeshëm).
"E kur e pa atë (fron) të vendosur pranë tij,"
domethënë, kur pa fronin e Belkisës të sjellë nga Jemeni në Jerusalem dhe të vendosur para tij, në këtë kohë shumë të shkurtër, ai bërtiti:
"Kjo është dhuntia e Zotit tim që të më sprovojë mua se a do ta falënderojë, apo mos do ta përbuz."
Kjo do të thotë se kjo është nga mëshira e Allahut, dhe unë jam nderuar me të. Mëshira e Tij është dhënë të gjithë njerëzve, dhe Ai i provon ata që të shohë nëse janë mirënjohës apo jo.
"E kush falënderon, ai falënderon për të mirën e vet"
domethënë, dobi nga kjo mirënjohje i kthehet atij vetë,
"… e kush përbuz, Zoti im (s'ka nevojë), është i pa nevojë e bujar!"
Kjo do të thotë se Ai nuk ka nevojë për falënderimet e kujtdo dhe se mosbesimi i jobesimtarëve nuk i shkakton asnjë dëm.
Më pas Sulejmani (paqja qoftë mbi të) urdhëroi që froni i saj të ndryshohej pak, në mënyrë që të provonte mençurinë dhe kuptimin e saj, duke thënë:
"…le të shohim nëse do ta njohë apo jo!"
Kur ajo arriti, i thanë: "A është i këtillë froni yt?"
Ajo u përgjigj me habi: "Si të ishte vetë ai?!"
Kjo dëshmon për nivelin e saj të lartë të arsyetimit dhe të kuptuarit, pasi la mënjanë mundësinë që ai të ishte froni i saj i vërtetë, duke e lënë atë në një vend të largët në Jemen, pa ditur për mrekullinë që dikush mund të kryente duke sjellë fronin në Jerusalem në çast.
Allahut i Lartësuar thotë, dhe këto fjalë i referohen Sulejmanit (paqja qoftë mbi të) dhe popullit të tij:
"Neve na është dhënë dituria përpara saj dhe ne ishim besimtarë para sa?"
Por, nëse ajo nuk do të kishte besuar drejt, do ta pengonin ata që i faleshin atyre përveç Allahut, sepse ajo i përkiste një populli jobesimtar.
Kjo do të thotë se ata ndiqnin fenë e të parëve të tyre, e cila ishte bazuar në adhurimin e Diellit, të cilit i faleshin pa asnjë dëshmi apo provë të vërtetuar.
Sulejmani (paqja qoftë mbi të) urdhëroi më parë të ndërtohej një sipërfaqe xhami nën të cilën rridhte uji me lloje të ndryshme peshqish dhe krijesash detare.
Më pas i urdhëruan Belkisës të hynte, sepse Sulejmani po qëndronte në fronin e tij aty pranë.
"E kur ajo e pa atë mendoi se është një ujë i madh dhe i përvoli këmbët. Ai (Sulejmani) tha: "Ky është një pallat i lëmuar prej qelqi!" Ajo tha: "Zoti im, unë i kam bërë krim vetes e tash i dorëzohem (pranoj besimin) së bashku me Sulejmanin Allahut, Zotit të gjithësisë"
Es-Sa'lebi dhe të tjerë thanë:
"Kur Sulejmani (paqja qoftë mbi të) u martua me të, i riktheu mbretërinë e Jeminit dhe qëndronte atje tri ditë në muaj, pastaj kthehej në Jerusalem me qilimin fluturues.
Për më tepër, ai urdhëroi xhindët që t'i ndërtonin tri pallate në Jemen: Gamdan, Salhin dhe Bitun."
Ibn Ishaku ka transmetuar nga disa dijetarë, përfshirë Vehba ibn Munebbin, se Sulejmani (paqja qoftë mbi të) nuk e martoi vetë, por e martoi me mbretin Hemedan, duke i lejuar asaj të sundonte përsëri Jemenin.
Mendimi i parë është më i njohur dhe më i arsyeshëm. E Allahu e di më së miri.
Tregime nga Kur'ani - Hafiz Ibn Kethiri