Themelet e personalitetit mysliman (4)

 


Krahas besimit, adhurimit e moralit, myslimani duhet të veçohet edhe me nxënien e diturisë, gjë kjo e cila vjen si një ndër prioritet dhe kushtet për të njohur realitetin e Dynjasë dhe fenomenet e Ahiretit:"...Zoti im, më shto dituri!" (Ta Ha, 114).

Islami i ka dhënë vend të posaçëm diturisë, mësimit, logjikës e angazhimit mendor, dhe jo rastësisht Allahu xh.sh., zgjodhi që mesazhi i fundit dërguar Pejgamberit të fundit të filojë pikërisht me kërkesën për lexim (ikre), e madje ajo i parapriu edhe kërkesës për adhurim dhe bamirësi. Ai edhe betohet në mjetin e shkrimit, lapsin, dhe vetë shkrimin (Nun, vel kalemi ve ma jesturun), me të cilën gjë na bëhet edhe më e qartë rëndësia dhe nevoja e njerëzimit për to, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen e në të ardhmen.
Sikur që, në shumë vende në Kuran, pas përmendjes së argumenteve, fenomeneve dhe ngjarjeve të ndryshme, Allahu xh.sh., i përfundon ajetet me fjalët: "...këto janë argumente për "të zotët e mendjes", "për njerëzit që mendojnë", "a nuk logjikojnë!?" etj. Allahu xh.sh. e ngriti lart autoritetin e të diturve ndaj të paditurve:
"Thuaji "A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?" Po, Vetëm të zotët e mendjes marrin mësim." (Ez Zumer, 9),
Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s., thoshte: "Kërkimi i diturisë është obligim i çdo myslimani"
Arsimimi dhe kërkimi i diturisë sipas Islamit nuk ndalet në kufinj të caktuar, e as në moshë të caktuar. Është e njohur në mesin e myslimanëve kjo urtësi: "Kërkoje diturinë nga djepi deri në varr", derisa njerëzit e kujtuan si hadith të Pejgamberit tonë a.s., e që nuk është ashtu, por pjesë e trashëgimisë kulturore islame.(1)
Imam Ahmedi ka thënë: "Njerëzit janë më të nevojshëm për dijen sesa për ushqimin dhe pijen, sepse njeriu ka nevojë për ushqim dhe pije një apo dy herë në ditë, kurse për diturinë ka nevojë sa numri i frymëmarrjeve të tij."
Kultura mendore nënkupton një thesar të çmuar që njeriu e bart me vete, dhe e përdor për të mirën e vet dhe njerëzimit mbarë. Ajo nuk është një luks që i shërben njeriut për mburrje dhe mendjemadhësi, sepse dituria duhet ta tërheq pas vete modestinë dhe zemërgjerësinë.
Është ide e gabuar të mendohet se kulturë mendore është posedimi i diplomave universitare, apo titujve shkencorë, edhe pse këto janë tregues se personi ka ecur në rrugën e dijes. Ne të vërtetë dituri e njëmendtë është njohja e gjërave dhe fenomeneve që na rrethojnë, njohja e aktualitetit dhe analiza e tyre, planifikimi dhe sjellja konform këtyre të dhënave e në formën me të qëlluar. Kjo kërkon marrje të sa më shumë informatave, verifikim të tyre, klasifikim, lidhje mes tyre dhe konkludim personal. Prandaj ideja se posedimi i informatave është vetë dituria tregon cektësinë e të gjykuarit që mund ta ketë ndonjë person.
Sot është fare e mundshme të marrim me mend të riun që ka kaluar të gjitha shkallët e arsimimit, duke filluar nga foshnjorja e deri te kolegji, por të mos ketë dëgjuar në asnjë rast të vetëm se duhet të jetë njeri i mirë dhe i drejtë. Së pari ai ka mësuar shkrimin dhe veprimet e llogaritjes, pastaj fizikën, kiminë, etnologjinë, gjeografinë, teoritë politike, sociologjinë, dhe një sërë shkencash të tjera. Ai ka përvetësuar një masë faktesh dhe, në rastin më të mirë, ka mësuar të mendojë, mirëpo ai s'është fisnikëruar.(2)
Dituria është dije e sistemuar, e fituar në mënyrë graduale dhe nga burimet e besueshme, dhe e vjelur në formë të mirëfilltë. Njohuritë e shkapërderdhura e që nuk lidhen mes vete, që merren nga burime të dyshimta dhe jo kredibile, e së fundi edhe jo produktive për individin dhe rrethin, i takojnë kategorisë së shembullit që Allahu xh.sh., e përmend në Kuran si: "bartësin e librave mbi kurrizin e vet", por që është vetëm rëndesë, e aspak dituri. (El-Xhuma, 5).

"Të dish gjithçka nga diçka dhe për diçka gjithçka"

Dituria është det i pafund. Sado që njeriu të mësojë, para tij mbetet pafundësi e njohurive që nuk mund t'i përthekojë me diapazonin e tij, madje disa sosh edhe janë të paarrira: "...e juve ju është dhënë fort pak dije." (El Isra, 85).
Megjithatë myslimani nuk duhet të ndalet nga rruga e kërkimit të diturisë, dhe atë ta marrë kudo. Ai duhet të ketë njohuri të përgjithshme, gati sa të mos ketë fushë të jetës për të cilën nuk di diçka që mund t'i hyj në punë. Nuk duhet të mbetet i izoluar nga bota si shkak i mosqasjes në informata të lëmive që na rrethojnë, por krahas kësaj ai duhet të jetë i specializuar në një fushë të caktuar në formën më të përsosur, duke synuar që në fushën e specializimit të tij të jetë referencë për të tjerët. Kjo gjë duhet të bëhet në forme të balancuar mirë, pa e cenuar njëra-tjetrën.
Mirëqenien e populli e bëjnë: ekonomia, politika, ligji, edukimi, kultura, art-i etj. Pavarësisht se cila ka prioritet ndaj tjetrës, nuk ka asnjë dilemë se ngritja e tyre bëhet në saje të dijes dhe arsimimit, prandaj përparimi i ka rrënjët në kulturën mendore, pra në arsim, e që nuk mund të arrihet pa leximin dhe librin si burim i njohurive. Kurdo që ndodh mungesa e leximit dhe librit, rezultati është gjithmonë i kundërt.
Leximi efektiv është ai lexim që shoqërohet me meditim dhe thellim në studimin e lëndës, përndryshe do të konsiderohej numrim i shkronjave dhe faqeve të tij. Në realitet, lexuesi i mirë nuk është ai që lexon shumë libra por ai që, kur lexon, lexon në mënyrë cilësore.(3)
Kontakti me realitetin, marrja e informatave, analiza e thukët e tyre, është domosdoshmëri për një zhvillim të shoqërisë. Islami si fe dhe program jete, e ka orientuar besimtarin drejt hapjes në shoqëri, e jo mbylljes në shkencë dhe filozofi, që mundëson vetëm një bagazh informatash të papërdorshme dhe jo me interes për zhvillim. Pastaj, vetëm specializimi në një fushë të caktuar, pa e begatuar atë edhe me dituri të fushave të tjera, krijon një prototip të pafuqishëm për ballafaqim me jetën dhe shoqërinë, duke ecur drejt hapave të vetëmjaftueshmërisë dhe izolimit total nga rrethi.
Njëkohësisht, edhe të qenit i informuar "për gjithçka", duke mos pasur një profesionalizim në fushë të caktuar, njeriun e bën të shkapërderdhur dhe shumë të cekët në njohuri. Së këndejmi, edhe ky tip nuk mund të sjellë zhvillimin dhe avancimin në shoqëri, sepse nevojat në shoqëri kërkojnë specialistë të fushave të shumta, dhe kjo gjë nuk arrihet brenda një nate.

Njohja me aktualitetin bazë për orientim të duhur

Nga gjërat që patjetër duhet të dimë është dhe njohja e aktualitetit në të cilin jetojmë. Mosnjohja e rrethanave dhe fenomeneve me të cilat është e karakterizuar koha jonë bën që të kemi shumë pengesa në lëvizje, dhe paqartësi në sjellje me aktualitetin. Një mendimtar islam ka thënë: "Problemi ynë nuk është në injorancën tonë ndaj Islamit, por në injorancën tone ndaj aktualitetit".
Njohja me këtë realitet bëhet duke i marrë parasysh faktorët që ndikojnë në krijimin e tij, qofshin shoqërorë apo ekonomikë, ideologjikë apo politikë, gjeostrategjikë apo historikë, shpirtërorë apo lëndorë. Varësisht nga efekti që kanë këta faktorë, ata edhe mund të ndahen në pozitivë dhe negativë, por se sa është prezenca dhe ndikimi i tyre është çështje që duhet trajtuar me kujdes dhe analizë të plotë.

Ikje apo ballafaqim?

Shpeshherë, në raport me realitetin që na rrethon hasim reagime të ndryshme e nga njerëz te ndryshëm.
Madje, si tërësi, njerëzit ndahen në dy grupe:
a) Të frikësuar nga realiteti - përpiqen të ikin dhe izolohen për të mos rënë nën ndikimin e tij, dhe;
b) Të shkrirë në këtë realitet - duke pranuar pa rezervë çdo të mirë dhe të ligë brenda tij.
Të qenit i vëmendshëm do të ishte që nga rrethanat ekzistuese të merret ajo që ka dobi, duke e shfrytëzuar këtë gjë në formë sa më racionale. Pra, jo refuzim dhe ikje, por nga ana tjetër përpjekje për ndryshimin e negativitetit. Ky duhet të jetë qëllim dhe sakrificë në të njëjtën kohë, duke bërë që ajo të zhduket, të mos përhapet, apo së paku që ne të mos ndikohemi prej saj.

Pranimi i vlerave, por jo edhe i kulturës së huaj

Duhet të bëhet dallimi mes asaj që është vlerë, arritje, dituri e përparim, qoftë ajo nga Lindja apo Perëndimi. Të përfitohet nga ato në formën më të mirë të mundshme, e nëse ka mundësi edhe të avancohet më tutje, Mirëpo nuk është e pranueshme që krahas kësaj të importohen edhe kulturat dhe ideologjitë që servohen bashkë me to. Çdo vend dhe secili popull i ka karakteristikat dalluese në kulturë, te cilat e bëjnë si të tillë, dhe vlera e tij qëndron në dallueshmërinë ndaj tjetrit. Prandaj adoptimi i kulturave të jashtme do të çonte drejt asimilimit dhe zhdukjes.

Burimet e kulturës mendore

Çdo ditë e më tepër vërehet ndikimi i përgjithshëm i masmediumeve në formimin e opinionit te masat. Përhapja e shpejtë e tyre, prezenca dhe ndikimi audiovizuel, varshmëria e njeriut nga ato, kanë bërë që çdoherë e më tepër të merren si referencë për njohuritë tona. Ani pse është e padiskutueshme shpejtësia e informatës që rrjedh përmes tyre, ato assesi nuk mund të konsiderohen burime të dijes. Rruga primare, por edhe më e sigurta për të arritur dituri, pa dyshim se është leximi, i cili në formën më të sistemuar vjen në formë të arsimit shkollor dhe universitar. Libri nuk mund të ketë alternativë, sado që informatat e shpejta na joshin dhe na duken si diçka lehtë e arritshme përmes pajisjeve elektronike që sot i bartim me vete e kudo.
Asnjë popull nuk ka arritur zhvillimin dhe përparimin pa lexim dhe shkollim, prandaj është brengosëse kur informata e shpejtë, gjysmake, madje edhe jo e konfirmuar apo edhe e trilluar, sot po zë kohën e leximit të librit, dhe në këtë formë edhe nxënien e diturisë.

Kërkesat themelore për dituri

1. Njohja e vetvetes. Njohja me personalitetin e vet, kapacitetet dhe dobësitë, mënyrën se si do të avancohej më shpejt dhe më qëndrueshëm, është obligim i domosdoshëm, sepse injoranca ndaj vetvetes është rreziku më i madh që mund ta kanosë vetë individin.
2. Njohuritë elementare rreth besimit. Besimi i vërtetë, obligimet dhe ndalesat, janë kërkesë e fesë, e pa të cilat njeriu mund ta devijojë rrugën dhe të humbasë qëllimin e krijimit të tij, e për pasojë edhe humbjen e Ahiretit.
3. Arsimimi në fushë të caktuar. Orientimi në karrierë përmes asaj që kemi prirje më shumë, apo asaj që është nevojë e tregut është domosdoshmëri për të jetuar një jetë cilësore, por edhe për të ndihmuar shoqërinë. Kjo arrihet duke zgjedhur profesionin e duhur dhe duke bërë maksimumin për të perfeksionuar shkathtësitë,
4. Njohja e asaj që ngjan rreth nesh. Njohja me të padukshmen (të definuar në Kuran dhe Sunet), të përgjithshmen (universalen, kohën dhe hapësirën), ndërkombëtaren (qoftë rrethanat e Ymetit Islam apo botës tjetër, raportet dhe balancat) dhe lokalen, duke filluar nga familja, farefisi, lagjja e shteti ku jeton.(4)
Informimi i rregullt me ngjarjet dhe fenomenet që na rrethojnë, leximi apo dëgjimi i lajmeve ditore, analizave dhe opinioneve nga njerëz të besueshëm, bën që të jemi më pranë realiteti dhe më afër gjykimit të drejtë. Në saje të kësaj edhe iniciativat, aktivitetet e sjelljet tona do të jenë në shërbim të kauzës sonë si myslimanë të ndërgjegjshëm.


___________________
1) www.qaradawi.net/new/library2
2) Alija lzetbegoviç. Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit. Prishtinë, 1999. f. 35.
3) Dr. Abdul-Kerim Bekkar. Formimi i brezave. Dituria Islame. Prishtinë, 2009. f. 127.
4) Hisham Et-Talib. Udhëzues përgatitor për punonjësit islamike. Logos-A, Shkup, 1419/1998. f.5.