Robërit e sinqertë të Allahut, ani pse përvetësuan një thesar të tërë virtytesh, ani pse në llogaritë e tyre depozituan aq shumë të mira, ishin modestë, të vetëpërmbajtur, falnin madje edhe namaz nate, ata as edhe për një çast të vetëm nuk ia lejuan vetes të binin në grackën e asketëve injorantë. Përkundrazi, ata vërtetuan se, krahas devotshmërisë, kanë thithur edhe nektar diturie, dhe në kohën kur i shohim të tjerët tek mbështeten në adhurimin e tyre dhe pretendojnë një lloj sigurie dhe komoditeti nga Xhehenemi, këta ndiejnë një frikë, për se i drejtohen Allahut me lutje: "Edhe ata që thonë: "Zoti ynë, largoje prej nesh vuajtjen e xhehenemit, e s'ka dyshim se vuajtja në të është gjëja më e rëndë". (66). "Ai, vërtet është vendqëndrim dhe vendbanim i keq." (El-Furkan, 65-66).
Nuk mashtrohen me atë që kanë bërë
Kështu është puna e besimtarit të sinqertë. Sado që të jetë i devotshëm, sado që të jetë në shërbim të fesë dhe Fjalës së Allahut, ai asnjëherë nuk pretendon pavarësi prej mëshirës së Tij. Madje jo vetëm kaq, por ai e di se një gjë e tillë është mëkat, që sipas terminologjisë profetike, përmban rrezikun e shkatërrimit. Pejgamberi, a.s., në një hadith, përveç të tjerash, thotë: "Tri gjëra janë shkatërruese…: koprracia e respektuar, epshi i pasuar dhe mashtrimi i njeriut nga vetvetja (nga veprat e tij);…" (Sahihu'l xhamii, 3045.) Nëse shpëtimi nga Xhehenemi si produkt i veprës, nuk i qe garantuar as Muhamedit, a.s., krijesës më të devotshme, atëherë ku mbetet vend për të tjerët të shpresojnë apo të mbështeten në veprat e tyre. A nuk ka thënë Muhamedi, a.s."Askënd vepra e tij nuk mund ta fusë në Xhenet! A as ty o i dërguari i Allahut?!- e pyetën me habi.- As mua, përveç nëse Allahu më mbulon me mëshirë- u përgjigj ai" (Muslimi.) Nëse do ta kuptosh këtë figurativisht, atëherë shfleto pakëz me mua historinë e një legjende të gjallë, Omerit, r.a., i cili thoshte: "Sikur të thërriste prej qiellit një thirrës: O ju njerëz! Që të gjithë do të hyni në Xhenet me përjashtim të një njeriu, do të kisha frikë se mos unë jam ai". Prandaj nuk është çudi kur të shohësh ndonjërin nga gjeneratat e para - tek dëshmojnë se: "Po të buja fjetur dhe të ngrihesha me keqardhje, do ta kisha më të dashur sesa të buja duke u falur e të gdhija i mashtruar nga ajo që kam bërë (të ndiej sikur kam bërë shumë punë të madhe)." Kjo për faktin se, siç është sqaruar nga Imam Gazaliu(1), vetëmashtrimi - të mendosh se ke bërë mirë shumë-, njeriun e bën t'i anashkalojë dhe harrojë mëkatet, e kështu të bjerë thellë në humnerën e mëkateve.
Përse frika nga zjarri i xhehenemit?
Çfarë e bën atë aq të rrezikshëm, saqë besimtari të ketë frikë të madhe prej tij? Pse si tipar për të shquhen robërit e sinqertë të Allahut? Përgjigjen e këtyre dhe pyetjeve të ngjashme do ta gjejmë në vijim.
- Ngase është adhurimi më i mirë. Vehb b. Munebihi pati thënë: "Allahu nuk është adhuruar me diçka të ngjashme sikur frika." E për ta kuptuar sekretin e kësaj forme adhurimi, i kthehemi fjalës së Sulejman ed Daranit, i cili shpjegon se "Bazë e çdo të mire në dynja dhe Ahiret është frika, ngase një zemër që nuk është e mbushur me frikë prej Allahut, ajo është gërmadhë."
- Ngase, për rrezikun që paraqet, edhe Pejgamberi, a.s., lutej në çdo namaz për t'u mbrojtur prej tij. Nëse kihet parasysh se kush është muhamedi, a.s., dhe cila ishte pozita e tij tek Allahu, atëherë sqarimet duhet të mjaftojnë me kaq. Imam Muslimi transmeton se Pejgamberi, a.s., ka thënë: "Kur ta kryejë dikush prej jush teshehuudin e fundit, le të kërkojë mbrojtje tek Allahu prej katër gjërave: prej ndëshkimit të Xhehenemit, prej ndëshkimit të varrit, prej sprovës së të gjallëve e të vdekurve dhe prej sherrit të Mesihut Dexhall".
- Ngase takimi me Xhehenemin, çfarëdo që të jesh, i mirë a i keq, i sinqertë a mëkatar, është i pashmangshëm. Allahu ka thënë: "Dhe nuk ka asnjë prej jush që nuk do t'i afrohet atij. Ky (kontaktim i xhehennemit) është vendim i kryer i Zotit tënd". "Pastaj, (pas kalimit pranë tij) do t'i shpëtojmë ata që ishin ruajtur (prej mëkateve), e zullumqarët do t'i lëmë aty të gjunjëzuar." (Merjem, 71-72).
Dijetarët kanë polemizuar se ç'kuptim ka afrimi ndaj Xhehenemit. Disa kanë thënë se bëhet fjalë për kalimin pranë tij, e të tjerë thanë se bëhet fjalë për hyrjen në të(2). Sido që të jetë, për kuptimin e tyre, ne do t'i ktheheshim njërit që këto ajete ia kishin humbur gjumin për një kohë të gjatë. Ibni Ebi Mejsere, kur shkonte të flinte, qante shumë dhe thoshte: Ah sikur nëna të mos më kishte lindur fare! Kurse e ëma, e cila e dëgjoi tek qante dhe tha këtë fjalë, iu drejtua: Po përse kështu, o biri im? A nuk të ka bërë mirë Allahu?! A nuk të ka udhëzuar në Islam?! Po, nënë e dashur, por Allahu na ka treguar se ne doemos do të ndalemi tek zjarri e pastaj nuk na ka treguar se a do të dalim prej tij apo jo- ia ktheu ai. Në fakt, Allahu ka përmendur se ata që ia kanë pasur frikën Atij, do të shpëtojnë prej Xhehenemit, por, ah sikur ta dinim se a jemi prej tyre apo jo!
- Ngase zjarri i Xhehenemit është diçka që nuk zmbrapset dot nga asnjë forcë. Allahu ka thënë: "Është e vërtetë se dënimi i Zotit tënd patjetër do të ndodhë. Atë nuk ka kush që mund ta largojë." (Tur, 7-8). Një natë, gjersa kalonte Omeri pranë një xhamie, dëgjoi një njeri të devotshëm, i cili kishte zgjedhur xhaminë për namaz nate, tek lexonte këto ajete. Për një çast u ndal. Mendoi e mendoi dhe pastaj tha: " Pasha Allahun, Zotin e Qabesë, ky është një betim i vërtetë! Omeri u sëmur nga ky kërcënim hyjnor dhe për një muaj mbeti në shtrat pa lëvizur fare. Njerëzit e vizitonin, por nuk e dinin se prej çfarë vuante.
- Ngase dënimi në të është i pafund. Kjo sigurisht se për pabesimtarët dhe hipokritët, porse një gjë e tillë vlen si mësim edhe për besimtarin. Se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë, do të mësojmë nga këto ajete kur'anore: "Ndërkaq, kriminelët janë në vuajtje të përjetshme të xhehenemit. Atyre as nuk u lehtësohet (vuajtja) dhe aty janë të dëshpëruar. Ne nuk u bëmë atyre padrejtësi, por ata vetë kanë qenë horra. Dhe ata thërrasin: "O Malik, le të na e marrë shpirtin Zoti yt!". Ai thotë: "Ju do të jeni aty përgjithmonë!". Ne ju patëm sjellë të vërtetën, por shumica prej jush ishit urrejtës të së vërtetës." (ez Zuhruf, 74-78). E shihni, ata kërkojnë edhe vdekjen, e duan atë më shumë se çdo gjë, duan t'i japin fund jetës, por jo, vdekje më nuk ka.
- Ngase ka pamje trishtuese dhe një imazh që, po të arrihej pikturimi i tij, çdokush që do ta shihte, do të binte në komë, për të mos thënë se do vdiste fare. Ka thellësi shumë të madhe(3), madje ka edhe lugina të tilla(4); nxehtësia e tij është e papërballueshme(5), banorët e tij janë të prangosur(6); ushqimi dhe pija e tyre janë shumë të hidhura(7); rrobat i kanë nga zjarri dhe katrani, e të tilla edhe mobiliet dhe orenditë ku do ta kalojnë jetën e pafund(8).
Ndërmjet frikës dhe shpresës
Ndarjen me ju, pas kësaj frike që sqaruam dhe pas këtij përshkrimi që i bëmë Xhehenemit, nuk do ta bëjmë shpejt, ngase nuk duam që tek ju të krijohen përshtypje a bindje të gabuara. Po kështu, nuk duam as që të bëheni pesimistë e të humbni nga e vërteta. Duam t'jua sqarojmë pozicionin që besimtari duhet ta ketë dhe kursin që duhet ta ndjekë përkitazi me frikën nga Xhehenemi, por edhe me shpresën në Xhenet. Islami bën thirrje që të ndiqet një mesatare ndërmjet tyre. As nuk thërret për frikë, e cila të shpie në pesimizëm, por as për shpresë, e cila do ta bënte shumë të thjeshtë rrugën e mëkateve. Megjithatë, për shkak se instinktivisht ngacmohet nga epshet, që për pasojë ndonjëherë edhe bie në mëkate, për të mos thënë se disa të vogla i bëhen edhe traditë, caktoi që frika t'i paraprijë shpresës tek njeriu, sa të jetë gjallë, ndërsa kur të vijë çasti i dhënies shpirt, atëherë shpresa t'i paraprije frikës, në mënyrë që të dalë nga kjo botë duke pasur mendime të mira për Allahun. Apo, ai duhet të jetë, sipas shembullit të hoxhës së nderuar, Muhamed Husejn Jakubit, sikur një shpend që nuk mund të fluturojë dot pa lëvizur që të dy krahët.
Le të jenë frika dhe shpresa krahët tanë, të cilët në rrugëtimin tonë do të na shpien tek Allahu në formën më të sigurt të mundshme. Le të kujtojmë se Allahu nuk është vetëm falës, por edhe ndëshkues dhe ndëshkimi i Tij është shumë i ashpër.
__________________________
(1)Tehdhibu meuidhati'l mu'minine, Muhammed Xhemaluddin el-Kasimijj, Daru Ibni Haldun, Aleksandri, Egjipt, pj.2, f.112.
(2) Për më gjerësisht, shih Tefsirin e Taberiut, rreth këtyre ajeteve.
(3) Hadithi është autentik. Shih: Sahihu'l xhamii, 1618.
(4) Shih kaptinën Merjem, ajeti 59.
(5) Shih kaptinën et Teube, 81.
(6) Shih: el Insan, 4; el Hakkah, 32.
(7) El Hakkah, 35-36, ed Duha, 43-46, el Muzzemmil, 12-13, El Kehf, 29, Ibrahim, 16-17.
(8) Shih: Ibrahim, 44-50, El A'rafë, 41.