Pejgamberi a.s., ndaj Uthmanit r.a. kishte respekt të veçantë. Kjo është vërejtur shumë herë sa ishte në jetë Pejgamberi a.s.. Madje Pejgamberi a.s. e kishte lënë zëvendës Uthmanin dy herë, një herë gjatë betejës në Dhatu Rik`a dhe herën e dytë gjatë betejës së Gatafanit në Dhi Emër në Nexhd. Edhe Ebu Bekri dhe Aliu r.a. kishin vlerësime dhe komplimente të veçanta për Uthmanin r.a.. Edhe besimi dhe respekti i Umerit, për Uthmanin r.a. ishte shumë i madh. Prandaj të gjitha këto përshtypje vetëm sa e vërtetojnë drejtësinë në rastin e zgjedhjes së Uthmanit halif të muslimanëve. Kur Uthmani r.a. u zgjodh halif, gjendja e përgjithshme e muslimanëve ishte e fortë dhe stabile. Gjatë sundimit të tij u zhduk shteti i Persisë, u dëbuan bizantinët nga tokat e Shamit dhe të Egjiptit dhe u dha fund të gjitha padrejtësive dhe dukurive raciste si dhe diferencimeve ekonomike e sociale. Në kohën e halifit Uthman muslimanët dhe të tjerët jetonin të qetë e pa konflikte, të garantuar nga perspektiva e islamit, ku liria e besimit ishte garantuar për të gjithë në shtetin e administruar nga muslimanët.
Administrata e Uthmanit r.a.
Uthmani r.a. nuk e kishte ndjekur rrugën e dy halifëve të mëparshëm përsa i përket modestisë në veshje. Ai vishte uniformën-mantelin zyrtarë me ngjyrë të gjelbër me material nga mëndafshi dhe shëtiste krenarë. historianët përmendin se Uthmani r.a. i kishte mbështjellur-përforcuar dhëmbët me ari. Ai e preferonte ushqimin nga mëshira të zgjedhur por është e vërtetë se ai ushqehej nga pasuria e tij private, e jo nga ajo e Bejtul Malit duke qenë kështu shembull për të gjithë muslimanët. Uthmani r.a. e kishte caktuar këshilltarë të vetin Ebu Dher El-Gifarin që t'i vizitonte muslimanët dhe t`ju shpjegonte atyre se si pasurinë që iu tepron ta shpërndajnë për të varfëritë, nevojtarët dhe për nevoja tjera të përgjithshme të shtetit Islam. Ai si shembull në aktivitetet e tija me këtë qëllim argument mbështetës e përdorte ajetin kuranor: "Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin në rrugën e Allahut, lajmëroji për një dënim të dhembshëm". Pas zgjedhjes së Uthmanit halif, ai menjëherë u dërgoi mesazhe të gjithë guvernatorëve dhe mëkëmbësve nëpër qytete duke kërkuar nga ata që të nxirrnin mësim nga e kaluara e popujve të mëhershëm, që mos të harrojnë Zotin dhe të mos mashtrohen pas kësaj bote dhe të e harrojnë botën tjetër (Ahiretin), për të cilën ka paralajmëruar Allahu xh.sh. në shumë vende në Kur`anin famëlartë. Uthmani r.a. i këshilloi ata përmes këtyre porosive që të jenë të devotshëm ndaj Krijuesit dhe t`i përmbahen drejtësisë në qeverisjen e tyre. U sqaroi atyre rëndësinë dhe përgjegjësinë që kanë në kryerjen e detyrës së tyre duke i paralajmëruar se ajo nuk është gjë tjetër vetëm se një amanet (obligim) që u ishte ngarkuar mbi supet e tyre me përkujdesje të madhe. Në mesazhin e dytë, të cilin ua dërgoi komandantëve dhe ushtarëve të vet, thuhej: "Ju jeni mbrojtësit e muslimanëve. Umeri ka vendosur për ju rregullat dhe të drejtat me dijen tonë. Atë e bëri publikisht, para nesh. Mos më lajmëroni për ndonjë ndryshim a ndërrim, lëreni që Allahu t`ju ndryshoj e t`ju ndërroj me dikë tjetër. Shikoni se si do të jeni. Vërtetë unë shikoj atë që Allahu më urdhëron të bëjë". Në mesazhin e tretë të cilin ua drejtoi atyre që jetonin në vende të largëta, thuhej: "Unë kam marrë punëtorë (këshilltarë) të më informojnë për çdo kohë. I kam urdhëruar në të mirë dhe i kam ndaluar nga e keqja. Nuk ka ndonjë kërkesë që bëhet te punëtorët e mi e që unë të mos i përgjigjem asaj. As unë e as fëmijët e mi nuk gëzojmë të marrim të ardhura nga prona e popullit. E kush ka ndonjë ankesë, le të ma dërgojë në kohë".
Ardhja e Uthmanit r.a. në pozitën e halifit të muslimanëve, reflektoi tek muslimanët sjelljet e tij, ku mbi të gjitha vihej në pah zemërgjerësia dhe f isnikëria e tij. Ai në përpjekje të avancimit dhe ngritjes së mirëqenies në shtetin musliman, shtoi asistencat sociale për gjithë frymën e popullatës muslimane në të gjitha qytetet e saj me ngritje për njëqind dinar më shumë. ekonomia e shtetit musliman në periudhën e udhëheqjes së Uthmanit ishte gjithnjë në zhvillim, ndërsa tregtia në çdo pjesë zgjerohej dhe rritej duke ngritur edhe fitimin. Në kohën e tij filluan të hapeshin punëtori dhe zejtari të ndryshme, disa prej të cilave të reja dhe të panjohura më parë nga arabët, siç ishte ndërtimi i anijeve. Sukseset e Uthmanit r.a. në 5 vitet e para të sundimit të tij do të rezultonin me çlirime të shumë vendeve të reja si: çlirimi i Afrikës Veriore dhe Perëndimore, shtrirja edhe më shumë në zonat e Lindjes, derisa arritën kufijtë e Kinës. Por, në 5 vitet e dyta të hilafetit të tij këto suksese do të ndërprehen, pasi tani për muslimanët kishte ardhur koha të sprovoheshin me probleme tjera, më të mëdha dhe më të rrezikshme. muslimanët, tashmë i prisnin kohë të vështira, kohë trazirash dhe luftërash, jo më ndaj të huajve, por ndaj vetvetes. Periudhën e dytë të udhëheqjes së Uthman ibn Affanit, dijetarët islam e konsiderojnë si fillimi i trazirave që lanë gjurmë të thella në besimtarët muslimanë. Në ato trazira u derdh shumë gjak i pafajshëm ndër muslimanët. Shumë sahabë ishin sakrifica e radhës në ato vite të vështira dhe të përgjakshme. Në ato vite aktivitetet e luftërave çlirimtare u pezulluan, muslimanët filluan të përjetojnë probleme nga më të ndryshmet dhe më të vështirat. E tërë përçarja filloi me një shkëndijë që e ndezi një hebre nga fiset hebreje të Jemenit me emrin Abdullah ibn Sebe`, i cili së bashku me disa të tjerë filluan të shkaktonin konflikte nëpër shumë qytete dhe vende të shtetit Islam. Ata prapagandonin dhe shpifnin edhe ndaj halifit dhe bashkëpunëtorëve të tij për të nxitur turmat e popullit në kryengritje e në gjakderdhje. Qëllimi final i këtyre njerëzve ishte shkatërrimi i islamit dhe futja e përçarjes në Umetin musliman.
Çlirimet në kohën e Uthmanit
Siç dihet Umeri i kishte dërguar ushtritë e muslimanëve në Irak dhe në Sham. Ndërsa, në 10 vitet e Halifatit të Uthmanit rrjedha e luftës të muslimanëve nuk pushoi. këto aktivitete ushtarake u ndalën vetëm në dy vitet e fundit të sundimit të tij. Çlirimet në kohën e Uthmanit u përqendruan në tre fronte: Fronti lindor, fronti perëndimor dhe fronti detar. Ushtria e frontit lindor u përqëndrua në Kufe dhe në Basra. Në Kufe gjendeshin gjashtë mijë luftëtarë në rrugën e Allahut nën komandën e Said bin El-Asit, të cilët u nisën në drejtim të Teheranit të sotëm, Azerbajxhanit dhe të Armenisë. Kur arritën në kufijtë e këtyre vendeve, komandanti i myslimanëve kërkoi nga Halifi i besimtarëve që t`i dërgonte Hasanin dhe Hysenin, Abdullah ibn Abasin, Abdullah ibn Mesudin, Abdullah bin Umer bin Hatabin dhe Abdullah bin Amër El-Asin. Këta luftëtarë të denjë arritën që për një vit ta çlironin Teheranin, Azerbejxhanin dhe Armeninë, kjo ndodhi në vitin 26 h.. Në zonën e Basrës ishin 4000 luftëtarë nën komandën e El-Velid bin Ukbe ibn Ukme bin Ebij Muit, i cili keqtrajtonte Pejgamberin a.s. në Mekë. Këto forca ushtarake u nisën në drejtim të Horasanit dhe të Afganistanit. Në frontin perëndimor përfshiheshin Egjipti dhe Shami. Komandantë të këtij fronti ishin Muavi bin Ebu Sufjani në Sham dhe Amr bin El-Asi në Egjipt. Më vonë vali i Egjiptit u zgjodh Abdullah bin Sad bin Ebij Es-Sarhu. Muaviu u nis në drejtim të Umerijes në jug të Ankarasë, kurse Es-Sarhu u nis në drejtim të qytetit të Tunisit. Ushtria e muslimanëve ishte në kufijtë e Tripolit të Libisë në kohën kur vdiq Umer ibn Hatabi r.a. Ushtria kundërshtare në Tunis numëronte 120 mijë ushtarë, ndërsa ajo muslimane numëronte vetëm njëzetmijë luftëtarë. Komandanti i ushtrisë muslimane kërkoi nga halifi i muslimanëve që t`i dërgonte disa sahabë të Pejgamberit a.s., që me ndihmën e tyre të çlironin Tunisin. Halifi Uthman r.a. i nis Hasanin e Hysenin, Abdullah bin Zubejrin dhe Ebu Dherr El Gafariun. Edhe në këtë rast Allahu xh.sh. ua solli fitoren muslimanëve. Abdullah bin Zubejri kërkoi nga tridhjetë kalorës muslimanë që t`ia mbronin shpinën dhe u nis drejtë vendqëndrimit të komandantit të ushrtisë armike. Vrau atë, ndërsa pjesa tjetër e ushtrisë kundërshtare u shpartallua dhe kështu muslimanët e fituan luftën. Përsa i përket frontit detar Muaviu kërkoi nga Umer bin Hatabi, halifi i muslimanëve që t`i jepte leje të ndërtonte f lotën detare. Umeri e pyeti Amër bin El-Asin për detin dhe i tha t`ia përshkruante atë. Amri i tha: "Deti është diçka madhështor. Kur futesh në të, ndihesh i vogël. Ata që futen në det janë si krimbat në degë, kur është i qetë, prehen zemrat, kur tërbohet, tronditen mendjet. Të sigurtin në të e përshkon dyshimi". Umeri i tha: "Jo, pasha Allahun që dërgoi Muhamedin a.s. me të vërtetën, nuk bëj të futen në të muslimanët"! Kur Uthmani r.a. u bë halif i muslimanëve, Muaviu sërish kërkoi leje nga Halifi që të ndërtonte flotën. Uthmani i dha leje me kusht që mos detyronte askënd të hipte në anije. Flota detare u ndërtua në kohën e Halifatit të Uthmanit r.a. dhe është e njohur se me të u çlirua Qiproja. Më vonë pati edhe beteja tjera me anije, ku prapë muslimanët dolën fitimtarë.
Dituria Islame 242