Kush deshi të vidhte varrin e Muhamedit a.s.

 


Në zemër të Medinës, ku zemrat mallëngjehen dhe shpirtrat shkrihen nga malli për Dhomën e Pejgamberit Fisnik, ndodhi një nga komplotet më të rrezikshme në historinë e Ymetit islam. 
Një komplot që gati sa e shtriu dorën e tij te varri i Muhamedit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të), nëse nuk do të ishte për të ruajtja dhe kujdesi i Zotit, i cili mposhti çdo plan dhe e mbrojti Pejgamberin e Tij ashtu siç mbrojti mesazhin e tij të përjetshëm.
Kjo ndodhi në shekullin e gjashtë pas Hixhrit apo në vitin 1168 M, kur dy burra të krishterë depërtuan në Medinë të maskuar si pelegrinë, haxhilerë dhe vizitorë. Ata qëndruan në një han (bujtore) pranë anës lindore të Xhamisë së Pejgamberit, në vendin ku dikur qëndronte shtëpia e Hazreti Osmanit (Zoti qoftë i kënaqur me të), përballë derës së Xhibrilit (paqja qoftë mbi të).
Ata dy personat jetonin midis njerëzve në qetësi të dukshme, duke vizituar xhaminë dhe duke u përzier me ata që vinin nga të gjitha drejtimet.
Ndërkohë, në mes të natës, ata hapën fshehurazi një tunel nën han, që të çonte te varri i shenjtë. Këtë tunel djallëzor, ata kishin ndërmend ta përdornin për të arritur trupin e pastër dhe për ta tërhequr larg vendit të tij të varrit, një krim që nuk do t'i kishte shkuar ndërmend kurrë ndonjë personi të shëndoshë mendërisht.
Megjithatë, Zoti i Plotfuqishëm nuk e lë pas dore mbrojtjen e Pejgamberit të Tij. Ai deshi ta zbulonte këtë komplot në një mënyrë të mrekullueshme. Një vizion, ëndërr e çuditshme iu përsërit Sulltanit të drejtë, Nuru Din Mahmud Zenki, në Damask.
Ai e pa Pejgamberin (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) në një ëndërr, duke treguar me gisht dy burra bjond dhe duke e thirrur, duke i thënë: "Më shpëto prej tyre". Sulltani Nuru Din u tremb nga ëndërra, por në fillim hezitoi. Kur ëndrra u përsërit tre netë rresht, ai e kuptoi se pas tij fshihej një çështje serioze që e detyronte të nisej vetë për në Medine.
Sulltani u nis me një karvan të vogël dhe hyri në qytet fshehurazi dhe i maskuar, destinacioni i tij i njohur vetëm për disa nga njerëzit e tij të besuar, derisa arriti në afërsi të xhamisë së Pejgamberit. Aty mblodhi njerëzit dhe u shpërndau dhurata dhe lëmoshë, sadaka. Ai po i vëzhgonte fytyrat e tyre, duke shpresuar të shihte dy burrat që i kishte parë në ëndrrën e tij. Sapo pa dy burra bjond midis turmës, trupi i tij u drodh dhe ishte i sigurt se ëndrra ishte e vërtetë. Ai i hulumtoi dhe mësoi se kishin ardhur në atë han (bujtore). Ai urdhëroi një kontroll detale dhe zbuloi tunelin i cili gati kishte arritur afër murit të dhomës së Pejgamberit, tek varri i Tij. Ai i arrestoi ata para se djalli të mund të përfundonte veprën e tyre dhe ata u ekzekutuan menjëherë si mësim për këdo që do të guxonte të shkelte shenjtërinë e Pejgamberit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të).
Sulltan Nuru Din nuk u kënaq me zbulimin dhe eliminimin e komplotit; ai gjithashtu donte të bllokonte çdo përpjekje të re. Ai urdhëroi të hapej një hendek i thellë rreth e përreth varrit, dhomës së Pejgamberit dhe derdhi plumb të shkrirë përreth tij, duke krijuar një fortesë të fortifikuar që do ta bënte të pamundur për këdo që të arrinte varrin fisnik nga nëntoka. Kështu, dhoma u mbrojt fillimisht nga Zoti dhe pastaj nga një mur plumbi dhe ka mbetur ashtu e ruajtur deri më sot.
Të dy burrat u ekzekutuan dhe komploti u shpërnda. Megjithatë, historia mbetet një shenjë se Zoti i Plotfuqishëm garantoi mbrojtjen e Pejgamberit të Tij gjatë jetës dhe pas vdekjes së tij, dhe se trupi i tij fisnik është i mbrojtur, nga vëzhgimi dhe kujdesi i Zotit. Është sikur historia na tregon se ky ymet, pavarësisht sa i dobët ose sa kombe të tjera komplotojnë kundër tij, mbetet i sigurt. Pejgamberi i tij do të mbetet i mbrojtur, i paprekur nga mashtrimi i një mashtruesi ose komploti i një tradhtari.
Kështu, Zoti deshi që emri i Nuru Din Mahmud Zenki i cili vdiq më 1174 M, të mbahet mend si një nga shërbëtorët më të mëdhenj të Pejgamberit pas vdekjes së tij. Ky konsiderohet nga sulltanët më të drejt pas katër halifëve dhe Omer bin Abdul Aziz. Ai ishte njeriu që pa një vizion, ëndërr të vërtetë, e besoi atë dhe veproi sipas tij, duke ruajtur kështu trupin e tij të pastër deri në Ditën e Gjykimit.


 


Prof. ass. dr. Musa Vila


 


Artikulli radhës
Morali