Pasha atë në dorën e të cilit është shpirti im, islami i një njeriu është më i dashur për mua sesa mbytja e një mijë pabesimtarëve
Muhamedi a.s. është dërguar mëshirë për mbarë botët, ishte shembull unikat në falje, tolerancë, durim të mirë, përmbajtje të hidhërimit, si dhe model i moralit të lartë, saqë disa prej shokëve i propozuan që të vritej Abdulah Ibn Ubejj ibn Seluli, kreu i hipokritëve, i cili i thuri të gjitha kurthet kundër Islamit dhe të Dërguarit a.s. fisnik Muhamedit a.s., por i Dërguari nuk tha tjetër përveç : "Jo, sepse njerëzit do të thonë se Muhamedi po i vraka shokët e tij". Vashij ibn Harbi mbyti axhën e tij, Hamza ibn Abdul Mutalibin-zotërinë e dëshmorëve-shehidëve deri në Ditën e Gjykimit, i cili kishte epitetin "Luani i Allahut në tokën e Tij", e mbyti poshtërsisht dhe tinëzisht në ditën e Betejës së Uhudit, pasi Hamza kishe treguar tërë ato trimëri në luftën kundër politeistëve, ndërsa i Dërguari i Allahut u ndal pranë kufomës së tij, i mërzitur e i pikëlluar, dhe tha:"Pasha Allahun, nuk do të bie asnjëherë në situatë më nervoze sesa jam tash"! Më vonë Vahshij ibn Harbi e pranoi Islamin dhe u përvodh në delegacionin e Taifit, kur ata kishin shkuar tek i Dërguari a.s., Ashabët i thanë: Ky është Vahshiji, o i Dërguar i Allahut, që e vrau axhën tënd-Hamzën, a ta mbysim ne?"E ai i pyeti :"A ka ardhur si mysliman (a e ka pranuar Islamin)?" I thanë: Po, e ai ua ktheu: "Pasha atë në dorën e të cilit është shpirti im, Islami i një burri është më i dashur për mua sesa mbytja e një mijë pabesimtarëve". E pranoi Islamin e tij dhe ia fali, ky është një rrëfim që është transmetuar në sire- histori nga Tirmidhiu.
Transmeton Taberiu në Tefsirin e tij të ajetit kuranor: " O ju që besuat, kur marshoni në rrugën e Allahut (për në luftë), të jeni të matur (të mos nguteni), e mos i thoni atij që ju shpreh selamin (besimin): "Nuk je besimtar!", duke kërkuar me të mjet (mall) të jetës së kësaj bote, sepse te All-llahu janë begatitë e mëdha. Ashtu (jobesimtarë) ishit edhe ju më parë, e All-llahu ju dhuroi (besimin), pra sqaroni mirë! All-llahu e di në hollësi çka veproni ".(En-Nisa: 94)
I Dërguari i Allahut dërgoi një ekspeditë që të luftonin kundër idhujtarëve, e në atë ekspeditë ishte një burrë që quhej Muhal-im ibn Sa'b ibn Xhuthame. Aty pranë ashabëve e kaloi një njeri e, kur i vërejti ata, e deklaroi Islamin dhe tha: Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu"! (Paqja mëshira dhe begatia e Zotit qofshin për ju), por ai me myslimanët kishte armiqësi dhe urrejtje qysh nga koha e injorancës. Aty u ngrit Muhal-limi me shpatë në dorë dhe e mbyti atë e tha: "ky e pranoi islamin dhe na përshëndeti ne me selam nga frika që të mos vritej". Kur u informua i Dërguari i Allahut a.s.,. për këtë rast, u mllefos dhe hidhërua tej mase, por edhe u pikëllua. Thotë Abdullah ibn Umeri r.a.: "Pasha Allahun asnjëherë nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut më të hidhëruar dhe më të pikëlluar sesa atë ditë". Muhal-limi -vrasësi i atij njeriu, shkoi te i Dërguari a.s., u ul pranë tij dhe i tha: "Lute Zotin që të më falë, o i Dërguari i Allahut".Ndërkaq i Dërguari a.s., i ngriti duart, i hidhëruar, dhe tha :"O Zot, mos ia fal mëkatin Muhal-limit" dhe e përsëriti tri herë. Muhal-limi u ngrit duke i fshirë lotët me skajin e rrobës së tij e më pastaj u sëmur dhe vdiq pas disa ditësh. Ashabët shkuan për ta varrosur, por, sa herë që donin ta lëshonin në një varr, nuk e pranonte toka, e hidhte jashtë... E, kur u informua i Dërguari a.s., për këtë, tha: "Toka vërtet pranon njerëz edhe më të këqij se ky, por Zoti deshi që t'ju jepte mësim juve".
I Dërguari a.s., e dërgoi Halid ibn Velidin tek fisi Benu Huzejme, ata një herë e luftuan, po pastaj disa prej tyre pranuan Islamin, dhe filluan të thoshin: "Ne u konvertuam, ne u konvertuam", d.m.th. e pranuam Islamin, por halid ibn velidi nuk e kuptoi qëllimin e tyre me ato fjalë dhe urdhëroi që të vriteshin. E kur u informua i Dërguari i Allahut . për këtë ngjarje , u ngrit në këmbë, u drejtua nga Kibleja, i ngriti duart lart dhe tha: "O Zot, unë jam i pafajshëm për atë që bëri halidi" dhe këtë e përsëriti dy herë…(Buhariu).Muhamedi a.s., dërgoi po ashtu Usame ibn Zejdin, që të luftonte kundër pabesimtarëve, e ndërkohë, kur e zuri njërin prej idhujtarëve që kishte mbytur shumë myslimanë, ngriti shpatën për t'i prerë kokën, po ai tha: "Dëshmoj se s'ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s., është rob dhe i dërguar i Tij", po, megjithatë Usame e mbyti. E kur dëgjoi i Dërguari a.s., u mllefos dhe u hidhërua shumë, e kur i shkoi atij Usame, i bërtiti e i tha: "A e mbyte, pasi dëshmoi se s'ka zot përveç Allahut"?. Usame iu përgjigj: "Ai e bëri këtë për të shpëtuar nga mbytja", po i Dërguari a.s.,. i tha: "Kush do të të ndihmojë ty kur kjo fjalë do të flitet kundër teje Ditën e Kiametit"? (Muslimi)
Të ndalen për vetëllogari
Kur i Dërguari i Allahut dërgoi Ali ibn Ebi Talibin tek çifutët, dhe kur vërejti vendosmërinë e këmbëngulësinë e Aliut r.a. që t'i luftonte ata në hajber, i tha: "Thirri ata në fjalën e dëshmisë se s'ka zot përveç Allahut, dhe se unë jam i Dërguari i Tij, pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im që ta udhëzojë Allahu nëpërmes teje një njeri, është më mirë për ty sesa t'i posedosh devetë e kuqe".
Do të dëshiroja dhe kam shpresë që Ymeti islam t'i lexojë-studiojë mirë këto tekste dhe të ndalet në to gjatë, por do të dëshiroja që edhe ata që nxitojnë në vrasje, dhe ata që janë të etur për gjakderdhje, të ndalen për vetëllogari, frikë, druajtje dhe vigjilencë për mbikëqyrjen e Allahut të Lartmadhërishëm, e të mos fillojnë me interpretime dhe arsyetime të pabaza e alternative si dhe me elaborime të ndryshme, e të vrasin shpirtra të pafajshëm, njerëz me të cilët është lidhur marrëveshje dhe u është dhënë siguri që të jetojnë në mesin tonë, të kenë kujdes për fëmijët, të moshuarit, gratë dhe njerëzit e pafuqishëm; do të dëshiroja sikur arma të mos ngrihet ndaj askujt tjetër përveç ndaj armikut pushtues, uzurpues, që përdhos gjakun, nderin, marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare; do të shpresoja sikur ne të sillnim siguri, garanci, paqe e rehati për tërë botën, në mënyrë që të hyjnë në fenë e Allahut grupe-grupe".
Dr. Aid el-Karni
Përktheu: Driton Arifi