"Vërtet, ata që akuzojnë gratë e ndershme, besimtare të pafajshme, janë të mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe ata i pret një dënim shumë i madh". (En-Nur, 23.)
Shpifja është një prej mëkateve më të mëdha.
Allahu i Madhëruar e ka konsideruar shpifësin mëkatar të madh, ia ka hequr të drejtën për të dëshmuar dhe ka caktuar dënimin e tij me ajet kuranor. Ngase nderi i besimtarit dhe besimtares është i shenjtë, dhe nuk i lejohet askujt që të shpifë për moralin e tjetrit. Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë: "E ata që fyejnë besimtarët e besimtaret, për çka ata nuk janë fajtorë, ata kanë ngarkuar veten me një mëkat shumë të madh." (El Ahzabë, 58). Të kërcënuarit në këtë ajet janë ata që trillojnë dhe njollosin nderin e myslimanëve dhe myslimaneve.
Shpifje quhet akuzimi i tjetrit për kurvëri, duke i thënë: "O lavir" ose duke pretenduar se e ka parë tjetrin duke bërë kurvëri - marrëdhënie intime, apo duke i mohuar dikujt gjenealogjinë. Fatkeqësisht, gjuha shpesh përdoret për shpifje dhe për të akuzuar njerëz të ndershëm e të sinqertë, për "arsye" të ndryshme. Kjo bëhet posaçërisht me qëllim që t'i vishet besimtarit a besimtares së sinqertë e të ndershme, me qëllim që të sulmohet autoriteti dhe nami i saj.(1) Dëgjojmë pothuaj çdo ditë emra që akuzohen për çështje nderi, ndonëse janë të pafajshëm. "Vërtet, ata që akuzojnë gratë e ndershme, besimtare të pafajshme, janë të mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe ata i pret një dënim shumë i madh". (En- Nur, 23.)
Allahu i Madhëruar, me kërcënimin dhe mallkimin si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër, për ata që shpifin për personat e ndershëm, paralajmëron qartë ndikimin e rrezikshëm të kësaj cilësie negative. Duke i analizuar këto ajete, vijmë në përfundimin se Allahu xh.sh. i përmend besimtaret e ndershme, pra në mënyrë të qartë tregon përfundimin se gratë shpesh do të jenë në shënjestër të shpifjeve. Edhe pse në ajet përmendet shpifja e femrave, dispozita është e njëjtë si për femra ashtu edhe për meshkuj, dhe kjo është kështu me pajtim unanim.
Shpifja, mëkat i madh
Edhe i Dërguari a.s. këtë mëkat e ka radhitur si njërin prej mëkateve më të mëdha, prej të cilit duhet të ruhen shumë myslimanë. Ebu Hurejre r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Largohuni prej shtatë mëkateve të mëdha!" Shokët e pyetën: "Cilat janë ato, o i Dërguari i Allahut?" Ai u përgjigj: "T'i bësh Allahut shok, sihri, vrasja e njeriut pa të drejtë, marrja e kamatës, harxhimi pa të drejtë i pasurisë së jetimit, ikja nga beteja e luftës dhe shpifja për kurvëri ndaj besimtareve të ndershme e të pasherr "!(2)
Mirëpo, se sa është e dëmshme shpifja, këtë më së miri e ilustron shembulli i Aishes r.a., gruas së ndershme të Muhamedit a.s., për të cilën u përpoqën të shpifin hipokritët. Mbrojtja e Allahut xh.sh. ndaj kësaj gruaje të ndershme dhe nderit të saj është kryer me intervenimin e Tij të drejtpërdrejtë dhe me afirmimin e dinjitetit të saj moral në kaptinën En Nur, me çka iu bë e qartë të gjithëve se për çfarë shpifjeje të hipokritëve bëhej fjalë. Në këtë ndodhi do të shohim se si Islami trajton çështjen e akuzës pa pasur fakte dhe argumente. Kjo ndodhi na mëson se si duhet të reagojë shoqëria ndaj këtyre fenomeneve, nëse ndodh diçka e tillë. Sot pothuajse është bërë normale që mediet të transmetojnë shpifje dhe akuza të pabaza për të tjerët, me qëllim shtimin e shikuesve apo lexuesve. Po edhe të gjesh libra që flasin mbi skandalet e dikujt, si dhe, kur na kalon dikush para sysh, fillohet të flitet dhe t'i bëhet biografia, me të bërat e të pabërat e tij!
Nëpërmjet kësaj ndodhie do të shohim se si reagon Islami në të tilla raste. Kushedi, ndoshta Zoti i Madhëruar ka caktuar diçka të tillë me qëllim që të na mësojë si të reagojmë dhe si t'i trajtojmë temat e tilla. Për këtë ndodhi Allahu në Kuran thotë: "…Ju mos e merrni atë si ndonjë dëm për ju, përkundrazi, ajo do të jetë në dobinë tuaj…" (En- Nur, 11.) Kjo, pasi shoqëria mësoi vlera të cilat nuk mund t'i mësojë pa të ndodhur.
Pejgamberi a.s. në çdo betejë që dilte, merrte me vete njërën nga gratë e tij. Në betejën Beni Mustalik, Muhamedi a.s. e kishte marrë Aishen r.a.. Ndodhinë e shpifjes e tregon vetë Aisheja. Ajo thotë: "U ndal ushtria për të pushuar. Gjatë pushimit, unë dola për të kryer nevojat e mia dhe u largova prej ushtrisë. Kur u ktheva, u dha urdhri për t'u nisur. Në atë çast kërkova varësen që e kisha në qafë dhe pashë që nuk ishte. Meqenëse nuk ishte varësja ime, po e një motre së cilës ia kisha marrë hua, zbrita nga mbartësja (tip kasolleje e cila vendosej mbi deve për të qëndruar gruaja) dhe u nisa andej nga kisha qenë për të kërkuar varësen e humbur. Pasi e gjeta, u ktheva, por pashë që ushtria ishte larguar. Gratë në atë kohë ishin të dobëta dhe ata që e kishin vendosur mbartësen time mbi deve, nuk e kishin hetuar-ndier që unë nuk isha brenda. Kështu u gjenda në shkretëtirë, pa njeri. U ula duke menduar me vete se do ta shihnin që nuk isha dhe do të ktheheshin e të më kërkonin. Derisa isha ulur, më mori gjumi dhe fjeta. Në ato çaste erdhi Safvan ibn Muatili. Këtë njeri Pejgamberi a.s. e kishte lënë të udhëtonte pas ushtrisë me qëllim që, po të mbetej kush prapa, ose po të humbte diçka nga ushtria, ai ta merrte. Posa më pa, ai më njohu dhe e ktheu shpinën duke thënë: "Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi", me qëllim që të zgjohesha. Unë u zgjova dhe e pashë që ai e uli de venë dhe hipa në të. Për Zotin e Madhëruar, as ai nuk më foli asnjë fjalë, dhe as unë nuk i fola asnjë fjalë. Ai më shoqëroi nëpër shkretëtirë, derisa arritëm ushtrinë". Kjo ngjarje nuk u shpëtoi hipokritëve, të cilët menjëherë filluan të përhapnin fjalë dhe shpifje ndaj Aishes r.a.. Hipokritët vazhduan ta përhapnin këtë shpifje derisa arritën në Medinë, ku e mori vesh i gjithë qyteti. Tregon Aisheja r.a.: "Vazhduan fjalët për një muaj të tërë. Unë gjatë asaj kohe isha e sëmurë me temperaturë dhe shumë ditë të muajit i kalova në atë gjendje, pa dëgjuar gjë se çfarë kishte ndodhur. Ajo që shihja, ishte se Pejgamberi a.s., kur hynte brenda, e shihja të mërzitur dhe më thoshte: "Si je, o Aishe?"- pa folur gjë tjetër. Gjithashtu nuk ndieja dashurinë dhe bisedat e ngrohta të tij të mëparshme.
Gjatë asaj kohe, unë nuk dija gjë për atë që thuhej rreth meje. Vazhdoi kjo gjendje derisa u shërova dhe dola me disa gra jashtë Medinës. Me ne ishte edhe një grua e mirë me emrin Ummu Mustah… Kjo grua po thotë: "Qofsh fatkeq, o Mustah (për djalin e saj)". Unë i thashë: "Si e mallkon djalin tënd, në një kohë që ai është nga njerëzit e mirë, dhe që ka marrë pjesë në luftën e Bedrit". Ajo m'u kthye e më tha: "Ti nuk e di se çfarë ka thënë dhe çfarë ka bërë ai"? "Çfarë "? - e pyeta unë. Ajo më tha: "Ai dhe shokët e tij të kanë akuzuar për imoralitet me Safvanin". Në atë çast nuk e mbajta veten dhe rashë përtokë duke qarë. Gratë më morën dhe më quan në shtëpinë e prindërve. Muhamedit a.s. në atë kohë kishte një muaj që nuk i vinte Xhibrili, të cilin e priste me padurim që t'i tregonte se si ishte e vërteta. Ai përballej me një situatë shumë të vështirë, pasi akuzohej familja e tij."
Abdullah ibn Ubej ibn Seluli, me atë veprim, doli që e kishte lënduar Muhamedin a.s. më shumë se Ebu Xhehli dhe idhujtarët e tjerë. Kjo sprovë ishte më e rëndë se humbja në Uhud dhe vrasja e Hamzait… Tregon Aisheja r.a.: "Pastaj shkova në shtëpi dhe e gjeta Pejgamberin a.s. të mërzitur, e i thashë: "A më lejon të qëndroj në shtëpinë e babait, që të kujdeset nëna për mua?" "Po" - tha Pejgamberi a.s. Deri në këtë kohë asnjëri nga shokët e Muhamedit a.s. nuk kishte mundur t'i hapet gjë Pejgamberit a.s. rreth kësaj çështjeje, as vetë Ebu Bekri r.a., që ishte shoku më i ngushtë i tij dhe babai i Aishes r.a.. Mynafikët në atë kohë nuk linin kuvend pa diskutuar për këtë çështje, saqë kishin filluar të nxirrnin edhe barcoleta…(3) Muhamedi a.s. nuk e besonte atë që thuhej për gruan e tij, por ishte mes dy zjarresh. Ai ishte bashkëshort, po ishte edhe udhëheqës i shtetit dhe, si i tillë, duhej të ishte asnjanës, në një çështje që kishte të bënte me gjithë bashkësinë myslimane, derisa të vërtetohej pafajësia…
Pas një muaji i erdhi Xhibrili me ajetet e Kuranit: "S'ka dyshim se ata që trilluan shpifjen, janë një grup prej jush. Ju, mos e merrni atë si ndonjë dëm për ju, përkundrazi, ajo do të jetë në dobinë tuaj. Secilit prej tyre do t'i takojë dënimi sipas pjesëmarrjes në mëkat, e atij prej tyre që e barti pjesën e madhe (të shpifjes), i ta kon dënimi i madh". (En-Nur, 11.) Ajetet e mëposhtme na mësojnë se si të reagojmë nëse në shoqërinë ku jetojmë, përhapen fjalë të tilla. Na mësojnë se si ta mbrojmë shoqërinë nga skandalet dhe shpifjet, sidomos ato që kanë të bëjnë me nderin e grave. "E përse kur e dëgjuan atë (shpifje) besimtarët dhe besimtaret të mos mendonin të mirën si për vete dhe të thoshin: "Kjo është shpifje e qartë?!" (En-Nur, 12).
Si të sillemi në rast të dëgjimit të një shpifjeje?
Pra, gjëja e parë që duhet të veprosh kur të dëgjosh një fjalë të tillë është ta përgënjeshtrosh. Pra, të mos lejosh që ajo që dëgjove të të kalojë në zemër dhe ta besosh edhe ti. Sa të dëgjosh një shpifje të tillë, thuaj: "Zoti më ruajt". Nëse do të mendosh të mirën për të tjerët, edhe të tjerët do të mendojnë mirë për ty. Nëse dikush të tregon një skandal rreth dikujt tjetër, kërkoji dëshmitarë që ta besosh, madje katër dëshmitarë. Kështu thotë Zoti në Kuran: "Përse ata nuk i sollën katër dëshmitarë për këtë? E derisa nuk sollën dëshmitarë, ata, pra, tek Allahu janë pikërisht gënjeshtarët". (En-Nur, 13.)
Dënimi për shpifje
1. Dënimi fizik; kjo formë e dënimit shprehet duke e zbatuar masën ndëshkuese me rrahje deri në tetëdhjetë goditje me kamxhik. Nëse nuk kanë katër dëshmitarë, ata janë mashtrues dhe gënjeshtarë, prandaj pason ndëshkimi për shpifje, që është tetëdhjetë kamxhikë, sipas ajetit kuranor: "...t'i rrihni ata me nga tetëdhjetë të rëna…".(En-Nur, 4.) Po edhe sipas praktikës së Muhamedit a.s., i cili ndëshkoi me tetëdhjetë të rëna ata që shpifën për Aishen r.a..(4)
2. Dënimi edukativ; ky dënim ndaj shpifësit para shikon mospranimin e dëshmisë për asgjë dhe, në të njëjtën kohë, ai konsiderohet si mëkatar dhe i pabesueshëm: "…dhe atyre mos ua pranoni dëshminë kurrë më…". (En-Nur, 4.)
Myslimani nuk përhap shpifje në komunitetin e tij, pasi e di fare mirë se kjo do ta rangojë në grupin e njerëzve që shkaktojnë telashe tek njerëzit e tjerë, dhe ndërpret lidhjen e dashurisë në mes shokëve. Esma bint Jezid r.a. transmeton se i Dërguari a.s. ka thënë: "A t'ju tregoj se kush është më i miri në mesin tuaj!" Ata i thanë: "Po, o i Dërguar i Allahut". Ai tha: "Ata të cilët, kur t'i shikosh, ta kujtojnë Allahun (për shkak të devotshmërisë së tyre)". Pastaj tha: "A t'ju tregoj se kush është më i keqi në mesin tuaj? Ata që përhapin shpifje qëllimkëqija, shkaktojnë telashe në mes shokëve dhe i hulumtojnë gabimet e njerëzve."(5)
Personi që merret me shpifje, qortohet rëndë në këtë botë, ndërsa në botën tjetër e pret një fat i tmerrshëm. Prej dëmeve të shpifjes:
1. Shpifja është një prej mëkateve më të mëdha.
2. Shpifja është një vepër e palejueshme për myslimanin, pavarësisht se ndaj kujt bëhet.
3. Mendo për të tjerët atë që mendon për veten tënde!
_____________________________________
1) Dr. Shefik Kurdiq, Gjuha shpatë me dy teha. Shkup, 2008. f.74. 2) Hadithin e shënon Buhariu në Sahih, Kitabu-l-vesaja, hadithi nr.2766. 3) Amër Halid, Gjurmëve të të Dashurit tonë. Shkup, 2006. F.322-323. 4) Ebu Bekër el Xhezairi, Minhaxh el Muslim. Tiranë, 2005.f.570. 5) Dr. Muhamed Ali El Hashim. Muslimani ideal. Prishtinë, 2008.f.246.
Dituria Islame 293