Ngjarja më e rëndësishme e pjesës së parë të këtij viti, që e befasoi për të keq mbarë botën, padyshim është shpërthimi i centralit bërthamor të Fukushimës në Japoni, i cili nuk e tronditi vetëm Japonin dhe rajonin e lindjes së largët, por edhe pjesët tjera të ruzullit tokësor, ngase frika nga arritja e rezeve radioaktive filloi të ndjehet tek edhe në brigjet e Amerikes, gjegjësisht bëheshin lutje që mos të ketë erëra të cilat do ta venin në siklet të madh këtë fuqi bërthamore.
Kjo ngjarje hapi shumë dilema dhe pikëpyetje si të karakterit teknik shkencor të fushës së fizikës atomike, poashtu edhe të karakterit shoqëror, psikologjik dhe human. Realisht, kriza bërthamore reflektoi edhe në sferën e komunikimit ndërkulturor mes popujve dhe vuri korniza të reja të konceptimit të raporteve humane mes popujve, racave, pjestarëve të feve dhe shteteve.
Në rastin e Fukushimës, do të ndalemi në tre momente të rëndësishme që besoj se në veçanti duhet theksuar:
1-Edhepërpos asaj se disa popuj kanë arritur në stade shumë të avansuara të zhvillimit ekonomik e teknologjik, nuk mund të jenë të ndarë krejtësisht nga pjesa tjetër e botës dhe nuk mund të jenë të pavarur prej tjerëve, por njerëzit dhe popujt, patjetër kanë nevojë për njëri-tjetrin, bile edhe nëse është fjala për njerëz dhe popuj që janë në stade më të ulëta të zhvillimit.
Në rastin e Fukushimës, edhe përskaj shquarjes së Japonezëve me precizitet në punë, teknologji të përparuar dhe ekspertë të dalluar, përsëri patën nevojë edhe për ekspertë nga vendet tjera, po edhe për ndihma tjera teknike dhe profesionale. Po edhe nëse anashkalohen të gjitha të përmendurat, popullata japoneze pati nevojë që bota të solidarizohet me ta, bile edhe vetëm moralisht, bile edhe vetëm të bëjnë lutje, çdo njeri dhe popull në mënyrën e vet, që Zoti ta shpëtojë dhe ta ruaj popullin dhe vendin e rrezikuar.
Thënë troç, sado që popujt të jenë të fortë e të përparuar, ata përsëri kanë nevojë për njëri-tjetrin, pa marrë parasyshë se tjerët nuk janë në të njejtin nivel të zhvillimit me ta.
Kjo imponon një qasje të re të marrëdhënieve mes popujve dhe komuniteteve në shkallë globale edhe në planin strategjik dhe gjeopolitik. Pra, kjo ngjarje duhet lexuar me vëmendje si në drejtim tlë reflektimit të saj në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe integrimeve intra dhe inter kulturore, poashtu edhe në sfera tjera.
2-Rasti i Fukushimës e hapi çështjen e sigurisë së vendeve në të cilat ka centrale bërthamore, e pikërisht këto vende janë vendet që njihen si të fuqishme. Banorët e vendeve me centrale bërthamore u bënë njerëzit më me frikë, më të përshkuar nga ndjenja e pasigurisë dhe më të shqetësuar për të ardhmen e tyre. Fukushima tregoi se të fuqishmit nuk do të thotë se janë më të fuqishëm se tjerët në të gjitha sferat, por pikërisht ajo që është konsideruar si pikë e fortë, u pa se është pika e dobët te të fuqishmit.
3-Fukushima bëri që fuqia bërthamore përmes të cilës të fuqishmit u janë kërcënuesve tjerëve, gjegjësisht ata që këto centrale nuk i kanë patur si që thuhet për qëllime paqësore, të shndërrohet në ankth dhe t’i shndërron vendet e centraleve bërthamore në më të rrezikuara se tjerat. Për këtë shkak, shtete të ndryshme filluan të mendojnë për mbylljen e këtyre centraleve.
Thënë troç, të fuqishmit u tronditën më tepër nga rasti i shpërthimit në centralin bërthamor të Fukushimës dhe banorët e këtyre vendeve e panë veten më të rrezikuar se sa banorët e vendeve tjera.
Poashtu, rasti i Fukushimës tregoi se të fuqishmit sado që të ndjehen të fuqishëm, përsëri nuk janë plotësisht të pavarur nga tjerët, por kanë nevojë për tjerët, bile edhe për një lutje të tyre.
Por, çështja e të fuqishmive nuk mund të kalohet vetëm me rastin e Fukushimës, në fakt një dukuri e këtillë u pa edhe në rastin e zgjedhjeve të fundit të parlamentare në Maqedoni, veçanarisht në kampin shqiptar. Me këtë rast, do të ndalemi në dy momente:
-Duke e parë veten të fuqishëm, partitë shqiptare nuk pranuan të bëjnë koalicione parazgjedhore, por të gjithë ia tregonin muskujt njëri-tjetrit duke pretenduar se do të jenë fitues. Por, pikërisht kjo ndjenjë e të qenit “të fuqishëm” dhe e “begenisjes” së vetes, ua hëngrën kokën disa politikanëve dhe i lanë jashtë lojës politike, si që ua hanë shpirtin centralet bërthamore banorëve të vendeve ku gjinden pas tragjedisë së Fukushimës. Realisht, kjo mund të jetë edhe pasojë e asaj se fuqinë nuk e bazonin në programet dhe ofertat e veta, por në mundësinë për gjetur mangësi në politikën dhe menaxhimin e subjektit të deritashëm që participoi në qeveri.
-Partitë shqiptare luteshin që jo vetëm vetë të fitojnë, por edhe partia e Gruevskit mos të fitojë shumë deputet.
Realisht, a merr apo nuk merr shumë deputet për të bërë vetë qeveri partia e palës maqedone, partitë shqiptare nuk duhet të kenë siklet, ngase fuqia e tyre nuk buron nga numri i deputetëve të ndonjërës parti maqedone, por nga vetë e drejta e popullit shqiptar që mos të jetojë qiraxhi në shtëpi të vet dhe vetë të vendos për fatin e bijve të vet në tokën në të cilën nuk u shpërngulën, por lindën.
Për atë, parashtrohet pyetjs: Vallë, nëse sytë i kanë të kthyer kah numri i deputetëve të palës tjetër, atëherë sa të fuqishëm janë ata që e shohin veten të fuqishëm?!