“A nuk e vëren faktin që, kur hajnat dëshirojnë të plaçkisin ndonjë shtëpi, fillimisht tentojnë të fikin dritat në atë shtëpi apo të çkyçin korrentin elektrik, e kur të mbretërojë tërësisht errësira në atë shtëpi, e plaçkisin të qetë, të sigurt dhe pa u ngutur fare! Kështu veproi kolonizatori, duke e koncentruar sulmin e tij ndaj Kuranit, që të pengojë dritën e tij të mos u arrijë muslimanëve, e kur të vendosë një perde të hekurt mes Kuranit dhe popullatës së goditur, do të kenë hapësirë manovrimi për të vepruar sipas tekave të tyre.” Muhamed el-Gazali (Nedharat fil-Kuran).
Pse po i shkruaj këto rreshta? Për kë po i shkruaj? Sigurisht që nuk i shkruaj për njerëzit që rrinë në kokërr të shpinës dhe që në mesditë u del gjumi, por për besimtarin e mirëfilltë, për intelektualin, studentin, për plakun e shtyrë në moshë, për njeriun i cili ka të paktën dy gramë iman! Meqë ushtroj detyrën e imamit në xhami, që është punë fisnike, kohë pas kohe bëjmë vizita nëpër shtëpitë e besimtarëve, e në të shumtën e rasteve me ftesa nga vetë bashkatdhetarët ku diskutojmë tema nga më të ndryshmet. Dhe gjatë një bisede të shkurtër që zhvilluam, mes tjerash një bashkatdhetar kalimthi më përmendi se posedon Kuranin dhe se atë e ruan me nderin më të madh, ngaqë i ati i tij ia kishin lënë amanet, me ç’rast e kishte mbështjellë me çarçaf të bardhë. Por, vëllai ynë asnjëherë nuk e kishte lexuar përkthimin e domethënieve të Kuranit.
Si duket rasti i tij, është vetëm njëri prej rasteve të shumta që dëshmon gjendjen e mjerueshme të muslimanëve anekënd botës! Mos edhe më keq, ka prej atyre muslimanëve që, duke menduar se e nderojnë Kuranin, e vendosin në vitrina dhe afër tij herë pas herë qëndron ndonjë shishe uiski! E gjithë kjo për t’ia përkujtuar vetvetes dhe pasardhësve se është biri i një muslimani apo ndonjë haxhiu të nderuar! S’do mend që Allahu nuk e ka shpallur Kuranin për këtë qëllim, por për objektiva më të rëndësishme, që të shërbejë si sistem për ndërtimin e vlerave njerëzore; të jetë udhërrëfyes për njeriun e veçanërisht për muslimanët. Dhe me të drejtë parashtrojmë pyetjen, si duhet trajtuar Kuranin fisnik? Si arritën muslimanët e brezit të parë që përmes Kuranit të arrijnë në gradat më të larta të zhvillimit njerëzor, ku ndërtuan njërin nga qytetërimet më madhështore që ka parë njeriu? Ndërsa muslimanët e sotëm e posedojnë po të njëjtin Kuran dhe janë produkt i po së njëjtës kulturë, por...? Vallë, ku qëndron fshehtësia?
Problemi qëndron në qasjen ndaj metodologjisë hyjnore, me ç’rast muslimani i mëhershëm bashkëvepronte me Kuranin në saje të faktit se është sistem i vlerave, udhërrëfyes, kandil ndriçues, ushqyes i mendjes dhe shpirtit, platformë e shëndoshë për ndërtimin institucioneve të sistemit, frymëzues që njeriut i ofron përgjigje për pyetjet më enigmatike, kush është njeriu, nga erdhi dhe si do të jetë fundi tij dhe botës që e rrethon, kush e krijoi universin, cila është zanafilla e njeriut etj. Libër i cili muslimanëve ua mësoi parimet për projektin grandioz për ngritje të një qytetërimi të paparë deri atëherë. Praktikisht kjo ndikonte pozitivisht në lidhjen dhe qasjen serioze ndaj Kuranit fisnik. Për dallim nga muslimani i sotëm, i cili ka qasje të gabuar dhe gjysmake ndaj Kuranit, duke menduar se raporti ndaj Kuranit duhet përqendruar vetëm në të lexuar atë për bereqet dhe për rukje, apo për t’u kënduar të vdekurve muslimanë, gjë që paraqet diskrepancë mes asaj që sot trajtohet dhe qëllimit të shpalljes së Kuranit. S’do mend që këndimi i Kuranit është i kërkuar dhe është vepër e mirë, për të cilën njeriu shpërblehet, ngaqë përmes leximit të fjalëve të Zotit krijohet lidhja dhe komunikimi me Zotin, që muslimani e ndien në shpirt këtë kënaqësi. Por qasja gjysmake dhe e gabuar ndaj Kuranit ndikon në aspektin emocional dhe reagimin e tij kundrejt ajeteve kuranore, ku krijohet diskrepancë mes metodologjisë dhe vlerave. Këtë e vërejmë tek sjelljet e muslimanit dhe qëndrimet e tij që janë larg vlerave dhe botëkuptimeve kuranore për dallim nga lidhjet e vërteta të kërkuara pozitive që do të ndikojnë në ndërtimin e njeriut si individ dhe njeriut si shoqëri. Kjo është fshehtësia e përparimit dhe triumfit të muslimanëve të cilët ndërtuan qytetërimin më madhështor që i panë hajrin edhe shtetet jomuslimane që kufizonin me ta. “Kur e dëgjojnë atë që i është zbritur të dërguarit (Kur'anin), prej syve të tyre rrjedhin lot, ngase e kanë kuptuar të vërtetën dhe thonë: "Zoti ynë, ne kemi besuar, pra na regjistro ndër ata që dëshmojnë (ndër umetin e Muhamedit)!” (Maide, 83)
Atëherë, si duhet të jetë qasja jonë ndaj Kuranit, cila është metodologjia e shëndoshë me të cilën duhet t’i qasemi Kuranit fisnik, që të rikthehemi në Islamin burimor, gjë që do të mund të ndërtojmë projekt për ngritje të vlerave të mirëfillta njerëzore, ku do të reflektohen dashuria mes njerëzve, harmonia, stabiliteti dhe zhvillimi i shoqërisë njerëzore.
Qasja jonë e gabuar manifestohet në faktin e anashkalimit të njohurive dhe të vërtetave kuranore, ku kryesisht bëhet lexim sipërfaqësor larg meditimit, analizimit të argumenteve racionale që i drejtohen njeriut, porosive për ngritje morale dhe shpirtërore. Sistem të cilin e kishte praktikuar vetë Pejgamberi [alejhi selam] duke i mësuar shokët e tij, që raporti i tyre ndaj Kuranit të jetë raport bashkëveprimi, i cili duhet materializuar në jetën e përditshme sikur që janë porositë, udhëzimet, urdhëresat e ndalesat kuranore.
”A nuk e studiojnë me vëmendje Kur’anin? Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet!“ (Muhamed, 24). Por, sot raporti ynë ndaj Kuranit është sipërfaqësor. Sa për ilustrim, më tepër na intereson sa ishte i gjatë Ademi [alejhi selam], sa germa i ka Kurani, kush e bëri nikah Ademin me Havën etj. Ndërsa para nesh kalojnë kalimthi një numër i madh i ajeteve të cilat ftojnë në logjikë, meditim, që dëshmojnë për përsosurinë e krijimit të njeriut: “Po, do t’ia tubojmë! Duke qenë se Ne jemi të zotët t’ia rikrijojmë si kanë qenë edhe majat e gishtave të tij!“ (El-kijame, 4), që flet për të vërtetën shkencore e cila trajton shenjat e gishtërinjve dhe për pamundësinë që dy njerëz të kenë shenja gishtërinjsh të njëjta.
Anashkalimi i kuranit në aspektin e aplikimit të tij në jetën e përditshme.
Në ndërkohë Kurani ia ndalon besimtarit të bëjë shpifje, spiunim, të mos dëshmojë rrejshëm, të mos bëhet shkaktar i grindjeve, të qëndrojë larg kamatës, fajdes, lojërave të fatit, të parandalojë përhapjen e prostitucionit, sepse këto shpiejnë në shkatërrimin e familjes dhe shoqërisë dhe ulin vlerën e Islamit.
Islami njeriun nuk e shkarkon nga përgjegjësia, qoftë individuale apo edhe kolektive. Fatkeqësitë që shohim sot në shoqërinë muslimane dhe shtetet muslimane aktualisht janë rezultat i shkarkimit të njeriut nga përgjegjësia!
“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?” Ai (Allahu) thotë: “Ashtu si harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot” (Ta-ha, 124-126). Atëherë, kush do të vihet në mbrojtje të Islamit, të umetit musliman, kur do të gjejë shprehjen liria e të shprehurit, që njerëzit të jenë të lirë dhe të barabartë?!
Mos vallë Kurani i mëson njerëzit të heshtin edhe kur theren, masakrohen dhe shfarosen nga aparatura diktatoriale e çiftit të faraonëve të kohës moderne, si soji i Ben Aliut, Mubarakut, Gadafit, Besharit etj.?!
Mënyra më e shëndoshë dhe qasja e më e drejtë ndaj Kuranit duhet të përqendrohet në:
Studimin analitik të Kuranit: Atë duhet trajtuar si sistem hyjnor, i cili në vete ngërthen të vërtetat e padiskutueshme dhe trajton me urtësinë më të madhe të gjitha çështjet me të cilat ballafaqohet njeriu, qofshin ato të rrafshit ekonomik, social, politik apo etik. Aty është platforma për ndërtimin e njeriut si individ dhe njeriut si shoqëri. Studimi analitik i Kuranit i mundëson individit të njoftohet me të gjitha shkaqet e problemeve dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre. Korrupsionin politik, ekonomik dhe moral, që shpiejnë në shkatërrimin e shoqërisë e shëron Kurani duke i hedhur dritë shkaqeve të vërteta që qëndrojnë pas këtyre delikuencave. Këtu gjen shprehjen vullneti i individit për ndryshimin dhe përmirësimin e situatës, për t’iu rikthyer vlerave hyjnore dhe rrugës së Zotit.
Analizimin dhe qasjen shkencore ndaj rrëfimeve kuranore, me ç’rast realisht do të përfitojmë nga temat të cilat i trajton Kurani, ku përmend përvojat e popujve të mëhershëm “Ne tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kurani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111). Ky proces njeriut i ofron model dhe pasqyrë të qartë se si popujt në të kaluarën kishin arritur piedestalin më të lartë në zhvillim, gjithashtu pasqyron edhe shkaqet e dekadencës dhe rrënimin e perandorive të ndryshme “Ti rrëfejua tregimet (umetit tënd) në mënyrë që ata të mendojnë!” (A’raf, 176).
Absorbimi i vlerave shpirtërore dhe morale
Njeriu i cili kërkon përsosurinë ka nevojë për udhërrëfyes të çiltër, i cili i siguron lumturinë. S’do mend që prej shkaqeve më të rëndësishme që sigurojnë lumturinë dhe krijojnë stabilitet shpirtëror rrugës për përsosmëri është një program ideor dhe aplikativ, që është kompetitiv për të udhëzuar drejt së mirës dhe së përkryerës. Të gjitha sistemet dhe platformat ideologjike që i kishte sajuar njeriu pësuan fiasko, ngaqë janë sisteme të mangëta dhe asnjëherë nuk përmbushin nevojat dhe aspiratat maksimale të njeriut. E as që përmbushin nevojat e domosdoshme për të ndërtuar njeri me plotë kuptimin e fjalës. Kurani është sistemi më i përkryer që krijon raportin mes individit dhe Krijuesit të Tij. Lidhje e cila karakterizohet me nënshtrim absolut ndaj Krijuesit nëpërmjet ibadetit dhe materializimit të urdhëresave të Tij. E njëra ndër porositë më të mëdha që buron nga Kurani është përsosuria morale dhe shpirtërore. Muhamedi [alejhi selam] ka thënë: “Jam dërguar për të përsosur vlerat e larta morale.”
Dhe krejt në fund, nga të gjithë ne kërkohet leximi, studimi, meditimi dhe analizimi i Kuranit, si edhe këndimi i tij për të shijuar ëmbëlsinë e elokuencës së tij, njoftimi me vlerat e tij, aplikimi në jetën e përditshme për të arritur tek qëllimi final, ndërtimi i individit dhe i shoqërisë së shëndoshë. Kjo kërkohet prej nesh, e kurrsesi vetëm ta mbështjellim Kuranin me çarçaf dhe kaq!
Zofingen, ZVICËR
11.06.2011
Autori është magjistrant pranë Institutit Europian për Shkencat Humane, Paris.
Departamenti për Dialog Inter-religjioz dhe Fetë Komparative