Në historinë e njerëzimit jo rrallëherë gjinden popuj, religjione e besime, të cilët ndaj natës dhe errësirës kanë botëkuptime të dominimit të të keqes dhe zotërimit të terenit nga ana e shpirtërave të këqij, fantazmave, demonit etj.
Së këtejmi, disa kanë bërë edhe ndarjen e zotrave në të mirë dhe të këqij, gjegjësisht zoti i ditës dhe dritës gjykon për mirë, e zoti i natës dhe errësirës gjykon për keq. Kjo i shtyri zjarrputistët në Persi dhe gjetiu që vazhdimisht të mbanë të ndezur zjarr, me qëllim që mos dominojë fuqia e errësirës e cila gjykon sherr dhe të këqija.
Përkundër këtyre botëkuptimeve për të keqen e natës dhe dominimin e forcave demoniane, Islami e theksoi natën si një nga begatitë e Allahut të Madhërishëm për robërit e Tij, ngase gjatë natës pushojnë, qetësohen dhe çlodhen nga mundimet e ditës.
Jo vetëm kaq, në aspektin fetar, namazit të natës iu dha vlerë dhe peshë e veçantë në Islam, dhe fetarisht lavdërohen e konsiderohen njerëz të devotshëm në stade të larta të devotshmërisë dhe përkushtimit, ata që natën e gjallërojnë me adhurim, apo siç shprehet edhe Kur’ani, “largohen nga shtretërit e tyre” e i qasen adhurimit. Në fakt, në sajë të adhurimit dhe përkushtimit ndaj Krijuesit, nata ndriçohet, apo për besimtarin errësira bëhet dritë besimi dhe ia ndriçon rrugën e jetës në këtë botë, e i hap horizonte avansimi në xhenetet e larta në botën tjetër.
Krahas theksimit të vlerës së adhurimit të natës në planin individual, nata në Islam u theksua edhe me një veçori tjetër, e cila është e karakterit shoqëror, kolektiv dhe global. Pikërisht nata, u zgjodh nga Krijuesi që të jetë koha e fillimit të shpalljes së Tij të fundit për njerëzimin-Kur’anit famëlartë. Mu natën, u shpall drita më e madhe e mendjes dhe jetës njerëzore, Kur’ani famëlartë, i cili hapi horizonte të reja të të menduarit dhe ofroi platformë reale të jetës dhe të ndërtimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore në ruzullin tokësor. Ia ktheu njeriut vlerën e nëpërkëmbur nga ideologjitë destruktive të mbështetura në filozofinë e mohimit dhe shtrembërimit të konceptit të besimit në Zotin e Madhërishëm. Me fjalë tjera, nata në të cilën u shpall Kur’ani, drita e njerëzimit, u shënua në histori me shkronja të pashlyeshme dhe u emërua nga Kur’ani “Nata e Kadrit”. Në fakt, kjo natë është natë e dritës dhe mposhtjes së të keqes, ngushtimit të veprimtarisë së djallit dhe shërbyesve të tij, flakjes së botëkuptimeve të domnimit të forcave të sherrit gjatë natës, dhe promovimit të të mirës që bëhet me qëllim të pastër, qoftë në dritë apo errësirë.
Nata e Kadrit, jo vetëm që është një nga netët më të dalluara dhe më të ndritshme të vitit, dhe në veçanti të muajit të Ramazanit, apo siç shprehet edhe Kur’ani “ma e mirë se një mijë muaj” për atë se në këtë natë filloi shpallja e librit hyjnor të dijes, arsimit, ngritjes së njeriut në të gjitha aspektet dhe të udhëzimit, por edhe për atë se kjo natë ndriçohet për çdo vit, edhe në ditët e sotme, dhe do të vazhdojë kështu deri në mbarim të botës, me zbritjen e melekëve në tokë dhe përshëndetjes që ua bëjnë besimtarëve të denjë në adhurim dhe nënshtrim ndaj Allahut të Lartmadhërishëm. E si mos ndriçohet kjo natë nga melekët, kur melekët janë të krijuara nga drita, dhe ja drita e ndriçon errësirën e natës. Kadri është nata që u ndriçua me shpalljen dhe mesazhin e fundit të Allahut të Madhërishëm për njerëzimin, dhe kjo është nata që ndriçohet edhe më tej me zbritjen e melekëve, krijesave të dritës në mesin e njerëzve atë natë.
Nata e Kadrit, shiquar nga një këndvështrim tjetër, vlen të potencohet edhe si shënim i shpalljes së kushtetutës, siç shprehet shkollari i shquar musliman Dr.Abdullah Draz. Popujt, shpalljen e kushtetutës së vendit, e rendisin në datat dhe evenimentetet e rëndësishme nacionale të cilat shënohen në mënyrë madhështore, ngase paraqesin stacion të rëndësishëm të nisjes së ngritjes dhe zhvillimit të kombit dhe vendit. E pikërisht, nata e Kadrit, duhet të na rikujtojë neve muslimanëve në kushtetutën e cila na erdhi me shpalljen, pikërisht në këtë natë. Dhe ja, edhe ne e shënojmë këtë ndodhi madhështore me adhurim dhe lutje ndaj Allahut që të na hapë mendjet e të na shtojë vullnetin për të qenë të vendosur në zbatimin e kësaj kushtetute që e shpalli Krijuesi për njerëzimin, e nuk u miratua nga votat e njerëzve.
Shpallja e Kur’anit në këtë natë, zbritja e melekëve, vlera e madhe që ka kjo natë, si dhe vlera e adhurimit në orët e natës në përgjithësi, janë tregues i qartë se muslimani duhet të jetë në shërbim të kauzës së tij gjatë gjithë kohës, pa mos patur për të ditë e natë, sepse edhe nata për të është e ndritçme, nëse reflekton besimi i tij si duhet. Ky është një mesazh se edhe kur të gjithë tjerët stagnojnë, ndalen apo pushojnë, muslimani duhet të lëviz dhe të veprojë që asnjiherë mos gjindet në gjumë nga tjerët. Të ndërtojë e të zhvillohet duke punuar vazhdimisht, ashtu që edhe natën ta bëjë ditë.
Po, besimtari i denjë edhe natën duhet ta bëjë ditë, sepse edhe ashtu, nata për të është e ndritshme dhe e begatshme.
Ky shkrim botohet në bashkëpunim me Forumin Rinor Islam