Molieri, shkrimtar frances diku në vitin 1664 kishte shkruar një dramë të titulluar „Tartufi“, në të cilin kishte përshkruar personalitetin e një njeriu fetar të shthurur moralisht, por që fshihej pas devotshmërisë së rrejshme.
Akt i cili atëbotë nxiti reagimin e kishës katolike, e cila kritikoi ashpër Molierin dhe arriti të pengojë shfaqjen e saj per pesë vjet radhazi. Ndonëse Tartufi fshihej pas petkut fetar, ai ishte i dhënë pas shfrenimeve, bënte jetë të dyfishtë duke ngopur pasionet e veta, por për publikun njihej si i devotshëm në stilin allafrënga.
Edhe përskaj ndalimit të dramës, që më vonë u bë një nga dramat më të shquara të klasikës, termi „Tartuf“ në gjuhën frënge dhe angleze është sinonim i njeriut fetar me devotshmëri të rejshme, allaturka munafik.
Pyetja e cila shtrohet vetvetiu, periudha nëpër të cilen po kalojmë, a mos vallë edhe shoqëria jonë është e këtij soji, veçanërisht individët që promovojnë vlerat fetare, që pretendojnë qe më devotshmëri të plotë i janë përkushtuar fesë dhe mësimeve të saj sublime!? Apo edhe ajo pjesë e shoqërisë jofetare, laike, e cila pretendon një moral mbi parime universaliste i përket sojit të Tartufit?!
Shoqëria sëmuret sikur që sëmuret njeriu. Shoqëria jonë është duke vuajtur nga sëmundja e shkarjes së besimit nga vlerat, shkarjes së devotshmërisë nga morali. S‘do mend se kjo semundje ka shkaqet e saj:
Së pari, sistemi aktual i cili nuk po arrin të marrë veten që të përfaqësojë një shtet ligjor ndikon detyrimisht që të përhapet korrupsioni, dredhitë, dëshmimi e rrejshëm, fajdeja, etj.;
së dyti, leximi fetar apo qasja ndaj fesë më tepër është sipërfaqësore, mekanike e pashpirt sesa qasje mbi vlerat morale universale të fesë, që do të thotë, se feja nuk paraqitet si sistem hyjnor prej së cilës burojnë vlerat morale, dhe se Zoti duhet te jete poseduesi parësor i këtyre vlerave, por shihen si fe proceduraliste, me fjalë të tjera, nëse njeriu plotëson disa procedura shpallet fetar dhe i devotshëm.
Disa mund të thonë se forma e ritualeve dhe ibadeteve janë pjesët më të rëndësishme të fesë dhe s‘do mend se kjo është e vërtetë, sikur që janë vlerat e moralit. Në parim, të gjitha fetë hyjnore për qëllim kanë mbrojtjen e vlerave universale njerëzorë: lirinë, drejtësineë dhe barazinë.
Këtë e dëshmon thesari i pasur islam, që vlerat morale universale janë pjesa më e rëndësishme e Islamit si fe. Sidoqoftë, ne ose nuk po e kuptojmë këtë ose po shtiremi se nuk po e kuptojmë!?
Raportohet një ndodhi interesante nga koha e Pejgamberit (alejhi selam), i cili kishte takuar një njeri duke bërë lutjet në xhami dhe kur e pyet se qe sa kohë është duke qëndruar në xhami dhe se si e menaxhon kohën, kush e ushqen dhe çfarë bën pas mbarimit të namazit, lutjeve etj., zotëria në fjalë i përgjigjet Pejgamberit (alejhi selam) se i vëllai qe ai që përkujdesej për furnizimin e tij me ushqim, me veshmbathje dhe mbarëvajtjen e tij materiale, kurse ky i ishte përkushtuar vetëm adhurimit ndaj Zotit. Më të dëgjuar këtë përgjigje, Pejgamberi (alejhi selam) i thotë: „Vëllai yt është më i devotshëm se ti!“
S‘do mend se feja luan rol të rëndësishëm në jetën e njerëzve dhe as që mund të parafytyrohet shoqëri njerëzore pa fe. Rëndësia e fesë ka të bëjë me faktin se ajo ekzsiton në saje të ekzistimit të individit dhe shoqërisë. Që këtu, zhvillimi i shoqërisë në saje të vlerave të fesë është prej universaleve më të rëndësishme për të cilën kanë nevojë pjesëtarët e shoqërisë për të ndërtuar sistemin e vlerave morale. Kalitja dhe zhvillimi i vlerave fetare është më sublimja për pjesëtarët e shoqërisë, ngaqë burojnë nga një strumbullar i rëndësishëm, që fillon me besimin, vlerat morale, perceptimet e mendimin islam dhe metodologjinë për të gjitha sferat e jetës së njerëzimit.
Besimi ka të bëjë me vërtetimin e njëshmërisë së Zotit Lavdiplotë prej të cilit burojnë të gjitha ligjet dhe sistemet në jetën e përditshme, pas kësaj metodologjia aplikative, e cila tenton të shlyejë të gjitha mangësitë dhe deliktet që mund të paraqiten në jetën e individit dhe shoqërisë duke e trajtuar çdoherë çështjen e aktualitetit me të cilin përballen individët dhe shoqëria njerëzore. Së kendejmi, Islami konsiderohet fe e cila çdoherë ka në konsideratë nevojat dhe sfidat e shoqërisë njerëzore përmes dispozitave të ndryshme, të cilat disa pranojnë elasticistetin nëse nuk biejnë ndesh me dy shtyllat fundamentale Kuranin dhe Sunetin (traditen pejgamberike).
Gjithashtu edhe vlerat për të cilat inkurajon islami nuk përkufizohen vetëm me vlerat morale apo vetëm me perceptimin e ahiretit, por ato shtrihen tëj përmasave të botës metafizike, sikur që janë zhvillimi i vetëdijes, i industrisë, profesionalizmi dhe saktësia në çdo punë e profesion, zbatimi dhe respektimi i ligjit, respektimi i mendimit të lirë, çmon lart lirinë, barazinë e drejtësinë, premisa këto të rëndësishme për një jetë të lumtur për të gjithë njerëzit, pavarësisht ngjyrës, racës apo përkatësisë fetare, vlera këto për të cilat edhe shpërblehet muslimani në këtë botë dhe botën tjetër.
Në anën tjetër hasim individë dhe shoqëri që nuk dëshirojnë të jetojnë sipas këtyre parimeve e vlerave morale, dëshirojnë një anarki të vërtetë, duke mos respektuar asnjë shenjtëri (apo autoritet) – që paraqet rrëmujë me kuptimin e plotë të fjalës. Ndonëse mund të kenë qenë të suksesshëm për një periudhë, megjithatë vërehen shenja të depresionit, zhgënjimit, nervozizmit, mospërmbajtes së vetvetes e sidomos zilisë dhe smirës ndaj të tjerëve. Karakterizohen me ndjenjën e dëshpërimit, praktikisht mundohen të arrijnë sa më lehte tek të ardhurat materiale, qofte edhe nëpërmjet lajkave e dredhive, duke u bërë qejfin të tjerëve gjatë fetvave në stilin allafrënga.
Gjithashtu vjen në shprehje mashtrimi kolektiv, shtrembërimi i së vërtetës, interpretimi i teksteve fetare sipas tekave dhe pasioneve, shfaqja e devotshmërisë së rrejshme për interesa të ngushta materiale apo për prestigj, me fjalë të tjera kemi të bëjmë më individë me dy personalitete. Në kuadër të kësaj, Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: „Më i keqi në mesin e njerëzve është njeriu me dy fytyra, para një grupi paraqitet me një fytyrë, kurse grupit tjetër i paraqitet me fytyrë tjetër.“
Këtu humb efektin çdo pretendim i rrejshëm se mund të jesh në të njëjtën kohë edhe praktikues i fesë edhe i shthurur moralisht. Islami kërkon individë të pajisur me vlera universale të moralit dhe praktikues të dispozitave fetare. Këtë e potencoi më së miri i Dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhi selam) kur u shpreh: „Më afër meje në Xhenet do të jenë njerëzit më të përsosur moralisht.“ E kurrsesi soji i tartufave!!!
Autori është imam në Qendrën Islame Kulturore Shqiptaro Zvicerane
Xhamia e Bardhë e Aarburgut