Muhammedi a.s. më i miri i të gjithë krijesave

“Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiu i tyre të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet e Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndyrësisë së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi.”(El Bekareh: 129

Më 12 Rebiul-evvel ditën e hënë, nga nëna Emine dhe babai Abdullah, lindi Muhammedi a.s. i cili e nderoi botën. Koha më e vlefshme dhe më e rëndësishme, që nga krijimi i gjithësisë e deri në shkatërrimin e saj, padyshim është koha e ardhjes në botë e Pejgamberit të fundit, Muhamedit a.s. Ky njeri që s'dinte shkrim e lexim, pas shpalljes filloi të flas me të folurit më elokuent, me të cilin i habiti dhe i befasoi të gjithë njerëzit.
Populli i tij, ia ofroi sundimin dhe gjithë pasuritë e vendit, vetëm e vetëm që të tërhiqej nga thirrja në fenë Islame dhe përhapja e misionit të vet. Por, ai i refuzoi gjithë këto oferta, dhe në vend të tyre zgjodhi më të vështirën, për hir të misionit të besuar nga Allahu i Madhërishëm. Pejgamberi a.s. në ditën e çlirimit të Mekkes, hyri me një modesti të madhe, i hipur mbi deve, me kokë të përulur përpara sikur bënte sexhde, duke iu falenderuar Allahut të Madhërishëm.
Muhammedi a.s. është një krijesë e përsosur dhe shembulli më i përkryer për mbarë njerëzimin. Drita që erdhi në shkretëtirë, rrezatoi anembanë rruzullit tokësor.
Kur hyri në Mekke ua fali mekkasve të gjitha mëritë duke u thënë: “Edhe unë, ashtu sikurse u tha Jusufi vëllezërve të vet, po ju them: ’Sot nuk ka qortim kundër jush, Allahu ju faltë juve; Ai është më mëshiruesi i mëshiruesve!’ (Jusuf: 92) Shkoni jeni të lirë!“
Kur i Dërguari i Allahut kishte shkuar në Taif, për ta thirrur popullin e Taifit në fenë islame, ata e gjuajtën me gurë. Xhebraili a.s. i thotë Muhammedit a.s.: “A ta shkatërroj këtë popull, duke i bashkuar këto dy bjeshkë njëra me tjetrën“? Pejgamberi a.s., përkundrazi lutet duke thënë: “O Zoti Im! Sille në rrugë të vërtetë këtë popull. Unë shpresoj që nga këta të dalë një brez besimtarësh.“
Kur ishte kërkuar nga i dashuri i Allahut që të mallkojë, ai kishte thënë: “Unë nuk jam dërguar për të mallkuar. Unë jam pejgamber i mëshirës.“
Dhe vërtet dërgimi i Muhammedit a.s. është një mëshirë e madhe nga ana e Allahut për të gjitha botërat.

Disa cilësi të Muhammedit a.s. të përmendura në Kur’an

1. Allahu e ka përmendur emrin e tij të nderuar së bashku me emrin e Vet, në pafillishmërinë e amshuar dhe e ka qëndisur në Levhi Mahfudh duke e shkruar atë mbi Arsh, mbi kopshtet e Xhenetit dhe mbi shtatë qiejt: “La ilahe il’l-Allah, Muhammedun resulullah.”
2. Zoti e lartësoi përmendjen e emrit të tij përkrah emrit të Vet në Fjalën e Dëshmisë, në ezan, në ikamet, në teshehudin e namazit, në shumë lutje, në shumë vepra adhurimi, në hutbe, në varr, në Ditën e Gjykimit, në Xhenet dhe në gjuhët e folura prej të gjithë krijesave : “Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënde.” (El Inshirah: 4).
3. Zoti shpëtimin e madh e lidhi me nënshtrimin ndaj Tij dhe të Dërguarit (a.s.) të Tij: “Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ka arritur një shpëtim të madh!” (El Ahzab: 71).
4. Zoti betohet se Muhammedi a.s. nuk kishte humbur rrugën dhe as që kishte devijuar: “Shoku juaj (Muhammedi a.s.) as nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar.” (En Nexhm, 2).
5. Zoti ia mbrojti zemrën nga rreziqet dhe blasfemia: “A e ke parë ti atë, që për zot e merr epshin e vet, a mos ti do t’i bëhesh atij dorëzanës?” (El Furkan: 43).
6. Zoti dhe melekët i çojnë selame: “Eshtë ë vërtetë se Allahu dhe melekët e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhëroni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” (El Ahzab, 56).
7. Zoti ia hapi dhe ia pastroi gjoksin: “A nuk ta hapëm Ne gjoksin tënd?” (El Inshirah: 1)
8. Zoti ia hoqi barrën: “Dhe Ne hoqëm prej teje barrën tënde, e cila shtypte shpinën tënde.” (El Inshirah: 2,3).
9. Zoti nuk e braktisi dhe as nuk e përbuzi: “Zoti yt as nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur.” (Ed Duha:3).
10. Botën e amshueshme ia bëri shumë më të mirë se kjo botë:
“Dhe se bota e ardhshme është shumë më e mirë për ty se e para.” (Ed Duha:4).
11. Zoti i dha dhe e bëri të kënaqur: “E Zoti yt do të japë ty, e ti do të kënaqesh.” (Ed Duha:5). 12. Zoti e strehoi dhe e mbrojti: “A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të dha strehë.” (Ed Duha:6).
13. Zoti e udhëzoi atë: “Dhe të gjeti të paudhëzuar e Ai të udhëzoi.” (Ed Duha:7).
14. Zoti e pasuroi dhe begatoi: “Dhe të gjeti të varfër e të pasuroi.” (Ed Duha:8).
15. Zoti ia dha kevtherin: “Ne, vërtet të dhamë ty shumë të mira (Kevtherin).” (El Kevther: 1).
16. Zoti ia pastroi gjuhën: “Ai nuk flet nga hamendja.” (en Nexhm, 3).
17. Zoti ai pastroi zemrën: “Zemra nuk e përgënjeshtroi atë që pa.” (en Nexhm, 11).
18. Zoti ia pastroi memorjen/mbamendjen: “Ne do ta lexojmë ty e nuk do ta harrosh (Kur’anin).” (El Ala: 6).
19. Zoti ia pastroi të dëgjuarit: “Dhe veni veshin thirrësit kur thërret nga ndonjë vend i afërt.” (Kaf: 41).
20. Zoti ia pastroi të pamurit: “Shikimi (i Muhammedit a.s.) as nuk lakoi as nuk tejkaloi.” (en Nexhm, 17).
21. Zoti ia pastroi namazin, qëndrimin në këmbë dhe rënien në sexhde: “ICili të sheh kur të ngrihesh në këmbë. (E sheh) Edhe lëvizjen tënde në mesin e atyre që falen.” (Esh Shuara: 218, 219). 22. Zoti ai ka pastrue lutjen: “Dhe lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta.” (Et Teobeh: 103). 23. Zoti e barti nga Meka në Kuds (Isra): “Pa të meta është Lartmadhëria ë Tij që ë kaloi robin ë Vet në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa…” (el Isra: 1).
24. Zoti e ngriti nga Kudsi deri mbi shtatë qiejt (miraxh), tek Sidretul Munteha: “Tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është xhennetul Me’va.” (en Nexhm: 14, 15).
25. Zoti i tregoi gjëra të jashtëzakonshme gjatë miraxhit: “Ai vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.” (en Nexhm, 18).
26. Zoti ia fali mëkatet: “Ashtu që Allahu të liroi ty prej mëkateve të mëparshme dhe prej atyre të më vonshme…” (El Feth: 3).
27. Zoti është betuar në jetën e tij: “Pasha jetën tënde (Muhammed) s’ka dyshim se ata ishin të humbur në dehjen e tyre.” (El Hixhr: 72) .
28. Zoti nuk i drejtohet me emër por me thirrjen: “O i dërguar”: “O ti i dërguar! Komuniko atë që t’u zbrit prej Zotit tënd…” (El Maideh: 67).
29. Zoti e pastroi moralin e tij: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit.” (el Kalem: 4).
30. Zoti betohet se ai nuk është i marrë: “Nuk është i marrë shoku juaj (Muhammedi).” (Et Tekvir: 22).
31. Zoti e dërgoi atë që t’ia lexonte njerëzve ajetet e Kur’anit dhe t’i pastronte ata nga idhujtaria dhe mosbesimi: “Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre që t’iu lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë librin dhe sheriatin…” (el Xhumua: 2).
32. Zoti e bëri shembull për njerëzimin: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin ë All-llahut…” (El Ahzab: 21).
33. Zoti e dërgoi për të gjithë njerëzit dhe xhindet (Resulu Thekalejn):
“Thuaj: Mua më është shpallur se një grup nga xhinët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kur’anin) dhe thanë: Ne kemi dëgjuar një Kur’an që mahnit, që udhëzon në të vërtetën, andaj ne i besuam atij dhe Zotit tonë, kurrsesi nuk do t’ia shoqërojmë më askënd.” (el Xhinn: 1,2).
34. Zoti e dërgoi dëshmues, lajmëtar, përgëzues, qortues, sihariqdhënës dhe pishtar ndriçues: “O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar, përgëzues e qortues. Dhe me urdhrin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues. E besimtarëve jepu sihariq se prej Allahut ata kanë dhunti të madhe.” (El Ahzab: 45-47).
35. Zoti e dërgoi mëshirë për të gjitha botët dhe të gjitha krijesat: “E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” (El Enbija: 107).
36. Zoti e cilëson me cilësitë specifike “Reuf” (i Butë) dhe “Rahim” (i Mëshirshëm): “Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm-butë dhe i mëshirshëm për besimtarët.” (Et Teobeh, 128).
37. Pejgamberit a.s. i vinte keq edhe për pabesimtarët: “A thua ti, do ta shkatërrosh veten nga hidhërimi pas tyre, nëse ata nuk i besojnë këtij ligjërimi (Kur’anit)?” (El Kehf, 6).
38. Zoti e dërgoi Muhammedin a.s. që t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë: “… për t’i nxjerrë ata që besuan dhe bënë vepra të mira prej errësirave në dritë…” (Et Talak: 11).
39. Dërgimi i tij ishte dhuratë e madhe për besimtarët: “Eshtë e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta, nga mesi i tyre dërgoi të dërguar…” (Ali Imran: 164).
40. Zoti dëshmon për misionin e tij: “O ju njerëz, juve ju erdhi i dërguari me të vërtetën nga Zoti juaj…” (En Nisa: 170).
41. Isai a.s. kishte lajmëruar ardhjen e tij, (madje sipas sunnnetit të gjithë pejgamberët e kanë bërë një gjë të tillë): “Dhe, kur Isai, bir i Merjemes tha: …dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed….” (Es Saff: 6).
42. Zoti ia dha Kur’anin: “Dhe poashtu Ne ta zbritëm ty librin…” (El Ankebut: 47); “Ne nuk ta shpallëm Kur’anin për të të munduar.” (TA HA: 2).
43. Zoti e bëri të Dërguarin, pejgamer të fundit: “Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve…” (El Ahzab: 40).
44. Zoti lejoi që Muhammedi a.s., të ketë më shumë gra se muslimanët e tjerë: “O ti Pejgamber, Ne të kemi lejuar gratë, të cilave u ke dhënë shpërblimin ë kurorës, … duke qenë kjo vetëm për ty e jo edhe për besimtarët….” (El Ahzab, 50).
45. Gratë e Pejgamberit a.s. janë nënat e besimtarëve: “Ndërsa gratë e tij janë në vend të nënave të tyre.” (El Ahzab: 6).

Sipas Sunnetit

“Allahu i Madhëruar mua më ka dërguar për ta plotësuar moralin e bukur.”
“Mos u frikëso vëllai im! Qetësohu! Unë nuk jam as mbret e as perandor. Jam bonjaku i fqinjit tënd të vjetër që ka ngrënë mish të tharë në diell!”
Omerit i ishin mbushur sytë me lot, kur kishte parë që i Dërguari i Allahut jetonte mbi një shtrojë të thatë, ndërkaq Kajseri dhe Kisrau notonin në begati. Pejgamberi a.s. për ta qetësuar hz. Omerin. i thotë: “O Omer! Kisrau dhe Kajseri le të i marrin begatitë e kësaj bote, le të jetojnë me to. Neve na mjafton begatia e botës tjetër!”
H. Muhammedi a.s. është “i dashuri i Allahut” (habibullah), i parapëlqyeri ndër pejgamberët dhe më i nderuari i gjithë krijesave. Ai është i Dërguari i kohës së fundit, “i fundit i pejgamberëve” (hatemul enbijai vel murselin). Pejgamberit të mëshirës i janë dhuruar, për Ditën i Kijametit, pozitat e “të përzgjedhurit” (mahmud; mekami mahmud) dhe e “ndërmjetësuesit të madh për falje” (shefaatu udhma). Ai netët i kalonte duke u falur, aq sa këmbët i ënjteshin. Kur h. Aisheja i tha se pse lutej aq gjatë natën, ndërkaq që Allahu ia kishte falur mëkatet e mëparshme dhe të mëpasme, ia i ishte përgjegjur duke thënë: “A nuk duhet të jem rob mirënjohës dhe falenderues ndaj Allahut?” Ai ishte i dashur dhe i besueshëm tek populli i tij. Atë e quanin el Emin (Besnik) dhe es Sadik (i Besueshmi). Pejgamberi a.s. ka thënë: “Unë jam Muhammed dhe Ahmed. Unë jam Asgjësuesi (Mahi), me pejgamberinë time Allahu do ta asgjësojë mohimin. Unë jam Bashkuesi (Hashir), rreth të cilit do të tubohen dhe mblidhen njerëzit në Ditën e Ringjalljes. Unë jam vula e pejgamberëve (Hatemul Enbija), dhe Përmbyllësi (Akib), pas meje s’do të ketë pejgamber tjetër.”
Pejgamberi a.s. gjithashtu thotë: “Allahu i Madhërishëm, ndër bijtë e Ibrahimit, zgjodhi Ismailin. Nga bijtë e Ismailit zgjodhi bijtë Kinane. Nga bijtë Kinane zgjodhi Kurejshët. Nga Kurejshët zgjodhi bijtë Hashim. Nga bijtë Hashim zgjodhi bijtë Abdulmutalib. Dhe nga bijtë Abdulmutalib, më zgjodhi mua.”
Nëna Emine në ditët e para të shtatzënisë, pa një ëndërr. Asaj iu tha: “Ti je shtatzënë në më të mirin e këtij ummeti. Kur ta lindësh atë, lutu duke thënë: Mbështetem te Allahu nga sherri i çdo të keqi.” Pejgamberi a.s. ka thënë: “Unë jam lutja e gjyshit tim, Ibrahimit, sihariqi i vëllait tim, Isait dhe ëndrra e nënë sime.”

Cilësitë dhe shprehitë e bukura morale të të Dërguarit të Allahut

- I Dërguari a.s. ishte më superior ndaj të gjithë pejgamberëve të tjerë: në dije, në njohje, në të kuptuar, në intelekt, në mprehtësi, në siguri, në njohje të sigurt, në zgjuarsi, në kapacitetin mendor, në zemërgjerësi, në modesti, në dhembshuri, në butësi, përkorje, në ndjeshmëri, në durim, në entuziazëm, në atdhetari, në devotshmëri, në besueshmëri, në kurajo, në madhështi, në trimëri, në elokuencë, në retorikë, në guxim, në bukuri, në të shmangurit ndaj kënaqësive të jetës tokësore, në dëlirësi, në shpirtmirësi, në ndershmëri, në frikë-respekt. Ai i falte njerëzit e tjerë për sjelljet e tyre keqdashëse ndaj tij, si shokët, edhe armiqtë e tij po ashtu. Ai kurrë nuk hakmerrej kundrejt tyre. Kur ata bënë që nga faqa e tij e bekuar të rrjedhë gjak dhe thyen dhëmbin e tij të bekuar gjatë luftës së shenjtë në Uhud, ai shqiptoi bekimin e mëposhtëm rreth njerëzve, të cilët i shkaktuan atij këto dëmtime: “O Zot fali ata për padijen e tyre.”
- Ai ishte jashtëzakonisht i dhembshëm, ai u jepte kafshëve ujë për të pirë. Ai mbante në duart e tij enën derisa kafshët ngopeshin. Ai pastronte papastërtitë prej kalit që përdorte.
- Kur njerëzit e thërrisnin atë, kushdo qofshin ata, ai u përgjigjej, ‘Lebbejk’- ‘Po zotëri’.
- Ai kurrë nuk i shtrinte këmbët kur ishte në shoqëri me të tjerët. Ai ulej mbi gjunjët e tij. Sa herë që ai shihte një këmbësor, ndërsa ia ishte i hipur mbi një kafshë, ai e lejonte këtë person të ulej mbrapa tij, mbi kafshë.
- Ai nuk e nënvlerësonte askënd. Gjatë një ekspedite, një prej shokëve të tij mori për sipër të therte një dele, që ta hanin. Një tjetër mori mbi vete ta rripte, dhe një tjetër tha se do ta gatuante. Kur i Dërguari a.s. tha se ai do të siguronte drutë për zjarr, ata thanë: “O i Dërguari i Allahut, ju lutemi uluni dhe pushoni, ne do t’i sigurojmë gjithashtu edhe drutë për zjarr!” Pejgamberi i bekuar tha: “Po, ju do t’i bëni këto. Unë e di se ju dëshironi t’i bëni të gjitha punët, por mua nuk më pëlqen të qëndroj me një anë, dhe të ulem, ndërsa të tjerët janë duke punuar. Allahu i Madhërishëm, nuk e pëlqen një person, i cili qëndron veçan prej shokëve të tij.” Ai u ngrit dhe vazhdoi rrugën për të gjetur drutë e zjarrit.
- Kurdoherë që ai i bashkohej një grupi sahabësh të ulur së bashku, ai kurrë nuk zinte vendin më të dukshëm. Ai ulej në vendin e parë të pazënë që vërente. Një ditë ai doli me shkopin e tij në dorë, me të cilin ecte. Njerëzit që e panë u ngritën në këmbë. Ai i porositi ata: “Mos u ngritni për mua, sikurse disa njerëz, të cilët qëndrojnë në këmbë gatitu për njëri tjetrin. Unë jam njeri, sikurse ju. Unë ha, sikurse çdo person tjetër. Dhe unë ulem, kur jam i lodhur.”
- Ai më së shumti ulej mbi gjunjët e tij. Ai, gjithashtu, transmetohet të jetë parë i ulur këmbëkryq, me krahët e tij rreth gjunjëve të tij. Ai nuk i linte më një anë shërbyesit e tij gjatë aktiviteteve të përditshme, sikurse të ngrënit, të veshurit, etj. Ai u ndihmonte atyre me punë. Ai kurrë nuk është parë të godasë apo të mallkojë ndokënd. Enes Bin Malik, i cili ishte vazhdimisht në shërbim të tij, ka thënë: “Unë i kam shërbyer të Dërguarit të Allahut për 14 vjet. Shërbimi që ai më ka bërë mua, është më tepër se shërbimi që unë i kam bërë atij. Kurrë nuk e kam parë atë të më zemërojë apo të më qortojë mua.
- Ai ka arnuar dhe rregulluar vetë rrobat e tij, ka mjelë delen e tij dhe ka ushqyer kafshët e tij. Ai ka bartur vetë sendet e blera në pazar për shtëpinë e tij. Kur udhëtonte ai i ushqente kafshët e tij, ndonjëherë, ai madje i pastronte ato. Ndonjëherë ai i bënte këto shërbime vetë, dhe ndonjëherë i ndihmonte shërbyesit e tij për t’i bërë ato.
-Kur disa njerëz dërgonin shërbyesit e tyre tek ai, ai shkonte me shërbëtorët duke ecur dorë për dore, siç ishte zakon në Medine. Ai u kushtonte vëmendje vizitave tek njerëzit e sëmurë dhe i shoqëronte xhenazet. Me qëllim që të paqësonte mosbesimtarët dhe hipokritët, ai vizitonte gjithashtu të afërmit e tyre të shtrirë në shtrat.
-Pasi udhëhiqte namazin e mëngjesit në xhami, ai pyeste: “A është ndonjë prej vëllezërve i sëmurë në shtëpi? (Nëse ishte ndonjë) Le t’i vizitojmë ata.” Kur ndodhte të mos ishte asnjë i sëmurë, ai pyeste: “A është ndonjë familje që ka nevojë për t’u ndihmuar për varrim? Le të shkojmë dhe t’iu ndihmojmë atyre.” Nëse kishte ndonjë varrim, ai ndihmonte në larjen dhe mbështjelljen me qefin të kufomës, në udhëheqjen e namazit të xhenazes dhe ecte me xhemat për në varr. Kur nuk kishte ndonjë varrim, ai thoshte nëse ju keni ndonjë ëndërr për të interpretur, unë do ta bëjë këtë. “Më lejoni ta dëgjoj dhe ta interpretoj atë.”
- Kur ai nuk e shihte ndonjë prej sahabëve të tij për tre ditë rresht, ai interesohej për shëndetin e tij. Nëse sahabiu ishte në udhëtim, ai drejtonte lutje bekimi për të. Nëse i thuhej se sahabi ishte në qytet, ai e nderonte atë më vizitë. Kur ai e takonte ndonjë musliman gjatë rrugës së tij, ai e paraprinte atë në selam. Ai udhëtonte mbi deve, kalë, mushkë, apo gomar dhe shpesh here, ai kishte dikë tjetër të ulur mbrapa tij, mbi kafshë.
- Ai ju shërbente mysafirëve dhe sahabëve të tij dhe thoshte: “Zotëriu dhe anëtari më fisnik i bashkësisë është ai që ju shërben atyre.” Ai kurrë nuk është parë në shpërthim të buzëqeshjes. Ai vetëm bënte buzëqeshje të pazëshme dhe kur qeshte shiheshin dhëmbët e bekuar të tij në pjesën e përparme. Ai gjithmonë dukej i kredhur në mendime dhe serioz, dhe fliste pak. Ai fillonte të fliste me buzëqeshje.
- Ai kurrë nuk ka folur ndonjë gjë të panevojshme apo të pavlerë. Ai fliste përmbledhtazi, konkretisht, qartësisht dhe kur kjo ishte e domosdoshme. Ndonjëherë ai e përsëriste të njëjtën shpallje tre herë, në mënyrë që ajo të kuptohej mirë. Ai bënte shaka me të panjohurit dhe të njohurit, me fëmijët dhe gratë e moshuara dhe me gratë e tij të bekuara. Por këto shaka, kurrë nuk bënin që ai të harronte Allahun e Madhërishëm.
- Ai kishte një pamje që të ngjallte nderim, sa që askush nuk guxonte ta shikonte atë në fytyrë. Një visitor, i cili e vështroi fytyrën e tij të bekuar, u djersit. Ai i tha: “Mos u shqetëso! Unë nuk jam mbret dhe nuk jam aspak mizor. Unë jam djali i një gruaje e cila hante mish të tharë.” Këto fjalë ja larguan frikën njeriut dhe ai filloi të thotë atë që dëshiroi.
- Ai nuk ka pasur roje apo njerëz që t’i qëndronin tek dera. Çdo njeri lehtësisht mund të shkonte dhe të bisedonte me të. Ai kishte një ndjenjë të fuqishme modestie. Ai në të vërtetë gjithashtu ishte i druajtur për ta shikuar një person në fytyrë. Ai nuk ia përplaste në fytyrë asnjë personi gabimin (të metën) e tij. Ai nuk ankohej për dikë, apo nuk bisedonte prapa shpinës së dikujt. Kur ai nuk i pëlqente disa sjelle apo fjalë të ndokujt, ai thoshte: “Unë habitem, pse disa njerëz veprojnë kështu?!”
- Megjithëse ai ishte më i shtrenjti dhe më i dashuri, dhe i dërguari i zgjedhur i Allahut të Madhërishëm, ai e kishte zakon të thoshte: “Midis jush unë jam ai, i cili e njeh Allahun e Madhërishëm më së miri dhe i frikësohem atij më së shumti”. Një deklaratë tjetër, që ai e kishte shprehi ta thoshte është: “Sikur ju shihnit atë që shoh unë, ju do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë.” Kur ai shihte retë në qiell, e kishte zakon të thoshte: “O Zot, mos na dërgo neve dënim nëpërmjet këtyre reve.” Kurdoherë që frynte erë, ai lutej: “O Zot na dërgo ne era të dobishme.” Kur ai dëgjonte bubullimë, ai lutej: “O Zot mos na dëno me zemërimin Tënd dhe mos na shkatërro me hidhërimin Tënd. Dhe na beko me shëndet të mirë.”
- Kurdoherë që ai kryente namazin, tingujt e të psherëtimës dëgjoheshin prej kraharorit të tij, sikur të ishte dikush duke u ngashëryer brenda. Të njëjtët tinguj dëgjoheshin kur ai lexonte Kur’anin e shenjtë. Zemra e tij ka një forcë të mahnitshme të burrërisë dhe të trimërisë. Gjatë luftës së shenjtë të Hunejnit, muslimanët u shpërndanë me qëllim të mbledhjes së plaçkës së luftës, dhe vetëm tre apo katër njerëz mbetën me të. Pabesimtarët ndërmorën një ofensivë të papritur dhe kolektive. I Dërguari i Allahut u bëri ballë atyre dhe i shpartalloi ata. E njëjta ngjarje ka ndodhur disa herë, ai kurrë nuk tërhiqej.
- I Dërguari a.s. ishte jashtëzakonisht bujar, ai dhuronte me qindra deve dhe dele, pa mbajtur asnjë kokë të vetme për vete. Shumë pabesimtarë zemërngushtë, i panë me admirim veprat e tij zemërgjera të bamirësisë dhe iu bashkuan besimtarëve.
- Ai nuk është dëgjuar kurrë të thotë ‘jo’ për diçka, që është kërkuar prej tij. Nëse ai e kishte atë e cila i ishte kërkuar atij, ai e jepte atë. Dhe heshtja e tij linte të kuptohej se ai nuk e kishte gjënë që kërkohej.
-Pavarësisht prej ofertës Hyjnore, ku Allahu i Madhërishëm i kishte premtuar: “Më kërko, Unë do të jap.”, ai nuk lutej për pasuri materiale që i përkisnin kësaj bote. Ai kurrë nuk ka ngrënë bukë të bërë prej miellit të grurit të situr. Ai gjithmonë ka ngrënë bukë të bërë prej miellit të elbit të pasitur. Ai kurrë nuk është parë të hajë derisa të ngopej. Ai hante vetëm bukë dhe ndonjëherë me hurma, me uthull, me fruta, me supë, apo me copa të ngjyra të bukës me vaj ulliri.
- Ai hante mishin e pulës, si edhe mishin e lepurit, devesë, apo antilopës, peshkut, mishin e tharë dhe djathë. Atij i pëlqente të hante (mish) prej këmbëve të përparme të kafshëve. Ai e mbante mishin në duart e tij dhe e hante atë me marrjen e kafshatave. Ai zakonisht pinte qumësht, ose hante hurma. Shpesh, ata nuk gatuanin asgjë, ose nuk bënin bukë për dy ose tre muaj me radhë në shtëpinë e tij. Kështu ai hante vetëm hurma për muaj me radhë. Kishte raste kur ai nuk kishte për të ngrënë asgjë për dy ose tre ditë rresht. Pasi ai vdiq u gjend një çifut, i cili mbante parzmoren e tij si peng, për tridhjetë kilogram elb, të cilat Pejgamberi i bekuar ia kishte borxh atij.
- Ai kurrë nuk është dëgjuar të thotë se nuk e pëlqen një lloj ushqimi të caktuar. Ai e ka ngrënë atë që e ka pëlqyer dhe nuk e ka ngrënë atë ushqim që nuk e ka pëlqyer, por ai nuk ka thënë asgjë. Ai hante njëherë ushqim në ditë. Ndonjëherë ai e hante ushqimin e tij ditor në mëngjes dhe ndonjëherë e hante atë në mbrëmje. Kur ai kthehej në shtëpi, ai thoshte: “A ka diçka për të ngrënë?” Nëse përgjigja ishte negative ai edhe agjëronte. Në vend të vendosjes së ushqimit mbi diçka të ngjashme me mbulesën e tavolinës, tabakasë apo tavolinës, ai e vendoste atë mbi dysheme, e shtronte tek gjunjtë e tij dhe e hante pa u mbështetur askund.
- Ai thoshte ‘bismilah’ në fillim dhe pastaj fillonte të hante. Ai hante me dorën e tij të djathtë. Shpesh ai linte mënjanë një sasi elbi dhe hurmash, për të mbajtur nëntë gratë e tij dhe një numër të vogël shërbyesish për një vit, duke dhënë një pjesë të kësaj sasie, si sadaka për të varfrit. Mishi i deles, lëngu i mishit, kungulli, ëmbëlsirat, mjalti, hurmat, qumështi, kajmaku, lëngu i pjeprit, pjepri, rrushi, trangujt dhe uji i freskët, ishin llojet e ushqimit që ai i pëlqente veçanërisht. Kur ai pinte ujë, thoshte ‘bismilah’, e pinte me gllënjka të vogla në mënyrë të ngadaltë dhe bënte dy ndërprerje. Ai thoshte ‘elhamdulilah’, pasi pinte.
- Sikurse Pejgamberët e tjerë ai refuzonte që atij t’i jepej sadaka ose zekat. Ai pranonte dhurata, kryesisht të dhëna më tepër si shkëmbim. Çdo pejgamber tjetër e kishte vulën e tij mbi dorën e djathtë, kurse Muhammedi a.s. e ka pasur mbi lëkurë, në shpatullën e djathtë. Kur Xhebraili e lau zemrën e tij dhe e mbylli në kraharorin e tij, ai vendosi vulën që e kishte sjellë prej parajsës mbi shpinën e tij. Ai shihte atë çka ishte pas tij, njëlloj si edhe atë që ishte para tij. Ai shihte në errësirë, njëlloj sikurse edhe në dritë. Ndërsa sytë e tij të bekuar flinin zemra e tij e bekuar rrinte zgjuar.
- Megjithëse ai kishte një shtat të mesëm, ai dukej më i gjatë se të gjithë njerëzit e gjatë që qëndronin pranë tij. Kur ai ecte në diell, apo në dritën e hënës, hija e tij nuk binte mbi tokë. Kurdoherë që ai ecte engjëjt e ndiqnin nga pas. Ai u thoshte sahabëve të tij të ecnin përpara tij, duke u thënë atyre të linin hapësirë të pazënë “për engjëjt.” Kur ecte mbi rërë këmbët e tij nuk linin gjurmë mbrapa.
- Ai është pajisur me të gjitha cilësitë dhe shprehitë e bukura morale që njerëzimi mund të posedojë. Më e larta e superioriteteve të tij, është se ai ishte Habibullah (i Dashuri i Allahut). Allahu i Madhëruar atë e bëri të dashurin e Tij, Ai e donte atë më tepër se çfarëdo personi ose engjëlli tjetër. Në një hadith kudsi Allahu thotë: “Sikurse Unë e bëra Ibrahimin Halil, ashtu Unë e bëra atë (Muhammedin a.s.) Habib të Vetvetes”.
- Zemra e tij e bekuar ishte gjithmonë me Allahun e Madhëruar, natën, kur flinte ashtu edhe kur ishte i zgjuar, kur ishte i shoqëruar ashtu edhe kur ishte vetëm, kur ishte në shtëpi ashtu edhe kur ishte në udhëtim, në situata lufte, kur ishte duke qarë ashtu edhe kur ishte i gëzuar. Në të vërtet, ekzistonin raste kur zemra e tij ishte vetëm me Allahun e Madhëruar. I foluri i tij ishte jashtëzakonisht i qartë dhe lehtësisht i kuptueshëm. Me pak fjalë ai thoshte shumë.
- Numri i ummetit të Muhammedit a.s. e tejkalon numrin e gjithë ummeteve të pejgamberëve të tjerë. Pejgamberi i është lutur Allahut që të mos e lejojë ummetin e tij që të pajtohet me konsensus për lajthim. Ai e ka parë Xhibrilin a.s. në pamjen e tij prej engjëlli dy herë. Bijat dhe gratë e Resulullahit të bekuar janë më të lartësuarat prej të gjitha grave të botës. Gjithashtu sahabet e tij janë të rangjeve më të larta të njerëzimit, menjëherë pas pejgamberëve. Qytetet e tyre, Meka e shenjtë dhe Medina e ndritur, janë qytetet më të shenjta.
- Stërnipërit e çdo personi rrjedhin prej zinxhirit të djemve, kurse Muhammedi a.s. është trashëguar prej vajzës së tij Fatime. Është farz për çdo kënd ta dojë atë. Ai ka thënë: “Ai që e do Allahun, do të më dojë mua.” Tregus i dashurisë ndaj tij, është të përshtaturit e vetvetes me fenë e tij, rrugën e tij, me sunnetin e tij dhe me bukurinë e tij morale.
- Është vaxhib të duhet Ehli Bejti i tij. Ai thoshte: “Ai që ndien armiqësi ndaj Ehli Bejtit tim, është munafik.”
- Është vaxhib të duash të gjithë shokët e tij (sahabët). Ai thoshte: “Mos bëni armiqësi kundrejt sahabëve të mi, pas meje. T’i doni ata, do të thotë të më doni mua, armiqësia ndaj tyre do të thotë armiqësi kundër meje. Ai i cili i dëmton ata, do të më ketë dëmtuar mua. Ai, i cili më dëmton mua, do të ketë dëmtuar Allahun e Madhërishëm, dhe Allahu do t’i ndëshkojë ata, të cilët e dëmtojnë Atë.”
- Çdo person, i cili vdes pas moshës së pubertetit, mashkull apo femër qoftë, do të pyetet rreth Muhammedit a.s. në varrin e tij. Pyetja: “Kush është Zoti yt?”, do të pasohet me pyetjen: “Kush është pejgamberi yt?” Eshtë akt adhurimi të lexohen hadithet e Muhammedit a.s. dhe personi i cili vepron kështu, do t’i jepen sevape. (Këto cilësi dhe shprehi të bukura morale të Muhammedit a.s. janë përzgjedhur dhe përkthyer nga libri ‘Why Did they Become Muslims?’, Waqf Ikhlas Publications, nr: 16, Turkey, 1997).
Pejgamberi a.s ka thënë: “Dy gjëra në këtë botë më janë bërë të dashura: gruaja dhe era e mirë, kurse namazi më është bërë drita e syve.”; “Më i miri ndër ju është që më së miri sillet ndaj familjes së vet.”; “O Aishe, asnjëherë mos e kthe nga dera të varfrin. Qoftë edhe me një gjysmë hurme, mbroje veten nga dënimi i xhehennemit.”; “Ata janë vëllezërit tuaj (robërit e luftës). Jepni të hanë atë, që e hani ju dhe të pinë atë që e pini ju.”; “Atë (skllavin), ule pranë vetes. Ha së bashku me të. Nëse nuk e bën këtë atëherë merre një kafshatë, ngjyeje në vaj dhe jepja atij të hajë, gostite atë.”; “A e keni ledhatuar sot ndonjë kokë jetim? A keni vizituar ndonjë të sëmurë? A keni marrë pjesë në përcjelljen e ndonjë xhenazeje?”
Pejgamberi a.s rrëfen: “Një grua mëkatare sheh një qen në shretëtirë, i cili nga etja e madhe e lëpinte zallin e shkretëtirës. Duke pasur mëshirë ndaj qenit, me këpucën e saj merr ujë dhe i ofron qenit. Në këtë mënyrë kafshës i shuhet etja. Zoti i Madhërishëm ia fali mëkatet asaj gruaje. Ndërkaq, një grua tjetër macen e saj e kishte mbyllur, duk e lënë të uritur. Së fundi macja ngordhi. Ajo grua, për shkak të mosmëshirës, u bë udhëtare e xhehennemit.“
Pejgamberi a.s., para vdekjes, deshi të pastrojë ndërgjegjen, nga çdo njollë e mundshme, prandaj qëndroi në minber dhe iu drejtua masës me këto fjalë: ’Muslimanë, nëse e kam qëlluar dikë, ja ku është shpina ime. Nëse dikujt i kam ndonjë borxh, pasuria ime është e tij.’ U ngrit një njeri, duke thënë se, Pejgamberi i kishte borxh tre dirhem. Pejgamberi a.s. i përgjigjet duke thënë: ‘Më mirë, njeriu të ndiejë turp, në këtë botë, se në botën e ardhme’. Dhe menjëherë, ia pagoi borxhin. Dhe vërtet, sikurse i tha h. Hadixhja, që në fillim të shpalljes Muhammedit a.s.: “Betohem në Allahun, se Ai kurrë s’ka për të lënë ty të turpërohesh. Sepse ti i mbron të afërmit, ti merr mbi vete barrën e atyre që s’janë të aftë për ta mbajtur, ti i jep të varfrit dhe e ushqen mikun, ti e ndihmon popullin duke gjykuar me drejtësi ndërmjet njerëzve.” Njëri nga dijetarët hebre, Abdullah ibn Selam, porsa e takon Muhammedin a.s., duke parë dritën në fytyrën e tij, tha: “Ai që ka një fytyrë të tillë, nuk mund të jetë gënjeshtar!” Pas këtyre cilësive të përmendura dhe shumë të papërmendura, çfarë duhet të thonë njerëzit e kohëve të sotme?! Në fund le të përkujtojmë se është e pamundur përnjeriun, me mundësitë e tij të kufizuara, ta kuptojë dhe ta përshkruajë madhështinë dhe lartësinë e tij. Poeti arab e shpreh këtë, me këto rreshta: “Muhammedin s’e kam lavdëruar, Me shkrimet që kam hartuar, Por emri i tij më ka vleftësuar, Tregimet që janë rreshtuar.”
Le t’i dërgojmë salavate më të dashurit të Allahut, duke shpresuar ndërmjetësimin e tij në ditën më të frikshme dhe më të vështirë.


Artikulli i kaluar
Islami dhe dituria
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi